Kulturë
Ferdinand Laholli: Problemet e kohës mbi supet e brishta poetike të një fëmije
E premte, 08.08.2025, 06:03 PM
Problemet e kohës mbi supet e brishta poetike të një fëmije
Mbi
librin me vjersha „Bashkia e pyllit“ të dhjetëvjeçarit Ani Pëllumb Jaupllari
Nga
Ferdinand Laholli
Para
ca ditësh më ra në dorë krejt rastësisht një librushkë me vargjet e një djali
dhjetëvjeçar nga Lushnja. Dhjetëvjeçar?! Një moshë kjo, që në kontekstin
krijues prej një lexuesi të rritur ngandonjëherë mund të shoqërohet me
pikëpyetje ose me pikëçuditëse apo edhe me të dyja bashkë, ndërsa për mua ishte
një befasi tejet e këndshme dhe një risi që meriton edhe përkushtimin e këtij
shkrimi.
Është
fjala për titullin metaforik „Bashkia e pyllit“ të autorit Ani Pëllumb
Jaupllari, botuar nga Toena në vitin 2004.
Libri
hapet me krijimin „Nënës sime“, ku puthja e fëmijës, ky simbol i thjeshtë ka
përmasa horizontesh. Buzët e birit janë porta më hyjnore e një shpirti
transparent, ku nëna shihet e lartuar në piedestal adhurimi.
Diellin
në krijimin me të njëjtin titull autori nuk e sheh si vetmitar, por në shoqëri
të ngahershme me retë. Por jo vetëm kaq. Dielli në vargjet e tij domethënëse e
shohim edhe si amanetlënës, që hëna t’u bëjë dritë njerëzve në mungesë të tij.
Me penelata të lehta ai shpalos para lexuesit tablonë e një universi të
thjeshtë, pra një bashkësi hapësinore, kohore, materieje dhe energjie në
komunikimin e tyre etern.
Te
krijimi „Prindër të dashur“ kuptojmë se ai e shijon më së miri çastin me ta, me
bindjen fëminore se ky çast i tillë është frymim gjallimi. Edhe pse ende fëmijë
ai befason me pjekurinë e tij meditative, se kuptimi i jetës është, t’i japësh
jetës një kuptim. Edhe pse i vetëdijshëm për cakun e gjallimit, vargjet e tij kryeneçe
lartohen mbi truallin e zemrës së tij dhe shndërrohen atje për tërë familjen në
një strehë të përbashkët me konture amshimi.
Bota
në fokusin poetik të autorit është e bukur në përbërësinë e saj, madje edhe
njerëzit paraqiten të tillë, duke ia shtuar asaj edhe më tepër vitalitetin dhe
larushinë. Qaramanët e kësaj bote nuk zenë aspak vend në vargjet e tij, si
paralajmërim se mendimet janë tabani i asaj që përjetojmë.
Në
vargjet e librit ndeshet edhe rrëfimi mbi dy derrkucët që lëvdohen me ngrehinat
e tyre, ngrehina që befas përjetojnë rrëzimin brenda vetes. Ngaqë nuk përmendet
pse dhe prej kujt kryhet një akt i tillë, mbetet të aludohet se ato ishin
ngritur prej tyre pa lejë dhe pa sistem, e si të tilla edhe u rrafshuan nga
dora e pamëshirtë e ligjit.
Syri
hulumtues i Jaupllarit depërton thellë tek e përditshmja indifernte shqiptare,
ku jetimi është e mbetet vetmitari më i madh i kësaj kohe mjerane. Zemra e tij
rreh, por rreh vetëm. Megjithatë ne preferojmë edhe më tutje të mbytemi në
detin fodull të egoizmit, ku harresa nuk di më të kujtohet, se angazhimi është
e mbetet pulsi midis shoqërisë dhe ndërgjegjes.
„Bashkia
e pyllit“ është krijimi që jo vetëm i është bërë titull librit, por edhe
krijimi më i arrirë në të, ku vargjet përmes krahasimesh të këndshme dhe
simbolikash befasuese përcjellin tek lexuesi lajtmotivin apelues: vetëm kur çdo
individ të ndihet mirë, ka të drejtë të ndihet mirë e tërë shoqëria.