E marte, 12.08.2025, 10:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Jahja Drançolli: Manastiri i Studenicës së Pejës (Istogut), një shëtitje përnjohjeje nëpër monumente dardano-ilire

E hene, 11.08.2025, 06:55 PM


Instrumentalizimi me monumente të kultit nga politika e ditës:  Manastiri i Studenicës së Pejës (Istogut), një shëtitje përnjohjeje nëpër monumente dardano-ilire të kultit nga shekujt IV-VI!

Nga Jahja Drançolli

Manastiri i Studenicës së Pejës (Istogut) është lokalitet arkeologjik në fshatin Studenicë që gjendet 8-9 km në perëndim të Istogut dhe rreth 20 km në verilindje të Pejës. Është i njohur së paku nga viti 1908, kur një fshatar duke gërmuar në rrënoja të Manastirit Studenicë, ka ndeshur një kambanë dhe në mbetje tekstili.  Kambana është vendosur në Kishën Françeskane të Pejës.

Gërmime sistematike janë bërë më 1966-1970. Pas gërmimit janë kryer konservime të domosdoshme. Sipas gërmimeve janë arritur një sërë rezultate. Është dëshmuar se kompleksi mesjetar i manastirit, si seli ipeshkvnore e Fosnës (Hvosnës), pas pushtimeve nemanjide dhe pas vendosjes së organizmit kishtar ortodoks të Rashës në këto anë (pas vitit 1219), është ndërhyrje mbi një ndërtim të tërësishëm kulturor paleokristian  (shek. IV-VI), dhe të rindërtimeve të saja bizantine gjatë mesjetës së hershme (deri në shek. XI).

Kisha kryesore e manastirit, njënefëshe, është një ndërhyrje pas vitit 1219, mbi bazilikën paleokristiane trinefëshe dhe kishte një absidë altari të madh, nga jashtë katrore, nga brenda gjysmërrethore, më pastaj kishte transeptin e këndimit, traveun e shkurtër perëndimor dhe narteksin e gjerë. Pjesa e mesme e naosit është ngritur me kube. Kisha është murosur me sigë të gdhendur nga mjeshtër të trojeve bregdetare romane-katolike. Këtej, edhe ndërhyrjet e kryera këtu janë nën ndikimin e romanikës bregdetare. Gjetjet e fragmenteve të shumta nga suvaja e afreskave, provohet se kisha ka zotëruar dekorime afreskash.

Rrënojave të bazilikës paleokristiane u takonin edhe dy varreza nëntokësore të murosura për shumë njerëz, si dhe qeramika e hershme bizantine.

Nga pjesët e tjera ndërtuese të manastirit është zbuluar salla e ngrënies dhe konakët, të vendosur në veri te kishës. Në qendër është vendosur rezervuari i ujit. Shihen gjithashtu strukturat e murit mbajtës të manastirit, sidomos në pjesën veriore dhe themelet e një kulle katrore, ku mund të ketë qenë  dera kryesore. Çdo gjë tjetër është e shkatërruar!

Foto: Piktori akademik Nagip Belegu, detaje nga Bazilika e Studenicës së Pejës (Istogut), shek. IV-VI!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx