E merkure, 13.08.2025, 11:13 PM (GMT+1)

Kerko: a

Agron Tufa: Havzi Nela - Pse t'më dhimbset jeta

E marte, 12.08.2025, 07:00 PM


Havzi NELA

(20 shkurt 1934 - 10 gusht 1988)

PSE T'MË DHIMBSET JETA

(Katër poezitë e fundit)

Nga Agron Tufa

HAVZI NELA (20 nëntor 1934 – 10 gusht 1988) është bërë gjerësisht i njohur (ndonëse jo aq sa duhet dhe sa e meriton), falë rrethanave të tij tragjike të burgimeve të gjata politike, papërkulshmërisë dhe karakterit burrëror që tregoi gjatë gjithë proceseve dhe kohës së vuajtjes së dënimit dhe internimit nga drejtësia komuniste. Epilogu i jetës së tij të shumëvuajtuar zgjidhet tragjikisht me egërsinë më të pashembullt, me aktin makabër të varjes së tij në litar në mes të qytetit të Kukësit me 10 gusht 1988, kur Havzi Nela ende nuk i kishte prekur të 54 vitet e jetës së tij. Drejtësia komuniste e kryente këtë akt të paskrupull barbarie në kushtet kur sistemi komunist ishte shkrehur tejpërtej në kampin komunist të Europës Qëndrore e Lindore, në kohën kur kryqendra e Perndorisë së të Keqes, Moska, kishte filluar që në vitin 1985 rishikimin e sistemit me Perestrojkën e Mihaill Gorbaçovit, në kohën kur kishte tre vjet që kishte vdekur diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha.

Shpesh herë HAVZI NELA është pranuar në perceptimin popullor si martir, që u ekzekutua në mënyrën më monstruoze në kaprcyell të falimentit komunist në Shqipëri, si sinonim i papërkulshmërisë dhe pafajësisë, çka shkakton dhimbje therëse, keqardhje të madhe dhe mosjustifikim të egërsisë së drejtësisë komuniste. Por harrohet, ose eklipsohet fakti, që HAVZI NELA ka qenë një poet, një poet shumë i mirë, nëse kemi parasysh, se prej krijimtarisë së çdo poeti, në fund fare mbeten, gjithësej, 5 poezi, të cilat të japin “çertifikatën e përjetësisë”. Dhe HAVZI NELA i ka këto pesë poezi, në mos më shumë…

Madje ato 5 poezi janë një testament universal i fuqisë dhe rezistencës shpirtërore, etike e morale të karakterit shqiptart, të tilla, që të sfidojnë çdo lloj diktature. Nëse na lypet një model i këtillë në kohën e krizave dhe topitjes së vlerave humane, atëherë HAVZI NELA është një nga modelet siperane artistike dhe estetike që vazhdon të na flasë nëpërmjet testamentit të poezive të tij.

Në katër poezitë e tij të fundit, të shkruara mes qerthullit kapërthyes të maleve të Arrnit ku e kishin internuar në vitin 1987 dhe ku nuk e lejonin të komunikonte me asnjë njeri (nëse ngjitej këmbë njeriu në ato maja), pra në këto katër poezi të paravdekjes (“Nuse më dhanë robninë”, Arrën, tetor 1987; “Arrnit me arrna”, Arrën, tetor 1987; “Malet e Arrnit”, Arrën, nëntor 1987; “O liri, o vdekje”, Arrën, nëntor 1987) – kulmojnë të gjitha temat thelbësore të asaj se çfarë ishte e çfarë dëshironte të mbetej në idealitet karakteri i njeriut, sipas Havzi Nelës. Në këto poezi të fundit vokacioni i poetit ngjitet në një kreshendo të pikëlluar, sepse në vargjet e tyre përvijohet bilanci tragjik i një jete të tërë njerëzëre me përndjekje, ligësi, goditje, egërsi, morsë e hekurt për të mos e lënë të realizojë as një testament të thjeshtë për të dashurit dhe pasardhësit. Braktisja, vetmia, përzënia në qoshkun më skajshëm e të humbur ku bishat janë shumë më humane se njerëzit, tërë ky izolim nuk ndeshet as në shembujt më ekstremë të degdisjes që nga antikiteti e deri sot. Megjithëse nuk na ndajnë dhe aq shumë vite, për bashkëkohësin tonë është e pamundur të ndërtohet një përfytyrim më absurd se ky, ku poeti kuvendon me veten dhe me bishat mes natyrës së ashpër e të përjetshme. Që nga kënd mës qerthullit të maleve të Arrnit, ky Ovid i shumëfishtë tragjik, me zërin e lodhur e të ngjirur shkruan elegjitë e tij të pikëlluara postume, duke mos i hequr asnjë qime krenarisë dhe dinjitetit të njeriut të pamposhtur. Poezitë kanë bilancin e njeriut që nuk u mund dhe që mes natyrës ku e kanë izoluar shtrihet vetëm perspektiva e pritshme e vdekjes, të cilën ai e thërret si ngushëllim, me kushtin që të vijë e ta gjejë me dinjitet, si një kurorë e finales tragjike, por krenare. Kuptimësimin e fundit filozofik të këtij bilanci të gjatë, poeti HAVZI NELA e shpreh me një varg filozofik e sentencial, që është një divizë e njeriut të pamposhtur dhe që vlen për të gjitha kohërat: “…dhe vdekja dhe jeta duhen meritue”, apo deviza tjetër tek elegjia “Arrnit me arrna”: “Liria më thërret, vdekja nuk më tund!”.

Sigurisht në repertorin e teksteve të shpëtuara të poetit-martir HAVZI NELA ka edhe poezi të tjera të realizuara artistikisht, që të godasin dhe rrëqethin me shijen e athët tragjike të fatit, madje janë poezi të nivelit antologjik për krestomcitë shkollore, por katër poezitë e fundit flasin sa për katër romane-epope, ku dinjiteti i njeriut përpara atdheut, lirisë e Zotit mbetet i pacënuar asnjë grimë.

Rileximi i poezive të Havzi Nelës, na shpalos, përveç emocioneve dhe përjetimeve shkundulluese, jo vetëm rezistencën e lartë shpirtërore të poetit-njeri, por edhe fuqinë artistike dhe elegancën estetike të poezisë si art, kur autori nuk ka më se ç’të mësojë tjetër nga jeta. Për edukimin artistik, estetik, moral e atshedashës të brezave të rinj, gjimnazistëve e studentëve, trashëgimia poetike e Havzi Nelës është një model i përsosur edukimi, përballë hipokrizisë dhe krizës morale të përditshmërisë së sotme, një galeri ku gjëllijnë marioneta e ish-bashkëpunëtorë të diktaturës, e pse jo, edhe vrasësve të tij të drejtpërdrejtë.

Për ta përmbylur këtë rikthim të shkurtër tek poezia e Havzi Nelës dhe për të imagjinuar kushtet në të cilat shkruajti ai, po përcjell një shënim që ka lënë në fletore martiri i ndjerë në fund të katër poezive të tij të fundit, një ndër shumë shënimet që linte rëndom poeti nëpër fletore, me shpresën se së afërmi, lexuesi do t’i ketë të botuara në veprën integrale që po përgatit Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK).

Shënimi i fundit me të cilin HAVZI NELA përcjell katër poezitë e tij të fundit nga Arrni:

Këto vjersha i kam nxjerrë gjatë ditës në punë dhe duke ecë rrugës, pa përdorë laps e letër dhe duke i hartue e mësue përmendsh. Dje me datë 17 nëntorë mora letër nga Verja dhe më thanë se këto dit do të vijë në takim dhe shpresonte të vijë Verja vetë. Prandaj unë sonte nën dritën e zjarrit i nxorra nga mendja dhe i hodha në letër për me ia dhënë Verës në dorë po erdhi vetë.

I kam shkrue me zor pa dritë e nëpër tym.

18 nëntor 1987

O LIRI, O VDEKJE

Nuk them se jam trim, jo as frikacak,

Thellë n’afshet e shpirtit më grafllon guximi;

Vdekja për liri nuk më tremb aspak,

Si e duron robninë zemra e nji trimi?!

Pse or pse t’kem frikë, frikë se mos po vdes?!

Oh, çfarë marrie, ndoshta faj për mue!

T’ecësh zvarrë si krimb, t’mos jesh kurrë serbes,

Këtë s’ia fali vetes, kjo më ban me u mendue.

Pse t’më dhimbset jeta, pse u dashka kursye?

Veç me përtypë bukën, me u rropatë si kalë?

Pa nji fjalë ngushllimi, pa nji ditë lumnie,

Unë skllav i bindun, tash, kur s’jam as djalë.

Deri kur durim, deri kur me shpresë?

Jo, jo, mos m’i thoni, këto fjalë nuk i due.

Me durim e shpresë nuk due të vdes.

Si jeta dhe vdekja duhen meritue.

S’meriton asnjenën kur mbetesh gur varri

Ndaj rri e mendohem jetës me i dhanë fund.

Le të kënaqet hasmi, le të qeshë i marri!

Liria më thërret, vdekja nuk më tund.

Arrën, nandor 1987

NUSE MË DHANË ROBNINË

Jo or jo, njizet vjet burg nuk u mjaftuen

S’u ngopën ushunjëzat, xhelatët mendjemarrë;

Më ndoqën kamba-kambës, lakun ma shtrënguen

Më ndoqën gjithë jetën, pse jo deri në varr!

Ma hoqën përgjithmonë, të shtrenjtën, lirinë,

M’i hoqën të gjitha, kot kam mbetë gjallë

Shtëpinë ma rrënuen, nuse më dhanë robninë

Më lanë pa vajzë e djalë, më lanë të qaj me mall.

Gjithë jetën vetmue, larg prej njerzve t’mi

S’paç me kë lazdrohem, kujt t’ia them nji fjalë

Trup e shpirt plagosur, s’gjeta kurrë qetësi,

Sot në moshë të shkueme, maleve kam dalë.

Nëpër male t’Arrnit, pa anë e pa fund,

Në këto shkrepa e thepa që s’ke ku ve kambën

Më përplasën, më rrëzuen, ma randë se gjithkund,

Më rrëzuen mos me u çue, o zot banu gjamën!

E prap s’kanë të nginjun, xhindosen kur më shohin,

Thue se u zuna fronin, u prisha humorin,

Më vrejnë me inat e fort mirë më njohin,

Nuk më thyen kurrë, jetën krejt ma nxinë.

Arrën, tetor 1987

MALET E ARRNIT

Male dhe male dhe male gjithkund

Male të pasosun janë pa anë e fund;

Gjithkah hedh vështrimin veç shkëmbinj e male

Kodrina e lugina, me bjeshkë, prroje, zalle.

Vendi i thatë, pak ujë, rrallëkund sheh burim,

E rezervuarë të gatshëm që mbledhin vërshimet,

Përgjojnë bagëtinë e mjerë, etjen me ua shue,

Jo gjithmonë kënaqen, i gjejnë bosh, shterrue.

Lisa të mëdhenj, viganë, çojnë kryet përpjetë

Sikur prekin qiellin, përleshen me retë.

Lisa gjithfarlloj, të moçëm, shekullorë,

Lisa që u bëjnë ballë stuhive në shi e në borë.

Lisa që nuk i shtruen as rrufetë e qiellit,

Lisa që rriten e plaken, kërkojnë dritën e diellit,

I mposht, i lëshon përdhé dora e sharrtarit

Zvarrë i çon traktori si kufomat drejt varrit.

Arrën, nandor 1987

ARRNIT ME ARNA

Arrën të thonë dhe me arna je

Syni s’të sheh tjetër veç shkëmbinj e male.

Shkëmbinj, thepa e grepa, ma shumë gurë se dhé,

Arrnor, ti në shekuj vendit tand iu fale.

Mbi themele t’fortë vendose shtëpinë

Nji copë arë nën të, koshin, pak misër.

Si burim jete ti kishe bagëtinë,

Mish e bulmet pate, me ta bleve drithin.

Shit andej e blej këndej, veten ke arnue

Nuk ta pati kush lakminë, ato kohë hardalle.

Me mund e me zor, me t’keqe ke jetue,

Siç jetohej jeta dikur në këto male.

Vueje për shumë gjana, për bukë e për krypë

Për sapun e gaz, për rrugë, ujë e dritë;

Nuk t’i sillte kush, vinin veç me të lypë.

Gjithë jetën mbas tufës, natën e bane ditë.

Pagueje e s’pagueje “të dhjetë” e “xhelep”

Pagueje “xhelepin”, por e kishe mallin,

Kur u thoje: “S’kam”, sturreshin me të rrjepë,

S’i doje, as të donin, vetë e qaje hallin.

U përmbys e vjetra, erdhën kohë të reja,

Qytetnim e dije u ngjitën mbi maja,

Po mbi malet tua s’pushoi kurrë rrufeja

Nuk t’u hoqën dertet, e keqja, belaja.

Bagëtinë krejt t’i morën, shekat mbetën bosh,

Çoban i të tjerëve u bane, o arrnor,

T’lanë nji lopë për bishti, gomarin balosh,

S’të mbeti as mali, veç sopata në dorë.

Këputesh, dërmohesh, tan ditën e gjatë,

Pesë lekë t’paguejnë, “Kaq”,- thonë, - “jepka vendi”.

Burrat morën malin, në parcela gratë,

Punojnë e robtohen vetëm për bukë thatë.

Arrën 18 nëntor 1987



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx