E merkure, 13.08.2025, 05:58 PM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Cuca me Nishana

E marte, 12.08.2025, 06:57 PM


Cuca me Nishana

Nga Edison Ypi

Cuca me nishana, korr grurin deri në mbrëmje kur ka dalë hana, i ka flokët kaçurrela, thur triko ose çorapa me shtiza, mbush bucela, prashit nëpër ara, i ka sytë me shkëndia, asnjë djalë katundi nuk i del përpara.

Kështu thotë kënga për Cucën e Radomirës të kohës së Kooperativës, kur lumjani kafshonte shkëmbin dhe pula hante gurin.

Kush e di sa ka përparuar sot Radomira prej kohës së cucës me nishana, tashmë kur kooperativa nuk ekziston, kooperativisti është i lirë, buka, bulmeti, mishi, zarzavatet, janë me bollëk, dhe bio.

Nga Bulqiza te Ura e Cerenecit, Rruga e Arbërit shkon përgjatë një lugine të gjerë.

Në të majtë, rrëzë malit, fshatra strukur nëpër gryka si në përralla.

Në të djathtë, përroin e luginës e ndjek harlisja, hazdisja, çartallosja e blertë më mahnitës në botë.

Nga Ura e Cerenecit mundesh me u nis në tre drejtime, njëri më mahnitës se tjetri:

Djathtas, në Librazhd përmes panoramave frymëndalëse të Martaneshit, Fushë-Studës, Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Majtas, rruga e vjetër për Peshkopi duke kaluar nga Shupenza. Ëmbëlsira në fund. Këtë rrugë do ta bëj në kthim.

Drejt, nga Ura e Cerenecit deri ku kthen rruga për Bllatë, pak para Maqellarës, është rruga e re me ta heq trurin e kokës. Mjaltë e qumësht e tëra. Disa kilometra, asnjë kthesë. Spango e tendosur. Në njërin krah e tërheq një dibran i Zerqanit. Në tjetrin, një i Maqellarës. Një mrekulli autostradale në të dy anët. Si e pikturuar, si pamje që i ke parë nëpër filma. Fusha, fshatra, ara të mbjella, gjelbërim, përrenj. Kur ke dalë në Maqellarë, revoltohesh, rebelohesh pse mbaroi, pse kaq e shkurtër, a isha në ëndërr?

Peshkopia tashmë është një qytet i pastër, i rregullt, i vetmjaftueshëm, qytet i mirëmbajtur nga dibranët nikoqirë me nam. Veç t'i hedhësh një sy. Rregull, pastërti, seriozitet. I ka kaluar në çdo pikëpamje qytetet e tjera të kësaj madhësie knejna dhe anejna kufirit.

Drejt Kuksit panoramat bëhen lot-ndjellëse. Aq të bukura, aq sublime, aq sugjestive sa po i pe gjatë, ose po ndale për të bërë foto, të lagen sytë.

Parakalojnë me radhë:

Nga e majta, Muhurri. Këmbët rrëzë malit sapo kalon lumin. Koka nja 30 kilometra më tutje mbi Qaf-Muhurr afër Matit. Pastaj ushtria e maleve, regjimentet e shkëmbinjve, repartet e luginave, kuadratet e pyjeve, të gjitha drejt Lurës së bukur, me të cilën të gjithë dashurohen me shikim të parë, të cilës, të gjithë, sapo e shohin, nuk e përshëndesin mirdita apo mbrëma. As nuk e pyesin, a bëre boll qejf, a fjete rehat mbrëmë me Thethin a Korabin, me Tomorrin apo Gramozin. Cili ishte më interesanti ? por pa pik turpi i ulurasin: I love you Lura.

Nga e djathta, Sohodoll, Kastriot, Shumbat, Sllovë, Vleshë, etj. Pas pak duhet me u kthy djathtas për ku jam nisë. Te e bukura, e freskëta, kufitarja, Radomirë.

Prej ku mbaron asfalti i Radomirës, të gjitha shtigjet të çojnë në Korab. Te shtigjet ku më parë kalonin vetëm kufitarët me çizme dhe qen me zinxhir, sot ngjiten me litarë dhe ganxha turista dhe alpinista.

Hap sa të duash harta, çfleto atlasa, guida, shih dokumentarë, filma, po deshe shih dhe ëndrra. Kurrkund në botë s'ke me pa male më thepisje shkëmbore që grisin qiellin, më të egra, më të hazdisura, më të çartallosura se ato të Korabit.

Radomira është një vend aq i bukur sa nuk mund të rrëfehet. Në Radomirë fjala s'del, fjala ngec, gjuha trashet, syri zmadhohet, këmbët ngadalësohen, busulla hallakatet, laptopi dhe celulari heshtin, bëhen të tepërt, të panevojshëm, duhet me i hedh në përrua, me i shkel me këmbë, ose me i përplas pas shkëmbit.

Radomira ka shumë shtëpi të ndrequra ose të reja, por pak, fare pak banorë. Ata pak që kanë mbetur, rrinë nëpër veranda ulur nëpër shezlonga me kurriz nga Korabi, sytë kah lugina duke pritur të fermentohet whiskey.

Për Cuca me ose pa nishana, s'bëhet fjalë. Por Poeti nuk rren. Shqiptarët dhe shqiptaret me nishana, ose quka, vijnë nga shkartisja shekullore e bullgarëve sllavë kontinentalë me shqiptarët mesdhetarë. E provon fakti se pothuaj të gjithë janë nga Dibra në Pogradec. Një Cucë me nishana, në Radomirë është më se e mundshme.

Lumjanët e Radomirës nuk janë si mirditorët, lezhjanët, shkodranët, që nisin me folë e s'dinë me ndalë. Lumjanët flasin pak, ose aspak. Gojët e lumjanëve janë si kasaforta me xhevahire brenda që çelësat ua kanë hedhur në det. I pyet për diçka. Nuk përgjigjen. Stepen. Bishtnojnë. Nisin e mendojnë si duhet të përgjigjen. Çfarë s'duhet të thonë, e çfarë duhet të thonë, e si duhet ta thonë.

Megjithatë, nëse u drejtohesh si duhet, edhe kasafortat e shurdhëta me çelsa në fund të detit nisin e flasin.

– Posta e Kufirit ishte në mes të fshatit. Ajo shtëpia me gurë në mes të arës me misra. Ajo shtëpia si U. Si U-ja e prangave që ua vinin shqiptarëve që deshën me ikë, se ata matanë s'erdhën kurrë në këtë anë. Kjo ishte posta e madhe, posta kryesore. Përgjatë kufirit kishte posta më të vogla, posta bijëza, me kalashnikova, fisheku në gojë, me tel me gjëmba, me qen, me kazan groshe, me të gjitha. Ne lumjanët jemi punëtorë të mëdhenj. "Dru me pre", ata me sharrë e sëpatë në sup, ishin lumjanë. Na çonin me bë lloj-lloj punësh nëpër krahina të tjera. Sidomos me hapur rrugë të reja. Parrulla jonë ishte: "Bukë e kripë e grosh e kep", pra na jep bukë e kripë e grosh, t'i bëjmë shkëmbinjtë thërrime. Por tani kemi ikur. Na ke në Bathore dhe në Londër. E kam zaptuar një copë tokë në Tiranë në '92-shin. Ende s'kam ndërtuar mbi atë tokë. Kam vënë një tabelë "Tokë e Xanun". Me ardh një tiranas, një skraparlli, apo një lab me zaptu një copë truall në Radomirë, lumjani vjen për gjithë natën nga Edinburgu dhe ta pret fytin me thikën e bukës. Dikë që erdhi nga Tirana për me u arratis, e vrau me kalaahnikov, ja bëri kokën shoshë me plumba, kuzhinieri i postës majë Korabit, një mallakastriot nga fshati Kremenar, i cili, pasi pa bluzën e bardhë dhe dyshemenë mbytur me gjak shqiptar, bërtiti, uluriti, vajti volli. Donin t'i jepnin 15 ditë leje shpërblim për vrasjen. Nuk mundën. Iku nga fiqiri. E mbyllën në çmendinën e Vlorës, si më afër familjes. Ushtari ose oficeri i kufirit që e dashuroi Cucën me nishana dhe ngriti këngën e famshme ishte një kolonjar nga Rehova. Një tip e kundërta jote. Ti kolonjar që ke dashur gjithë jetën të arratisesh. Ai kolonjar që ka dash gjithë jetën me të vra. Poeti vrasës, dashuruesi i Cucës me nishana, në një moment asocimi absurd idesh, nishanat mbi faqet e cucës i janë dukur nishana mbi surratin tënd që deshe të arratiseshe në botën perëndimore të degjenerimit, molepsjes, të shfrytëzimit të njeriut nga njeriu. Dhe një rrugë e dy punë. Dashuroi cucën, dhe të vrau ty me aq plumba në surrat sa cuca kishte nishana në faqe. Ju duk emocionuese, ekzaltuese, artistike, poetike. Dhe shkroi e pavdekësoi makabritetin në një këngë me cucë, nishana, korrje gruri, flokë kaçurrela, shtiza, bucela, sy me shkëndia, e të tjera e të tjera. A po jam i qartë?

Po je i qartë e i kthjellët si uji i përroit të Radomirës, dhe i bardhë si bora e Korabit. Halli se çunat dhe cucat lumjane kanë ndërruar Parajsën e Lumës me mish e qumësht bio, faqet me nishana, me ferrin e metropoleve me lavazhe, llaç e tulla, shtëpi bari, fytyra të zbehta si kufoma.

S'e zgjata. Me përmend kufirin në Radomirë, si me kujtu varrin në shtëpinë e të vrarit.

Kështu përfundoi ky udhëtim i paharrueshëm në një vend kreshnikësh. Ku bullgari u la emrin e katundit, turku u ndërroi besimin, Mbreti s'i kishte në asnjë tefter, Partia e Punës i fukarallepsi, i armiqësoi, i degjeneroi, i pështyu në fytyrë, i pshurri mbi kokë, i la pa Fe e pa Atdhe, dhe kreshnikët ikën nga sytë këmbët.

Kthimi nga Shupenza ishte i shijshëm si fshirja me një çapë buke e një pjate që sapo e zbraze në një gosti mbretërore.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx