Mendime
Albert Zholi: Dr. Vladimir Mici - Shqiptarët duan të dinë ku shkojnë paratë e NATO-s
E marte, 15.07.2025, 06:52 PM
Flet Dr. Vladimir Mici: - Ajo që shqiptarët janë të interesuar nuk është thjesht shifra që kërkon NATO, por se ku këto para shpenzohen
-E kaluara edhe me më pak se 2% na ka treguar
se është abuzuar me këto fonde duke bërë tendera koruptive për veshmbathjen dhe
ushqimin e ushtrisë
- Ne e dimë që Shqipëria pas viteve 1990
filloi e shkatërroi arsenalin e saj ushtarak me pretendime se ishin lindore, se
ishin jashtë kohës.
-Lufta në Ukrahinë, përveç se krijoi një
vizion të ri të luftës tregoi se edhe
armët, të cilët gjoja ishin të vjetra janë veçanërisht efektive.
- Aktualisht Shqipëria është e angazhuar me
rreth 2% të buxhetit të saj për mbrojtjen , me një perspektivë prej 3.5% në
vitin 2030.
- Në vitin 2035 Shqipëria duhet të përmbush
objektivin prej 5% të të ardhurave buxhetore të shkojnë për mbrojtjen.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Udhëheqësit e NATO-s
kanë miratuar në Samitin e fundit një rritje të madhe prej 5% të shpenzimeve
për mbrojtjen dhe kanë riafirmuar angazhimin e tyre për të mbrojtur
njëri-tjetrin nga çdo sulm, pas një samiti të shkurtër të mbajtur në Hagë. Përmes një deklarate të
shkurtër, NATO ka njoftuar miratimin e një objektivi të ri për shpenzimet e
mbrojtjes 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035 – një
përgjigje kjo ndaj kërkesës së Trump dhe frikës së evropianëve se Rusia paraqet
një kërcënim gjithnjë e më të madh për sigurinë e tyre pas pushtimit të
Ukrainës në vitin 2022. Bëhet e ditur se të 32 udhëheqësit miratuan një
deklaratë përfundimtare të samitit, ku thuhej: "Aleatët angazhohen të
investojnë 5% të PBB-së çdo vit për nevoja thelbësore të mbrojtjes, si dhe për
shpenzime të lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë deri në vitin 2035, për të
garantuar përmbushjen e detyrimeve tona individuale dhe kolektive." Ndër
të tjera, në deklaratë thuhet se vendet anëtare do të paraqesin "plane
vjetore" që dëshmojnë "një rrugë të besueshme dhe graduale për të
arritur këtë objektiv", me një rishikim më të plotë të përparimit të bërë
në vitin 2029.
Tutje, deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu një
rresht që riafirmon "angazhimin e hekurt të 32 vendeve për mbrojtjen
kolektive, siç është parashikuar në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se
një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve." Dokumenti përmban edhe
një rresht që premton mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe thekson se
"siguria e saj kontribuon në tonën", por nuk shkon deri në një dënim
të drejtpërdrejtë të Rusisë. Megjithatë, aty përfshihet një formulim i veçantë
për "kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike"
- Tashmë dihet që deri në vitin 2035 shpenzimet
e mbrojtjes për çdo vend të NATO-s do jenë 5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto
(PBB) një përgjigje kjo ndaj kërkesës së Trump dhe frikës së evropianëve nga
Rusia. Çfarë do të përbëjë kjo për Shqipërinë?
Aktualisht
Shqipëria është e angazhuar me rreth 2% te buxhetit të saj për mbrojtjen , me
një perspektive prej 3.5% në vitin 2030 dhe në vitin 2035 ajo duhet të
përmbush objektivin prej 5% të të ardhurave buxhetore të shkojnë për
mbrojtjen. Kjo në terma relativ, sepse në terma absolut % e
vitit 2035 do të jetë se 4 fishi i buxhetit aktual. Ajo që shqiptarët
janë të interesuar nuk është thjesht shifra që kërkon NATO, por se ku
këto para shpenzohen. E kaluara edhe me më pak se 2% na ka treguar se
është abuzuar me këto fonde duke bërë tendera koruptive për veshmbathjen dhe
ushqimin e ushtrisë. Kjo pa diskutuar për përparësitë e armatimit luftarak, që
lidhet me mjaft problematika të tjera jo vetëm financiare, por edhe
strategjike dhe të varura nga ndryshimi i shpejtëi i mjedisit global dhe vetë
egzistencën e NATO-s. Tashmë që po mendohet se duhet të vihen në punë edhe
uzinat ushtarake, kjo nënkupton se një oferte e re koruptive është një mundësi
e hapur . Kjo vjen në dritën e ndërtimeve apo rikonstruksioneve nga ana
ndërtimore, po ashtu edhe në investime teknologjike. Shqipëria e para
viteve 1990 këtë industri e kishte mbështetur në industrinë e saj kimike
dhe metalurgjike. Sot këto industri nuk egzizstojnë. I gjithe sistemii
transportit të mjeteve ushtarake kërkon rregullime në sistemin aktual rrugor,
duke ndërtuar rrugë të reja, baza të reja, ura e mbikalime e nënkalime të reja.
Sisteme të reja nëntokësore, rikonstruksione të atyre egzistuese janë pjesë e
një strategjie që kërkon një rimodelim dhe qasje të re. Sot qiejt dhe detet e
Shqipërisë mbrohen nga NATO, vetëm falë antarësimit në aleancë. Por e ardhmja
do të thotë një shpenzim shumë më i madh, që nënkupton që operacione të tilla
mund dhe duhet të diskutohen nën kushtet e reja. Kjo sjell një qasje të re të
administrimit të buxhetit. Pra problem Shqiptar i 5% nuk është shuma në
dispozicion, por drejtimet e përdorimit të tij. Pra sa efektiv ky buxhet do të
jetë! Ne e dimë që Shqipëria pas viteve 1990 filloi e shkatërroi arsenalin e
saj ushtarak me pretendime se ishin lindore, se ishin jashtë kohës, por lufta
në Ukrahinë, përveç se krijoi një vision të ri të luftës tregoi se edhe armët,
të cilët gjoja ishin të vjetra janë veçanërisht efektive. Dhe veçanërisht
efektive doli se janë armët, apo predhat e prodhuara me kosto të ulët. Në
mënyrë të veçantë artileria
tokësore, ajrore apo bregdetare. Shkatërrimi i tyre kishte një kosto (e cila
arriti kulmin me shpërthimin e Gërdecit), e cila duhet të jetë objekt i
zëvëndësimeve duke pasur parasysh nivelin e fortifikimit aktual të tyre.
Duke ju
rikthyer buxhetit dhe duke e konsideruar 5% një detyrim ligjor ajo që duhet të
shohim është se ku do të drejtohen fondet? Si çdo hallkë e sistemit struktura e
mbrojtjes përbëhet:
1. Shpenzimet e funksionimit të Ministrisë së
mbrojtjes, apo shpenzimeve të saj operative, që përfshin pagat e administratës
së Ministrisë së mbrojtjes së bashku edhe me shpenzimet për funksionimin e
saj.(Po i veçoj pagat për forcat e armatosura aktive.). Këto shpenzime janë
identike si ato të çdo Ministrie që funksion me investimet dhe shpenzimet
e tjera operative.
2. Shpenzimet për forcat e armatosura aktive të
cilat përbëhen:
a. Pagat e personelit ushtarak aktiv, që fillon nga
shtabi i përgjithshëm e deri tek paga e ushtarit aktiv.
b. Shpenzimet për mirëmbajtjen e forcave të
armatosura, që lidhen me shpezimet për konsumin e armatimeve, stërvitjev ,
kualifikimet, kryerjen e detyrave ushtarake brënda dhe jashtë kufijve.
c. Shpenzimet për modernizimin e armatimeve përmes
investimeve në blerjen e armëve të reja të sofistikuar, zëvëndësimin e tyre apo
edhe shtimit të kontigjentëve të tjera të armëve dhe municioneve.
d. Shpenzimet që bëhen për sigurimin , ruajtjen,
transportin dhe qarkullimin e këtyre armëve dhe municioneve.
e. Shpenzimeve për pajisje, veshmbathje dhe ushqime
të forcave të armatosura, të cilat janë të programuara për kohë paqje dhe lufte
dhe stërvitje të veçanta, apo të organizuara mbi baza vëndi apo me forcat
aleate.
3. Shpenzime për prodhimin e armëve, mjeteve dhe
municioneve luftarake dhe mësimore dhe shtimin e rezervave të luftës.
Nëse do t'i referohemi faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes thuhet:
Buxheti i vitit 2025 garanton mbështetjen e plotë financiare për projektet e
modernizimit të Forcave të Armatosura dhe siguron gjithashtu zbatimin e
reformave të nisura, me qëllimin përfundimtar që investimet në Mbrojtje të
përkthehen në:
1. Trajtim dinjitoz të personelit ushtarak;( zor se
kjo është në përputhje me strukturën e pagave aktuale)
2. Rritje e gatishmërisë operacionale e forcave
tona;( Pa sqaruar se çfarë kuptohet).
3. Përmirësimi i infrastrukturës ushtarake dhe mirë
administrimi i aseteve të MM dhe FA; Kapacitete të qëndrueshme për
menaxhimin e emergjencave civile;( nëse e ka për artet , tunelet dhe
fortifikimet ushtarake kjo është qartë e lënë pas dore, sepse s'ka pasur
asnjëherë fonde)
4. Një industri ushtarake dinamike.( Pa e kuptuar
se çdo të thotë për ne dinamike, apo statike. Të lëvizshme në rast lufte apo
përshtatjen e industrisë sipas nevojave të reja. Sot lufta me drone, avion,
bombardime, sisteme elektronike informacioni nga distanca kërkojnë sisteme që
eleminojnë kërcënimet nga ajri, internet, spiunazhi etj që kërkojnë struktura
të reja prodhuese në kushtet e luftës dhe ruajtjen e vazhdimësisë së saj gjatë
çdo agresioni të mundshëm.)
Ajo që
nuk dimë ende është se ky partneritet me NATO-n do të vijojë apo do të jetë me
vizionin e ri europian për të pasur një ushtri europiane ku secili vënd do të
organizojë ushtrinë e vet e pandikuar nga ndihma amerikane e deritanishme.
Europa ka mbi 70 vjet që përdor kontributet amerikane për të siguruar paqen e
vet dhe jo paratë e veta. Situata sot ku SHBA i kërkon Europës të rrisë
buxhetin e saj, ndryshe ajo nuk do të jetë më NATO, ka hapur sytë e Europës dhe
vëndeve përfituese më të mëdha si Gjermania , Franca, Spanja dhe Italia. Rritja
e buxheteve ka ngritur edhe pyetjen e duhur nëse ka detyrim SHBA mbajë Europën,
apo Europa duhet të ngrejë dhe mbajë ushtrinë e saj. Kjo duhet të ishte themeli
i takimit të liderëve të NATO-s. Europa duhet të ulet në tavolinë jo si
përfituese, por si kontribuese e paqes, dhe kufijtë e saj t'i mbrojë ajo jo
SHBA-ja. SHBA është partner, por jo shërbëtor i Europës. Në këtë kontekst
Europa duhet të zgjidhë hallet e saj ( po ashtu edhe Shqipëria), duke bërë
pjesën e saj jo vetëm në vëndet e tyre, por edhe më gjërë ku liria dhe
demokracia dhe siguria e Europës mund të cënohet. Kapja e papërgatitur e
Europës në luftën Rusi –Ukrahinë dhe Izrael-Iran treguan dobësi të theksuara të
kapaciteteve mbrojtëse të Europës, që duam apo s'duam ne janë reale. Shumë
vënde psh Spanja i ka kërkuar NATO-s të mos rrisë shpenzimet e mbrojtjes në 5%
të PBB-së, Në një letër drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Mark
Rutte, Kryeministri Pedro
Sánchez bëri thirrje për një "formulë më fleksibël", që do ta
bënte objektivin e shpenzimeve opsional ose do ta përjashtonte Spanjën nga
përmbushja e tij. Por çdo marrëveshje për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, në
përgjigje të kërkesës së Presidentit të SHBA-së Donald Trump, do të kërkonte
miratim unanim nga 32 shtetet anëtare. "Angazhimi për një objektiv prej 5%
jo vetëm që do të ishte i paarsyeshëm, por edhe kundërproduktiv, pasi do ta
distanconte më tej Spanjën nga shpenzimet optimale dhe do të pengonte
përpjekjet e vazhdueshme të BE-së për të forcuar ekosistemin e saj të sigurisë
dhe mbrojtjes", shkroi Sánchez në letër. "Është e drejta legjitime e
çdo qeverie të vendosë nëse është apo jo e gatshme të bëjë këto sakrifica. Si
një aleat sovran, ne zgjedhim të mos e bëjmë këtë", shtoi ai.Rutte
propozoi që shtetet anëtare të bien dakord të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në
3.5% të produktit të brendshëm bruto dhe të angazhojnë një shtesë prej 1.5% për
shpenzime më të gjera që lidhen me sigurinë për të përmbushur kërkesën e Trump.
I pyetur në lidhje me kërkesën e Spanjës, një zyrtar i NATO-s tha: "Po
zhvillohen diskutime midis aleatëve mbi një plan të ri investimesh në
mbrojtje". Objektivi aktual i NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes është të
paktën 2% e PBB-së. Udhëheqësit e NATO-s thonë se ky objektiv nuk është më i
mjaftueshëm, pasi e shohin Rusinë si një kërcënim më të madh pas pushtimit të
Ukrainës në vitin 2022.Nga ana tjetër Trump ka thënë se anëtarët e NATO-s nuk
po shpenzojnë pjesën e tyre të drejtë për mbrojtje dhe ka kërcënuar të mos i
ndihmojë anëtarët e tjerë që nuk po investojnë mjaftueshëm. Shtetet e
Bashkuara, të cilat kanë qenë mbështetësi kryesor ushtarak i Kievit që nga pushtimi
rus, pritet të shpenzojnë rreth 3.38% të PBB-së së tyre për mbrojtje në vitin
2024, i treti më i lartë midis vendeve të NATO-s, sipas aleancës.. Anëtarë të
tjerë të NATO-s kanë vënë në pikëpyetje afatin kohor, duke thënë se është shumë
pranë, por në përgjithësi janë të gatshëm të vazhdojnë, thanë burime
diplomatike. Italia dëshiron që afati të zhvendoset nga viti 2032 në vitin 2035
dhe dëshiron të eliminojë kërkesën për të rritur shpenzimet me 0.2 përqind në
vit, duke i dhënë asaj më shumë liri veprimi për rritjet vjetore për sa kohë që
përmbushet objektivi përfundimtar, tha një burim për Reuters.
Për Gjermanët tashmë është e qartë se për të marrë rolin e liderit të
Europës kushtet aktuale të financimit nuk mjaftojnë ...Pse?
Ajo me
të cilën është përballur Gjermania është pikërisht se ku duhet shpenzuar, në
rilindjen dhe shtimin e kapaciteteve të industrisë ushtarake në mënyrë të
pavarur nga SHBA-ja, apo të blejë armatime dhe municione dhe material luftarak
nga SHBA dhe aleatët europianë, apo do të ketë specializime për
kapacitete prodhuese jo vetëm për nevojat e veta, por edhe aleatët. E njëjta
vjen edhe për Francën, Britaninë dhe vëndet e tjera europiane. Funksionimi i
industries ushtarake europiane do të bëhet vetëm mbi buxhete dhe plane të
përcaktuara qartë, për shkak të kostove tejet të larta të kësaj industrie.
Kështu që funksionimi më masiv i kësaj industrie kërkon përveçse fonde të reja
për t'u ngritur ajo kërkon burime njërëzore dhe financiare, por edhe një ndarje
të re të punëve që mund të sjellë kontradikta midis antarëve të bllokut aktual
të NATO-s, që lidhen me mosmarjen e prodhimeve amerikane, apo edhe prodhimin e
pjesëvë të veçanta që lidhen me prodhime të caktuara.
Për
Shqipërinë ky objektiv 5% do të implementohet i ndarë në dy kategori. Pjesa
dërrmuese, pra 3.5% do t'i takojë si buxhet i dedikuar Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke marrë në referencë PBB-në aktuale të Shqipërisë 26 miliardë euro, për të
përmbushur këtë detyrim, duhet që buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes të rritet nga
520 milionë euro që është këtë vit, në 910 milionë euro. Ky buxhet shtesë do të
përdoret për mbrojtje thelbësore, siç janë trupat, armët apo mbështetje të
tjera për luftimin. Shqipëria ka hyrë në një fazë ku synon të ringrejë edhe
njëherë industrinë ushtarake duke vënë në punë ndërmarrjet shtetërore si Uzina
e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan, Uzina Mekanike Gramsh dhe Kombinati Mekanik
Poliçan. Kjo përbën edhe një sfidë, sepse po flasim për një Shqipëri, që po zbraset
jo vetëm nga migracioni i popullsisë, por edhe niveli profesional i kërkuar për
të prodhuar dhe mbajtur në funksionim këtë industri, e cila do të jetë
totalisht e modernizuar dhe sipas standarteve ndërkombëtare. Në fazën aktuale
ajo i ngjan një misioni sfidues. Sfida tashmë konvertohet del e dyfishtë.
E para se si ajo do të shkojë tek niveli 5% i PPB ( produktit të përgjithshëm
bruto) që nënkupton gati 20% të ardhurave tatimore të shkojnë për këtë industri
duke bërë një rritje relative 2.5 herë më shumë nga sot dhe 3.7 here më shumë
në vlerë absolute. Angazhimi për një objektiv prej 5% mund të kthehet e të jetë
kundërproduktiv, pasi do ta distanconte më tej Shqipërinë nga shpenzimet
optimale ajo të mos jetë e gatshme të përballojë këto kosto shtesë.
Sfida sa ka filluar për ne. Të shohim në praktikë se si do të vijojë...