E enjte, 24.07.2025, 08:56 PM (GMT+1)

Mendime

Don Fran Sopi: 249 vjet më parë lindi ideali – Amerika që do ta shpëtonte botën dhe njerëzimin vullnetmirë mbi Tokë

E diele, 06.07.2025, 02:57 PM


249 VJET MË PARË LINDI IDEALI-AMERIKA QË DO TA SHPËTONTE BOTËN DHE NJERËZIMIN VULLNETMIRË MBI TOKË

Shkruan: Don Fran Sopi

249 vjet më parë apo më konkret më 4 korrik 1776, lindi ideali i madh – Amerika, që do ta shpëtonte botën dhe njerëzimin vullnetmirë mbi tokë. Pikërisht atë ditë historike, themeluesit e Shteteve të Bashkuara e nënshkruan një akt sublim juridik të jashtëzakonshëm, të quajtur Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në këtë dokument historik, ndër të tjera, ata shpallën se: “Çdo njeri si në Amerikë poashtu edhe jashtë saj, njeriu është i krijuar në ngjashmërinë e hyjit dhe e ka të drejtën hyjnore të jetojë i lirë”.

Ky akt sublim i shpalljes së Pavarësisë, ishte një mesazh i fuqishëm që tronditi botën. Amerika, një komb i ri, ësht? ndërtuar mbi themelet e lirisë, drejtësisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor. Që nga ajo kohë, Amerika është shndërruar në simbol të shpresës universale, një frymë e shëndoshë dhe një rreze drite për ti rrenuar errësirat dhe tiranitë mesjetare. Pra, edhe sot, pas 249 vjetësh, ajo rreze vazhdon të ndriçojë. Historia e saj është e konceptuar në një besim të fortë, se liria dhe demokracia është një e drejtë hyjnore, një dhuratë nga Zoti për të gjithë njerëzit, pa dallim race apo ngjyre.

Në fund të shekullit XX apo në vitin 1999, shqiptarët e Kosovës, përjetuan një errësirë të thellë. Lufta në Kosovë u shndërrua në një plagë të hapur, me burgosje, vrasje, djegie shtëpish dhe përndjekje të egra nga pushteti jugosllav i administruar nga serbët dhe malazezët. Gjatë atyre kohëve të tmerrshme, familjet tona shqiptare dëboheshin me dhunë nga shtëpitë e tyre. Nënat dhe motrat tona i mbanin fëmijët e frikësuar në krahë, ndërsa të moshuarit luteshin në heshtje. Shpresa dukej e largët dhe e zbehur. Unë, si meshtar i Kishës Katolike, nuk kam mundur të qëndroj i duarkryq përballë kësaj të vërtete të hidhur. Kam qenë dëshmitar i asaj kataklizme që goditi edhe famullinë time, “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë dhe Lugun e Drinit me rrethinë dhe mbarë Kosovën. Në mars të vitit 1999, besimtarët dhe bashkëqytetarët e mi shqiptarë dhe familjet e tyre përjetuan një makth të vërtetë nga pushteti okupues serb, qe do të thotë se i burgosën padrejtësisht, i vranë, i rrahen, i dogjën dhe i përndoqën mizorisht gjatë asaj kohe, që sot njihet si spastrim etnik. Ata ishin intelektualë, pedagogë, veprimtarë dhe njerëz të thjeshtë me zemra të mëdha, që paguan çmimin më të lartë vetëm pse ishin shqiptarë dhe donin të jetonin të lirë në trojet e veta autoktone. Kujtimi i tyre është një amanet i shenjtë për ne, qe të mos harrojmë kurrë dhe të punojmë gjithmonë për paqe dhe dinjitet njerëzor.

Në atë kohë të errët, kur dukej se askush nuk na dëgjonte, u ngrit një zë i njohur në mbarë botën. Pikërisht ishte zëri i tashmë Shën Nënë Terezës, e cila nuk kërkoi lëmoshë, pasuri apo pushtet. Me përulësi dhe dashuri të madhe (mbështetur në burime të shkruara), ajo e mori telefonin dhe i foli Presidentit të Shteteve të Bashkuara, z. Bill Klinton. Nuk ishte një urdhër i Nënë Terezës , por një lutje e thjeshtë duke i thënë: “Biri im, bëj diçka për popullin tim!”. Ishte një fjalë e butë, e zhveshur nga çdo interes personal, por e mbushur me dhembje e dashuri, një lutje që mishëronte fjalët e Ungjillit:

“Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë.” (Mt 5,7)

Amerika e dëgjoi këtë lutje. Zemra e saj, si komb i lirë, rrahu për ne. Presidenti Klinton, me bashkëpunëtorët e tij dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, mori një nga vendimet më të vështira të presidencës së tij, të cilët e bën ndërhyrjen ushtarake kundër Jugosllavisë së atëhershme, për të ndalur dhunën, terrorin, vrasjet, spastrimin dhe gjenocidin etnik në Kosovë. Aeroplanët e NATO-s u ngritën në qiell, jo për hakmarrje, por për të ndalur një të keqe që kërcënonte të përpinte një popull të pafajshëm autokton në trojet e veta.

Kur bombardimet përfunduan dhe lufta mbaroi, Presidenti Klinton (sipas mediave të shkruara) tha: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem krenar që përmbusha një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë".

Kjo në thelb, është mrekullia e kësaj historie. Një komb i madh, i ndërtuar mbi idealin e lirisë, është bërë shpresë për një komb më të vogël që po mbytej në errësirë, në dhunë e tirani. Pra, një nënë e brishtë shqiptare siq ishte Shën Nënë Tereza, ishte bërë një urë, që i bashkoi dy zemra.

Andaj, sot, kur Amerika feston 249-vjetorin e Pavarësisë sê saj, nuk i kujtojmë vetëm fishekzjarrët mbi qytetet e saj, por e kujtojmë dritën qe e sollën në Kosovën tonë. Njëkohësisht kujtojmë se liria nuk është thjesht një privilegj, por një detyrë, përgjegjësi dhe akt dashurie. Madhështia e një kombi nuk matet me territor apo forcë, por me gatishmërinë humane për ta mbrojtur të pa fuqishmin.

Dhe mbi të gjitha, kujtojmë Nënë Terezën, që na mësoi se një fjalë e butë dhe e drejtë mund të lëvizë malet dhe të ndalë luftërat. Dashuria nuk ka kufi. Liria nuk ka kombësi, ajo është një dhuratë hyjnore për secilin njeri. Siç na mëson Ungjilli: “Bariu i mirë jep jetën për delet” (Gjn 10,11), dhe “sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë” (Mk 10,45)

Në përmbyllje të këtoj këndvështrimi tim falenderues festiv, dua të them se:

Misioni i çdo njeriu që beson në Zot, qoftë klerik fetar, intelektual, pedagog, politikan apo qytetar i rendomtë, është qe vet ai, të bëhet mjet i paqes njerëzore dhe mëshirës hyjnore. Ndaj edhe jemi të thirrur për misione të tilla hyjnore dhe që të lutemi e të mos heshtim përballë padrejtësisë, të nderojmë kujtimin e të e aleatëve tanë dhe të përpiqemi gjithmonë për paqë, dashuri dhe dinjitet njerëzor, ashtu siç na ka mësuar Hyji i dykohësive.

Gëzuar ditëlindjen Amerikë dhe faleminderit për mbeshtetjën tuaj të përhershme qe i keni bërë Kosovës. Zoti ju bekoftë!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx