Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 75 vjet pa ty, o Don Kolec Prennushi
E merkure, 02.07.2025, 06:59 PM
75 VJET PA TY, O DON KOLEC PRENNUSHI
Nga
Fritz RADOVANI
Don
Kolec PRENNUSHI u le në Shkoder me 1 Janar 1902 nga prindët Pjeter e Nine
Prennushi. Ishte nipi i At Mati Prennushit, Provinçial i Fretenve. Don Koleci
ka perfundue studimet teologjike me At Pjeter Mëshkallen, mikun e gjithë jetës
së Tij në Linz të Austrisë në vitin 1925, prej ku u kthye në Atdhe. Ishte i
pesti klerik i Familjes Prennushi në shekullin XX, mbas Don Matisë, At Matisë,
Imz. Vinçencit, At Karlos dhe i fundit Don Koleci. Don Koleci u shugurue
meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të
Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen, që ishte
atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kolaj dhe prap
me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e
Tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25
vjetorit të meshtarisë. Zotnonte nandë gjuhë të hueja dhe ka zanë vend ndër
letrarët e vitit 1941, në Antologjinë ”Rreze Drite”.
Nder
ma të vlefshmit perkthime në gjermanisht asht kenë ”Kanuni i Lek Dukagjinit”,
dhe një liber per perdorim të perditshem ”Visari Shpirtnuer”, edhe ky Gegnisht.
Librat e Don Kolecit me permbajtje filozofike dhe teologjike janë vlersue edhe
nga të huejtë per zberthimet e temave pa u largue nga origjinalet, mbasi Don
Koleci njihte Ebraishten aq mirë sa, perkthimet e disa kapitujve të Bibles i ka
vlersue edhe dijetari At Zef Valentini S.J.
Mbas
vitit 1944 merrej me perkthime me permbajtje fetare. Ka ba edhe përkthime të
tjera si librat “Juan Mizeria”, “Si mbaroi dashunia”, “Shna Rroku prej
Montpellier“ etj., ku spikatë mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të
dashtun për lexuesin shqiptar, sa shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të
Tij dhe jo përkthime Materialet e perkthyeme para vitit 1944, si edhe veprat e
Tij filozofike dhe jofetare i rrezikonin jeten. Ai nuk ka njohë asnjë lëshim në
çeshtjet dogmatike. Me 14 shtator 1931 botoi edhe librin “Rrimë shtremtë e
flasim ndrejtë”. Libri, që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don
Kolecit, i cili shkruen: “Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s’onë kombtare
asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori
shqiptare. Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e
ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen
tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit’ t’ona e
sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë
ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone...”
“E
kështu shofim na në ditët t’ona kah shpërthen si duhi revolucioni. Prej
kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e
trondituna prej degame. Votra kulture mijvjeçare rrokullisën e bijnë nën majin
e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e
ides së lirisë. Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t’ushqejnë tjera ide shkon
rrkajë nëpër rruga të qytetit. E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e
shkruen mbi flamur të ri: Liberté, égalité, fraternité. O kulturë fetare, o
bolshevizëm.”... Parullën: “Liberté (point) Egalité (point) Fraternité
(point)”, Don Koleci e përkthen në gjuhën shqipe: “Liri (aspak) Barazim (aspak)
Vllaznim (aspak)”.
Ték
libri “Zoti asht” lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht këtu,
asht vlera e këtyne librave: Aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 80 e sa
vjet ma parë.
Në
librin “Për Krishtin o kundra Krishtit”, parashikohet ajo që ngjau në
1944...Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendësie të veçantë në
revistat: “Leka”, “Kumbona e së Diellës”, “Hylli i Dritës”, “Cirka”,“Zani i
Shna Ndout”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, etj., ku, shpesh Ai përdorë edhe
pseudonimin Mujs Polemi.
Don
Kolec Prennushi ka hy në Antologjinë e Shkrimtarëve Shqiptarë(1941), si letrar
me prozën “Të vershuemit”(fq.221). Ernest Koliqi, në 1960, tha në Radio
“Vatikani”: “Don Kolec Prennushi pat një jetë të shkurtë, por ajo që ndërpreu
krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj, kje mortaja komuniste, që pushtoi
Shqipninë.
”
Don Koleci me guxim shkruan për At Fishtën: “Poemi epik ”Lahuta e Malcis” asht
nji vade mecum i çdo atdhetari”. Për At Anton Harapin shkruan: “Mendje
dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e
thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith
shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por ai asht i drejt e i
pafajshëm.” (“Hylli i Drites”, 1936, fq.583) Kardinal Mikel Koliqi në vitin
1992, thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai
kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifet stili i veçantë i
shkrimeve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar, mbasi ka shkrue pak
proza, por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë.., edhe ate e mori vala
komuniste.”
Ai
njihej ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Gasper Thaçit,
At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës. Forca e mendimit
dhe elokuenca e të folunit, e banë të dashtun dhe të paharrueshëm. Deri në
vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një
Kethedrale të randësishme. “Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue
unë tue pyet vienezët – thonte At Meshkalla, – në cilën kishë të Vjenës asht ky
prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At
Meshkallës në 1964) Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit,
tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që
ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo
vetëm e respektonin, por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij. At Zef
Valentini S.J., ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të
tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë, e që disa vepra të njohuna i
ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: “Don
Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania” Tregonte z. Nush Tukja kur
ishte në burgun e Burrelit, se një ditë, rreth vitit 1948, kishte pyetë me
keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë
gjallë, veç jush që jeni këtu në burg?” At Frano Kiri i ishte përgjegjë: “Po,
po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë, kemi
boll!..” At Frano Kiri kur fliste për té, thonte: “Ishte shpnesa e fundit e
jona!..”. At Gjergj Fishta kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don
Kolecit në vitin 1916, kur Ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u
ba prift, po At Fishta i tha: “Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift
i mbrekullueshëm se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte
thirrë për meshtar.”
Prej
thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe Ai e
dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën
“kulak” dhe burgjesh vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në
hetuesi kundër Tij, i pat propozue
Don
Kolecit tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far’e fis, për me
i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: “Jo, kjo punë nuk bahet prej meje, se
jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe
unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti, në krye të popullit
tem, në tokën teme shqiptare.”
Natën
e Shën’Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në
sofër me nanën dhe motrat e Tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit
komunist, me njëfarë vagabondi e rrugaçi, Ahmet Suji, që ishte shoferi i
sigurimit, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue: “Ka propaganduar në favor të
Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë. Ka propaganduar kundër Pushtetit
Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari
armiqësore.” (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989, 1143, 2452, 3359/1, Arkivi i
Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).
Mbasi
doli nga Sigurimi mbas 11 muejsh ”i pafajshem”.., me grupin e Klerikve me të
cilët qeveria e Tiranës mendonte me firmue ”Statutin e Kishës Katolike
Shqiptare”, ka ardhë në Famullinë e Dajçit Bregut Bunës, e ka tregue se në
gjithë kohen e hetuesisë, nuk ka pranue asnjë fshatarë me i dalë dishmitar.
Don
Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para per ”Statutin e Kishës Katolike”
(1949), ku ndër tjera ka thanë: “Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin
kishat tona, në kjoftë se na, nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht
këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të
tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se,
do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé
të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap
kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me
harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë
marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i
njofim se kush janë...Këta janë gjithkund njisoj!” (At K.Gjolaj n? librin
“Çinarët”, fq.125).
Vazhdoi
detyren e Famullitarit ku plot mbas 7 muejsh, me 2 Korrik 1950, vdiq nga
shkatrrimi i zemres prej torturave të bame nga sigurimi i shtetit sllavokomunist.
Porosia e Don Kolecit ishte: ”Ky Statut nuk duhet firmue, mbasi me këta jemi të
hupun se t’ hupun!”, sigurisht i bazuem në dogmat komuniste. Në shënimet
autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J., i ka lanë në vitët e fundit të
jetës së Tij aty nga 1987, shënon: “...Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër
kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht
vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec
Prennushit.” Vdekja dhe vorrimi i Don Kolecit tek vorri Dr.Emid Tedeschinit
asht një tragjedi. E poashtu kohen e fundit edhe perkthimi i ”Kanunit Lekë
Dukagjinit” gjermanisht... Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00
para dreke Don Koleci ishte në agoni të plotë...
Don
Ernesto ka tregue se, kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë: “Don
Ernesto, më jep të zgjidhun se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht
hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti,..” *** NGA DON KOLEC
PRENNUSHI: 84 VJET MBAS BOTIMIT... Tek Libri: ”PER KRISHTIN O KUNDER KRISHTIT”
Botue në 1938. BESIM E SOÇIALIZEM Per të tanë besimi do të jét punë private
thonë soçjalistat.
?Pyetje:
Kuer besimi të zhduket në jetën botore zhduket edhe në jeten private. Prandej
Häckel e soçjalizem duen shkollen pa Zot, shtet pa Zot, jetë botore pa Zot,
letratyrë e arte pa Zot – ata duen me e sekularizue jeten botore me e bâ krejt
ateiste.- Besimi â punë private, por edhé botore. Â punë private d.m.th.,
seicilli do t’i sherbejë Zotit mbas dijenije e ndergjegjes së vet e seicilli
mbas deke do të dalë privatisht d.m.th. krejt vetem para gjyqit Hyjnuer.
Shterngim ndergjegje s’ ka. Besimi â punë private per né e pabesimi â kryekreje
per soçjalista. Me kênë soçjalist don me thanë me kênë njiheri antikrisht;
ngadhnimi i mbramë s’ â i mundun pa rroposjen e krishtenimit. Kështu thotë
Losinsky në 1902 e bolshevikët e soçem (soçjalista radikal) janë tue e vertetue
me fakte dita me ditë. Besimi âsht edhé nji punë botore. Pse: Seicilli â i
detyruem prej ligjve të natyrës me e nderue Hyjn jo vetem msheftas, por edhé
ballafaqe, me e dishmue në disa rasa besimin e vet, me nderue Shejtnin’ e bésë,
me u ndigjue auktoriteteve per ndergjegje, prá per urdhun të Zotit me krye
tjera detyra besimtare botnisht si katolik; me pá meshë në ditë diele etj.
Kujtimet
dhe veprat e Don Kolec PRENNUSHIT mbesin të perjetëshme ashtusi EMNI I TIJ I
NDERUEM DON KOLEC PJETER PRENNUSHI.
Melbourne, 2 Korrik
2025.