E premte, 25.07.2025, 10:01 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Burrat që shpëtuen Shqipninë nga coptimi

E shtune, 21.06.2025, 04:57 PM


RIKUJTESË:

Burrat që shpëtuen Shqipninë nga coptimi

Nga Fritz Radovani

Historia e shkrueme pa të Vërteten e saj, asht përrallë!..

Lufta e Parë Botnore në fund të vitit 1918, dukej, sikur kishte pushue. Edhe ata që e filluen Luftën Botnore ishin ma të sigurtë në kenjen e tyne se Shteti Shqiptar. Ndonse Shqiptarët nuk kanë kercënue asnjë shtet fqinjë, të mëdhej’ e të vegjel u çuen me shkye nga një copë, e sejcili, tue kerkue me pushtue ma të madhen. Italia tue kenë andej detit kerkonte Vlonën. Greqia si gjithmonë, kerkonte Shqipninë e Jugut, ku do të perfshihej Korça e Gjinokastra. Serbia dhe Rusia ishin edhe ata që do të firmonin dokumentat e coptimit tue na pushtue!

DOKUMENTAT VERTETOJNË:

Serbia nuk ngopej vetem me Vermoshin e Shkodren… Pritej vendimi i Shteteve të Europës, që me 18 Janar 1919, u mblodhën në Paris, ku u hap Konferenca e Paqës. Qeveria e Përkohshme e Durrësit, e kryesueme nga Turhan Pashë Permeti, as nuk u perfill fare nga Lidhja e Kombeve. Në shkurt 1919 një delegacion Shqiptarësh u nis për Paris. Askush nuk ua hapi dyertë e Konferencës.

Deri këtu, edhe sot, dy “Akademitë e Shkencave Shqiptare”, ajo e Tiranës’’ dhe ajo e Prishtinës, mundohen me krijue “emna të përvetshëm”, të cilët, “arrijtën me një perkushtim të posaçem me shpëtue Shqipninë nga një coptim i sigurtë!” Fatkeqsisht, pothuej, të gjitha tekstet e Historisë së Shqipnisë së këtyne “Akademive”, të formueme nga antishqiptarët edhe sot, nuk e shkruejnë të Verteten e Shpëtimit të Shtetit Shqiptar nga një coptim i sigurt në Konferencën e Paqës në Paris, në vitët 1919 – 1920.

E Verteta asht vetem një! Kujt nuk i pelqen të vazhdojnë me pertypë rrêna! Në vitin 1999, ishte e para herë që kam ndigjue në Tiranë, nga Prof. Valentina Duka kumtesen “Roli i Klerit Katolik Shqiptar në Konferencën e Paqës në Paris, 1919 – 1920”, të thanun troç: “Fillimisht Turhan Pasha, me cilësinë e Kryeministrit Shqiptar, në përbërje të delegacionit, krahas vetes, caktoi edhe Mehmet Konicën (Ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Durrësit), Mit’hat Frashërin dhe Mihajl Turtullin…” Kur mërrijtën në Paris këta drejtues, në shkurt 1919 “u këshilluen nga Ministri i Jashtem i Italisë Sonino, “që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme…” Pra, kishte shkue puna deri aty, që “italianët” me u mësue mend delegatëve tanë, sesi me veprue per mos me na coptue shtetet fqinjë, bash atëherë kur vetë italianët, nuk i lenin asgja mangut komshijëve tjerë! Ndersa, mosmarrveshjet mes tyne nuk zehen me gojë nga askush as sot gati mbas 100 e sa vjetësh, edhe pse bash atyne përçarësve përditë “u thuret lavdi” për damin e madh që i kanë ba Popullit e Shtetit Shqiptar, që ditën e Shpalljes së Pavarsisë në 1912.

Këte e verteton qendrimi i perfaqsuesëve të Shqiptarëve të Amerikës, Turqisë, Kosovës, Rumanisë, etj., që arrijtën deri aty sa me kerkue “edhe rikthimin e Esad Pashë Toptanit në drejtimin e shtetit shqiptar”… Anglia, Franca e Italia ishin per coptimin e Shqipnisë. Qeveria e Durrësit vendosi të dergojë si Kryetar të Delegacionit Shqiptar, në Konferencën e Paqës në Paris Ipeshkvin e Lezhës Imzot Luigj Bumçin, i cili zgjodhi si sekretar të vetin françeskanin e njohun At GJERGJ FISHTA. Nga Shqipnia e Mesme shkoi Mustafa Kruja.

Në delegacionin e ri u caktue edhe Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica. Me datën 6 Mars 1919, Imz. Luigj Bumçi dhe At GJERGJ FISHTA u nisën në Romë, për me u takue me Papën Benedikti XV, një dashamirës i madh i Popullit Shqiptar. Mbas takimit me Papen, Imz. Bumçi dhe At Fishta u nisën për Paris. Shkelqimi i dy figurave të Klerit Katolik Shqiptar, kje i paimagjinueshem në Konferencën e Paqës. Imzot Luigj Bumçi ishte një përfaqsues i denjë i Atdhetarizmit dhe i çeshtjes sonë aq të randsishme për kenjen e Kombit Shqiptar. Imz. Bumçi takohet me të gjithë delegatët e të gjitha shteteve, dhe me njohjen e disa gjuhëve të hueja, Ai asht në gjendje me bisedue me të gjithë dhe me u paraqitë atyne se, “Shqiptarët sot janë vertetë pjesë e Europës së qytetnueme”.

Takimet dhe kambngulja e Tij për zgjidhje të drejtë të çeshtjes Shqiptare, oratoria dhe prezenca e At Gjergj Fishtës përkrah Tij, janë një model i papersëritshëm! Imz. Luigj Bumçi porsa filloi detyren protestoi tek Presidenti Amerikan Woodrow Wilson, kundër barbarëve serb per krimet e kryeme në Shqipninë Veriore, Plavë Guci e Gjakovë. I kerkoi hymjen e trupave amerikane në zonën e Rugovës. Protestoi tek Ministri i Jashtem i Italisë Tittoni për marrveshjen me Kryeministrin grek Venizelos, në lidhje me kalimin e zonave të Korçës e Gjinokastres Greqisë.

Në muejn Tetor 1919, Imz. Bumçi u takue me perfaqsuesin e Francës Pichon, dhe krytarët e delegacioneve të Shteteve të Bashkueme dhe Anglisë, të cilëve u kerkoi që të nderhyjnë për zgjidhjen e çeshtjeve në favor të Shtetit Shqiptar. Ndersa At GJERGJ FISHTA, udhtoi per këto çeshtje drejtë Anglisë dhe SH.B.A. Delegacioni Shqiptar tue vrejtë vështirsitë e mëdha per zgjidhjen e drejtë të atyne problemeve aq delikate, kerkoi nga Imz. Bumçi, në mbledhjen e 22 e 23 Dhjetorit 1919 nderhymjen urgjente të Tij tek Vatikani.

Imz. Bumçi, si gjithmonë i gatshem per me zgjidhë çeshtjet kombtare, u pajtue me mendimin e Delegacionit dhe bashkë me Mehdi Frashërin, intelektual i njohun, u nis për Romë, dhe arrijti me 28 Dhjetor në Vatikan. Takimi i Imz. Bumçit me Papen Benedikti XV u zhvillue me datën 1 Janar 1920, vertetë një takim i shkurtë, po me plot fryt për qellimin për të cilin Ai shkoi tek Papa. Në kujtimet e Tij historike Imz. Bumçi shkruen: “Tesh prá Shêjtni, të gjith misat e Dergatës shqyptare qi janë në Paris e qi shumica asht mysliman, më kan çue ktu perpara Shejtnis S’Uej e të gjith per nji gojë U luten qi me fuqin t’Uej morale e me influencen e madhe qi keni në Boten marë, të na epni ndimen t’Uej të vlefshme si e ku dini Ju Vetë, qi të na pështojnë dy provinçet shqiptare Korça e Gjinokastra, të cillat janë në rrezik prej akordit Tittoni – Venizelos.” Mbasi marova fjalët e mija, Papa Shêjt, si pat ndêjë nji grimë herë pa bâ zâ, u suell e më tha: “Po shka të baj për Ju? Me Itali s’kam shka me bâ, e din gjith bota si jena: me Francë marrdhanjet janë këputë – shka të bâj?” U pergjegja (Imz. Bumçi): “Un kishe me thanë, Shêjtni, se Bota s’ka metë vetun në Itali e në Francë; ka në Botë edhe Angli e Shtete të Bashkueme t’ Amerikës!”

Papa bâni buzen në gaz, e me i ‘herë më pergjegji: ké të drejtë. E pra, neser do të piqemi me Ambasadorin e Anglis, masnesrit me até të Shteteve të Bashkueme; e po t’ ap fjalen se me të dy kam me folë e me ja porositë dy provinçet qi kenkan në rrezik e kam me ba shka të mundem per me Ju ndimue. Zoti ka m’e e ba mirë se prei Konferencet të Paris-it mos pritni punë të mira pse Zotin e kan qitë jashtë, e aty ku s’ asht Zoti drejtsija s’ mundet me kênê!” Këtu u mbyll biseda. Imz. Bumçi në fund i la një memorandum me shkrim per kujtesë, dhe bashkë me Mehdi Frashërin ikën në Paris, ku priteshin nga delegatët tanë. Atë natë u takuen me delegatët Shqiptarë, e mbasi Imz. Bumçi i vuni në dijeni per biseden me Papen, të gjithë u ngritën në kambë plot gëzim tue thirrë: “Rrnoftë Papa! Korça e Gjinokastra shpëtuen!” Me daten 6 Mars 1920, mbas dy muejsh që Imz. Bumçi u takue në Vatikan me Papen Benedikti XV, në Paris mërrijti një notë e Presidentit të Sh.B.A. Wilson, simbas së cilës “integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!” Çeshtja Shqiptare u diskutue aty tue iu referue Programit të Presidentit amerikan W. Wilson: “E Drejta e Kombeve per vetvendosje”, që favorizoi Shqipninë. Shteti i Parë që ka njoh Shtetin Shqiptar ka kenë Vatikani, i cili me 12 Nandor 1920 emnoi Delegatin Apostolik per Shtetin e Ri Shqiptar, Imz. Ernesto Cozzi, që porsa erdhi në Shqipni, i ngarkuem nga Papa vizitoi gjithë krahinat e Shqipnisë dhe në fund, me daten 28 Janar 1921, Imz. Cozzi mërrijti zyrtarisht në Shqipni.

Papa Benedikti XV shkruen: “Tashti që Populli i Juej fisnik ka mujtë me fitue lirinë dhe ka hy në rrugen e përparimit të vërtetë, asht e arsyeshme që nëpërmjet Perfaqsuesit tonë të ripërtrijmë edhe njëherë e ma të forta ato lidhje që përsa shekuj e bashkuen Shqipninë me Kishën e Shejtë”. Burrat që shpetuen Shqipninë e sotme nga coptimi i fqinjëve në vitin 1919 – 1920 ishin: Imz. Luigj Bumçi, Papa Benedikti XV dhe Presidenti i Sh.B.A. W. Wilson.

Kjo asht e Verteta historike e kenjes së Shtetit Shqiptar!

PO SOT SI PARAQITET GJENDJA E SHTETIT KOMUNIST ?!

Melbourne, Shtator 2014.

Riipersëritja nga Melbourne, 21 Qershor 2025



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx