Mendime » Radovani
Fritz Radovani: T'paharrueshmit miq!
E premte, 28.02.2025, 03:57 PM
SHKOLLA
NORMALE E ELBASANIT 1909
T’PAHARRUESHMIT
MIQ!
KALUEN 70 E SA, VJET…
Pergatiti
Fritz RADOVANI
Po,
po ikën vitet si ujë! Ishte viti 1953 kur në Shkoder mërrijti grupi i
Profesorave të Elbasanit, Ishin Edukatorët dhe Miqtë tonë të Perjetshem dhe të
Paharrueshem!
Dashunia
e Tyne prindore dhe edukative u skalit në gurt’ e Rozafës sonë!
Askujt
nuk i shkonte mendja se Ata do t’ ishin kopjot e Prindve tonë të vertetë!
Asht
shumë e vështirë me mbetë në kujtesën e brezave të ardhëshme dhe me u besue ajo
tragjedi aq e madhe që ka ngja per 47 vjet në një vend aq të vogel sa asht
Shqipnia! Vetem në një sistem komunist të tipit stalinist oriental dhe enverist
mund të mendohet me gjetë agjenta që janë të lindun me prishë e me shkatrrue
gjithshka që asht e mirë, jo vetem e dobishme dhe perparimtare per shtetin e
tyne, po edhe e realizueme me sakrifica shekullore.
Ngjau
edhe kjo mbas vitit 1946 në Shkoder ku kishte mbetë vetem Gjimnazi i Shtetit,
në të cilin mbas vitit 1949 perfshihej edhe shkolla e mesme pedagogjike, ku
mund të vazhdonin shkollen vetem ata nxanës që konsideroheshin të “deklasuar”
dhe që nuk lejoheshin me shkue në shkolla te tjera jo vetem në Shkoder, po n’
asnjë qytet tjeter...
Ishte
viti 1949 kur erdhi në Shkoder kryetar i degës së mbrendeshme terroristi Hilmi
Seiti, i cili, porsa shkeli në token e zharitun, i dergon një kerkesë ministrit
të ri të mbrendshem, Mehmet Shehut, me të cilen i kerkon: “Me që në Gjimnazin e
Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”... (Arkivi i
M.M.Tiranë). Perveç 100 konviktorëve që do t’i sherbenin sigurimit të shtetit,
drejtor i Gjimnazit vjen nga Korça amorali kriminel Skender Villa, i cili në
vitin 1945 asht kenë hetues në degen e Korçës, punë që e vazhdon me perkushtim
ndaj kolegëve dhe nxanësve të Gjimnazit te Shkodres.
Bashkë
me té janë edhe disa mësues të atij qyteti, por kurrë në modelin e drejtorit
katil të porsaardhun dhe të panjoftun nga Shkodra...
Ishte
viti 1952, kur unë detyrohem me vazhdue shkollen pedagogjike, që ishte nen një
kulm me gjimnazin dhe me një drejtor të perbashkët, aso kohe vijnë në Shkoder
edhe një grup pedagogësh nga një drejtim tjeter, jo ma nga Korça, po nga
Elbasani. As sot nuk dij me tregue as kush i solli, as pse i sollen këta
pedagogë në Shkoder, mbasi koha e sherbimit të Tyne kje mjaft e gjatë dhe shumë
frytdhanëse në disa drejtime. Vetem Ata e dinin pse?
E
para që filloi vitin e dytë nga ky grup ishte Prof. Roza Bebi, që na mësonte
histori dhe gjeografi. Ajo ishte moshë e re, por një vajzë e nderueme, që
respektohej nga të gjithë per qendrimin e Saj. Një tjeter mësues i këtij grupi
në moshë të re, që na mësonte rusisht në vitin e tretë, ishte Prof. Ndriçim
Gjata, i cili ishte edhe kujdestar i klasës sonë. Djalë serioz, kerkues dhe
fjalëpakë... Shumë persona të rezervuem dhe të sjellshem me ne.
Kujtoj
nga Profesori ynë Ndriçim Gjata, kur erdhi një orë në klasë, ban apelin dhe
ngriti një nxanës tek tabela...Ai vetë erdhi nga fundi i klasës dhe u ulë në
banken ku ishe unë vetem mbasi mungonte shoku i bankes atëditë... M’u afrue tek
veshi dhe më tha këto fjalë: “Kjo është ora e fundit që bëjmë sëbashku mbasi
jam transferuar dhe do iki nga Shkodra. Më vjen shumë keq per disa nxënës që po
shkëputem. Shiko, Radovani, ruaju fort dhe tregou i kujdesëshem, mbasi drejtori
Villa kerkon per të bërë keq!”
Unë
u topita nga fjalët e tij, mbasi kater vjet perpara drejtori Skender Villa
kishte arrestue vllaun e madh Alfonsin, që u dënue tetë vjet burg, ndera vllaun
tjeter Toninin e perjashtoi pergjithmonë nga shkolla me motivacionin “nuk
pajtohet me frymen e shkollës së re”, pra, edhe unë ishe në pragun e një
vendimi të tillë prej këtij drejtori katil.
Në
vitin e dytë (1953) një tjeter Prof., Abdyl Kajanaku, na mësonte psikologji dhe
landen kryesore, até të pedagogjisë, me të cilen vlersohej dhe aftësia e jonë
per mësues. Ishte ma i moshuemi i grupit të profesorëve të Elbasanit, por me
heshtjen e Tij jepte me kuptue shumë. Në dukje jepte pershtypjen se nuk kishte
shoqni me profesora tjerë, po në të vertetë shihej ma shumë se të tjerët me
personelin shkodranë, me të cilët ndonjëherë shihej edhe në Fushen e Qelës tue
shetitë.
Ndersa
në vitin e tretë dy landet e pedagogjisë (teori dhe praktikë) na i jepte Prof.
Gani Daiu, që njihej si autoritar dhe shumë i aftë. Kur fliste, dallohej në
perdorimin e Gegnishtes së Elbasanit. Në fund të vitit 1955 shkolla Pedagogjike
u nda nga Gjimnazi dhe në maturë na shkueme në një ndertesë perballë ku deri
atëherë grumbullohej drithi. Me né erdhi edhe grupi i profesorëve të Elbasanit,
prej të cilit Drejtor i shkollës Pedagogjike u emnue Prof. Gani Daiu, një
Profesor shumë i pergatitun në të gjitha drejtimet e jetës.
Vendi
ku rrotulloheshin karro e qerre me drithë do të kthehej në shesh sportiv e
mbrendë ambjenti duhej transformue nga magazina në shkollë...Per ambjentin e
mbrendshem u ngarkue Prof. Lazer Kakarriqi, dhe per ambjentin e jashtem Prof.
Esat Haxhi, dy profesorë të cilët do të mbesin të paharrueshem per brezat që
ata vite ishin nder bankat e asaj shkollë. Me Prof. Lazrin u ngarkuem me punue
një grup studentash që mbetem miq të perjetshem, Isa Alibali, Ferdinand Paci,
Gjildo Haxhia dhe unë. Mbrenda dy tre muejsh ambjenti u kthye në një shkollë
model. Po e njajta gja u realizue edhe në ambjentin rrethues perjashta.
Landen
e marksizmit na e jepte sekretari i PPSh së shkollës, Prof. Enver Thanasi, i
ardhun nga Vlona. Ishte personi ma i lidhun me komitetin e rinisë së shkollës,
ku sekretar ishte nxanësi i klasës s’ime Bep Jubani. Kishte tre vjet që ishte
antar i komitetit të rinisë së shkollave të cilave i ka sherbye ashtusi donte
“partia”!!.
Në
muejn maji, pak javë para mbylljes së vitit shkollor, Prof. Thanasi gjen një
moment dhe organizon një mbledhje bashkë me sekretarin, Bepin, “me më thye mue
dhe Eduard Çiurçisë nga një notë në sjellje, pse u qeshem...në oren e
marksizmit...” Po mos t’ishte kundershtue propozimi nga Luçije Abati, dhe sikur
gjithë kolektivi i klasës mos të mbante krah nga qendrimi i saj, edhe sot nuk
do t’ishe me dokument mature e kushedi ku ishte fundi!
As
këshilli pedagogjik nuk e pranoi propozimin e tyne, që si argument kryesor
perdornin “biografinë” tonë.
Perfundoi
viti shkollor dhe shumica iken nder fshatra. Bepi me disa “konviktorë” shkuen
me studjue jashta shtetit, në Moskë dhe në vende të tjera socialiste... Vitet
ecnin si gjithnjë! Kujtime që nuk shlyhen.
Me
rasen e 10 vjetorit të maturës, në vitin 1966, unë përgatita një ekspozitë
personale, me rastin e grumbullimit të shoqnisë sonë shkollore në shkollen
pedagogjike, traditë që vazhdohet edhe sot nga ishstudentët e atyne viteve.
Fjalen e hapjes e mbajti Ferdinand Paci. Ishte jo vetem shok shkolle po edhe
Mik i emi deri në diten e fundit të jetës së Tij...
Një
ditë ma parë, pra me datën 24 Qershor të 1966, tue kalue kah Kafja e Madhe, po
shoh një burrë me kapelë republika të ndalun tek blini përballë hymjes. Kur u
afrova afër shoh se ishte Prof Ganiu, që kishte ardhë nga Tirana për takimin
tonë tradicional dhe po fliste me Bep Jubanin. Prof. Ganiu kishte plot 6 vjet
që ishte trasferue në një shkollë teknike atje. Prita sa u nda prej Bepit dhe
mbasi u përshëndetëm, me kërkesën e Tij, hyme me pi nga një kafe. Porsa u ulëm
më pyeti për Bep Jubanin. I thashë vazhdoj mos me folë me té që nga mbledhja e
fundit të vitit të maturës. Atëherë Prof. Ganiu hapi një histori të vitit 1956,
kur isha maturant. Aso kohe Ai kishte pasë një të njohun të vetin oficer në
degën e mbrendshme të Shkodres, që e kishte thirrë në degë dhe i kishte kërkue
mendim si drejtor shkolle, nëse mundej të ishte e vërtetë kjo deklaratë e
lëshueme nga sekretari i rinisë komuniste të shkollës, Bep Jubani? – Ky e
kishte lexue: “Traktet e hedhura këto ditë në shkollën Pedagogjike, mendojmë se
janë shkrue nga Federik Radovani, mbasi ai ka shkrimin e bukur dhe të ngjashëm
me këte të trakteve. Njëkohësisht dy vëllaznit e tij, janë përjashtue nga
shkolla se nuk janë pajtue me frymën revolucionare të shkollës sonë. Në fund
kishte firmue Bep Jubani. Prof. Ganiu ishte pergjegjë: “Jo, kurrë nuk e ka bërë
Fritzi këtë, jo! Unë e njoh mirë dhe ju garantoj se ai nuk është aq i papjekur.
Domëthenja e kësaj deklarate ka lidhje me një kurdisje të Bepit me prof. Enver
Thanasin, dhe ka të bëjë me një keqdashje të tyre ndaj Fritzit. Bepi ka punuar
shumë për të eleminuar këte njëri, ai edhe tek unë ka tentuar të më bind per
gjëra të tilla...Fritzi nuk është i tillë. Ai është ndër nxënësit më të
përgatitur dhe të rregullt të shkollës, për këtë ju garantoj unë e po qe nëvoja
këto fjalë i thëm edhe më lart!” Ky ishte Prof. Gani Daiu nga Elbasani perballë
një agjenti sigurimi nga Shkodra!..
Ata
Profesorë asht e vertetë që nuk vijnë ma qytetit të Shkodres!
Ata
Mësues nga Elbasani ishin edhe prindët tanë, po edhe dashamirë të pashoq!
Asht
e vertetë se kanë kalue shumë vite po Ata mbesin të Perjetshem nder kujtimet
tona!
Shumica
vertetë nuk jetojnë, po Emnat e Tyne nuk shlyhen asnjëherë nga kujtesa!
Themelet
e asaj edukatë janë të pashlyeshme!
Edhe
sot ajo edukatë vazhdon me nxjerrë filiza tek ajo lulishtë që na kujton aq
shumë vepra të perherëshme, të Atij brezi të Paharrueshem t’ Atyne Miqve të
Pavdekshem t’ Elbasanit të Shqipnisë sonë!
E
me Ata Profesora rreshtohen edhe qytetarët e Korçës dhe të qyteteve të tjera...
Ata
kujtime shkelqejnë edhe sot nder Ata Gurë të daltuem atëherë!..
Kujtime,
kujtime... Kujtime që janë shkrue perjetësisht nder Gurt’ e Rozafes...
Rozafës,
Asaj Plakës së vjeter karrshi Taraboshit...
Melbourne, 28 Fruer
2025.