Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Edith Durham - Mretnesha e Maleve (II)
E hene, 22.07.2024, 06:56 PM
EDITH DURHAM
MRETNESHA
E MALEVE
Nga
Fritz RADOVANI: PJESA E DYTË
Malësorët e Veriut e thirrën Miss Edit Durham:
“Mretnesha e Maleve”!
Një epitet jo vetem i nderuem
po, edhe i merituem plotsisht nga Ajo!
As para Edith Durham dhe as
mbas Saj, askush si Ajo, nuk e ka vue këtu kamben si Ajo Angleze e Nderueme dhe
aq mirënjohëse ndaj Shqiptarve!
Studjuesja e palodhur dhe mikja e Alpeve Shqiptare
anglezja Miss Edith Durham, për qytetin e Shkodrës ka shkrue tue cilsue si
askush tjeter: “Shkodra më
mrekullon… Ai ashtë qyteti ma i mirë në Botë“!
Shkodra, ka një histori të lashtë e të lavdishme tue
kenë njëheresh një nga kryeqendrat e kulturës së qytetënimit Shqiptar. Asht e
themelueme në shekullin IV para Krishtit. Ajo arrijti lulëzimin e vet gjatë
sundimit të mbretit Gent, kohë në të cilen Ajo u ba dhe kryeqendër e Ilirisë së
vjeter.
Në shekullin III para Krishtit preu monedhat e para
të vetat Shqiptare.
Në shek XVIII u kthye në një nga qendrat e randësishme
tregtare, që patne shtrimje gjeografike në disa kontinente të Botës së
atëhershme.
Ndersa në Shekullin e XX, na rikthehemi edhe njëherë
tek studjuesja Miss Edith Durham ose tek ”Mretnesha e Maleve të Veriut”.Miss Edith
Durhami ishte një zonjë angleze qi flet ma shumë se pesë gjuhë dhe ka pa shumë
vënde. Ajo ka udhtue gjashtë herë në Ballkan. Ndersa tek Ajo, vendi që ka lanë kujtime të pashlyeshme ishte
Shqipnia e Veriut!
Edith Durham në kujtimet e Saja të jep pershtypjen se ka jetue shumë e
shumë vite në krahinat Veriore e kryesisht në Malësitë e atyne Alpeve, ku Ajo u prit dhe asht percjellë simbas zakoneve
t’ atyne Alpeve aq të bukra.
Prej momentit kur Ajo ju afrue portares së Bajraktarit atje naltë Alpeve,
u krijue idea se Ajo e njifte mirë ate krahinë që, as nuk e kishte shkelë kurr
në jeten e Saj, po Shpirtnisht Ate e lidhte një mister i perjetshëm. E ndoshta,
sa Ajo vuni kamben në prakun e kullës së Bajraktarit Vermoshit ushtuen Malet e
Veriut, tue shkrepë si rrfeja prej shpatit në shpat’ e tue i dhanë kushtrimin
Atyne Bjeshkëve të Nêmuna se “Ju erdhi Mretnesha!”.
A thue vetem një cung lisit ju shtue atij zjarmi që ishte i pashuem nder
sa e sa shekuj, prej asaj kohë kur simbas Kanunit të Lekës, jo vetem ai oxhak
rrethohej prej Burrave t’ armatosun, po një Malsi e tanë brofte në kambë e pa
ju tutë syni vraponte mbas Flamurit të Kastriotit të Madh!
Bash njashtu ushtuene Malet kur aty pranë atij oxhaku vuni kamben Ajo
Mike e Madhe e Popullit Shqiptar,Miss Edith Durham, dhe Bajraktari me një
dashni e respekt të posaçem, vuni doren në zemer e me një buzqeshje të ambel i
tha Miss Durham-it: “Urdhno e ulu e, mirë se t’ ka prue Zoti!”
E Miss Edith Durham prej atij çasti nuk dijte ma me dallue se cila shtëpi
në këte Botë asht ajo ku rriti shtatin apo, Ajo u ba “Mretnesha e Maleve”!
E nuk vonoi aty afer në një sofer rrumbullake nuk mungonte ma asgja nga
duertë e Burrneshave të shtëpisë që e ftuen me gëzim Miss Durham: “Hajde,
urdhno, mirë se erdhe në konakun tone!”, e Edith Durham u ulë si t’ ishte në
shtëpinë e vet në Londer. Ambjenti e bani n’ çast pervete.
Ndoshta, Ajo asnjëherë nuk e kishte provue thanjen: “Urdhno, bukë e krypë
e zemer!”, që Malet tona kreshnike e ftojnë Mikun me ngranë bash si t’ ishte
një pjestare e familjes së tyne, jo me fustan por me xhubletë!
Buka në sofer ishte e freskët dhe e gatueme nga stajanica në mengjes pa
dalë drita, ndersa gota e tamlit të freskët ishte mbushë pak orë perpara, kur
nuset ishin çue dhe kishin mjelë delet e shtëpisë. Gjithshka ishte e kandshme
dhe e paster, me të pasë lezet Shpirti kur ndigjoheshin vetem urime dhe
pershndetje aq sa miqësore, aq edhe plot dashni të zjarrtë. E aty nder ata
sofra të shtrueme aq bukur e me shije, asnjëherë nuk dij se mungonte fjala e
ambel dhe buzqeshja miqësore apo, sherbimi vllaznor ndaj mikut, e sodomos, kur
pastertia Shpirtnore asht në krye të vendit.
Asht e pabesueshme mjeshtria e atyne që pergatisin qingjin e pjekun në
hell ose gjelat e skuqun në prush kur në sofer kanë miq. Asht shumë e çuditëshme sesi ato krahina njohin në mënyrë aq të saktë shijet e burrit,
grues a të fëmijve, tue ua pershtatë moshave të tyne aq bukur e me andje.
Gjithshka me masë dhe me shije ashtusi e kerkon zakoni nder ato sofra.
E mbasi janë shkrepë edhe gotat pothuej në mbyllje plaku që asht në krye
të vendit, i ban me shenjë njenes prej nuseve që asht tue sherbye në kambë e
menjëherë vjen vena e ambelcina karakteristike e atyne maleve.
Ata që nuk e kanë provue Mazen e Çapres, e tham me bindje se, nuk e kanë dijtë
asnjëherë kush asht ambelsina e zonave të Maleve të Veriut të Shqipnisë, dhe
çka asht ajo Mazë krejtë e panjoftun sa bjen nder fusha?
Unë me të vertetë që e kam provue Mazen e Çapres në shtëpinë e Nikollit
në Theth dhe, sot mbas 50 e sa vjetësh prap nuk e harroj shijen e saj! Po jam i
bindun se ashtu si unë që e kujtoj edhe sot, me siguri do ta gjeni dikund të
shkrrueme nder kujtimet e Atyne Maleve, që ka lanë dikund në shkrimet e veta
Miss Edith Durham, Mretnesha e Malsisë së Veriut!
Melbourne, 20 Korrik 2024.