Mendime
Idriz Zeqiraj: Deputetë zuzarë provokojnë Presidenten Vjosa Osmani
E enjte, 26.06.2025, 04:54 PM
NDOCA DEPUTETË ZUZARË, PROVOKOJNË PRESIDENTEN E ARTË, VJOSË OSMANI!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Me gjithë porosinë e përsëritur të
institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, për listat e pastra të
kandidatëve për deputetë, opozita PAN-iste shpërfilli sugjerimin e bërë. Ajo jo
vetëm që i ricikloi të inkriminuarit, por solli edhe sojin e tyre në listat
zgjedhore! Doza e kriminalizimit veç sa u shtua në Parlamentin e Kosovës!
Disa deputetë të rikthyer dhe rishtarë
në Parlament, përgjatë fushatës parazgjedhore, janë zotuar se do t`i lirojnë të
akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si - Ndërmarrje e
Përbashkët Kriminale-, siç e ka gjetur emërtesën adekuate, bazuar në shumësinë
numerike të vrasjeve cilësore politike të bëra, përgjatë luftës dhe pas luftës
së Kosovës, prokurori amerikan Jack Smith. Dhe, ende pa u ligjësuar si
deputetë, kanë filluar sulmin frontal të organizuar, kundër Presidentes së
artë, Vjosë Osmani, institucioneve shtetërore e pushtetare të Kosovës, pse nuk
e anatemojnë e sulmojnë Gjykatën Speciale të Kosovës, të aprovuar nga Kuvendi i
Republikës të Kosovës, me seli në Hagë!
Javë më parë, njëri nga deputetët
"yryshli" i PDK-së, Nait Hasani, pa fije sensi njerëzor, madje me
paturpësi klasike, edhe pse i ka ra për hise ta gëzojë petkun e
"diplomatit", me një gjuhë hiç diplomatike, kërcënoi Kosovën "me
trazira, gjakderdhje, nëse dënohet njëri nga "çliruesit e Kosovës",
përkatësisht, Hashim Thaçi, edhe pse ai pranon vet se "kam qenë larg
frontit të luftës", pra, ka qenë banor rezident i hotel Rognerit apo
Bllokut të Zi të Tiranës, e jo pjesë e luftës dhe aq me hiç
"çlirues!"
Kolegu i tij, deputet rishtar, yll i
mediave televizive e digjitale, i përditshëm dhe i përnatshëm, Artan Behrami,
këshilltar i parë politik, i presidentit, Hashim Thaçi, si gramafon i prishur,
Gjykatën e Kosovës e quan "fashiste", natyrshëm, edhe prokurorët e
gjyqtarët e saj! Himnizon "çlirimtarët", edhe pse tre nga ata nuk
janë fare pjesë e luftës, dezinformon për të "bëmat" e tyre
luftarake e politike. Ai flet në emër të popullit të Kosovës, se, gjoja, është
në zi kombëtare, për burgosjen e "çlirimtarëve" të tij. Edhe pse të
gjitha anketimet e bëra, 80 % e shqiptarëve vendorë dhe të përbotshëm, kërkojnë
zbulimin e krimeve dhe ndëshkimin e kriminelëve, qofshin ata serbo-sllavë apo
shqiptarë bastardë. Sepse krimit nuk i skadon afati dhe, në veçanti, krimeve
vrastare të listuara serike cilësore-politike.
Së fundi, deputeti rishtar, zhurmaxhi e
tellall i partisë-bandë të PDK-së, Artan Behrami, akuzoi Presidenten e artë,
"Vjosë Osmanin, se, gjoja, aprovoi zgjatjen e mandatit të EULEX-it në
Kosovë, pa e pasur këtë të drejtë!" Edhe pse EULEX-i nuk ka nevojë ta pyes
Kosovën, për afatet e tij mandatore. Madje, provokon rëndë, idiotisht e
turpërisht, se "Presidentja duhej ta kushtëzonte zgjatjen e mandatit të
EULEX-it, me lirimin nga izolimi dhe mbrojtjen në liri të katërshes të
akuzuar: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep
Selimit!" Ja, çfarë deputetësh zuzarë ka PDK-ja e kriminalizuarr!
Pelegrinazh abuziv në burgun e Hagës dhe kërkesa idioteske për mbrojtje në liri!
Të akuzuarit e përmendur, edhe në
kushtet e burgut, përmes vizitorëve abuzivë e horrakë, porositën kërcënimin për
dëshmitarët viktima, dikur të arrestuar, të burgosur, të maltretuar, disa deri
në vrasje, "të mohojnë dëshmitë e dhëna fillestare, ose ta vrasim djalin,
familjen!" Një shantazh, skajshëm kriminal, të pranuar edhe nga disa
syresh, tashmë, të arrestuar dhe të dënuar me akuzën bazike "pengim të
drejtësisë të Gjykatës Speciale!"
Për çudë, si ka mundësi të lihet në
mbrojtje në liri, kuadri i lartë i partisë-bandë PDK-së, Hajredin Kuqi, anëtarë
i Kryesisë i PDK-së, ish-ministër i Drejtësisë, pedagog në Universitetin e
Prishtinës, mjerisht?! I akuzuari, Kuqi, avokat mbrojtës i
"komandantëve" pa ushtarë, por me banda të bollshme, abuzoi me
mirëbesimin e Gjykatës të Hagës, në cilësinë e avokatit, duke u bërë pjesë e
krimit, përkatësisht, "pengim të drejtësisë", me kërcënim të
dëshmitarëve, paradoksalisht, u la në gjykim të lirë!? Ndërkohë që duhej
zinxhirosur, dhe dihet kush zinxhiroset, si bashkë kriminelët e tij, të akuzuar
me të njëjtën akuzë, "pengim të drejtësisë"!
Ishte po ky ish-ministër i Drejtësisë,
i cili krahas Hashim Thaçit dhe informatorit të ministrit të Brendshëm, serb,
Stanishiç, Baton Haxhiut, që kërkonin faljen e krimeve reciproke vrastare,
përfshi edhe serinë e krimeve numerike cilësore politike, të ushtarakëve luftë
bërës të FARK-ut të Presidentit Ibrahim Rugovës; të kuadrove, veprimtarëve,
aktivistëve të LDK-së; si dhe brenda llojit, veprimtarët e hershëm të LPK-së,
me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë dhe të shmangies të konkurrencës për
pushtetin e pritshëm, perspektiv!
Akuzat për Donikën dhe Albulenën, janë
absurde dhe qëllim-këqija!
Banditrit e PDK-së, përgjatë gjithë
mandatit 4 vjeçar të Zëvendëskryeministres dhe ministres së Jashtme dhe të
Diasporës, Donikë Gërvalla, nuk kanë pushuar së akuzuari sikur, gjoja, ajo ka
dëshmuar në Hagë kundër "çlirimtarëve! E vërteta është se ajo i ka dhënë
emër krimit, madje, përsëritshëm e publikisht, por pa pasur nevojë t`i shtohet
edhe 1 (një) shifrës të 300 dëshmitarëve të regjistruar, për gjykimin e
"çlirimtarëve", siç i quajnë ata mbrojtësit e krimit. Përndryshe,
Donikë Gërvalles, veprimtarja më e shquar për mbrojtjen e Kosovës, në paqe dhe
në luftë, nuk i mungon as vullneti dhe as guximi qytetar dhe intelektual, për
ta dëshmuar të vërtetën, kur e kërkon interesi i Atdheut.
Banda e PDK-së ia ndalon shkuarjen në
Drenicë kryeministrit Albin Kurtit, pse ai i paska thënë: "Hashim, shko në
Hagë, pa biletë kthyese". Në këtë rast, Albini ka bërë profecinë e saktë,
bazuar në shumësinë numerike të shtatoreve, busteve dhe të varreve politike,
anekënd Kosovës, si dhe prindërve, vëllezërve, motrave, nuseve në veshje të
zisë së përjetshme. Dhe, mbi të gjitha, numrin e shtuar të fëmijëve jetimë të
pas luftës, sikur ishin pak ata jetimë, të cilët i la soldateska serbo-sllave,
para, përgjatë dhe pas Luftës së Kosovës!
Nga banda e PAN-it, janë shtuar akuzat
për shtetarët dhe pushtetarët, tashmë, në detyrë, kinse, nuk kanë bërë dhe nuk
po bëjnë asgjë, për lirimin e "çlirimtarëve", të izoluar në Hagë,
ose, të paktën, garantimin në mbrojtje në liri! Si ka mundësi që shteti i
Kosovës, të kërkojë lirimin e shtetasve të vetë, të akuzuar për krime lufte dhe
krime kundër njerëzimit, kryesisht, vrasjen e qytetarëve të tij shqiptarë të
pafajshëm, nga Gjykata e tij, pavarësisht se ku ndodhet ajo!?! Një kërkesë e
tillë është jashtë çdo logjike, është provokative, sa e turpshme, aq edhe
kriminale! Përndryshe, shteti i Kosovës vazhdon të paguajë miliona euro
lukuninë e avokatëve matrapazë e zhvatës botërorë, edhe pse kryeministri Kurti
ka kërkuar një avokat të përbashkët, sepse të izoluarit kanë akuza të përbashkëta.
Gjithashtu, kuadro partiakë dhe
deputetë, të djeshëm dhe të sotëm, të subjekteve të koalicionuara në PAN, e
kanë thënë dhe përsëritur, se "nuk e votojmë deputeten Albulena Haxhiun
për kryetare të Kuvendit, sepse e ka quajtur Kadri Veselin -kriminel-! Por, kjo
emërtesë, në rastin konkret, nuk është as shpifje dhe as fyerje, për kryetarin
e Organizatës ilegale kriminale, SHIK, e cila identifikohet me serinë e
vrasjeve politike. Në përgjigje, Veseli e ka përmjerrë kolltukun e kryetarit,
me shprehjen pezhorative "ma hangsh", duke e zbritur dorën ke organi
gjenital, penisi!
Hashimi e keqja e Kosovës: Agjentë i
trefishtë!
Edhe pse Presidenti Rugova ishte i
qartë në porosinë e tij, dhënë Kosovës: "Mos lejoni ngritjen e Hashimit në
pozita të larta, sepse është i rrezikshëm për Kosovën", megjithatë,
karrieristët që e rrethonin, nuk donin ta dëgjonin urtakun Rugovë. Në vitin
1997, me ndihmëm direkte të Tiranës zyrtare, social-komuniste, me instruktorë
ish-sigurimsat, (udbashët), e Enver Hoxhës, Hashimi, dinakërisht e forcërisht,
filloi sulmin kundër udhëheqjes ekzistuese të LPK-së. Me puç e shkarkoi
Kryesinë e vjetër, duke e pushtuar atë Hashimi me drenicarët e tij dhe ndoca
kokrra të tjera, si Xhavit Halitin, Adem Grabovcin dukagjinas; vëllezëri Buja
nga Lipjani; Sokol Bashotën nga Klina dhe "rrufjanë politikë" të
tjerë pa kurrizorë. Ndihmën e saj zyrtarët enveristë e kushtëzuan që kryetari i
LPK-së të jetë nga Shqipëria; qasjen e Tiranës zyrtare në Fondin
"Vendlindja thërret"; fletushka "Zëri i Kosovës" të
drejtohet nga kuadri i Tiranës!
Ndërkohë, Shërbimi Informativ francez
DGSE, me porosi të Serbisë, dërgoi agjentin e tij, Arnaud Danjean, dhëndër i
Beogradit, për ta mësuar gjuhën
gjermane, në Zyrih të Zvicrës.
"Rastësisht", u ndodh në një grup mësimor me Hashimin tonë! Shefi i
agjentit Danjean, Pierre Siramy thotë: "Gjithçka çfarë duhet të dijë
agjenti, është se ekziston një dosje për të, me kaq mjafton". Dhe, Hashimi
kishte dhe ka më shumë se një dosje. Rrjedhimisht, Hashimi u bë agjent i
trefishtë: I Tiranës, Serbisë dhe Francës dhe për këtë flet në "Jo
Tube" kreu i Sigurimit francez, Siramy.
Hashim Thaçi është dëshmuar si një
shpifës cinik ndaj kundërshtarëve politikë. Për babain e Presidentes Vjosë
Osmani, ka thënë se "ka qenë spiun i Serbisë", ndërkohë që ai është
bashkë themelues i Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës (FARK), për
çka ka qenë i burgosur politik me ministrin e kësaj force, Gjeneral Hajzer
Hajzeraj. Ai ka akuzuar oficerët ushtarakë të Luftës së Koshares si mercenarë,
ndërkohë që janë këta ushtarakë dhe Lufta e tyre heroike, të cilët kanë
legjitimuar Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, (UÇK).
Thënë troç: Hashim Thaçi ishte e keqja
e madhe e Kosovës. Të gjitha postet që i përvetësoi, ishin gradime që ia bëri
shefi i rekrutimit të tij, agjenti i DGSE, Arnaud Danjean, duke i
publikuar në mediat e Tiranës zyrtare dhe në fletushkën përçarëse dhe kundra
kombëtare "Zëri i Kosovës". Këtë e thonë shokët e tij të LPK-së: "Asnjë
strukturë partiake dhe as ushtarake, nuk e emëroi Hashim Thaçin Drejtor të
Drejtorisë Politike të UÇK-së! Askush nuk e caktoi Hashimin udhëheqës të
Delegacionit në Rambuje! Askush nuk e autorizoi Hashimin për leximin e
Deklaratës Kushtetuese, Shpalljen e Pavarësisë, sepse nuk i takonte atij, meqë
në sallën Kuvndore ishte Presidenti dhe Kryetari i Kuvendit! Nuk është e
vërtetë se Hashimin nuk e lejonte Demaçi, për ta firmosur Marrëveshjen e
Rambujesë. Në fakt, këtë pengesë e bënte agjenti freng, Danjean, i cili i "ishte
bërë pullë" Hashimit, me qëllim të dështimit të kësaj Marrëveshje, ashtu
siç kërkonte Serbia nga agjentët e saj Arnaud dhe Hashimi.
Tashmë, e gjithë kjo është e dëshmuar
me fakte të pa kundërshtueshme. Këtë e konfirmon edhe Kancelaria gjermane, Angela
Merkel, kur tre banditërit, me thika në dorë: Thaçi-Vuçiq-Rama, ia ofruan
hartën e Kosovës, për ndarjen e veriu të saj. Dhe, përgjigja e saj ishte, me
pak fjalë, por e prerë: "Lëvizja e kufijve në Ballkan, është një
"shpat i rrëshqitshëm". (Një shkrim timin "Tre banditërit me
thika mbi hartën e Kosovës", e kam shoqëruar me një fotografi të tillë.)
PAN-i me aleaten OVL të UÇK-së, palë me
Serbinë
Deputetët provokatorë të shtetarëve,
pushtetarëve dhe të popullit të Kosovës, sidomos, ata të PDK-së kriminale, po
bëjnë çmos, për ta implikuar UÇK-në në krimet e luftës, ashtu siç vepron edhe
Serbia, për gjysmë shekulli me radhë. Serbia ka qenë e suksesshme në
organizimin e protestave të përgjakshme dhe vandaliste të mars-prillit 2004, të
cilat i realizuan strukturat e PAN-it, me OVL të UÇK-së. Si pasojë Kosovës iu
imponua Decentralizimi, fshat e komunë serbe. Që këtej, pasoi Demarkacioni, për
të arritur ke Asociacioni, që i rrinë mbi kokë Kosovës, si "Shpatë e
Demokleut", ose edhe si "kancer i Kosovës", - siç e ka cilësuar
edhe vet nënshkruesi i tij, Hashim Thaçi.
Serbia nuk ndalet në instruktimet e
agjentëve të saj në Kosovë. Disa syresh i ka në Kryesinë e OVL të UÇK-së, të
cilës, vite më parë, ia besoi dhe dorëzoi dosjet e Gjykatës Speciale të
Kosovës, me seli në Hagë, për t`i shpërndarë për zbulimin dhe denoncimin të
dëshmitarëve të fshehtë, me qëllim të nxitjes të gjakderdhjes ndër shqiptare.
Të paktën, për pasojë, kanë ndodhur dy vrasje. Por, drejtësia e Kosovës, e
kapur nga kriminelët e PAN-it, i heshti. Krerët e OVL të UÇK-së, me nxitjen e
eksponentëve të PAN-it dhe të rrënuesit të pluralizmit shqiptar, argat i
Serbisë, në të gjitha proceset e deritashme dialoguese, Kosovë-Serbi, Edvin
Rama. Me gjuhë vulgare e rrugaçërore, ai shanë e mallkon Gjykatë Speciale, edhe
pse e di se nuk ka pasur dhe as nuk ka të arrestuar të pafajshëm nga kjo
Gjykatë. Ai është demagog, i zhveshur nga ndjesia e shqiptarizmit dhe vetëm nga
zuzarët e Kosovës admirohet. Mjerisht, për keqardhje!
Së fundi, njëri nga deputetët rishtar,
fort i lakmuar nga mediat e kapura nga krimi në Kosovë, Artan Behrami, i shkoi
për vizitë Richard Grenell-it në Amerikë. Presidenti Vuçiq dhe tre zyrtarët e
tij shtetërorë, janë deklaruar publikisht se "me Kurtin nuk bisedohet,
ndërsa me Thaçin dhe Ramushin merreshim vesh!" Pra, Serbia është fort e
interesuar për lirimin e Hashimit me shokë, me shpresë për t`i vazhduar pazaret
e pista të ndarjes të Kosovës.
Aleanca lobuese në dëm të Kosovës:
Grenell-PAN me lobues partiakë!
Tashmë, nuk përbën asnjë sekret, se
Grenell është agjent me rrogë i Serbisë. Edhe LVV-LDK kot e akuzojnë njëra
tjetrën, për prishjen e koalicionit të qeverisjes Kurti 1, ndërkohë që agjenti
Grenell ka filluar numrin nga 7, 6, 5, 4..., pra, brenda javës të realizohet
kjo qeveri. Dhe, kjo është shumë armiqësore për Kosovën, sepse këtë rrëzim të
qeverisë së ligjshme e donte Serbia, e cila e kishte në dorë shtetin dhe
pushtetin e Kosovës. Ndërhyrja e Grenell-it në politikën e brendshme të
Kosovës, pa mëdyshje, përbën krim edhe për faktin se ka abuzuar në emër të
shtetit amerikan, për llogari të Serbisë! Atëherë kujt i shërbejnë vizitat e
deputetit rishtar të PDK-së, aq më keq, kur përmes tij takon një kongresmen
amerikan?! Qeveria Kurti duhet ta njoftojë Presidentin Trump, që ta largojë
djalin e tij nga agjenti i Serbisë, Grenell. Madje, t`i jep me kuptua se ai
është i padëshiruar për Kosovën, duke e vënë në dijeni edhe administratën, për
të mos pasur mundësi të ndikojë, në dëm të Kosovës dhe pro Serbisë.
Organet doganore të Kosovës llogarisin
në disa miliarda euro dëme shtetit të Kosovës, nga makro-kontrabanda të bërë me
kamionë -Shlipera-, Mauna, nga krerët dhe eksponentët e PAN-it, me Listën
Serbe. Këtë e konfirmon DASH amerikan, duke i shpallur "non grata"
krerët e Listes Serbe dhe 16 bashkëpunëtorët e liderëve të PAN-it. Por, habitë
fakti pse DASH i kursen krerët e kontrabandistë shqiptarë, ortakë me Listën
Serbe?! Ndërkohë që, artificialisht, e bënë namin për bisedën aksidentale, një
minutshe, të bërë nga zonja shumë e nderuar Mimozë Kusari-Lila! Opozita e
marrëzishme dhe rrugaçe, edhe sot e mbllaçitë këtë "storje" hiçe!
Madje, për turpin e tij, një "biçim" ish-kryepolici, kuadër i PDK-së,
i bëri thirrje AKI-së, për hetim të rastit në fjalë!
Lobistët e njohur arbëreshi Joseph
Dioguardi me Bashkëshortën Sherly, kryetar i Ligës Shqiptaro-Amerikane; Agim
Aliçkaj, sekretar i kësaj Lige, veprimtar i zellshëm i çështjes shqiptare, në
veçanti, i angazhuar për Kosovën; Ramiz Tafilaj, me bashkëshortën ideale,
Dianën amerikane, humanist i madh, botues i veprave letrare, shkencore dhe
historike të shquara në mjeshtri, për të gjithë etnikumin shqiptar, janë të
njëzëshëm se disa krerë shtetërorë e partiakë, dikur kundërshtarë të Presidentit
Ibrahim Rugova, po bëjnë politikën e Serbisë, këtu, në Amerikë. Ata më shumë
flasin kundër Albin Kurtit se sa kundër Vuçiqit.
Për ndryshim nga ajo që flitet në
Kosovë, për krimet e disa komandantëve, të cilët me bandat e tyre, kanë vrarë ushtarakët
profesionistë të FARK-ut, të cilët bënë luftën dhe kuadrot e Ibrahim Rugovës,
gjatë dhe pas luftës, i quajnë heronj dhe kërkojnë nga Amerika lirimin e tyre!
Ata kanë bindur se "disa lobistë të njohur, dikur, për çështjen dhe lirinë
e Kosovës, tani agjitojnë për zhbërjen e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli
në Hagë, e kanë harruar lobimin për Kosovën. Jemi të shqetësuar se lobi serb
është forcuar shumë, ndërsa ai shqiptar është dobësuar skajshëm.
Fajtorë të drejtpërdrejtë janë disa
liderë të partive, dikur të majta dhe vegla të stalinistit Enver Hoxha, armike
të Amerikës, tani, zyrtarisht, thirrën si të djathta, por janë fort të lidhura
me social-komunistët e mikut të Serbisë, Edvin Rama. Për habi, i kemi përcjellë
veprimet e tyre këtu dhe deklarimet vetë lavdëruese e mashtruese, që bëjnë në
Kosovë!"
Kosovën e kanë gjunjëzuar para Serbisë
dhe të aleatëve të saj, armiq të Kosovës, pikërisht, ish-shtetarët dhe
ish-pushtetarët të zhytur në krime e hajni zyrtare, të shantazhuar me dosje faktike
penalizuese.