Mendime
Sadbere Emshiu: Arsim dhe Identitet
E marte, 17.06.2025, 06:58 PM
Arsim dhe Identitet
Në Konsullatën e Republikës së Kosovës në
Hamburg - Gjuha, identiteti dhe bashkëpunimi për brezin e ri në diasporë
Nga
Sadbere Emshiu
Të
premten e kaluar, me 13 qershor, me ftesë të Konsullit të Përgjithshëm të
Republikës së Kosovës në Hamburg, z. Mizbah Mustafa, pata kënaqësinë të
zhvilloja një bashkëbisedim të hapur dhe të thelluar mbi sfidat dhe mundësitë
për forcimin e mësimit të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në Hamburg dhe më
gjerë në diasporë. Ky nuk ishte një takim formal në kuptimin klasik të fjalës,
por një dialog i ndërtuar mbi vullnet të mirë, profesionalizëm dhe ndjeshmëri
të ndërsjellë për çështjet jetike të identitetit dhe edukimit të brezave të
rinj shqiptarë jashtë atdheut.
Diskutuam
gjerësisht për nevojën e një modeli të qëndrueshëm dhe të institucionalizuar të
mësimit të gjuhës amtare – një model që kërkon bashkëpunim ndërinstitucional,
mbështetje të qëndrueshme nga strukturat shtetërore të të dy vendeve dhe një
angazhim të sinqertë nga komuniteti shqiptar në mërgatë. Konsulli Mustafa
shprehu gatishmërinë e tij për të mbështetur ndërtimin e një platforme
bashkëpunimi, të bazuar në transparencë, profesionalizëm dhe përvojë
shumëvjeçare në fushën e edukimit dhe ndërkulturës.
Theksuam
rëndësinë që një projekt i tillë të mbështetet jo vetëm institucionalisht, por
edhe përmes një partneriteti serioz ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Hamburgut
dhe Konsullatës së Kosovës. Besojmë se vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të
tillë mund të ndërtohen ura të qëndrueshme që do të siguronin përfshirjen e
gjuhës shqipe në sistemin arsimor gjerman si pjesë përbërëse e edukimit
shumëkulturor.
Nga
ana ime, solla përvojën time tredekadëshe në fushën e edukimit dhe
ndërmjetësimit kulturor, duke theksuar se ruajtja e gjuhës nuk është thjesht
një çështje emocionale, por një sfidë pedagogjike që kërkon struktura të
organizuara, ekspertizë të kualifikuar dhe vullnet të përbashkët për veprim
afatgjatë. Pyetja ime për Konsullin ishte e drejtpërdrejtë: A ekziston vullneti
për një bashkëpunim serioz që njeh dhe vlerëson kontributin tim profesional në
këtë fushë? Përgjigjja e tij ishte po – e qartë, me vizion, përkushtim dhe
gatishmëri për veprim konkret.
Në përfundim u dakorduam se kjo nismë nuk është për interesa individuale, por një përpjekje e përbashkët për të ardhmen e fëmijëve tanë në mërgatë. Është një detyrim moral, kombëtar dhe profesional që na bashkon përtej çdo kufiri.
HSU
në Hamburg – Ura që lidh gjuhët, kulturat dhe brezat
Hamburgu
është një nga qytetet më përfaqësuese të bashkëjetesës ndërkulturore në
Gjermani dhe më gjerë në Evropë. Mijëra fëmijë rriten këtu në mjedise
shumëgjuhëshe, duke sjellë me vete trashëgimi të pasura kulturore dhe
gjuhësore. Në këtë mozaik të gjallë, mësimi në gjuhën e prejardhjes (HSU –
Herkunftssprachlicher Unterricht) luan një rol kyç.
HSU
nuk është vetëm një mjet për ruajtjen e gjuhës, por një urë që lidh fëmijët me
historinë, identitetin dhe vetëdijen e tyre kulturore, duke formuar qytetarë të
ndërgjegjshëm dhe të shumëdimensionalë. Siç thuhet shpesh në pedagogji:
"Zotërimi i gjuhës amtare është çelësi për të mësuar gjuhët e tjera."
Në
Hamburg, HSU është pjesë përbërëse e sistemit shtetëror të arsimit, nën
mbikëqyrjen e Drejtorisë së Arsimit dhe Formimit Profesional (BSB). Që nga viti
2008, ky program është standardizuar dhe mbështetet në kurrikula të miratuara,
të ndërtuara mbi parime pedagogjike dhe juridike. Gjuha shqipe është një nga 16
gjuhët e përfshira në këtë sistem.
Nga vullnetarizmi te
struktura institucionale
Futja
e gjuhës shqipe në sistemin arsimor të Hamburgut është një histori suksesi që
daton që nga fillimi i viteve '90. Me përkushtimin e figurave vizionare si z.
Xhelil Musa, u hodh hapi i parë për shkëputjen nga strukturat konsullore të
atëhershme jugosllave dhe përfshirjen në mënyrë institucionale në sistemin
arsimor gjerman.
Kjo
përbënte një kthesë të rëndësishme – drejt profesionalizmit, pavarësisë dhe
dinjitetit. Me angazhimin tim si pedagoge dhe ndërmjetësuese ndërkulturore, ky
proces mori përmasa të reja: cilësi pedagogjike, qëndrueshmëri afatgjatë dhe
ndërtim të besimit ndërmjet komunitetit shqiptar dhe institucioneve gjermane.
Çfarë e bën modelin e
Hamburgut të suksesshëm?
? Profesionalizmi –
mësues të kualifikuar, të trajnuar në të dyja gjuhët (shqip dhe gjermanisht),
me përvojë ndërkulturore dhe përkushtim arsimor.
? Barazia – çdo fëmijë ka
të drejtë të ndjekë HSU si pjesë e rregullt e programit shkollor.
? Vizioni ndërkulturor –
HSU forcon identitetin e dyfishtë (shqiptar dhe gjerman), duke rritur vetëdijen
kulturore, përkatësinë dhe respektin për diversitetin.
Në një shoqëri ku kultura shpesh perceptohet si ndarje, përvoja e Hamburgut dëshmon se diversiteti është pasuri. Gjuha shqipe, e mësuar me dashuri dhe strukturë, nuk është thjesht mjet komunikimi – është thesar i gjallë i identitetit tonë dhe një vlerë që duhet të trashëgohet.
Më shumë se mësim –
trashëgimi për brezat
Si
pedagoge, ndërmjetëse kulturore dhe këshilluese për çështjet e edukimit, ndjej
një krenari të veçantë kur shoh fëmijë shqiptarë që shkruajnë dhe flasin
shqipen me dinjitet – në familje, në shkollë dhe në jetën publike. Kur
ish-nxënësit e mi janë sot profesionistë të respektuar në institucione të
ndryshme – në spitale, gjykata, banka apo shkolla – gëzimi im është i papërshkrueshëm.
Ky
përkushtim shumëvjeçar është dëshmi e qartë se investimi në gjuhë, kulturë dhe
bashkëjetesë është një investim në paqe, identitet dhe të ardhme.
Sadbere Emshiu
Hamburg, 18 qershor 2025