E enjte, 24.07.2025, 08:56 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Mungesa e vullnetit për ta bërë Spaçin

E premte, 13.06.2025, 06:58 PM


MUNGESA E VULLNETIT PËR TA BËRË SPAÇIN

- Spaçi nuk është punë shoqatash, filmash e turizmi -

NGA NDUE DEDAJ

Spaçin nuk kanë dashur që ta bëjnë muze, pavarësisht njëfarë retorike dhe ndonjë vendimi që mund të jetë marrë, por që nuk është zbatuar. Për një kohë të gjatë, pas 90-ës, është lënë në harresë të plotë, a thua se nuk kishte ekzistuar. Kjo e zhbëu nga shenjat e burgut politik më të madh e më hijerëndë që kishte pasur Shqipëria në kohën e diktaturës. Më vonë, ndërhyrja në të, u pa si punë shoqatash, por jo se kishte një vullnet qeveritar për ta bërë muzeun e kujtesës.

Tash u pa se qenka dhe punë “filmi”, ndaj dhe nisi një suvatim i habitshëm, që me të drejtë ngriti në këmbë shumëkënd, në radhë të parë - ish të burgosurit politikë, të vetmit që kanë dashur, që në krye të herës, që Spaçi të bëhej ashtu siç duhej, por nuk janë dëgjuar. Si mund të bëhej Spaçi muze pa ata, pa kujtesën e tyre dhe pa qenë ata autorët e projektit, pavarësisht se kush i hedh skicat në letër? As “shtëpia” e tyre e ferrit nuk iu besua atyre që ta ribëjnë! Dihet që ata nuk i bëhen fasadë asnjë qeverie, nuk i shkojnë pas asnjë qeveritari, apo kryeqeveritari, të majtë apo të djathtë. I pamë si u tubuan para pak ditësh në Tiranë dhe në Rrëshen dhe morën rrugën drejt Spaçit, ndonjëri dhe 90-vjeçar, për të protestuar kundër “zbukurimit” të ish-burgut të tyre me llaç e gëlqere. Duhej t’ua kishim kursyer atyre këtë mundim, në emër të vuajtjes dhe qëndresës sublime, si dhe të dinjitetit të shtetit.

Kush nuk ka qenë në Spaç këto dhjetë vitet e fundit, por jo ata që kishin në dorë “fatin” e tij. Kanë qenë në përkujtimin e Revoltës së Spaçit të vitit 1973 dy presidentë, njëri ndër të cilët ai aktual, por nuk ka qenë aty asnjëri nga kryeministrat e vendit, përpos Mehmet Shehut, që vendosi “gurin” e themelit më 1968. E kanë vizituar ambasadorë të Amerikës, të vendeve të tjera dhe donatorë të huaj, por nuk na kujtohet të ketë shkelur aty ndonjë nga ministrat e shtetit, të kulturës, ekonomisë, ata që planifikojnë dhe administrojnë buxhetin publik.

Spaçi, për shoqërinë e sotme, është parë si diçka jashtë nesh, më e shumta, si një atraksion i mundshëm turistik! Por jo si simbol i qendresës morale, politike dhe disidencës antikomuniste e antitotalitare, ku si i tillë nuk është punë “turizmi”, jo se nuk do të shërbente dhe në këtë anë. Ish-burgu politik, në radhë të parë duhet trajtuar si vend peligrinazhi, meditimi e reflektimi, ku shkohet si në një meshë. Të gjitha monumentet e kulturës janë në juridiksionin e ministrisë së Kulturës, kurse Spaçi, edhe pasi është shpallur i tillë, në vitin 2007, ka vazhduar me qenë në tapinë e ministrisë që mbulon industrinë, pasi është sërish minierë bakri në shfryrëzim. Po ashtu, sado që nuk dimë mbi ç’kritere është bërë kategorizimi i monumenteve, të bën përshtypje fakti se Spaçi është i monument kategorisë së dytë, kur sipas logjikës, më të rëndësishmit janë ato të kategorisë së parë!?

Spaçi nuk ishte një kompleks disa “pallatesh” dy e trekatshe, por nga shkatërrimi total ato mbetën pa ua hequr tullat e fundit. Ato nuk tregojnë kurrëfarë mirëqenie të të dënuarve, por ishin thjeshtë fjetore, pasi burgu kapi shifrën e 1200 të burgosurve dhe ato rrëpira nuk kishin më vend për baraka të zymta, ku qëndronin më parë të burgosurit. Asesi, burgu nuk ishin ato dy-tre “hotele” e mensa (dy godinat pesëkatshe në hyrje të kampit ishin të komandës, jo të të dënuarve), por tri palë rrethime prej telash me gjemba, një pafundësi kullash roje, 40 të tilla, birucat e hatashme të izolimit, prangat, mjetet e torturës, deri te shkopinjtë e gardianëve etj., që sot nuk janë më. Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar foto autentike të burgut të Spaçit, që të trishtojnë dhe sot kur i sheh, ca ngrehina të zymta, si të kacavarura në shkrep, ku, që të mos bien, nga ana e poshtme mbaheshin me shtylla. Ideja e “modernizimit” të bunkerëve, kinse duke iu mveshur nga mbrapa nofkën “art”, na duket një sajesë që nuk mbërrin tek e vërteta tronditëse e asaj kohe, a thua se njerëzit shtyhen drejt objektesh të tilla nga kurreshtja sipërfaqësore. Historia është përtej soditjes kalimtare, atë e dëshmojnë artefaktet dhe jo bojatisja e mureve. Çfarë “bunk-arti” mund ta zëvendësojë galerinë kryesore të burg - minierës së Spaçit, ftohtësinë, trishtimin dhe dramën e saj të nëndheshme!? Dhe nuk është vetëm Spaçi që trazon ndërgjegjën tonë, por kudo ku ka pasur burgje të tilla, apo kampe internimi, duhet të kishte një “copë” muze, edhe në Qafë-Bari etj., në mos krejt ajo që ka qenë, të paktën një kullë roje, që ishte në thelb “kullë ngujimi” e atyre që shteti komunist i kishte shpallur si hasmit e vet.

Paradoksi është i dukshëm, të gjithë kemi vrapuar ta kemi një fotografi me Spaçin, por pa atë... Spaçin siç ka qenë! Me gjithë vlerën që ka pasur secili subjekt kontribues, me miniprojekte të natyrave të ndryshme, njohëse e sensibilizuese, duhet ta themi troç: Spaçi nuk është punë shoqatash, filmash e turizmi, jo se nuk ka rol shoqëria civile në këtë mes, jo se nuk do të bëhen filma e nuk do të shkruhen libra për të, jo se nuk do të vizitohet përherë e më shumë nga turistët, por shteti ka detyrimin ta kthejë në identitet atë që ishte skëterra politike e shqiptarëve, për një gjymëshekulli nën diktaturë, përfshi dhe shqiptarët e Kosovës, që nuk ishin të paktë në Spaç, burgjet e tjera politike dhe kampet e internimit në Shqipëri, si të mos mjaftonin për ta ato serbe, Goli Otok - u i mnershëm etj.

Kemi shkruar dhe vite më parë për Spaçin, ndaj dhe mund të mos i riktheheshim kësaj teme, aq më tepër që janë të shumtë ata që janë marrë me të këto ditë, por ka diçka që na shtyn, qeveria nuk iu përgjigj reagimit të fortë publik e mediatik, nuk sqaroi asgjë se ç’po ndodh në Spaç, ministri përkatës diçka tha, që nuk u kuptua se çfarë, çka për mendimin tonë ka një shpjegim: Spaçi, me gjasë, dhe në të ardhmen nuk do të merret seriozisht nga qeveritë, përpos se nga humbësit e tij të mëdhenj, ish-të burgosurit politikë...

Foto arkivore e publikuar nga Kastriot Dervishi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx