Mendime
Idriz Zeqiraj: Viktima LDK amniston përsekutoren e saj PDK!?!
E marte, 17.06.2025, 06:55 PM
VIKTIMA LDK AMNISTON PËRSEKUTOREN E SAJ PDK!?!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Bllokada e
Kuvendit është më shumë se sa shaka, është një krim ndaj institucioneve dhe
popullit - njëherësh. Fajësia bie, kryesisht, mbi opozitën, e cila nuk voton
fare, duke mos përmbushur detyrën, si deputetë të popullit. Mos votimi pro ose
kundër, madje as abstenim, ka për qëllim ruajtjen e statusquosë, për dy muaj
radhazi!
Fundja, nga
subjektet politike të koalicionuara në PAN, nuk pritet asgjë e mirë. Sepse me
përgjakjen e Kosovës, përkatësisht, vrasjen e kuadrove ushtarakë të FARK-ut dhe
të LDK-së, morën pushtetin përgjakshëm! Por, habitë LDK-ja, e cila, edhe pse
viktimë, i është ngjitur si -vëllezërit siamezë- dhe nuk i shqitet përsekutores
të saj PDK, që heshtë, duke e cytur LDK-në në propozime hiç logjike, për të mos
thënë, të marrëzishme!
Propozimi i
parë, qeveri nacionale gjithëpërfshirëse, pra të gjithë në pushtet, pa opozitë
fare; se dyti, qeveri LDK-PDK, një provokimi i rëndë për elektoratin e LDK-së;
qeveri uniteti me kriminelë e hajna! Për të vazhduar edhe me tri propozime
tjera, si përligjje të "Rrugës së Re!"
Ndërsa PAN-i,
herë pas here, i referohet propozimit të Ramushit: "Qeveri e opozitës, me
Listën Serbe, pa LVV fituese!" Por, sa do ta pranojë populli i Kosovës
pushtetin e grabitur nga humbësit, rrënues të Kosovës?!
Barazimi në
fajësi kolektive, për të gjithë deputetët, është i padrejtë. Opozita me
"xhevahiret" e saj e kishte parandjerë humbjen. Andaj, planifikuan
bllokadën pas zgjedhore. Dhe, kjo penalizon opozitën, si sabotuese të
funksionimit demokratik të shtetit, me bojkotimin e Kuvendit. Sepse pretendimi
ngulmues, për t`u kthyer në pushtet, qoftë edhe me bojkot, me bllokim të
zgjedhjes të institucioneve kuvendore, flet qartë se "topi" është në
anën e opozitës dhe refuzimi i Albulenës është shkas, ndërsa qëllimi është
largimi i Kurtit dhe i partisë së tij nga pushteti.
Realisht,
LVV, në rastin konkret, mbron parimin, se rrënuesit e shtetit, me shembjen e
sistemit të drejtësisë, të ekonomisë, të arsimit, shëndetësisë dhe gjithçka
tjetër, nuk duhet lejuar rikthimin në pushtet. Gjithnjë aktuale porosia e
Presidentit Rugova: "Hashimi nuk duhet lejuar të ngritët në pozitë, sepse
është i rrezikshëm për Kosovën!" Dhe, vërtet, në gjallje të tij, Rugova e
mbajti larg pushtetit, sepse e dinte shantazhimin me dosje penalizuese dhe
rekrutimin agjent të Hashimit.
Opozita e
organizuar, me lukuninë e anal-banalistëve, si në -kor bretkosash-, ditë e
natë, vazhdojnë agjitimin se, kinse, pozita ka bllokuar Kuvendin, duke mos
ndërruar emrin e kandidates Albulenë Haxhiu! Realisht, është opozita e cila ka
shkelur Kushtetutën, me dy veprime antikushtetuese:
1) Krijimin e
koalicionit pas zgjedhor, të cilin e përjashton Kushtetuta, duke e lënë të
ligjshëm vetëm koalicionin parazgjedhor të subjekteve politike. Koalicioni:
PDK-LDK-AAK-LISTA SERBE, i shprehur me akronimin PLAS, pavarësisht se nuk është
proklamuar, praktikisht, ata po e zbatojnë, me bllokadën grupore, kolektive të
mos votimit. Çuditërisht, LVV po e heshtë këtë fakt, në vend që ta dërgojë në
Gjykatën Kushtetuese.
2) Bojkoti i
mos zbatimit të votimit të fshehtë, madje as të hapur, është shkelje flagrante
që opozita i bënë Kushtetutës. Njëri nga të privilegjuarit, për të folur në
emër të Institutit Demokratik, Eugen Cakolli, falsifikon se votimi i hapur
është rregulli, i fshehti është përjashtim". Vërtet, është e kundërta.
Por, Shoqëria Civile, ashtu si mediat, kanë qenë dhe mbeten klientelë e PAN-it.
Cakolli bënë mjegullnajë: "Deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur
votat e tyre!" Ndërkohë që janë bërë deputetë, pikërisht, me votat e
fshehta!
Ministri i
Financave dhe i Transfereve, Hekuran Murati, nuk zhurmon, por analizon me
maturi klasike dhe vepron. Ai, me interpretimin kushtetutar, "sipas
aktgjykimit të Kushtetutës të vitit 2014, paragrafi 124, mundësohet që votimi
të jetë i hapur, i fshehtë apo çfarëdo forme, në mënyrë që të konstituohet
Kuvendi, qëllimi është konstituuimi, jo bllokimi". Në të njëjtën linjë
është edhe Presidentja Vjosë, edhe pse ruan paanësinë partiake. Ajo këshillon
për përgjegjësinë që kanë deputetët për zhbllokimin, sepse është në interes të
popullit, të vendit.
Akuzat e
ministrit Murati, për bllokimin e Kuvendit nga opozita, nuk janë aspak
politike, por janë fajësi faktike. Realisht, ai ka arsye për alarm
institucional. Sepse opozita e koracuar në grup, kundër pozitës, në ethe për ta
marrë pushtetin e pamerituar në tavolinë, bllokon me mos pjesëmarrje në votim.
Dhe, kështu nuk kryen obligimin kushtetues. Për bojkotin e opozitës dhe
shkeljen e Kushtetutës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Për
keqardhje, edhe LDK-ja me propozimet e pa autorizuara nga strukturat e saj dhe
anëtarësia, vazhdon të bëjë propozime hiç racionale! Nuk qëndron as ajo, që
dikush nga Kryesia thotë se "elektorati na kërkon të mos bëjmë koalicion
me LVV". Përkundrazi, elektorati rugovistë, që nga Kosova e deri në
Amerikë dhe Australinë e largët, kërkojnë, pikërisht, koalicionin LVV-LDK,
sepse janë të vetmet parti parlamentare të pa kriminalizuara në Kosovën tonë
hyjnore.
Edhe kërkesa
e opozitës PAN-iste, së fundi, edhe LDK-ja se "e kanë bërë betimin si
deputetë e njëkohësisht po e ushtrojnë edhe rolin e ekzekutivit", është
akuzë bajate, që nuk ia vlen të komentohet! Sepse, deri me kompozimin e
qeverisë së re, qeveria e vjetër është në detyrë. Megjithatë, dikush është i
etur për anarki! Andaj, edhe zhurmohet pa doganë fare!