Mendime
Don Lush Sopi: Nxitja për tu kthyer në paganizëm dhe sulmet ndaj krishtërimit të lashtë shqiptarë janë të pajustifikueshme
E diele, 22.06.2025, 02:56 PM
Nxitja për tu kthyer në paganizëm dhe sulmet ndaj krishterimit të lashtë shqiptarë janë të pajustifikueshme
Shkruan:
Don Lush Sopi
Në
këtë krizë të thellë politike, ekonomike dhe shoqërore që po e përjeton Kosova
dhe populli saj në përgjithësi, për fat të keq, mbi ne si popull po rëndon edhe
një krizë e thellë e unitetit dhe identitetit kombëtar. Pra, është një realitet
i përditshëm, që shfaqet në forma dhe mënyra të ndryshme. Është e vështirë të
kuptohet, e aq më tepër të pranohet një realitet i tillë, sepse Kosova dhe
populli shqiptar i saj, kanë kaluar shekuj të tërë me periudha të hidhura e të
errëta, periudha persekutimesh, sakrificash dhe tragjedish të mëdha mesjetare,
të shkaktuara nga pushtues dhe ideologji të ndryshme. Toka e Kosovës, e ujitur
me gjak ndër shekuj, sot po vuan, gjëmon dhe rëndon, jo më prej armiqve të
jashtëm, por prej bijve të saj, të cilët përditë e më tepër po e manipulojnë
dhe zhvlerësojnë të kaluarën, po e degradojnë të tashmen dhe po e rrezikojnë të
ardhmën e saj!
Mohimi
i të vërtetave historike, i fakteve dhe argumenteve të historisë sonë të
lashtë, e vë në rrezik serioz të ardhmën e kombit tonë. Sepse, siç thuhet me të
drejtë: “Një popull që e harron historinë e vet, është i dënuar ta përjetojë
sërish atë”. Të gjithë popujt e qytetëruar krenohen me historinë, gjuhën,
kulturën dhe traditat e tyre të shëndosha fetare dhe kombëtare. Popujt e emancipuar
dhe të avancuar bëjnë investime të mëdha në arsim, kulturë, shkencë dhe
arkeologji për të ndriçuar rrënjët e tyre të lashta, sepse “Historia është
mësuesja e jetës”.
Çfarë
bëjmë ne për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë?
Kur
është në pyetje historia jonë, pra, historia e popullit shqiptar, është e
pajustifikuehme të qëndrojmë indiferentë ndaj përpjekjeve apo tendencave të
rrymave të ndryshme, të cilat shfrytëzojnë çdo mundësi për të ndryshuar apo
fshirë një periudhë të rëndësishme të historisë sonë – të pasurisë sonë
kombëtare. Këto ide janë shqetësuese dhe shumë të dëmshme për Kosovën dhe për
popullin shqiptar.
Së
fundmi, po zhvillohen debate të shumta në dimenzione të ndryshme rrethë fesë
apo besimit të popullit tonë iliro-dardano-shqiptar. Në këto diskutime, të
zhvilluara nga njerëz të fushave të ndryshme, vërehet një sasi e madhe e të
pavërtetave dhe dezinformatave, sa që vetvetiu shtrohet pyetja: pse gjithë ai
mllef ndaj besimit të krishterë, ndaj kulturës dhe traditës së krishterë? Pse
gjithë ato fyerje, përbuzje dhe nënçmime, etiketime nga më të ndryshmet, ndaj
atyre që theksojnë se feja e të parëve të tyre ishte krishterimi? Ky është një
realitet i vërtet që nuk mund të mohohet. Nëse mbështetemi në fakte dhe argumente,
kur flasim për fenë, është më se e qartë se populli ynë shqiptar, si pasardhës
i popullit ilir, ndër besimet monoteiste (besimi në Zotin Krijues), e ka
pranuar krishterimin që në fillimet e tij, nga vet Shën Pali Apostull. Këtë e
dëshmonë vet Shën Pali në Letrën drejtuar Romakëve: “Kështu, qysh prej
Jerusalemit e përqark në Ilirik, e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom
15,19).
Pohimet
se feja e parë e popullit ilir ishte feja pagane janë të pabazuara mirë, sepse
paganizmi nuk është një fe që bazohet në Zotin Krijues. Ai nuk është besim që e
ka burimin te Hyji. Paganizmi është një temë e gjerë dhe komplekse, por në disa
fjali mund të përkufizohet si një sistem jashtë feve monoteiste tradicionale.
Në Shkrimin Shenjt, termi “pagan” i referohet njerëzve që nuk janë pjesë e
popullit të zgjedhur të Hyjit. Në Beslidhjen e Vjetër, paganët apo johebrenjtë
shpesh përmenden në kontekstin e kundërshtimit ndaj popullit hebrenjë dhe si
njerëz që adhurojnë zota të rremë, të lidhur me forma të ndryshme të
idhujtarisë. Në Beslidhjen e Re, qëndrimi ndaj johebrenjëve merr një kuptim të
ri, pasi mesazhi i Ungjillit u predikohet edhe atyre, duke theksuar se Krishti
erdhi për të shpëtuar dhe shëlbuar të gjithë njerëzit. Shën Pali shkruan: “Mua,
më të voglit, m’u dha ky hir: t’ua shpall paganëve pasurinë e pashqyrtueshme të
Krishtit Jezus” (Ef 3,8).
Nga
këndvështrimi i feve monoteiste: judaizmit, krishterimit dhe islamit, termi
“pagan” përdoret për të përshkruar ata që nuk i përkasin të njëjtit besim.
Ndërsa, nga këndvështrime tjera, paganizmi përkufizohet si çdo sistem besimi
jashtë feve tjera siç janë: budizmi, hinduizmi, judaizmi dhe krishterimi. Disa
e përdorin këtë term edhe për të përshkruar dikë që nuk ka fe apo ndjekje
shpirtërore. Paganizmi shpesh lidhet me politeizmin, pra me adhurimin e shumë
perëndive, të cilat përfaqësonin elemente të natyrës si: dielli, hëna, pemët,
kafshët, shkëmbinjtë, etj. Një pagan
mund të përshkruhet edhe si njeri që është përqendruar vetëm në kënaqësitë
materiale dhe të kësaj bote, duke mos pasur ndjeshmëri shpirtërore. Këtë e
dëshmonë Jezusi: “Mos u brengosni, prandaj duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka
do të pimë?’ Me ‘Çka do të vishemi?’ – këto gjëra i kërkojnë paganët” (Mt 6,
31-32). Shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve, i përshkruan këta njerëz si
materialistë dhe si adhurues të krijesave në vend të Krijuesit: “Ata e ndrruan
Hyjin e vërtet me idhuj: nderuan dhe u shërbyen krijesave në vend të Krijuesit,
i cili është i bekuar në amshim” (Rom 1,25). Paganët shpesh besonin në magji,
hajmali dhe forma të tjera të parashikimit të së ardhmes, të cilat i përdornin
për të ndikuar në jetën e përditshme të njerëzve. Ritet e tyre shpesh ishin të
lidhura me pushtetin dhe strukturat politike të kohës, dhe në shumë raste,
prijësit shtetërorë ishin njëkohësisht edhe udhëheqës fetarë të këtyre kulteve.
Populli
ilir ka ekzistuar në këto periudha, por nuk ka dokumente apo argumente të
bazuara të cilat tregojnë se në çfarë kanë besuar në kohën e paganizmit.
Prandaj, deklarata se “feja e të parëve tanë është paganizmi” është
tendencioze, e pakuptimtë dhe manipuluese. Nxitja e njerëzve që të kthehen në
paganizëm si në “fenë e të parëve të tyre” dhe sulmimi ndaj atyre që e mbrojnë
dhe e dëshmojnë krishterimin e tyre të lashtë, është një veprim i panjerëzishëm
dhe i pajustifikueshëm.
Pohimi
tjetër se “feja e parë e popullit shqiptar është feja ortodokse” nuk qëndron
dhe është absurditet i madh. Këtë e dëshmonë historia e kishës, po ashtu edhe
historia e popujve në përgjithësi, përfshirë edhe historinë e popullit tonë.
Kjo mund të provohet lehtë me fakte dhe argumente të fuqishme e të pamohueshme.
Mosmarrëveshjet
dhe përçarjet lidhur me dogmat, ritet fetare, dallimet kulturore e gjuhësore,
si dhe arsyet politike të fshehura pas tyre, kanë qenë prezente qysh më heret,
sidomos gjatë periudhës së Perandorisë Bizantine dhe pas ndarjes së Perandorisë
Romake në vitin 395. Ndërsa, ndarja e madhe, ose Skizma përfundimtare ndërmjet
kishës Katolike Romake me qendër në Romë dhe Kishës Ortodokse lindore me qendër
në Konstandinopojë, ndodhi në vitin 1054. Përhapja e ortodoksizmit ndër
popullin shqiptar është një proces historik kompleks, i lidhur ngushtë me
zhvillimet politike, kulturore dhe fetare në rajon. Pas ndarjes së Kishës,
territori shqiptar u nda ndërmjet ndikimit të Kishës Ortodokse Lindore dhe
Kishës Katolike Perëndimore. Rajonet jugore dhe lindore të Shqipërisë ranë
kryesisht nën ndikimin e Ortodoksisë Bizantine. Më pas vazhdoj përhapja e
Ortodoksisë edhe në rajone të tjera.
Qysh
nga shekujt e parë të krishterimit, pra, para ndarjes së Kishës, kishim Papa me
origjinë ilire. Kishim martirët Shën Florin dhe Shën Laurin nga Ulpiana,
krahinë e Dardanisë. Kishim personalitete të shquara me ndikim të lartë
shtetëror. Ndër ta ishte edhe perandori Kostandini i Madh, i cili me dokumentin
e rëndësishëm për njerëzimin, Ediktin e Milanos në vitin 313-të i dha fund
përndjekjeve të mëdha fetare, duke garantuar lirinë e plotë të besimit. Kishim
gjithashtu personalitete të larta fetare dhe intelektuale, si Shën Jeronimi, i
cili përktheu Shkrimin e Shenjt nga gjuha origjinale në gjuhën latine, si dhe
figura të tjera të shquara në kulturë, art dhe fusha të ndryshme. Shtrohet
pyetja: Përse të fshijmë gjithë ata shekuj, gjithë atë pasuri fetare dhe
kombëtare me të cilën duhet të krenohet çdo shqiptar, pavarësisht përcaktimit
të tij fetar apo shpirtëror?
Feja
është çështje personale e çdo individi; ajo është frymëzim i brendshëm i jetës
shpirtërore të njeriut, lidhja personale mes njeriut dhe Zotit. Prandaj, duhet
respektuar liria e plotë e çdo njeriu, pavarësisht bindjeve të tij fetare,
sepse jemi vëllezër të një gjaku, të një gjuhe, të një toke që na bashkon në
idealet tona kombëtare dhe na fton të jetojmë si vëllezër e motra. Ne kemi
historinë e përbashkët, të sotmen dhe të ardhmen që na bashkon.
Pohimi
tjetër “Edhe besimi i krishterë është përhapur me dhunë”, është një deklaratë
fyese dhe ofenduese; madje mund të themi se është një deklaratë skandaloze.
Themeluesi i besimit krishterë është Jezusi. Është fakt i pamohueshëm që Jezusi
u gjykua dhe u dënua padrejtësisht, u mundua dhe u kryqëzua. Ai dëshmoi dashuri
ndaj të gjithë njerëzve, përfshirë edhe ndaj armiqve, dhe kërkon që edhe ne të
veprojmë kështu. Këtë e dëshmonë Shkrimi i Shenjt: “Por unë ju them juve që më
dëgjoni: Duani armiqtë tuaj, bëni mirë atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju
mallkojnë, lutuni për ata që ju keqtrajtojnë” (Lk 6,27-28). Ai predikoi dhe
ftoi njerëzit të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin, dhe kjo nuk mund të mohohet
nga askush. Këtë e dëshmonë edhe përshëndetja e tij e parë pas Ringjalljes,
drejtuar apostujve: “Paqja me ju!” (Lk 24,36). Që nuk e ka urrejtur askend, as
ata që e kryqëzuan, e dëshmoi nga kryqi: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”
(Lk 23,34).
Veprimtarinë
e Tij e vazhduan apostujt, bashkëpuntorët më të ngushtë të Tij. Fillimi i
përhapjes së Ungjillit, apo besimit në Krishtin e Ringjallur, ishte një mision
paqësor i apostujve, pa dhunë dhe pa imponim. Këtë e dëshmonë Shkrimi i Shenjt,
e dëshmojnë martirët e Kishës dhe e dëshmonë historia, pasi me Krishtin fillon
historia e re e njerëzimit. Përhapja e besimit të krishterë, sidomos në shekujt
e parë, nuk është bërë me dhunë. Përkundrazi, ato kanë qenë kohëra të errëta
për të krishterët, kohë flijimesh dhe martirizimesh të shumta ndaj atyre që
predikonin Ungjillin e Krishtit, duke filluar nga apostujt dhe duke vazhduar
shekuj me radhë ndaj të gjithë atyre që e pranonin këtë besim. Që nga fillimi i
krishterimit, nga koha e apostujve dhe deri në fund të shekullit III (koha e
Dioklecianit), Perandoria Romake vazhdimisht e ka përndjekur popullin e
krishterë duke përdorur dhunë sistematike për shfarrosjen e tyre.
Në
periudha të ndryshme gjatë shekujve, varësisht prej rrethanave, ka pasur edhe
forma të ndryshme imponimi, por pohimet apo pretendimet se “Krishterimi ka
filluar me dhunë” nuk qëndrojnë. Përkundrazi, përndjekjet ndaj të krishterëve
nuk u ndalën kurrë. Këtë e përjetoi edhe populli ynë shqiptar. Në aspektin
fetar, kisha katolike dhe populli i krishterë kanë përjetuar shekuj të tërë
Kalvar të vërtet, me tragjedi të ndryshme, përndjekje, flijime dhe persekutime
të shumta, duke larë tokën me gjak për ruajtjen e identitetit fetar dhe
kombëtar, për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave të
shëndosha familjare, fetare dhe kombëtare.
Pohimet
dhe deklaratat si “Mund të bëheni paganë, ortodoksë, protestantë, evangjelistë,
agnostikë, ateistë, vetëm katolikë jo!” vetvetiu sjellin një konkluzion të
qartë për të kuptuar se këto janë absurditete skajshëm të padrejta, deklarata
me qëllime të caktuara në dëm të historisë sonë, kulturës së lashtë dhe
identitetit tonë kombëtar.
Kur
është në pyetje çështja e Kombit, identitetit tonë kombëtar, ruajtja e gjuhës,
kulturës dhe traditave të shëndosha kombëtare si dhe çështja e Atdhedashurisë,
është e padrejtë dhe e pajustifikueshme të anashkalojmë kontributin e madh në
vazhdimësi të të gjithë shqiptarëve në këtë drejtim, pavarësisht përcaktimit të
tyre fetar apo religjioz. Këtë e dëshmojnë dëshmorët e kombit, flijimet,
sakrificat, si dhe persekutimet e mëdha që ka përjetuar populli ynë shekuj me
rradhë.
Jemi
të vetëdijshëm se pa unitet kombëtar, populli ynë shqiptar nuk do të ishte sot
i lirë, dhe Kosova jonë e dashur nuk do të ishte Shtet i Pavarur dhe Sovran.
Prandaj,
le të angazhohemi të gjithë për të dhënë kontributin tonë maksimal në rrugën e
unitetit kombëtar, sepse pa bashkëpunim dhe pa bashkëveprim nuk mund të kemi
një të sotme të mirë dhe aq më pak një të nesërme të ndritur.