E enjte, 24.07.2025, 10:14 PM (GMT+1)

Mendime

Adil Fetahu: Protesta e ‘Vidovdanit’ degjeneroi në program nacionalist

E diele, 06.07.2025, 02:54 PM


PROTESTA E ‘’VIDOVDANIT’’ DEGJENEROI NË PROGRAM NACIONALIST

Nga Adil Fetahu

Shumë kohë ishte paralajmëruar protesta më e madhe studentore që ndonjëherë ka ndodhur në Serbi, e që do të mbahej në Beograd, në ditën përkujtimore ‘’Vidovdan’’(28 qershor). Ishin caktua dy kërkesa kryesore: Heqja e kampit ‘’Çacilend’’ nga Parku i Pionierëve dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Serbisë. Këto dy kërkesa të shpallura paraprakisht,  ishin caktuar si ultimatum pushtetit në Serbi, që të plotësoheshin  të njëjtën ditë, deri në ora 21;00, me kërcënim se protestuesit nuk do të shpërndaheshin pa përmbushjen e tyre.

Vuçiqi u kishte dërguar mesazh protestuesve nga Kampi i lojalistëve të tij: ‘’Zgjedhjet do të mbahen kur i caktojmë ne, ultimatumet nuk i pranojmë, Lirisht shkoni, nuk keni nevojë ta pritni orën 21:00’’ (sepse nuk do të përmbushen kërkesat tuaja, sq.ynë).

Protesta degjeneroi në narrativ nacionalist

Vet fakti i caktimit të ‘’Vidovdanit’’ për ‘’tubimin më të madh protestues’’ kishte karakter nacionalist, ngase ajo datë lidhet me mitet e rrejshme për viktimat për Kosovën si tokë e shenjt serbe. Caktimi i kësaj date kishte për qëllim të prekte emocionet që të tubonte sa më shumë protestues dhe të ringjallte narrativin nacionalist millosheviqian të vitit 1989 të tubimit në Gazimestan.

Jo vetëm se nuk u arrit parashikimi i masovitetit të protestës, ngase nuk pati pjesëmarrës sa 1/3 e protestës së 15 marsit, por as i shkoi mendja kujt te përmbushja e kushteve ‘’ultimative’’, ndërsa  protesta mori kahje tjetër dhe degjeneroi me narrativ nacional-shovinist të folësve nga bina e protestës, në sheshin Sllavija.

Me qenë se prej fillimit protestat e studentëve dhe opozitës nuk nxorën ndonjë program të qartë as një prijës apo lider i cili do t’i artikulonte kërkesat e tyre, në protestën e ‘’Vidovdanit’’ dolën kush deshi të shprehë e shpallë pikëpamjet nacionali-shoviniste nga projektet, programet dhe memorandumet  për Serbinë e Madhe, të vjetra e të reja, e të cilat në kontinuitet janë të njëjta, prej programit të Vuk Karaxhiqit ‘Srbi svi i svuda’’, të ‘’Naçertanies’’ së Gjorgjeviqit,   ‘’Homogena Srbija’’ të udhëheqësit çetnik Moleviqit,  të Memorandumeve të Qosiqit dhe ASHA të Serbisë, për Serbinë e Madhe, e deri te ‘’Srpski svet’’ e Vuçiqit, të cilën protestuesit e ‘’Vidovdanit’’ e riemëruan në ’’srpski integralizam’’, që është vetëm eufemizëm i ‘’srpski svet’’, respektivisht i ‘Serbisë së Madhe’’.

U paraqit me fjalimin e tij një rusofil i dëshmuar (sikur janë shumica e serbëve), profesori universitar Mille Llampar. Ai bëri një ‘’vështrim’’ të gjendjes së serbëve brenda dhe jashtë Serbisë. Sa i përket Kosovës, për Llomparin nuk ka dilemë,  ‘’ Kosova e Metohia janë pjesë e pandashme e Serbisë, se kështu është në kushtetutë, ndërsa kërkoi sovranitet të plotë për atë kreatoren gjenocidale të serbëve të Bosnjës – Republika Srpska, si dhe për serbët në Mal të Zi, kurse të drejta nacionale të serbëve në Kroaci e Maqedoni’’. Koncepti, simbolika dhe narrativi i protestës së ‘’Vidovdanit’’ u përshkua edhe në pllakaten e studentëve, me mbishkrimin: ‘’Imamo sa cim pred Llazarom’’ (Kemi me çka të dalim para Llazarit);  ‘’Bez podela, vidimo se na Vidovdan’’ (të pa ndarë, shihemi në ‘’Vidovdan’’), gjithnjë në kontekst të mitit serb, dhe duke aluduar në humbjen e Kosovës në vitin 1389 dhe në vitin 1999 dhe në bashkimin në Serbinë e Madhe. Në protestë jehonte këgga dhe muzika nga filmi ‘’Boj na Kosovu’’, këngë që ishte himni i organizatës famëkeqe paramilitare ‘’Crvene beretke’’, e cila ka kryer krimet më monstruoze në Kosovë, në Bosnje e në Kroaci gjatë tri luftërave të humbur (duke mos e llogaritur të katërtën në Slloveni, që ishte një blic-shfaqje).

Në këtë frymë, për politikën e jashtme të Serbisë foli edhe një student, duke apeluar në respektimin e Kushtetutës, sovranitetit dhe integritetit territorial dhe neutralitetin ushtarak, mbrojtjen e serbëve në rajon, e  mantra tjera të tilla.

Një ‘studente’ e re  lexoi një mesazh më të gjatë, nga i cili po shkëpusim: ‘’Vidovdan nije samo obican dan u godini, ili broj u kalendaru, vec simbol naseg duhovnog i kulturnog identieta, to je dan kada se nebo i zemlja dotaknu, ali kada molitva i krv postaju jedno, kada proslost i sadasnjost  sapuce pobedonosnu pesmu i besmrtnosti duha jednog naroda.... To je Kososki zavet’’. (shqip: Vidovdani nuk është vetëm një ditë e vitit, nuk është vetëm një numër në kalendar, por është simbol i identitetit tonë shpirtëror dhe kulturor; kjo është dita kur pucen toka me qiellin, po edhe kur lutja dhe gjaku bëhen një, kur e kaluara dhe e tashmja pëshpërisin këngën fitimtare dhe pavdekshmërinë e shpirtit të një populli...Ky është amaneti i Kosovës’’’.

Një ‘student’ me një shajkaqë çetnike, në të cilën i kishte futur edhe veshët, deklamoi vargjet e peshkopit famëkeq, por i shenjt serb, Nikollaje Vlladimiroviq, i cili ishte ithtar i Hitlerit dhe e krahasonte me Sveti Saven e tij.  Vargjet e zgjedhura të peshkopit thonë: ‘’...A kada bi sve lobanja i kosti bile uzidane, mogao bi se podici hram trista metara visok, toliko sirok i dugacak, i svaki srbin bi danas mogao podici ruku i pokazati: ovo je glava moga dede, moga oca, moga brata, moga komsije, moga prijatelja, moga kuma... Pet vekova Srbija lobanjima i kostima svojim brani Evropu, da bi ona zivela srecno i u miru...’’. (shqip:  Sikur të gjitha ato ashta e rrashta t’ishin vu në mure, do të mund të ngrihej një pallat treqint metra i lartë, poaq i gjatë dhe i gjerë, dhe sot secili serb do të mund ta ngriste dorën e të tregonte: kjo është rrashta gjyshit tim, kjo e babait tim, kjo e vëllaut tim, kjo e fqiut tim, kjo e mikut tim, kjo e kumarës tim... Pesë shekuj Serbia me rrashtat dhe ashtat e vet e mbrojti Evropën, që ajo të jetojë në paqe dhe e lumtur...)!

Gjithnjë në kontekst me Kosovën, politikani kontraverz serb nga Kosova, Momçillo Trajkoviq, kuadër i Millosheviqit në periudhën 1990-1999, tash në rolin e mbrojtësit të shpirtit serb në Kosovë, iu ndau ‘studentëve protestues’ distintkin ‘’Lulëkuqja e Kosovës’’. Me atë rast Trajkoviqi tha ‘’Zov koji se cuje iz grla desetine hiljada studenata je danas najglasniji u odbrani Kosova i Metohije, taj vapaj uznemirene mladosti vidimo kao sansu  da spasimo Kosovo’’ (Thirrja që del sot nga gërmazi i dhjetra mijëra studentëve është më i zëshmi në mbrojtën e Kosovë-Metohisë dhe  këtë rënkim të shqetësimit të rinisë e shohim si shansë për ta shpëtuar Kosovën).

‘’Srpski svet’’ u shndërrua në ‘’Srpski integralizam’’

Tubimi i madh protestues i ‘’Vidovdanit’’, nuk qe aq i madh përkah masiviteti i pretenduar, por ishte i madh në shprehjen e politikës nacional-shoviniste serbe, të mbështetur në mite për Kosovë; bëri thirrje për integrimin e të gjithë serbëve kudo që jetojnë dhe e shpiku  sintagmën e re ‘’Srpski integralizam’’, që është vetëm eufemizëm për sintagmën ‘’Srpski svet’’, respektivisht për Serbinë e Madhe, që realizohet kur bëhen bashkë ‘’lutje e gjak’’. Ikonografia,shenjat, fjalimet ishin në stilin e Sheshelit e Vulinit, ata vetëm fizikisht mungonin në ‘protestë’, por idetë e tyre u shpërfaqen nga njerëz tjetër, mjerisht të brezit të ri.  Dhe narrativi i tillë u brohorit e duartrokit, dhe nuk pati asnjë distancim prej askujt gjatë protestës.  Kjo tregon se ‘’Çka lind prej mace, han mi’’, dhe se Serbia nuk ka gjasa të demokratizohet, të integrohet në vlera demokratike e të jetojë në paqe me fqinjët. Sepse, politika dhe ambicjet hegjemoniste sllavomëdha janë të ngulitura thellë në vetëdijen e brezave të  popullit serb.

‘’Vidovdani’’ përfundoi me një kthesë të fortë në të djathtë. Kërkesat ultimative nuk u përmbushën: as nuk u shpërnda ‘’Çacilendi’’, as nuk u shpallën zgjedhjet. Në deliriumin e fjalimeve nacionaliste, u harrua ultimatumi. Nga bina e folësve në sheshin Sllavia, u përsëritën për të ‘milionten’ herë floskula dhe iluzione jo të vërteta dhe joreale. Ishte vetëm një kthim prapa në shekuj të kaluar. Le ta quajnë si të duan dhe le ta lavdërojnë sa duan këtë lëivzje të protestave,por kjo nuk ka gjasa të prodhojë vlera të njëmendëta demokratike në shoqërinë dhe në shtetin e Serbisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx