Mendime
Florim Zeqa: Të largohen posterët e politikanëve!
E enjte, 10.07.2025, 06:50 PM
Të largohen posterët e politikanëve!
Shkruan:
Florim Zeqa
Edhe pse kanë
kaluar pesë muaj nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në qytetet e Kosovës ende
janë prezente posterët e politikanëve, të atyre që i morën votat dhe u futen në
Kuvend, por edhe të atyre që nuk arritën t'i shijojnë privilegjet e një
legjislature të pakonstituuar!
Ngufatje e hapësirave publike me
figura të urryera nga qytetarët
Jam në përfundim
të muajit të dytë të pushimeve në vendlindje. Nga do që po shkoj po kënaqem dhe
po zhgënjehem njëkohësisht. Kënaqësinë ma dhurojnë sjelljet e njerëzve të mirë
dhe atdhetarë, kurse "zhgënjimi" më vjen nga posterët e mbetur të
politikanëve në vendet publike të qyteteve tona, prezenca e të cilëve është një
hyrje, kudo në brendi dhe në dalje të qyteteve tona!
Prezenca e
posterëve të figurave politike, e atyre që edhe pesë muaj pas zgjedhjeve nuk po
arrijnë ta konstituojnë organin ligjvënës, përveqse irrituese për syrin e
qytetarëve, paraqet torturë psiqike për rreth 900 mijë votues kosovarë, të
cilët, në radhë të parë kanë votuar për mirëqenjen e tyre dhe përspektivën
zhvillimore të vendit, por jo për privilegjet e një grupi të vogël politikanësh
që e kanë zënë peng Kuvendin e Kosovës për kalkulime personale!
Kjo klasë e papërgjegjshme e
politikanëve, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, që përveq pagave të majme
mujore, i përfitojnë edhe meditjet poashtu të majme (të barasvlefshme me pagën
minimale në vend) për 2-3 minuta të qëndrimit pasiv në ulëset e tempullit të demokracisë!
Zhvendosja nga politika drejt përspektivës zhvillimore
Tema e sotme nuk
janë dëmët që po i shkaktojnë buxhetit të shtetit deputetët e një legjislature
të pakonstituar, por prezenca e tyre vizuele në hapësirat publike të qyteteve
tona.
Secili qytetarë apo edhe mërgimtarë
që i vëren posterët e deputetëve bllokues të institucioneve shtetërore në
vendet publike të qyteteve tona nuk mund ta ndjejë veten mirë!
Ka edhe të atillë që ndjejnë edhe
simpati për disa nga figurat e parlamentit të pakonstituuar, por shumica prej
tyre ofshajnë dhe mallkojnë deri në 'kupë të qiellit', duke u betuar para
fotove të tyre: "Më nuk do t'ju votojmë"!
Në të gjitha vendet demokratike, por
edhe të rajonit është e rregulluar me ligj 'koha e vendosjes dhe e heqjes së
posterëve të kandidatëve për deputet', përveq në Kosovën e paradokseve të
mëdha, ku nuk funksionon Ligji dhe as Kanuni (ligjet zakonore)!
Në fakt, janë të fortët e politikës
që e bëjnë ligjin në këtë vend. Ashtu siq e kanë bllokuar konstituimin e
Kuvendit, e kanë ngufatur funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe të jetës
institucionale në Kosovë.
Logjika e të menduarit pozitiv e
shtron nevojën e largimit e të gjithë posterëve nga zgjedhjet e kaluara, për
t'ua liruar frymarrjen qytetarëve të zhgënjyer në këta deputet, të cilët vetëm
për pesë muaj u bën sinonim i së keqës, bllokues të Kuvendit dhe zhvatës të
buxhetit të shtetit pa e bërë asnjë punë të mirë për vendin dhe qytetarët.
Në vend të posterëve të politikanëve, të vendosen poster të produkteve vendore, poster të vendeve turistike dhe arkeologjike, poster të florës dhe faunës, pse jo edhe të figurave të shkencës dhe kulturës që na bëjnë krenar që jemi shqiptarë.