Mendime
Eshref Ymeri: Kur njoha Mirelën e vërtetë
E merkure, 09.07.2025, 04:56 PM
Kur
njoha Mirelën e vërtetë
Nga
Prof. Dr. Eshref Ymeri
Zonja Vilhelme Haxhiraj, në një Ese të ditëve të fundit, e
ka vënë theksin me shumë të drejtë te
shpërfillja e Akademisë së Shkencave dhe e institucioneve të kulturës ndaj
veprave të krijuara pas vitit 1990. Ajo përmend edhe pesë fjalorët e mi
frazeologjikë dygjuhësh, tre me autorësi dhe dy me bashkautorësi, të botuar në
periudhën mes viteve 2015-2022. Botimin e katër prej tyre, në kopje të pakta, e
pata përballuar me kursimet e pensionit tim. Për përgatitjen e këtyre fjalorëve
pata punuar 50 vjet (1972-2012). Për botimin e fjalorit të parë frazeologjik,
rusisht-shqip, iu drejtova tre milionerëve shqiptarë për ndonjë mbështetje
financiare. Asnjëri prej tyre nuk denjoi të më kthente as përgjigje negative.
Atëherë vendosa t’i drejtohem ministres së kulturës, Zonjës Mirela Kumbaro, me
të cilën kemi qenë pedagogë-kolegë në katedrën e përkthimit, që mbulonte të
gjidha gjuhët e huaja të Fakultetit të gjuhëve të huaja të Universitetit të
Tiranës. Gjatë asaj kohe kam pasur përshtypje shumë të mira për Profesoreshë
Mirelën: ishte shumë e thjeshtë, mjaft e sjellshme dhe me takt shembullor në
komunikimin me të gjithë kolegët. Pra, dallohej për etikë intelektuale. Prandaj
krijova bindjen e plotë se ministria që ajo drejtonte do të më ndihmonte me
ndonjë mbështetje financiare sado të vogël për botimin e fjalorit. Ja letra në
vijim që i dërgova me internet:
---------- Forwarded message ----------
From: Eshref
Ymeri ymerieshref@gmail.com
Date: 2014-05-11 4:49 GMT-07:00
Subject: Përshëndetje, Zonja Ministre
Prof.as.dr. Mirela
Kumbaro
Ministre e Kulturës
E nderuara Zonja Ministre,
Më lejoni të kem nderin t’Ju drejtohem me
një kërkesë për sponsorizimin e botimit të Fjalorit Frazeologjik Rusisht-Shqip
me një shumë prej 200 mijë lekësh (2000$). Fjalori ka një vëllim prej 1255
faqesh kompjuterike dhe atë do ta dërgojë në shtyp Shtëpia Botuese EDFA, me
drejtor dr. Fatmir Xhaferri.
Me respekt
Prof.dr. Eshref Ymeri
Tiranë, 06 maj 2014
Prita përgjigje, qoftë edhe negative, por më kot. Me sa duket, Profesoresha-ministresha nuk qenkej më
ajo pedagogia e dikurshme aq e thjeshtë e frëngjishtes. Përkundrazi, sapo i kishte
hyrë politikës dhe ishte bërë anëtare e qeverisë së Ramës, hunda i paskej hipur
në lis, ndaj dhe nuk denjoi kurrsesi të merrej me një pensionist hesapi, si
puna ime, për t’i kthyer përgjigje.
Në një status të saj, të botuar në internet,
Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro, me rastin e ftesës që i kishte bërë
Rama për ta bërë anëtare të qeverisë, ja çfarë ka shkruar:
“Mos shko”, - më tha im atë, - kur i
thashë per ftesën që më bëri Edi Rama dhe Partia Socialiste për t’iu bashkuar
skuadrës së Rilindjes në ndërtimin e qeverisë së re. “Politika është e pabesë,
e vështirë, do të të njollosë”. Gjithmonë kam gjetur ujdinë me tim atë. Kësaj
radhe nuk e gjeta. Unë vendosa të kaloj rubikonin dhe të futem në politikë,
duke marrë përsipër detyrën e ministrit të kulturës. Ai mbeti i pezmatuar, i
trishtuar, plot ankth duke ndjekur çdo ditë mediat dhe titujt e gazetave që kur
një grua del në mejdan të politikës nuk ta kursen baltën dhe fyerjen, dhe, si
për të refuzuar përjetësisht këtë spektakël banal, ku nuk mund ta shihte të
bijën të ndotej, vendosi ta ndalte jetën pak javë pasi unë e “zhgënjeva,” duke
mos i shkuar për fije deshirës se tij, por më parë më la amanet Gjirokastrën.
Ndërkohë unë, pas 25 vitesh, kur politika jo rrallë më kishte zhgënjyer, kur
politikanë, gjithëfarë, nuk më frymëzonin më, për të parën herë pashë një dritë
dhe një energji të re, një vullnet se mund të kalojmë, më në fund, nga
tranzicioni në zhvillimin e qendrueshëm dhe modern” (Citohet
sipas: “Rrëfimi i Mirela Kumbaros, tregon çfarë i tha babai kur Rama e bëri
ministre”. Faqja e internetit “Libohovaonline”. 16 maj 2016).
Pra, Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro nuk dëgjoi këshillën
e urtë të Babait të saj, sa të zgjuar, aq edhe fisnik. Ajo braktisi punën si pedagoge
universiteti dhe vendosi të hyjë në botën
e politikës, e cila në Shqipërinë e demoshëmtisë është burim pasurimi të jashtëzakonshëm.
Babai i saj i ndjerë e kishte parashikuar me saktësi se e bija e tij do të
ndotej keq, do të njollosej paq në pellgun e politikës. Dhe parashikimi i Tij
profetik u bë realitet, çka e dëshmon me fakte konkrete Platforma e respektuar
mediatike “Pamflet”. Ja dëshmia konkrete:
“Emri “Mirela Kumbaro”, ka dalë në 23
afera të rënda shkatërruese për kulturën, mjedisin e turizmin, por dhe me dëme
financiare e pasurore afro 2 miliardë Euro, sipas KLSH-ës e Auditeve të
Ministrisë së Financave, shkaktuar me vendimet dhe urdhërat e saj në pazaret që
ka bërë. P.sh., emri i saj doli në dosjen hetimore të arrestimit të ish-ministrit
Ilir Beqja, ku rezultoi se, bashkë me të, ka vjedhur 462 milionë lekë, duke
sajuar të njëjtin tender paralel fiktiv si Ilir Beqja, për akomodim të
delegacioneve të BE, por SPAK nuk e futi në dosjen hetimore” (Citohet sipas: “Firmat e Mirela Kumbaros kanë dalë te mbetjet dhe në
23 afera të rënda, pse bën diferencime SPAK”. Faqja e internetit “pamflet.net”.
28 gusht 2024).
Duke shpërfillur Këshillën e Artë të Babait, Profesoresha
e Universitetit Mirela Kumbaro pati kuturinë ta tradhtojë Prindin e vet mendjendritur dhe të hyjë me guxim në
llagëmet e politikës, të cilat, në vendin tonë, kur të mungon forca e
karakterit, të njollosin kokë e këmbë, por ama edhe të pasurojnë deri në nivele
përrallore. Pikërisht në raste të tilla provohet më së miri karakteri i njeriut
përballë joshës së politikës dhe të parave që rrjedhin prej saj. Dhe jeta e vërtetoi
se Profesoreshës-ministreshës Mirela Kumbaro i paska munguar forca e karakterit.
Shkencëtari-enciklopedist francez Zhan Leron Dalamber
(Jean Le Rond D'Alembert -
1717-1783), filozof dhe matematikan, ka thënë:
“Nuk ka asgjë më të rrezikshme në shoqëri,
sesa njeriu pa karakter”.
Për ta justifikuar tradhtinë ndaj Babait të vet në vitin 2013, kur rilindja neokomuniste erdhi në
pushtet, Profesoresha Mirela Kumbaro, pas ftesës së Ramës, na paskej krijuar bindjen se paskej nisur “një
dritë dhe një energji të re, një vullnet se mund të kalojmë, më në fund, nga
tranzicioni në zhvillimin e qendrueshëm dhe modern”. Por gjatë këtyre 12
vjetëve, jeta vërtetoi konkretisht se qeverisja neokomuniste e Ramës dhe e bandës
rreth tij, kaq rëndë e ka varfëruar ekonomikisht pjesën dërrmuese të njerëzve,
saqë kjo solli si pasojë shpopullimin tragjik të vendit, të shoqëruar edhe me
vjedhjen skandaloze të votave sipas mënyrës djallëzore të “trenit bullgar”. Ja
çfarë ka shkruar analisti i njohur Fatos Lubonja për gjendjen e Shqipërisë
gjatë sundimit 12-vjeçar të Ramës dhe të bandës së tij:
“Një vend me 2 milion banorë prodhon kriminelë më tepër se Brazili që është 212 mln banorë dhe
Kolumbia 15 mln… Zotëria është përgjegjës që e ka shndërruar Shqipërinë në
inkubator krimi” (Citohet sipas: “Lubonja për replikat Rama-Farage:
Shqipëria inkubator krimi, kjo është shqetësuese” (Faqja e internetit “Politiko”.
03 korrik 2025).
Pra, ja kjo është Shqipëria e vërtetë, e cila ka rënë
viktimë e hajdutërisë së qeverisjes së bandës së Ramës. Nuk dihet nëse
Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro jep ose jo mësim si pedagoge e jashtme
në Fakultetin e gjuhëve të huaja. Sepse nëse jep, atëherë është për të lënë
mendjen se si ka fytyrë të dalë para
studentëve në auditor si Profesoreshë-ministreshë hajdute?!
Dëshiroj t’i kujtoj Profesoreshë-ministreshës Mirela
Kumbaro se “mendjemadhësia, - sipas Uiliam Shekspirit (William
Shakespeare - 1564-1616), - është një material i dobët, ajo është
si puna e asaj pëlhurës, e cila, sa herë të lahet, vjen e hyn në ujë”. Ndërsa shkrimtari francez Labryjer
(La Bruyère - 1645-1696), një mjeshtër ky i publicistikës aforistike,
thotë:
“Mendjemadhësia është i
vetmi shkak që na bën ta mbajmë hundën aq përpjetë para atyre që janë poshtë
nesh dhe të zvarritemi aq paturpësisht para atyre që janë sipër nesh”.
Kësisoj, Profesoresha-ministresha Mirela Kumbaro përfaqëson
“heroinën” kryesore të shprehjes aforistike të personalitetit të
letrave franceze. Domosdo, se mendjemadhësia dhe servilizmi prehen në formimin
e saj si dy kategori morale. Në faqen e internetit “Dritare” të datës 26
mars 2016, ka pasë qenë botuar artikulli me titull “Mirela Kumbaro rrëfen a
qau për Ramën”. Dhe servilizmi ndaj Ramës pati shpërthyer me të qeshurat e
saj vesh më vesh gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore të vitit 2017 në
Tepelenë, kur, në njërin nga takimet me zgjedhësit, kryemjeshtri i servilizmit
ndaj kryepolitikanëve komunistë dhe neokomunistë, Golik Jaupi, ia pati marrë këngës,
kushtuar Ramës, duke iu drejtuar me vargjet:
“Ja e bën ti Shqipërinë,
Ja të tërë ramë në greminë”,
Dhe Rama, gjatë këtyre 12 vjetëve, “e bëri” Shqipërinë me
varfërimin tragjik të njerëzve. Le të
flasim me gjuhën e fakteve.
Në një informacion, të botuar në shtyp një vit e gjysmë më
parë, thuhet se “… përgjatë çdo viti të dekadës së fundit, një
qytet me 40,000-42,000 banorë, u fshi nga harta e Shqipërisë, duke qenë se kjo
është një popullsi demografike mesatare e qyteteve tona. Pra, bashki të tilla
si: Mallakastra, Librazhdi, Mati, Cërriku, Belshi, Vau i Dejës apo Vora, të
cilat kanë një popullsi rreth 40,000 banorë, janë asgjësuar nga harta e Republikës
së Shqipërisë, nga viti në vit. E shprehur më thjesht, çdo vit ne kemi humbur
nga një bashki dhe kjo është ulëritëse. Kjo analizë induktive bëhet mbi të
dhënat zyrtare të INSTAT, imagjinoni se sa e frikshme duhet të jetë
situata reale në terren e shpopullimit demografik” (Citohet sipas: Miranda Rira. “Shpopullimi masiv, drama më e madhe e
shqiptarëve në shekullin XXI”. 19
janar 2024).
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se për ta njohur
Profesorshën-ministreshën e vërtetë Mirela Kumbaro, më pati ardhur në ndihmë
edhe Napoleon Bonaparti (1769-1821), i cili u pati lënë brezave pasardhës një
fjalë të urtë të shkëlyer:
“Jepi njeriut pushtet dhe ke për ta
njohur se kush është ai“.
Kaliforni,
04 korrik 2025