E shtune, 26.07.2025, 02:28 AM (GMT+1)

Mendime

Hamza Halabaku: Heshtakët e dikurshëm, sot janë bërë rrahagjoksit më të mëdhenj

E hene, 14.07.2025, 06:57 PM


Reagim me shkas

HESHTAKËT E DIKURSHËM, SOT JANË BËRË RRAHAGJOKSIT MË TË MËDHENJ

Aq sa po kalojnë vitet nga ngjarja historike e 2 korrikut të vitit 1990, kur u miratua Deklarata Kushtetuese e Kosovës, po shtohen disa rrahagjoksë, të cilët po manipulojnë me gjysmë të vërteta rreth zhvillimeve të asaj dite të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës

Nga Hamza Halabaku

Që nga shtatori i vitit 1990, jetoj në Gjermani dhe së paku dy herë në vit gjendem për vizitë në Kosovë. Gjithashtu përpiqem që njëra nga këto vizita Kosovës të përputhet me datën e 2 korrikut që lidhet për përvjetorët e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të Kosovës dhe mbledhjen historike të asaj dite të delegatëve të Kuvendit të Kosovës, për të cilën kam një nostalgji të veçantë. Siç dihet mbledhja e delegatëve u zhvillua para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e cila ishte vu në një shtetrrethim nga policia serbe dhe nuk i lejoi delegatët të futeshin brenda.

Asokohe isha ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës dhe përgjegjës për Byronë e Sekretarit të Kuvendit, ku kryhej puna finale për përgatitjen e dekreteve, ligjeve, rezolutave, vendimeve dhe aktvendimeve e dokumenteve të tjera që i miratonte Kuvendi. Ato duhej të botoheshin në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës”, natyrisht me nënshkrimin tim, me që isha epror i atij shërbimi. Në atë pozitë më kishte emëruar Kryesia e Kuvendit të KSA të Kosovës, më 2 qershor të vitit 1982, ndërsa deri atëherë isha me punë në Sekretariatin Krahinor për Arsim, Shkencë e Kulturë.

Mu kujtua 2 korriku i vitit 1990, sa punë patë bërë atë ditë shërbimi i Byrosë së Sekretarit të Kuvendit, shef i të cilit isha unë. Atë ditë, në zyrën time kishte ardhur shoku im i ndjerë Shaban Brunçaj, që ishte njëri nga juristët më të mirë të Shërbimit profesional të Kuvendit të Kosovës. Kishte ardhur të më ndihmonte, edhe pse nuk e kisha ftuar, në mënyrë që të mos na shpëtonte asnjë gabim gjatë përgatitjes së Deklaratës për ta dërguar në “Gazetën zyrtare të KSA të Kosovës” Atë ditë kisha vrapuar, me letrat në dorë, për ta dërguar në “Gazetën Zyrtare të KSA të Kosovës” që Deklarata kushtetuese të botohej sa më parë dhe të njëjtën e dërgova, po ashtu me dorën time në Arkivin e Kosovës, ngase kështu më kishte porositur edhe Iljaz Kurteshi, një funksionar i lartë i Kosovës në Federatën Jugosllave, që ajo të mikrofilmohet dhe të ruhet, sepse pushteti i atëhershëm kishte mundësi të na e merrte dhe të na e griste e pastaj si do tu tregonim pasardhësve tanë që Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një dokument Kushtetues me të cilin Kosova shpallej si njësi e pavarur dhe e barabartë në kuadër të Federatës (Konfederatës) të Jugosllavisë. Iljaz Kurteshi atë kohë ishte delegat i Dhomës Federative të Kuvendit të Jugosllavisë.

Në mbrëmje, të 2 korrikut të vitit 1990, sekretari i Komisionit të Kuvendit të Kosovës, për çështje Kushtetuese (zotëri Halit Muharremi) bashkë me kryesuesin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës që u mbajt para hyrjes së Kuvendit, Bujar Gjurgjeala, erdhën para banesë sime për ta nënshkruar Deklaratën Kushtetuese si dhe Procesverbalin që unë e kisha mbajtur atë ditë. Ndihem shkumë krenar që nënshkrimi im është krahas nënshkrimit të zotit Bujar Gjurgjeala!

Disa herë, kur delegatët e Kuvendit të Kosovës ishin katandisur nëpër disa republika të ish Jugosllavisë së atëhershme si dhe në disa shtete të Evropës, pas miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 7 shtator të vitit 1990, i kam përshëndetur publikisht përmes gazetave që botoheshin atëherë, në vend e në diasporë, si për shembull, po e përmendi njërin nga shkrimet në “Bota sot” më 25 qershor 2002, në faqen 25, Letër përshëndetëse drejtuar ish delegatëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990, me titull: “Ju ishit ata që i hapët rrugën çlirimit të Kosovës”, e tjera, e tjera.

Çdo respekt për të gjithë 111 (njëqind e njëmbëdhjetë) delegatët e asaj legjislature, po ama ka qenë edhe dikush në prapaskenë, nga shërbimi i Kuvendit të Kosovës, ka qenë edhe shefi i Byros së sekretarit, ndihmësi i sekretarit që e ka mbajtur, respektivisht hartuar procesverbalin, me dorën e vet dhe e ka dërguar Deklaratën Kushtetuese për botim në “Gazetën zyrtare” pastaj në Arkivin e Kosovës që ajo të ruhet. Mu kujtua gjithë ajo punë e sakrificë që ka bërë edhe shërbimi që meriton një falënderim të veçantë. Mu kujtua se atë mbrëmje origjinalin e Deklaratës Kushtetuese bashkë me procesverbalin e vendosa te fqinji im, Ibush Reçica, nga frika se policia do ta bastis banesën time. Mu kujtuan bisedat e ashtuquajtura informative, në fund të korrikut të atij viti, në organet e punëve të brendshme.

Edhe një informatë, për juve lexues të nderuar. Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990 e kanë nënshkruar 115 delegatë. Mirë, ama katër nënshkrime, kanë qenë të delegatëve të Kuvendit të Serbisë nga Kosova. Ata nuk kanë pasur të drejtë ta votojnë Deklaratën Kushtetuese po as aktet e tjera që i ka nxjerr, respektivisht i ka miratua Kuvendi i Kosovës. Nuk kam pasur guxim t’i lë emrat e tyre që të botohen në “Gazetën zyrtare të Kosovës”, sepse do të isha përgjigjur penalisht për falsifikim të nënshkrimeve.

Edhe sivjet nga gjysma e dytë e qershorit ndodhem në Prishtinë dhe me padurim po prisja të jem i pranishëm në ndonjë manifestim për 2 korrikun, ose në ndonjë takim me delegatët që miratuan Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik të vitit 1990, që ishte një akt kushtetues që Kosovën zyrtarisht e ndau nga Serbia. Sepse, në pikën 4 të kësaj deklarate përveç tjerash thuhet: “bëhet anulimi i Vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente”. Vendimi mbi dhënien e pëlqimit në amendamentet e Kushtetutës së Republikës Socialiste të Serbisë ishte bërë nën masat e rrepta të shtetrrethimit. Nga të gjitha anët, atë ditë, ishte rrethuar ndërtesa e Kuvendit të Kosovës me tanke ushtarake e policore dhe në sallën e Kuvendit të Kosovës kishin hyrë shumë njerëz e punëtorë të sigurimit sekret të Serbisë si dhe shumë bashkëpunëtorë të atij sigurimi nga Kosova.

Më 29 qershor të këtij viti u interesova për agjendën që do të shënonte 35-vjetorin e Deklaratës Kushtetuese. Pasi u telefonova 2-3 ish-delegatëëve të legjislaturës së fundit me Kushtetutën e vitit 1974, mësova se nga njerëzit e pushtetit nuk ka ndonjë manifestim, por Shoqata “Jakova” në Gjakovë kishte ftuar 3-4 delegatë të asaj legjislature dhe ata më 1 korrik do të jenë mysafirë të asaj shoqate në Gjakovë. Zhgënjimi im ka të bëjë me faktin se në disa emisione radio-televizive dhe tribuna si kjo në Gjakovë flitet për shumë çështje që kanë ndodhur ditën e 2 korrikut 1990 nga ata që nuk kanë qenë të informuar sa unë. Sepse, pozita që mbaja asokohe, ndihmës i sekretarit të Kuvendit të atëhershëm të KSA të Kosovës, ma mundësoi hyrje-daljen nga ndërtesa e Kuvendit të Kosovës ditën e 2 korrikut 1990. Mbase mund të kem qenë i vetmi, ose ndër të paktët zyrtarë të Kuvendit të Kosovës, që pata rastin të ndiqja situatën që zhvillohej para ndërtesës dhe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.  Unë e kam shkruar edhe një libër me titull “Një ditë midis dy epokash”, ku brenda kopertinave janë përshkruar detaje të shumta të gjithë asaj që ka ndodhur atë ditë para dhe brenda ndërtesës së Kuvendit të Kosovës. Fjalë për librin janë thënë edhe në recensionet e dy emrave shumë të njohur të delegatëve të asaj legjislature, Prof. dr. Skënder Skënderit dhe e të ndjerit Bujar Gjurgjealo, që e ka udhëhequr, pa iu trembur syri fare, mbledhjen historike të 2 korrikut të vitit 1990.

Këtë reagim me shkas po e bëj për shkak se aq sa po kalojnë vitet nga ngjarja historike e 2 korrikut të vitit 1990, po shtohen edhe disa rrahagjoksë, të cilët po manipulojnë me gjysmë të vërteta rreth zhvillimeve të asaj dite të rëndësishme të historisë më të re të Kosovës. Pra po vazhdojnë të dalin në skenë disa bashkëpunëtorë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës që si heshtakë të dikurshëm sot janë bërë rrahagjoksit më të mëdhenj.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx