Mendime
Vlora Gashi: Gratë Shqiptare dhe Veshja Arabe - Identitet, Besim-manipulim apo Keqkuptim?
E premte, 11.07.2025, 06:53 PM
Gratë Shqiptare dhe Veshja Arabe: Identitet, Besim-manipulim apo Keqkuptim?
Nga
Vlora Gashi
Në
sheshet e qyteteve shqiptare, gjithnjë e më shpesh shihen gra të mbuluara me shami,
me nikab, abaja apo veshje që lidhen ngushtësisht me kulturën arabe. Shpesh,
këto gra thonë se kjo është pjesë e identitetit të tyre si shqiptare myslimane,
një mënyrë për të treguar devotshmëri dhe përkatësi fetare. Por a është kjo
veshje me të vërtetë pjesë e trashëgimisë shqiptare, apo po përjetojmë një
transformim identitar që meriton reflektim?
Veshja
tradicionale shqiptare, në të gjitha trevat dhe për të gjitha besimet, ka qenë
gjithnjë e veçantë, elegante dhe unike, por jo me veshje të huaja nga Lindja e
Mesme.
Kur
veshja arabe importohet sot në rrugët shqiptare dhe shpallet si pjesë e
"identitetit tonë shqiptar", lind pyetja: a po humbasim vetveten duke
marrë formën e dikujt tjetër? A është kjo një mënyrë për t’u dalluar fetarisht,
apo një ndikim i huaj që po përthithet pa reflektim?
Nuk
është fjala për të gjykuar fenë apo zgjedhjet personale, por për të dalluar
ndryshimin midis traditës autentike dhe imitimit kulturor.
Të
jesh shqiptare myslimane nuk do të thotë domosdoshmërisht të mbulohesh me
veshje arabe. Vlera e identitetit shqiptar qëndron pikërisht në identitet,
gjuhë, me rrënjët në tokën tonë.
Askush
nuk ka të drejtë të imponojë si duhet të vishet një grua. Por gjithashtu,
askush nuk duhet të deformojë historinë dhe identitetin kombëtar për të
përligjur një zgjedhje që është më shumë ndikim se trashëgimi, e në fund
tradhëti kombëtare.
Vlora Gashi
https://www.facebook.com/loragashi1988