E enjte, 31.10.2024, 11:59 PM (GMT)

Kulturë

Tahir Bezhani: Ara

E shtune, 16.03.2024, 07:51 PM


ARA

TREGIM NGA TAHIR BEZHANI

Ajo pranverë nuk harrohet kurrë. Nuk pushuan të reshurat e  shiut përafër tri javë.  Pemët kishin luluar. Nga shiu me të ftohtit e pranverës, ato binin për toke. Arat ishin mbushur me bar, ngjanin në livadhe. Ishte koha për fillimmbjellje,po afrohej maji. Bujqit ishin të gatshëm të përvilnin mëngët për punët në ara. Ishin të nervozuar në motin e keq, të stërzgjatur për stinën. Shpesh e pyesin njëri tjetrin se “a din kush, edhe sa do zgjatë kjo kohë e ligë?!” Përgjigjet mungonin.

Befas, në fillim të majit, qielli po shpaloste bukurinë e vet ngadalë. Kaltërsia mbuloi gjithësinë. Retë e zeza iknin si hajdute ,  kishin marë rrugën atyre shpateve të larta si në pakthim, ndërsa natyra filloi buzëqeshjen me bukurinë e paparë dhe buzëqeshjen e lulëzuar. Fushave bleroshe dëgjohej këndshëm blegërima e qengjave dhe loja e pambarim e fëmijëve të fshatit Qëndresë, i cili gjendej i “ngulitur” në një  kodër mali, si lapidar. Përmes fushës pjellore rrugëtonte dredhueshëm lumi Erenik, i cili  buronte nga lartësitë e Alpeve tona.Tani të nxehtit e pranverës kishte krijuar kushtet e nevojshme për bujqit e fshatit Qëndresë e jo vetëm. Gjysma e fshatit kishte mbaruar të mbjellurat e pranverës, kishin hedhur farën e bukës nën lavrat e tokës.Mbrapa me punë kishin mbetur disa familje të rralla të cilët nuk kishin krahë dhe vegla pune.

Hasan Malaj, dukej shumë i mërzitur. Sillej rrugëve të fshatit pa asnjë ide përcaktuese. Dukej hapur se e kishte kapluar mërzia, një  nervozë e papërshkruar. Dilte edhe në fushë, te arat, shikonte njerëzit duke punuar dhe ikte, si me vrap te shtëpia. Mbyllej kohë të gjatë. Meditonte. Fëmijët i kishte të vegjël. Visari e Zemëraku vijonin mësimet në klasën e pestë e të gjashtë. Bashkëshortja mërrej me punët e shtëpisë si amvisë. I dilnin mjaft ato punë. Nuk pushonte tërë ditën Hava e shkretë. Pesha e lodhjes i shtohej kur vërente shokun e jetës, Hasanin, se po mërzitej  nga se kishte ngecë me punët e pranverës në të mbjella. Shpesh e gajretonte me fjalë;” çdo gjë ka derdalje, mos u mërzit Hasan! Punët e mira vinë ngadalë!..”-i thoshte plot admirim.

Hasan Malës i kishte kaluar në shprehi ditore të dilte para dyerve të oborrit, në rrugën kryesore të lagjes. Ulej mbi një gur. Shpesh aty e  pinte edhe kafen e mëngjesit, thithte nikotinën e duhanit si një ëmbëlsirë. Mbante me vete gjithënjë një brisk me teh të gjanë, brisk çobanësh u thoshin, dhe tërë paraditen gdhendte  e lulonte thupra, pa asnjë qëllim të caktuar, krejt instinktivisht. Humbte kohë, fikte zjarrin e  mërzisë gdhendave të thuprave, si një fëmijë në shkarravinat e fletores së vizatimit shkollor. Kudo që shiheshin gdhendla nga brisku, Hasani thoshin në fshat i ka bërë...

Sa kohë që kalonte Hasan Malaj ulur në gurine rrugës, duke gdhendur me briskun e xhepit, thupra lajthie me shkronja të ndryshme, atypari kalonin bashkëfshatarë, të cilët shpesh dinin ta thumbonin me fjalë therëse, sa që i djersitej lëkura e ballit. Si rasti i Zenelit.  Zenel Thumbaqi e quanin në fshat. Ky, Zenel Thumbaqi, kurdo që kalonte rrugës, kur e shikonte Hasanin duke gdhendur thupra me brisk, i thoshte: “ Hasan, a u lodhe? A ke  mbjellë arën hala o Hasan ? Kish qitë bar shumë, mashalla!....”dhe ecte rrugës ,disi i gëzuar qe i kishte shkaktuar “plagë” Hasanit, i cili rrinte ulur në atë gur, para shtëpisë së tij, pa ia bërë një të keqe askujt. Hasani ishte kurthuar në skamje dhe me mërzinë e tij, sepse nuk kishte me çfarë t’ia niste punëve në bujqësi. Nuk kishte as kuaj, as qe’ e as traktor. Askush nuk ia jepte pa i mbaruar punët e veta. Pa e ngacmuar, ishte i ngacmuar Hasani i gjorë.Atë e digjte nga brenda një plagë tjetër, jo e vogël, e cila e gërryente në heshtje si një sëmundje e pashëruar. Nuk kishte kaluar shumë kohë që ishte ndarë me vëllain, Bakën.  Në vjeshtën e kaluar, kishin ndarë gjithë pasurinë që e kishin të përbashkët. Hasani ishte i prekur deri në shpirte se ndarja nuk ishte bërë e drejtë dhe se ajo ndarje ishte e ngutshme, e hershme dhe e panevojshme. Hasani kishte dy djem të mitur ndërsa vëllai, Beka, kishte tre djem të rritur, të zotët për punë. Ndoshta kjo ishte edhe arsyeja që kishte kërkuar ndarjen, të rehatohej më mirë e më shpejtë Beka, me familjen e vet. Kush e di....

Hasanit nga ndarja me vëllain, i kishte takuar  të merrte dy lopë e  një viç ,ndërsa Bekës, i kishin takuar tri krerë lopë dhe kiet,( qetë), e  mëdhenj sa shtëpia, thoshin moti. Dashtë e pa dashtë, kjo ndarje kështu mbaroi. Hasani u pajtua me zor, për të mos u “copëtuar” me vëllain, mos me u  horavë, mos me u lanë fëmijëve pasoja.

-Si erdhën këto kohë, fliste Hasani me veten. Kur të humb dashuria e respekti në vëlla, kur nuk ndien keqardhje e dhimbje, kur e shikon në vështirësi jete, kur i gëzohesh mundimeve që përjeton vëllai, nuk di se si zoti mund të na mbajë mbi këtë dhe- thoshte Hasan Malaj me vete, i gjendur para shume dilemave të jetës.

Iki disi ajo ditë, duke ngërthyer në vete plagë mbi plagë, me të çarat e kohës. Dielli kishte prekur mesditën kur Hasan Malaj u fut brenda në shtëpi, me shumë ngarkesa e dilema jete. Nuk i hahej as buka nga mërzia që e kishte kapluar. As për së afërmi nuk e shihte zgjidhjen. Koha po kalonte e fusha kishte mbetur djerrinë.  Fëmijët duan bukë, duan kushte jete e shkollim, thoshte me vete Hasan Malaj.Pasditja ishte akoma më e rënduar për Hasan Malaj. Do re të zeza e të mbarsura me shi, silleshin majave përreth atyre bokave. Ishte shtuar shpresa qe shiu i kërkuar për bujqësi, sidomos për të mbjella, të sillte përshtatshmëri pune. Mendimet iu kishin ngulitur pikërisht në arën e pa mbjellë, të cilën e kishte kapluar bari dhe dukej si një livadh i pakositur.

Rrezet e ngrohta të majit, gjelbërimi dhe lulëzimi i çdo gjëje në natyrë, kishin krijuar madhështinë e kësaj stine, e cila të ngacmonte deri edhe poret e lëkurës. Gjitha këto të mira të natyrës, të gjithë i gëzonin e përjetonin, pos Hasan Malaj, i cili ndihej i ngacmuar nga plagët e kohës, nga plagët e të vëllait dhe peripeci tjera.Dita ishte zgjatur, të nxehtit kishte prekur thellë mesin e majit. Kafshët lëshoheshin herët, pa lind dielli në kullosa, ktheheshin para mesditës në ahrie.

Kishte kaluam mesi i majit kur Bekë Malaj, vëllai i Hasanit, kthente gjanë nga kullosa e paradites,(mangësi). Kur e pa Hasanin duke gdhendur një thupër me briskun e xhepit, ulur në gurin afër shtëpisë së tij, nga larg, iu dëgjua  një dënesje, një vaji burri pa lot, me ofshama, thua se po dridhej toka nën këmbë. Para Bekës ecnin të ngopura dy kie sa shpija, tri lopë që u derdhej qumështi rrugës, ndërsa u grahte me një thupër thane të hollë. Kur iu afrua vëllait, Hasanit, zë  vaji u dëgjua me gulçimë të thellë, sa që Hasani ngriti kokën dhe iu drejtua: “ Hë, çka të re  Bekë, o bac,pse qan,tregomë,të ka ngucë kush?!”

-Jo Hasan, jo, por u përmallova kur e shikova arën tënde të pa mbjellë, kishte dalë shumë bar, e arat tjera kanë fillue me qitë bimën në sipërfaqe. U përmallova Hasan bac dhe u bë se po i fshinte lotët dhe ndalte dënesen Beka.

Hasan Malaj me shumë vëmendje i dëgjoi fjalët e vëllait. Sikur mos ta kishte provuar me rastin e ndarjes së pasurisë, ndoshta  i kishte besuar deri në skajshmëri. Por, njeriu nuk mashtrohet dyherësh nga i njëjti person.U ngrit në këmbë, plot huti e dridhje, duke shikuar drejtë në sy e dëgjuar mirë me veshët e tij,  vëllain, Beken, se si “dinte” të aktronte atë mesditë maji, se si dinte të shprehte gjithë atë dashuri false, hapur e pa fije turpi.Me ngadalë, derisa Beka e shikonte, Hasani iu drejtua me fjalët:

“ Baca Bekë , mos qaj për tokën time! Nëse ke dhimbje për mua, për mbjellën e arës sime, jepmi nesër kiet  ta  plugoj arën, dhe për tre ditë, ia qes kokrrën nën dhe’.

I gjendur ngushtë dhe i penduar se u ndal ,kinse për shprehje dhimbje para vëllait, Beka  uli kokën dhe në ecje,  po i thotë Hasanit,:

” Jo, kiet nuk t’i jap, sepse janë lodhë, por po më dhimbet ara që mbet e pambjellë!....”

Hasani e shikoi gjatë, pa folur asnjë fjalë, derisa hyri  në oborrin e shtëpisë së  vet, vëllai, Bekë Hasani. Vetëm një pëshpërimë e zjarrtë i shkrepi buzëve Hasanit, si një  çfryrje e beftë dhe me  plot mllef, klithi:

“O Zot, kah po shkojmë në këto kohë të mjegullta?! Nuk ka jetë pa vëlla, nuk ka të ardhme pa njëri tjetrin ”,shkrehu mellanin e tij plot zjarr Hasan Malaj i fshatit  Qëndresë. Në këto kohë të pa kohë, duhet kërkuar mëshirën e zotit, që ne, raca njerëzore, mos t’u ngjajmë kafshëve.

Koha  shpesh di të sjellë befasi në mesin e njerëzve. Ara e Hasan Malaj nuk mbeti e pambjellë atë vit, pavarësisht vonesës, por atij çdo bimë që dilte ngadalë prej toke i dukej e hidhur...

Gjakovë, Shkurt,2024



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora