Kulturë
Ndue Dedaj: Tre pedagogë Letërsie
E hene, 11.03.2024, 08:55 PM
TRE
PEDAGOGË LETËRSIE
NGA
NDUE DEDAJ
Ata
ishin tre pedagogë Letërsie që nuk rrojnë më, por që kujtesa jonë i risjell si
në një film plot dritë, nga jeta studentore universitare e viteve ’80 në
Shkodër. Tre profile njerëzore dhe individualitete akademike të ndryshme,
profesorë të zotët, të ditur, të qeshur, që ne studentët na trajtonin si miq.
Neki
Lezha ishte dhe kritik letrar i njohur në shkallë vendi, shef i Katedrës së
Letërsisë, me pamje aristokrati, që i shkonte kapelja republike, të cilën nuk e
hiqte asnjëherë. Kishte një humor të këndshëm, ironik dhe dashamirës. Ishte i
batudës. Mua më quante “poet disident” dhe kjo më jepte shumë kënaqësi, edhe
pse nuk isha poet, jo më dhe disident. E ndiente dhe ma shprehte trysninë e
Tiranës letrare mbi provincën, kur e pyesja për qarqet letrare të kryeqytetit,
çka është dhe sot. E pata udhëheqës të Diplomës dhe firma e tij më bën nder.
Selami
Tabaku ishte njeri me shpirt poeti, sa hynte në auditor për të mbajtur
leksionin e radhës, ashtu buzagaz, na thoshte “hapni dritarët, të hyjë drita,
jeta”. E donim dhe na donte. Ishte njeri babaxhan. Kur unë kryeja praktikën
pedagogjike në shkollën 8 - vjeçare të Bukmirës (Mirditë), pati ardhur në
shtëpinë time në Qafë - Vorrës ku bujti një natë. Na jepte letërsinë e huaj,
por dhe folklorin. Ne që e kemi njohur nga afër shpirtin lirik të profesorit, i
ndiejmë dhe ato “bulëzimet” genetike në poezinë e së bijës, Entela Tabaku,
poete e mirënjohur.
Hasan
Lekaj, rrezatonte në portretin e tij të fisëm dituri, rini dhe çiltërsi. Ishte
njohës i mirë i letërsisë, shpesh nga letërsia e huaj na ofronte dhe përkthime
të lira që i kishte bërë vetë. Pati botuar në revistën “Nëntori” një studim
rreth prozës së Skënder Drinit që u mirëprit. Drejtonte rrethin letrar të
studentëve dhe kjo na bënte dhe më të afërt. Mbas 90-ës takoheshim shpesh në
Shkodër, pasi ai tashmë kishte krijuar shtëpinë botuese “Camaj - Pipa”, që
kishte dhe librarinë e saj në rrugën muzeale të qytetit.
Tre
profesorë të ndritur që lanë emër në Shkodër dhe universitetin e saj, ku patën
qenë pedagogë edhe Kol Ashta, Vehbi Bala, Fadil Podgorica, Fadil Kraja, Fatmir
Agalliu e të tjerë emra të shquar të letërsisë dhe albanologjisë. Profesor
Bala, që asokohe ishte pedagog në UT, qe ftuar për një javë leksionesh në
Universitetin e Shkodrës, ashtu siç pati ardhur për biseda letrare dhe Sterjo
Spasse.
Të
paharruar, profesorët tanë shkodranë!