E marte, 03.12.2024, 03:17 AM (GMT)

Kulturë

Dorian Koçi: Strehimi i grave te arti dhe tek e bukura

E shtune, 09.03.2024, 07:56 PM


Strehimi i grave te arti dhe tek e bukura

Nga Dorian Koçi

Sikur t’u thuhej grave shqiptare të mesit të shekullit të XIX se vlerat dhe normat shoqërore mbi të cilat do të gjykoheshin do të ishin sesa të shkolluara, të kulturuara dhe ç’mendim do të jepnin për jetën shoqërore në vend, do të mbeteshin të habitura dhe do ta quanin një lajthitje “alla frënga” të ardhur nga matanë detit.

Realiteti në të cilën ndodhej shoqëria shqiptare nuk linte shumë për të shpresuar për një zhvillim të tillë në këtë drejtim.

Udhëtari dhe poeti i njohur romantik G.G.Byron (1788-1824) përshtypjet dhe eksperiencat e veta nga udhëtimi i tij në Lindjen e Afërt ku përfshihej dhe Shqipëria e asaj kohe i përjetësoi në veprën e vet poetike The Pilgrimage of Child Harold (1812), vepër e cila e bëri atë të famshëm jo vetëm në rrethet letrare të Londrës, por dhe në letërsinë botërore.Ndërmjet referencave dhe përshkrimeve të jetës e botës shqiptare, poeti i madh romantik anglez përshkruan dhe gratë shqiptare. Mes gjithë epiteteve lavdëruese për bukurinë e tyre, gjë për të cilën bien dakord pothuajse gjithë udhëtarët e huaj të shekullit të XIX, të bie në sy një përshkrim që ai i bën tërthorazi statusit social të tyre ku i përshkruan si“tamed in their cave”- në kafaz mësuar një figuracion që vështirë ti përshtatet natyrës së butë femërore.

Po kaq e dukshme është dhe përpjekja e mëvonshme e përkthyesve të veprës në shqip si Skënder Luarasi dhe Napoelon Tasi që fjalën “cave” ta përkthejnë duke i zbutur ngjyrimin negativ nga “shpellë” në “kafaz” apo “time”në “zbutur” në mësuar.Gjithsesi, çfarëdolloj që të jetë përkthimi “shpellë” apo “kafaz”,”zbutur’ apo “mësuar”, ai nuk mund ta fshehë të vërtetën e madhe të pozitës së gruas shqiptare në fillimet e shekullit të XIX që na e transmetojnë semantikisht këto dy fjalë.

Por megjithëse fjalët e poetit tingëllojnë therëse për ne që i lexojmë në ditët e sotme nëse bota nuk do të ishte zhvilluar dhe marrëdhëniet shoqërore do të kishin ekzistuar të njëjta, ashtu si ishin në fillim të shekullit të XIX edhe pse gratë shqiptare mund të dukeshin të prapambetura krahasimisht me ato të Anglisë, ky dallim mund të ndryshohej shpejt pasi dhe ndryshimet nuk ishin shumë thelbësore përsa i përket lirive personale të grave, të parat vuanin nën despotizmin orientalist, të dytat nën moralin hipokrit Viktorian.

Gratë shqiptare do të ndiheshin më të habitura por në të njëjtën kohë do të ndjeheshin dhe krenare nëse do merrnin vesh se një princeshë që gjithandej tregonte me krenari rrënjët e origjinës së vet shqiptare, Elena Gjika, alias Dora d’Istria ishte në katër gratë kryesore në Europë që promovonin feminizmin dhe të drejtat e grave përmes fjalës së shkruar dhe pendës. Në botëkuptimin e tyre, ato ishin mësuar që të gjenin brenda vetes burrin në heroizmin e një Nore të Kelmendit apo një Miro të Tërbaçit, dhe jo butësinë dhe pathosin për drejtësi shoqërore të Dora D’Istrias në librin për “Gratë nga një grua”.

Por, për fat të mirë të grave dhe të gjithë njerëzimit, bota, vlerat morale, etika dhe kultura evoluuan për mirë dhe gratë pas betejash të vërteta me shoqërinë dhe paragjykimet fituan dalëngadalë statusin e merituar në shoqëritë perëndimore. Ky status që u garantoi atyre një sërë lirish individuale duke filluar që nga e drejta për të votuar, pagë të njëjtë me burrat e deri të drejtën për tu zgjedhur kryetare shteti shërbyen dhe si një pol tërheqës për gratë e shoqërive në zhvillim si ka qenë ajo e Shqipërisë.

Askush nuk mund ta vërë në dyshim, evolucionin e të drejtave dhe lirive civile të grave në Shqipëri që nga koha që Byron-i i përshkroi në veprën e vet, apo dhe rreth 80 vjet më vonë, kur Konica argumentonte në faqet e gazetës “Albania” se shoqëria shqiptare nuk do të ecte përpara, nëse gjysma e saj - gratë, nënat dhe motrat tona do vazhdonin të mbeteshin analfabete ose dhe deri në vitet 50’, kur shumica e tyre vazhdonin të ishin analfabete dhe shtëpiake.Një përfshirje emancipuese e grave në shoqërinë shqiptare i ka dhënë më tepër larshmëri dhe seriozitet jetës publike në Shqipëri përfshirë edhe fushën e Trashëgimisë Kulturore, ku ne sot përkujtojmë dhe vlerësojmë me nderim punën e sa e sa grave studiuse për kontributin e të cilave do të flitet gjerësisht sot në këtë tryezë të rrumbullakët.

Kultura dhe arti nuk janë vetëm dy komponentë të rëndësishëm me të cilët njeriu afirmon identitetin e vet kulturor e kombëtar, por edhe një arratisje drejt së bukurës që siç thoshte Dostojevski, është e vetmja vlerë që mund të na shpëtojë.Gratë shqiptare dhe sidomos ato që trajtojnë, kurojnë e studiojnë Trashëgiminë Kulturore kanë se çtë afrojnë në këtë drejtim duke na dhënë një model të qendrueshem se nëse “shpella” apo “kafazi”, që përmend Byron-i në poemën e vet, shpesh herë në këto vite tranzicioni është shndërruar në shpella me margaritarë apo kafaz të artë ku gratë, ashtu si zogjtë, i kanë “kënduar” këngë vetëm për të zotin e tyre, ka ardhur koha që ato që nuk kanë pranuar kafaz të tillë të artë të fitojnë individualitetin duke u bërë model tërheqës dhe për të tjerat. Për gratë shqiptare, besoj se ka ardhur koha që përmes modelit të këtyre zonjave të nderuara që kanë studiuar Trashëgiminë Kulturore, të përcaktojnë qartë se kush janë idealet e tyre për emancipimin dhe evolucionin e shoqërisë shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora