Kulturë
Agron Tufa: Bloja e imët e metaforave të Pal Ndrecajt
E diele, 03.03.2024, 08:55 PM
BLOJA E IMËT E METAFORAVE TË PAL NDRECAJT
Pal
Ndrecaj - “Pikëllimi i bimëve”, Shtëpia Botuese Armagedoni, Prishtinë, 2024
Parathënie nga Agron Tufa
Poezitë
e këtij vëllimi të ri poetik të poetit dhe prozatorit Pal Ndrecaj, më dhanë një
nga kënaqësitë e veçanta e të paharrueshme, por edhe të rralla në poezinë tonë,
sa herë që ndeshim në art të bërë me dashuri e brishtësi. Poezia e Pal Ndrecajt
është mbrujtur me imazhin kryesisht mendor, ose, që të jemi më të drejtë e më
të saktë, me habinë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në honet e subjektit lirik
(unit lirik), me trandjen shpirtërore dhe pengjet. E kjo habi kërkon mokrra të
rrënda metafore për thellësitë e përvojës, që të jep blojën e vet të imët, si
në vargjet e këtij vëllimi. Prirja për t’i hapur udhë subjektivitetit të
skajshëm, por edhe për ta kontrolluar dhe mbajtur atë në ndjenjën artistike të
masës, duket se ka përcaktuar, për fat, edhe profilin e dallueshëm poetik të
Pal Ndrecajt në peizazhin e poezisë sonë bashkëkohore: poezinë e metaforizuar
meditative. Si rregull, poezitë e këtij vëllimi ndërtohen mbi një habi
(sensacion), që skulpturohet me mjete të kursyera e të sakta, që t’i shërbejnë
një megametafore, e cila përfaqëson krejt poezinë, sikundërse dhe ciklet me të
cilat është arkitekturuar vëllimi. Këto mjete të metaforës që zgjerohet
vazhdimisht, Ndrecaj i ka zbutur dhe i shërbjenë me përulësi, pa nxjerrë therje
e tinguj të vrazhdë: poezia ka një rrjedhë aq të natyrshme, aq të çiltër, sa
intoncacioni i shlirë e i natyrshëm i poetit bëhet ngjitës dhe ti, si lexues,
ndjehesh i përfshirë në këtë pikëvështrim, lexon fatin tënd dhe të botës, në
një kuadër filizofik përvoje - empirike qoftë ajo, apo metafizike. Forca
përtëritëse dhe e freskët e metaforizmit të pozisë së Pal Ndrecajt në krejt
gamën, jo aq të gjerë tematike, vazhdimisht rreh të shohë, të zbulojë, të na
sugjerojë anën tjetër, faqen tjetër të realitetit, i cili me gërshetimin e
analogjive, na lë në prag të dyerve të një zbulimi... të cilin duhet ta bëjmë
vetë. Ky parim ndeshet si në grupin e poezive me tematikë Krijimin (vuajtjen e
krijimit, golgotën e krijimit), në të gjitha variacionet mitologjike, simbolike
e thjesht, të përdishme, ashtu dhe në ciklin e mrekullueshëm të poezive të
Moglicës, të lirikës shoqërore, brendashqiptare dhe gjithëhumane. Pikërisht ana
e përtejme e realitetit që ndikon në ne padukshëm, sikundërse dhe sinteza e
përvojës reale të veshur rreth një strubullari metaforik, hap perspektivën e
një metarealizmi në poezinë e Ndrecajt. Metarealizmi është një formë e re e
pakushtëzimit, e zbuluar në anën e përtejme të metaforës, e cila nuk e paraprin
atë, por e përthith në kuptimin e saj figurativ. "Meta" është një
pjesë e zakonshme e fjalëve të tilla si "metaforë",
"metamorfozë", "metafizikë". “Metarealiteti” është
realiteti që shpaloset pas metaforës, në terrenin ku metafora e transferon
kuptimin e saj, dhe jo në rrafshin empirik nga i cili e nxjerr atë. Metaforizmi
luan me realitetin lokal, kombëtar dhe global; metarealizmi përpiqet të kuptojë
seriozisht një tjetër realitet, është realizmi i metaforës si metamorfozë,
kuptimi i realitetit në gjerësinë e plotë të transferimeve dhe transformimeve
të tij. Metafora është një fragment i një miti, një metarealitet (një imazh
metarealist, një njësi e poezisë metareale - një përpjekje për të rivendosur
integritetin, një imazh individual që synon t'i afrohet mitit, sa më shumë që
të jetë e mundur brenda kufijve të poezisë moderne). Nga pikëpamja e lexuesit,
vargjet dhe strukturimi i tyre në poezinë e Pal Ndrecajt kanë një spontanitet e
lirshmëri që të kujton herë-herë traditën tonë poetike klasike e moderne,
ndonjë jehonë kumbi, sikundërse dhe një shkartisje leksikore, skemash ritmike
nga vargu i rimuar tek ritmi i vargut të lirë, por kujdes: ky është një
intoncaion i një zëri që po ju flet gjithë mirëbesim e sinqeritet, për t’ju
marrë nga një rast konkret, thuajse i rëndomtë, në një lartësi metaforike ku
kuptimësohet shekulli i përvojave tona të brendshme. Duke lexuar këto poezi,
ndodh diçka si me njeriun që është ngjitur në kafen e një grataçiele dhe
papritur hedh vështrimin poshtë, ku dallohet, fjala vjen, udha e këmbësorëve si
rrëke thneglash, lumi i makinave si buburrecë, ura dhe lumi dhe... ti ndjen një
turbullirë përbrenda, një marramendje.Gjuha e natyrshme, e pasforcuar,
intonacioni mirëbesues dhe notat e humorit, ironia dhe vetëironia, veçse i
ndihmojnë kësaj ndjesie të shkëputjes në fund të librit me poezi.
Agron Tufa
Zvicër, 23. 12. 2023