Kulturë » Vataj
Albert Vataj: “Lufta ime për Kosovën” e Rexhep Shahut, është lufta që u bë me fjalë dhe me zemër
E enjte, 29.02.2024, 07:55 PM
“Lufta ime për Kosovën” e Rexhep Shahut, është lufta që u bë me fjalë dhe me zemër
Nga
Albert Vataj
Janë
shkruar jo pak libra për epopenë e luftës ngadhënjimtare për mëvetësi të
Kosovës. Filma dhe dokumentar, orë pafund emisionesh televizive, janë
transmetuar. Shirita magnetofoni që e përqarkojnë globin, kanë përcjellë zërin
e buçimës çlirimtare. Kanë folur dëshmitarë okularë, janë rrëfyer fatkeqë që
kanë parë me sytë e tyre tmerret e luftës. Nëna, gra dhe vajza, kanë ngjethur
botën me historitë e tyre. Fëmijë dhe pleq të kapluar nga tragjizmi kanë qarë
dhe lotët e tyre kanë pikura në dhimbjen e njerëzimit. Balada dhe këngë kanë himnizuar këtë cak
identitar të populli martir të Kosovës. Nuk ka mbetur asgjë pa thënë, askush
nuk ka heshtur, edhe të vdekurit kanë kushtruar amanetin e tyre nga varri. Por
“Lufta im për Kosovën”, e gazetarit, reporterit, publicistit, poetit dhe
veprimtarit të paepur, Rexhep Shahu, është një luftë që ai nuk e bëri me armë;
por syri, zëri dhe shpirti i tij, ishin më të gjëmimtat se gjithë armët e
zbrazura njëherësh.
“Lufta
im për Kosovën”, e Rexhep Shahu, është lufta që ai bëri me fjalë dhe me zemër,
me shpirt dhe me një zell. Ndeshje kjo e udhëprirë dhe e motivua nga një
vullnet i paepur, i cili i blatoi kësaj sfide gjithëçfarë ai kishte. Ky libër
është e gjithë përvoja e tij si gazetar, në një kohë që të urtët zgjodhën të
punonin nga zyrat me ajër të kondicionuar dhe të harboheshin në netët e gjata
të nëntokës mbushur me muzikë, alkool, drogë dhe seks. Lufta epike e Kosovës
për pavarësi, ishte edhe lufta e tij, përtej thirrjes së detyrës si gazetar dhe
reporter. Ai ishte në zjarrin e këtij flakadani lirie, aty ku të tjerët nuk e
imagjinonin se mund të shkohej. Megjithatë ai bëri gjithçka në mënyrën më të
mirë të mundshme, i bindur se po bënte gjënë e duhur, në kohën e duhur, për një
kauz të madhe.
Unë
nuk ia kam haberin se si shkruhet një libër për luftën, por pohoj me bindje se
ai çdo faqe që ka shkruar në “Lufta im për Kosovën” e ka jetuar, e ka prekur, e
ka shkelur, e ka parë në dritë të syrit. Më ka mjaftuar një ditë, që unë pata
privilegjin ta shoqëroja në këtë Odise, Rexhep Shahun, si mik, si koleg, por
edhe si fotograf, për të kuptuar se si është shkruar çdo faqe e këtij libri, se
si çdo detaj përbën një dëshmi dhe çdo episod rreket të krijojë një panoramë.
Një
tjetër veçanti e këtij rrugëtimi krijues dhe rrëfyes të Rexhep Shahut, është se
ai nuk la jashtë historisë së luftës së Kosovës askënd, askënd që njohu dhe
takoi, askënd që në mënyrën dhe mundësitë e tij shprehu gadishmërinë për të
luftuar për Kosovën. Të gjithë të njohur dhe anonim, gazetarë të huaj dhe
personalitete botërore, heronj të heshtur dhe legjendar, janë në faqet e librit
“Lufta im për Kosovën”.
Ndoshta
jo të gjithë ishin me fat që të ngjiteshin në epope si Adem Jashari, por
kontributi i tyre ishte dhe mbeti sublimitet më himnizues për ditën dhe
ardhmërinë që Kosova gëzon sot.
Puna
e gazetarit në Radio Kukësi, dhe mediat e tjera, të interesuara për të
përcjellë zhvillimet në vatrën e luftës, e shtynë Rexhep Shahun të bënte edhe
ai luftën e tij, të ishte edhe ai një krismë në kurorëzimin e Pavarësisë së
Kosovës.
Edhe
pse sot flitet gjithnjë e më pak për këto zhvillime, për ngjarjet dhe episode e
veçanta të luftës që përmbushi ëndrrën shekullore të shqiptarëve, “Lufta ime
për Kosovë” është dhe do të jetë një libër që rreket të dëshmojë këtë epope,
ndoshta në një këndvështrim ndryshe, e pse jo, duke pretenduar të thotë disa të
vërteta që nuk diheshin, dhe të nxirrë faqe dritës së fakte, disa zhvillime që
qëllimisht mbeten në terr informativ.
Rexhep
Shahu bëri këtë libër duke përmbushur obligimin e tij të detyrës, të mbajë në
jetë të përgjithmonshme ato momente të rrezikshme dhe vetëmohuese, por
ngadhënjimtare. Sepse ai zgjodhi që në “Lufta ime për Kosovën” të ishte dhe të
mbetet një luftë që ai bëri, jo me zjarrin e tytave, por me vendosmëri dhe
besim, i bindur se ajo që ai bëri, të ishte çfarë ai i vuri vetes si qëllim.
Sot
kur kemi në dorë këtë libër, ne kemi historinë e përpjekjeve, sfidave dhe të
papriturave që bashkoi në kushtrim liria e Kosovës të gjithë, secili në
“llogoren” e vet, për të përmbushur një amanet apo lartësuar një qëllim.