E shtune, 27.04.2024, 06:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Dy vetura para redaksisë

E shtune, 02.03.2024, 08:12 PM


Blerim Rrecaj:

Dy vetura para redaksisë

Një objekt. Mbrenda tij një zyrë, e zgjeruar, me ndarje e nënndarje. Tavolina, karrige, kompjuterë.  Edhe ca shkallë për t'u ngjitur lart. Te ca zyre të tjera, në katin e sipërm. Ku rrijnë ata me pozita më të larta. Ta zëmë se e një redaksie gazete. Ta zëmë a mos ta zëmë? Po e zëmë. E cilës? E kujt? E atyre. E asaj. E atij... Mjafton sa i takon kësaj çështjeje. Edhe në mos mjaftoftë...Me rëndësi të mos mërziteni ju që mund t'ia filloni leximin e kësaj copëze shkrimi, që dashtë a pa dashtë mund t'u del para sysh. Vjen një ditë e bëhesh pjesë e saj, pas konkursit të mbajtur, a pas dokumentacionit që ta dërgon dikush, a dikush dikë e lajmëron, e ti e dërgon vet personalisht pas mbylljes së konkursit. Është verë, stinë kur zakonisht kërkohen gazetarë e praktikantë, për të përmbushur hapësirat, për shkak të të korrurave të pushimeve, por edhe mundësia për ta gjetur ndonjë bashkë-punëtor të zoti, të shkathët e të përshtatshëm, elastik. (Eh, të kishin mbirë fabrika e punëtori siç kanë mbirë medie e redaksi, ku me dijtë ku kishim mbërri).  Ky është trendi që ka përthekuar vendin, që këtë radhë më bije ta provoj tash e këtu e tutje. Hyfsha këmbëmbarë e mbetsha a dalsha faqebardhë. Se deri tash hy e dil nëpër gjithë këto dyer, vështirë shumë pa u përlyer. Siqoqoftë, janë ca procedura fillestare, përpara se ta kesh nderin, fatin e privilegjin për t'u bërë pjesë e së fortndriturës redaksi si takimi me ndonjë nga redaktorët. Hyre paksa syshëndritur nga një ngjarje e rëndësishme familjare. Mendja të shkoi te të përndriturat tona, të lumtë na për to. Paragjykimet anash. Dhe fillon të ambientohesh e duke u munduar të japësh maksimumin, aq sa mundesh e aq sa di. Punë në redaksi, pranë kolegëve e kompjuterit, ndonjë blloku shënimesh, a ndonjë flete, a dokumenti, telefonave të redaksisë e atij personal që mban në xhep e herë-herë e lë mbi tavolinë. Punë në terren, biseda, telefonata, takime nëpër kafene, shtëpi, banesa e ambiente objektesh e institucionesh. Pastaj koha për të drekuar e pushuar, a bredhur paksa me një mal mendimesh. Shpejt fillon të lodhesh e mërzitesh edhe këtu. Ca shenja, po thonë e duken se edhe këtej po u mbrojka me të madhe interesi personal para atij të përgjithshëm e profesional, pavarësisht se çka trumbetohet. Pavarësisht reklamave, e vetë-lavdërimeve. Hy e shihe vetë, të thotë, dikush që sapo ka dalë, se s'paske parë gjë akoma, more djalë. Atmosfera shkon duke u përkeqësuar, bashkëpunimi jo i kënaqshëm, pakënaqësi ku më e hapur, e ku më e fshehur e punonjësve që mezi kanë gjetur një vend pune e s'dinë kah t'ia mbajnë, e kur veçohen zbrazin mllefin. Po mundohem të gjej ndonjë element, të kujtohem për ndonjë gjë, por është domethënës e që flet mjaft për një muaj ku e kah kalova. Ah, po, njëri nga familjarët e pronarëve, që mund të ishte edhe vetë bashkëpronar a aksionar me a pa letra, siç mendohej e thuhej, mjaft shpesh vinte aty, para objektit me veturën e tij luksoze, të madhe, vizllimë, xhip e përtej xhipi, e ne punonjësit na voziste shoferi me atë veturën e vjetër të tij, a të redaksisë, (kur s'priste puna e s'mund ta zinim autobusin) për të vjetër fort s'e kisha përmend por të palarë, të pamirëmbajtur e të ndotur, me sedilje të bëra zhyll mbase të papastruara, kushedi qe sa, e rradakja të thotë se është punë vitesh. Plus tymi i zi e zhurma që linte pas, linte shije të hidhur. Qyshdoqoftë kalojnë ditë e ditë, sa për t'u shtuar pakënaqësitë. Dhe kur pata lënë punën pa paralajmërim (vetë i dyti, a vetë i treti, se u pata ba si vetë i katërdhjeti) duke lënë mbrenda gjithë atë grumbull ankesash. A pata gabuar? Për dikë po, për dikë jo. Ndoshta pak. Mbase aspak. Kolegët, të mirët, ata dashamirët, sidomos ata që mbetën brenda të shohin me keqardhje e zili. E po si e ke pshtjellë e, e ke përzi, e pshtjelltë e, e përzier ka qenë, veç një gur më tepër e ke hedh, seç them. Tash kur po bëhen vjet e vjet, e gazeta të përditshme në formë të shtypur nuk po dalin më te ne, e janë duke funksionuar vetëm portalet-gazeta, seç na u kujtua se siç rrokulliset jeta, duke lënë pas gjurmët e veta.

Dy moshuar pijnë duhan

U ul në verandën e këtij restaurant kafeneje dysheme druri prej dërrasash ngjyrëkaftë. Diku në mes të saj. Ditë me diell dhe paksa freskët. Hodhi vështrimin përreth. Është vend i njohur për të. Ku edhe rri vetë, me të afërm, familjarë e mërgimtarë. Pjesa e gjelbëruar përpara restaurantit është mjaft e këndshme, e këndshmërinë ia shtojnë lëvizjet përreth, të fëmijëve, trumcakëve, me një fjalë e kalimtarëve të rastit, që mund të jenë edhe qenë e mace. Më tej nëpër të rri ndonjë patë e betontë kryshytur në bar, ndonjë mjellmë kokëlartë e mendjemadhe qëndisur me goma automjetesh, nja dy biçikleta të bardha në të cilat kanë hipur vazo lulesh, një qerre e këtynehershit me rrota, ulëse, lule, fidane, drunj, panja, bredha e ca gjëra tjera të rrethuar me tela metalikë, një lloj gardhi i lehtë me pjesën tjetër pllakështruar, e në anën tjetër kah tjetri kufi rri pip në këmbë mur i betontë e mur i gjallë gjelbërosh prej fije bimësh e prej bredhash dekorativ.  Gati në qoshk të verandës gjysmë metre ngritur mbi tokë, pa atë të moshuar rreth të shtatëdhjetave, mjaft të shëndoshë e të mbajtur mirë, me flokë paksa të rëna e paksa të thinjura, me mustaqe që më tepër anonin kah ngjyra e hirtë. Nga telefoni i agjokut-musteqokut, herë herë vinin zëra nga ndonjë kronikë në internet, e herë një këngë me çifteli. Pas pak ia ndali zërin e vazhdon të shoh brenda kornizës së ekranit ku bota shihet si në pëllëmbë dore. Ndërkohë fluturojnë dy tre pëllumba, mbi kokën e tij.  Ka vënë dorën mbi ballë me cigaren ndezur që e mban në mes gishtrinjëve, dhe ndonëse dukej i qetë, tymi që dilte nga cigarja dukej se i dilte nga koka, që i vlonte si për të krijuar një kontrast e kujtuar ndonjë karikaturë, ndërkohë avujt e bardhëllemë nga gota e çajit që kishte përpara ngjiteshin përpjetë e shprisheshin si retë. Dielli rrezon këndshëm, era shpupuriste ku e çka mundte, kamarierët kryenin porositë që morën. Dy gra, dalin nga brenda lokalit, hapin derën e kalojnë pranë aty, afrohen te xhami për ta parë posterin e vënë këtu. "Edhe këtu po paska ndejë me muzikë, për nder të 8 marsit" i tha shoqja shoqes, duke parë se kush këndonte e sa është çmimi, dhe u larguan pasi thanë diç për ofertën që panë me fjalët, po more e kena ba punën për me festu. Para se të ngritej nga kjo karrige i ra në mend se sërish po vjen marsi me gjithë këto festa. Derisa rri aty afër xhamit ku qëndron posteri, kalon çaste, herë duke parë në telefonin e tij, herë përreth, duke e shtyrë ndejën me gëllënjka kafeje. I erdhën në mendje mbishkrimet në dyer të ndryshme lokalesh: "Shtyje". Por edhe :"Tërhiqe".  I moshuari rrinte, si i përhumbur në botën e tij  duke ndezur dhe një cigare tjetër. Në krahun e djathtë, në shumëkatëshet përballë, e si  në të pjerrët, një i moshuar tjetër, më i dobët e paksa më thatanik, me një kapelë të zezë në kokë, pasi doli në ballkon, në atë kat të tretë a të katërt, mbi lokale,  hapi njërin prej krahëve të xhamave lëvizës, e nxori pak kokën jashtë, dhe pasi e ndezi, vazhdoi ta pinte cigaren. Rrinte në këmbë e vështronte, e tymi sikur i bënte shoqëri, sikurse moshatarit të tij, në ndrishmërinë rrezedritë të pasditës së hershme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora