E hene, 10.02.2025, 11:54 PM (GMT)

Kulturë

Ardian Ndreca: Shkodra ka rreth 163 vjet traditë karnavali

E hene, 26.02.2024, 07:52 PM


Ardian Ndreca:

Në vitin 1860 cilitdo prej 8878 banorëve të Dervenit apo edhe të Tiranës - që asokohe numronte rreth 500 banorë ma pak se Derveni, për me pa kremtimet e karnavalit do t’i ishte dashtë me marrë rrugën - rreth 14 deri në 16 orë me kalë, mvarej prej rreshjeve të stinës - për me shkue në Shkodër.

Edhe 60-vjet ma vonë kur Tirana ishte ba kryeqytet gjendja s’kishte ndryshue, vetëm rruga, që tashma bahej me makinë, ishte shkurtue e ba rreth 9 orë, pak a shumë sa zgjatë tashti gjatë muejve të verës.

Për ata që s’kanë qenë të njoftuem deri tash: karnavalin s’e kanë shpikë shkodranët, e kanë marrë gadi prej venedikasve.

Në vitin 1936 piktori e artisti Kolë Shiroka (1900-1984) tentoi me e çue karnavalin në Tiranë, por sapo e panë e kapën dhe e çuen në polici si të dyshimtë. Jo të gjitha festat “njesin” kudo njilloj.

Shkodra ka pra rreth 163 vjet traditë karnavali, jo pak tue pasë parasysh se alfabetin e kemi tash 116 vjet, e edhe atë s’e kemi shpikë ne.

Në qoftë se dikush din me emna gjithë rendin e të parëve të vet për nji shekull e gjysëm themi se ka nji traditë e nji mbamendje të lakmueshme, e pra Shkodra e din që edhe para ma se nji shekulli e gjysëm ka qeshë e ka ba humor për karnaval.

Besoj se gazi e humori kanë me e ndihmue edhe sot Shkodrën, se kanë thanë të moçmit: “çka ndjell zogla…”.

Me këtë rast po kujtoj bejten që Lashi i Palokë Qorres nxori për italianin Giacomo Merighi i cili në vitin 1896 kishte ba nji balonë me “spirto” (alkool) me kosh dhe mbasi u çue për hava nja 200 metra nalt tue i habitë shkodranët iu këput konopi e u gorromis në Zall të Kirit e gadi sa nuk theu qafën. Me që ngjarja përkoi me karnavalin, nuk vonoi as bejtja për të:

N’Shkodër tonë bani vaki

Gjithë dynjaja doli jashtë

Për me pamun mrekulli

Jak Merigi njitet balonë.

Me shumë dije e marifet

Ndejt n’hava der n’mbramje vonë

E në Zall t’Kirit shtri u gjet

Mbasi bani laradasha

Nepër zall tue u shkapetë

Bereqavers qi i pshtoi rrashta

Dreqi e di ku kishte tretë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora