Kulturë
Blerim Rrecaj: Kujtimet
E enjte, 22.02.2024, 07:33 PM
Blerim Rrecaj:
KATËR
TREGIMTHE
Kilikeri
Derisa merrej me pastrimin e shtëpisë, diçka u rrokullis me
një zhurmë që prishi qetësinë, pasi tërhoqi fshesën e merimangave. Dhe nga
pjesa e parketit ku ishte e rrinte ormani në korridor, doli ky topth i xhamtë,
kjo sferë kristali, që tashti po e vërtit nëpër duar. Sikurse ta vërtiste
botën. U mundua të kujtohej se si kishte hyrë kjo sferë rrumbullake aty, dhe
diçka iu kujtua turbull, e nuk e lodhi mendjen më për të gjetur fijen që do ta
shpinte deri te kujtimi që do ta shpjegonte këtë punë. Sidoqoftë, iu duk se
edhe topthi i xhamtë ishte si glob dhe kishte brenda tij një pjesë të verdhë,
që herë i dukej si diell, që siç thoshte gjëegjëza "me një lugë tlyn krejt
botën e përlyn", herë si gogëluq veze, që o do ngrente kryet e do dilte si
zogth, o si topth akulloreje pas shpështjelljes së pëlhurës së bardhë. Për ca
kohë u përhumb duke e vështruar, e u
kthye me vështrim nga një lojë fëmijërore. Andej kah "loja me
kilikerë", siç quhej. Nuk shquhej për lojtar të mirë. Por kjo lojë i
pëlqente. Luante ndonjëherë por edhe shikonte shokët kur luanin, diku në tokë,
diku nëpër oborre. Sa ishte lojë e thjeshtë po aq ishte dhe e këndshme. Mund të
luhej së paku me dy lojtarë, ose më shumë. Së pari hapej një vrimë në tokë.
Kush arrinte i pari ta fuste kilikerin në vrimë fitonte të drejtën të gjuante i
pari në drejtim të kiilikerit të kundërshtarit.
Dhe ai i cili e qëllonte kilikerin me kiliker e fitonte atë. Ndonjëherë
nga forca e goditjes ndonjëri prej topthave thërrmohej, i hiqej ndonjë copë,
ose edhe thyhej përgjysmë. Më të pasionuarit e kësaj loje bëheshin edhe
koleksionues të tyre, rrëfenin ngjarje e ndodhi garash, duelesh, humbjesh,
fitoresh, mosmarrëveshjesh, e diç tjetër. U kthye aty ku ishte. Derisa shihte
fëmijët e tij që kishin mosmarrëveshje për mjetet teknologjike, për telefon a
kompjuter, mendoi se si do të mund t'i nxiste për t'u marrë me diç më atraktive
që sadokudo do t'i largonte për një kohë nga lojërat e ekranet internetike. Dhe
u hodh te koha e fëmijërisë së tij, te lojërat që e bënin ditën më të bukur, e
më interesante. Vërtiste kilikerin në duar, pastaj e kapi me gishtin e madh e
gishtin tregues, jo për të marrë në shenjë si dikur por duke formuar shenjën që
ia kujtoi një skeç reklamues të një produkti ngyrëverdhë kripërash e erëzash,
(ku figurë qendrore ishte portreti i një njeriu me rroba e kapelë kuzhinieri),
përdorej mjaft në atë kohë, por që përdoret edhe sot. Ndërsa loja e
lartpërmundur iu duk se më nuk luhet askund. Iu duk shenjë e mirë që ky kiliker
i doli në udhën e kësaj dite, duke e nxitur të luante pak me fjalë.
Largim dhe kthim
U zgjua. Ishte mëngjes. Menjëherë i erdhën ca vargje nëpër
mend. Disi e dinte se përse. I vërtiti ato. Kishin të bënin me largimin nga
vendi, por vetëm për ca ditë. Pas pak ra alarmi që e kishte kurdisur në
telefon. U ngrit nga shtrati. I duhej të bëhej gati. Do të nisej. Para dhjetë
ditësh, si pa pritur e pa kujtuar, ishte drejtuar te një agjenci turistike dhe
kishte marrë në duar një biletë aeroplani. Një biletë kthyese. Ishte hera e
parë që udhëtonte me këtë mjet transporti. Kishte marrë dhe një dokument
sigurimi. Dhe kjo ishte e tëra që i duhej, pas liberalizimit të vizave, edhe
për qytetarët e vendit të tij. Dhe i duhej të priste. Dhe ja, që dita erdhi. Më
pas do t'i duhej të ishte dy orë para nisjes në aeroportin "Adem
Jashari", drejt të cilit do ta
shpenin me veturë familjarët e tij. Erdhën në aeroport në këtë stacion
bashkimesh e ndarjesh. Kreu formalitetet, u ngjit shkallëve për të vazhduar me
kryerjen e tyre dhe pastaj u drejtua kah porta që do të dilte me gjithë
udhëtarët e tjerë që udhëtonin me atë aeroplan, shumë prej tyre si edhe ai vetë
"fluturonin" për herë të parë. U ul në karrigen me numër 17 nga ana e
djathtë, jo nga dritarja e aeroplanit, por i fundit nga ajo, pasi para dy në dy
vende ishin ulur një çift bashkëshortësh diku rreth të tridhjetave që po
ktheheshin në mërgim pas qëndrimit dyjavësh në atdhe. Bisedoi me ta gjatë
gjithë rrugës, e kur e pyetën se si po i dukej udhëtimi i parë me aeroplan, u
tha se i zakonshëm, po i dukej se po udhëtonte me një autobus me krah, veçse ky
autobus ishte më i gjatë e më i madh se autobusi që ecte vetëm tokës. Çifti i
pagoi një kafe që do ta pinte me nge. Pikërisht pas dy orësh, në orën një
aeroplani do të prekte tokën e aeroportit të këtij shteti. Pastaj edhe këtu,
pasi do të zbriste, do hipte në autobusin e dytë që erdhi për të marrë pjesën
tjetër të udhëtarëve dhe do hynin në aeroport për të kryer formalitetet. Pasi
mori pasaportën, e ndalën tre policë për ta kontrolluar, e pyetën se mos kishte
ardhur për punë, pasi i kontrolluan çantën e madhe dhe një çantë të vogël që e
mbante në krah. Pasi u tregoi se po vizitonte vëllaun, e liruan dhe u
përshëndetën. Sa doli në pjesën e pritjes, e dëgjoi zërin e vëllaut, pastaj e
pa, u takuan e u përqafuan, ia mësyejnë kah një stacion treni për të mbërritur
te një parking i madh në të cilin qëndronte vetura. Hipën në të. La çantat, u
përshëndet me familjen e vëllaut. Pasi pushoi e u çlodh mirë e mirë, dolën
paksa për një shëti nëpër qytezën e qetë e të bukur, ku banonte vëllau i tij
tash sa e sa vjet, i ranë kah qendra e qytezës pastaj pranë shtratit kah ky
lumë i bukur e i pastër, e duke u kthyer kah një rrugë ku ishin ca hapësira e
një pishinë e zbuluar, dolën te një hapësirë mjaft e gjerë dhe e gjelbëruar ku
panë një perëndim të mrekullueshëm të diellit të kësaj dite. Dhe ditë pas dite
kalon bukur e këndshëm, secili anëtarët e familjes së vëllaut nga një ditë i
bënin ndonjë befasi. Rrugë, udhëtime, ndeja, shëtitje, dy javë fantastike që
fluturuan shpejt, derisa vije dita për fluturimin drejt atdheut. Dhe merr
rrugën kah aeroplani që lë tokën e
fillon të ngjitet në këtë muzg të dieleje,
pas pak nga dritarja e tij sheh krahun që e ka mbuluar nata dhe poshtë
duken dritat e vendbanimeve.
Kujtimet
Ia nisi të shkruante diç, pasi që sa kishte përfunduar një
shkrim. Dhe shkruajti vetëm ca tituj që i erdhën në mendje. I la në fletën e
bardhë të ekranit të telefonit. Dhe sa u zgjua e përgatiti kafetë, të cilat
tash lëshojnë avuj aromatik nga filxhanët të veshur me shenja që simbolizojnë
dashurinë, hodhi rreshtat fillestarë për titullin e parë. Sikur t'i binte jetës
së tij kryq e tërthor, rimendoi se ajo përbëhet prej kujtimeve. Derisa ne
kujtohemi për to, lumi i pandalshëm i jetës sjell të tjera. Iu kujtua një
shfletim i një albumi fotografik, të ndonjërit prej të afërmëve të tij, atëbotë
në fëmijëri, si turbull po në fotot që pati parë e tash mundohej t'i shihte pa
i parë e përfytyrueshëm, iu kujtuan ca buzëqeshje, diku dikush vetë, në shoqëri
me dikë, me shokë e shoqe klase, me të afërm e familjarë në shtëpi, në oborr,
në natyrë, në qytet, në fshat, diku brenda e diku jashtë, në ndonjë ndejë,
festë, ceremoni. Pastaj e natyrshme që kujtimi sjell një tjetër kujtim.
Para jo shumë kohësh derisa rrinte te
vëllau në banesë të tij, në atdhe e shihnin ca fotografi, pa një në të cilën
kishte dalë me nënën. Nëna më pranë derës së shtëpisë, merrej me punë shtëpie,
a përgatitjen e një ceremonie, që iu duk se bëhej fjalë për fejesën e vëllaut
të madh, e vetë ishte në mes të një mozaiku të shtruar ku vazhdonte oborri me
bar e me pemë. Qau pa lot, më nuk ishte as nëna, as shtëpia, as oborri. E jo
vetëm fotografitë sjellin kujtime. Ato i sjellin edhe gjëra të tjera, si mjete
e vegla shtëpiake, biseda, kohë me diell, shi, erëra, vargje, rreshta, refrenë,
e të tjera, e të tjera. Ndonjëherë një kujtim troket e pret t'i hapësh derën, e
ndonjëherë një tufë kujtimesh të vijnë përnjëherësh, duke ta mbushur zemrën
plot gëzim, dhembje, gjallëri. Këtë herë kaq për kujtimet.
Një qen ndjek një lejlek
Kishte dalë për një shëti bregut të këtij lumi të qetë, të
pastër, mjaft të gjerë. Matanë anës tjetër të bregut të tij, pa një shteg
tjetër ecjeje. Tri-katër herë i lehu një qen që shijonte këtë ditë të bukur,
bashkë me shoqëruesen e tij. Pas një copë kohe ndërroi vend. Si më parë, ecte
përkrah lumit, tash rrjedhës së tij. Anëve të tij shpendë të mëdhenj që
fluturonin mbi drunjtë foleqëndisur, matanë një qukapik i zi godiste fuqishëm
një dru e pamëshirë i zhveshte lëvorën, e një dhelpër që humbi sa hap e mbyll
sytë, nën melodinë e cicërimave të trishtilëve e kushedi se çfarë bilbilash.
Pastaj u ul në ulësen në mes lumit e rrugës së lugut të gjelbëruar, në të
cilin, një qen ndiqte një lejlek, që niste fluturimin me krahët e tij të
mëdhenj, si krahë aeroplani, sapo që qeni i afrohej. Më pas iu afrua
shoqëruesit të tij, si për të marrë ndonjë këshillë, kur tashmë lejleku nuk i
dha mundësi përndjekjeje, duke shkuar kushedi se ku, derisa dita vazhdonte të
lëvizte bashkë me një larushi lëvizjesh.