Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Numërat e dashurisë të Musa Ramadanit
E hene, 19.02.2024, 08:55 PM
NUMËRAT E DASHURISË TË MUSA RAMADANIT
Nga
Timo Mërkuri
Kemi
folur për poezinë e poetit Musa Ramadani
dhe qasjen e saj me rrymën abstrakte në
poezinë moderne, por njohja me poezinë e tij “Dashuria nëpër numra vizuelë”
ishte pëër mua një befasi më vete, pasi kjo poezi eksploron ndjenjat e
dashurisë përmes një strukture numerologjike, ose e thënë ndryshe shpreh
udhëtimin e dashurisë nëpërmjet numrave, duke përdorur ata si simbole dhe
metafora për të shfaqur ndryshimin dhe zhvillimin e marrëdhënies së dashurisë.
Kuptimshmëria e numërave në këtë poezi të Ramadanit realizohet nëpërmjet një
lloji të simbolizmit numerik dhe ndjekjes së një rregulli ose parimi të
përdorimit të tyre nëpër kontekstin e dashurisë. Kështu ndërsa poeti fillon me
numërin zero dhe vazhdon me numra që rriten progresivisht (1, 2, 3, 4, 5...). është
pikërisht kjo rritje graduale që simbolizon një evoluim ose rritje në ndjenjat
dhe përvojat e dashurisë, ku çdo numër ka një kuptim të veçantë në kontekstin e
poezisë. Psh., zero përfaqëson fillimin e gjërave, një boshllëk potencial ku
lind, fillon dashuria, ndërsa numri pesë (5) simbolizon një fazë të rëndësishme
të transformimit dhe zhvillimit të dashurisë. Po kështu numrat që përsëriten në
poezi ose janë të lidhur me njëri-tjetrin në një mënyrë simbolike, psh
rrotullimi midis numrave gjashtë dhe nëntë (6 dhe 9) mund të simbolizojë një
lloj ciklit të pafundëm të dashurisë, një lëvizje që nuk ka fillim e as fund.
Çdo numër përshfaq një fazë të ndryshme ose një aspekt të dashurisë, duke e
bërë kështu poezinë të pasur me metafora dhe simbole që rrisin ndjeshmërinë dhe
kuptimshmërinë e saj. Të kuptohemi, në studimin e poezisë dhe simbolikës së
numrave, nuk ka një rregull apo teori që zbatohet në mënyrë absolute për të
interpretuar kuptimin e tyre. Megjithatë, ka disa shpjegime dhe koncepte të
cilat janë përdorur për të kuptuar rëndësinë e numrave në kontekstin e poezisë
dhe letërsisë në përgjithësi:
Kështu,
duke patur edhe ndihmën e numërologjisë, e cila është një praktikë e vjetër që
përdor numrat për të zbuluar kuptimin e përvojave dhe nddjenjave njerëzore, ku
çdo numër ka një kuptim të veçantë dhe mund të interpretohet në kontekstin e
një personi apo një ngjarjeje të caktuar, në letërsi, numrat përdoren si
simbole për të shprehur ide, ngjarje, ose për të theksuar karakteristikat e
personazheve apo situatave, psh, numri tre mund të paraqesë një unitet, ndërsa
numri shtatë mund të përfaqësojë perfeksionin ose transcendencën. Sigurisht që
kuptimi i numërave mund të ndryshojë në varësi të kontekstit kulturor dhe
histori, psh., në kulturën perëndimore, numri 13 mund të konsiderohet si një
numër i terc, sjell fatkeqësi ndërsa në kulturat e tjera, ai mund të ketë një
kuptim të ndryshëm. Pavarësisht këtyre, interpretimi i numrave në poezi mund të
jetë i ndryshëm nga lexuesit në varësi të perceptimeve të tyre personale,
përvojave dhe kulturës nga vijnë, pavarësisht se ka disa rregulla dhe koncepte
themelore për interpretimin e numrave në poezi dhe letërsi.
Përfundimisht “numerologjia” që shfaqet në poezinë
"Dashuria nëpër numra vizuelë" nga poeti Musa Ramadani nuk është e
pakuptimtme, veçse ka të bëjë me përdorimin e numrave si simbole dhe metafora
për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë në një mënyrë të fuqishme dhe
simbolike.
I-Në
strukturën e kësaj poezie, numrat shërbejnë si simbole që përfaqësojnë fazat e
ndryshimit dhe evoluimit të dashurisë dhe të zgjerimit të hapësirës së
ndjenjave e ndërgjegjësimin në tekst, ku përkthimi e interpretimi i tyre si
simbole dashurie krijojmë kuptimshmërinë e re, që në këtë poezi, në kontekstin
e dashurisë i përafrohet interpretimit se:
Numëri
“Zero”si fillim përfaqëson nisjen, fillesën e gjërave, një hapësirë boshe, ku
lind, krijohet, formohet dashuria, është fillimi i udhëtimit të dashurisë.
Njëshi
(1) në këtë kontekst, përfaqëson fillimin e individit, ndarjen nga bota e të
pavarurit, por edhe ndjenjat e para të dashurisë. Vargu "Dashuria lëvarej
në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle" është një imazh poetik dhe metaforik
që paraqet një gjendje emocionale apo një eksperiencë njerëzore në mënyrë shumë
e bukur dhe simbolike. Fjala "Njësh" mund të përfaqësojë një ndjenjë
të unitetit dhe të qenit të tërësishëm,
ndërsa "ngrihesha mbi kërryle" mund të simbolizojë ngritjen,
progresin dhe zhvillimin e një personi në marrëdhënien e dashurisë, duke
sjellur imazhin e një personi që rritet dhe zhvillohet nëpërmjet dashurisë.
“Dyshi”
përfaqson një lidhje përtnerësh, kur dashuria fillon të pjestohet në dy veta
dhe të formohet në mënyrë më komplekse. Nqse “treshi” paraqet rritjen e
marrëdhënies, dy gjysmëharqet e tij sugjerojnë konfliktet dhe sfidat që
përjetojnë partnerët në një marrëdhënie.
Në
numrin “katër” lindin tre "L" vizualisht si shkronja "L",
të cilat përfaqësojnë lidhjen, lëvizjen, dhe lirinë, ndërsa vargu
"Dashuria ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti" është një imazh
metaforik që shfaq transformimin e
ndjenjave të dashurisë në një gjendje tjetër, të ndryshme, pasi numri pesë
simbolizon një moment tranzicioni, një ndryshim ose fazë të re në marrëdhënien
e dashurisë, pasi është një numër që sjell lëvizje dhe ndryshim.
Ndërmjet
gjashtës (6) dhe nëntës (9), dashuria rrotullohet, pra paraqitet si një lëvizje
rrethore (të 6 të kthyer në 9) që tregon kompleksitetin dhe ndryshimin konstant të ndjenjave. Në poezinë
"Dashuria nëpër numra vizuelë", rrotullimi i numrave është simbol i
ndryshimit dhe paqëndrueshmërisë në marrëdhënie. Numrat 6 dhe 9 rrotullohen dhe
vërtiten, duke paraqitur një ndjenjë të pafundme të lëvizjes dhe ndryshimit të
ndjenjave. Në simbolikën numerike, numri nëntë është i lidhur me përfundimin,
plotësimin dhe përsosmërinë, në kontekstin e poezisë, numri nëntë mund të
paraqesë një fazë përfundimtare të marrëdhënies, një moment kur gjithçka bëhet
e qartë dhe plotësohet.
Shtata
(7): sjell një vijë e cila mund të interpretohet si një lidhje e përhershme
midis dy të dashuruarve, një lidhje që do të mbetet në kujtesën e tyre.
Teta
(8): me dy rrathët e mbyllur mund të paraqesë një unitet të plotë, një lidhje
të përhershme që nuk ka fillim e as fund.
Dhe
dhjeta (10) është përfundimi i një cikli, një fillim i ri që tregon përfundimin
e një periudhe të dashurisë, por edhe fillimin e një tjetre.
Duke
patur parasysh se numerat në matematikë fillojnë me zero dhe vazhdojnë në
pafundësi, përfshirë dhe numrat negative që vijnë nga pafundëesia dhe shkojnë
në pafundësi, kur flasim për numrin
dhjetë, nuk duhet të themi se ai na çon në zero në kuptimin e drejtpërdrejtë të
numrit në matematikë. Në kontekstin e poezisë dhe përdorimit metaforik të
numrave, numri dhjetë mund të simbolizojë një kthesë, një fillim të ri,(pse
përbëhet nga 1 dhe 0, interpretimin e të cilëve e pamë më sipër) pra nuk i referohen drejtpërdrejtë zero-s
matema-tikore. Në poezi, numri dhjetë mund të përfaqësojë një pikë kritike, një
moment transformimi, ose një fazë të rëndësishme në zhvillimin e një marrëdhënieje
apo një historie.
Pra,
edhe pse në matematikë numri dhjetë nuk na çon drejtpërdrejtë në zero, në
poezi, ai ka një kuptim simbolik dhe metaforik që përfaqëson një ndryshim, një
fillim të ri, një fazë të re në kontekstin e historisë së poezisë. Ky është një
aspekt i rëndësishëm për të kuptuar më saktësisht përdorimin e numrave në
kontekstin letrar dhe metaforik të
poezisë. Në këtë kontekst, numrat nëntë dhe dhjetë janë simbole që shprehin përfundimin e një faze të marrëdhënies dhe
fillimin e një cikli të ri. Ata kontribuojnë në rrugën e përkryer dhe të
plotësimit të marrëdhënies së dashurisë, duke shtuar hapësirë dhe përmbajtje në
poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë".
Vlen
të theksojmë jashtë numërave se:
"Kënga e mjellmës" te vargu:“Atëherë zu të këndonte Këngën e mjellmës
Dashuria” është një metaforë për harmoninë dhe kënaqësinë që sjell dashuria.
Është shfaqur si një imazh i bukur dhe i gëzueshëm që shfaq ndjenjat e
plotësisë dhe lumturisë që vijnë me një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të
harmonishme dhe simbolizon një lloj përqafimi apo pranimi të sinqertë të
dashurisë në të gjitha format e saj. Është si një thirrje që shpreh thelbin e
ndjenjave të sinqerta e të përjetshme të dashurisë.
Referimi
te pleqëria te vargu:” Dashuria ime gulçonte pleqërisht” simbolizon një maturi
të dhimbshme ose një perspektivë të ndryshuar mbi dashurinë, ndoshta një
kujtesë e herëshme që mbetet e gjallë në kujtesën e autorit.
Interesant
është vargu: "Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe" e
cila është një shprehje simbolike që paraqet një moment final në udhëtimin e
dashurisë. Shprehja në vetvete ka një karakter metaforik, ndërsa përmasat e
numrave (1) dhe (0) e vogël dhe e madhe përdoren për të paraqitur disa koncepte
thelbësore të dashurisë dhe përvojës së saj, ku:
Shprehja:"1
të vogël" paraqet numrin (1) si diçka e vogël, e pakët dhe mund të
interpretohet si një fillim modest, një fillim i vogël në raport me gjithësinë
e dhjetës, por gjithashtu mund të përfaqësojë një fillim të vogël, një hap të
vogël drejt misterit dhe thellësive të dashurisë.
Shprehja:"0
të madhe"paraqet numrin (0) si diçka e madhe dhe e plotë, ku numri zero
është simbol i boshllëkut dhe potencialit të pafundëm. Në këtë kontekst, zero
përfaqëson një përmasë të madhe, një potencial të plotë për të filluar një
udhëtim të ri, një fillim me madhështi dhe fuqi, që ka mundësinë për të krijuar
gjithçka.
Për
shkak të këtyre konotacioneve dhe simbolikave të fjalëve "i vogël"
dhe "i madh", përdorimi i tyre paraqet një moment të fillimit të
dashurisë, një moment modest por plotësisht të mbushur me potencial dhe mundësi
të mëdha për zhvillim dhe rritje. Bashkimi i tyre në kontekstin e
"Dhjetësh-it" nënvizon një fillim të përsosur dhe të gjallë për një
udhëtim të madh dhe të pasur emocional.
Kthimi
në Zero dhe Një te vargu :” mes Zeros e Njëshit” mund të interpretohet si një
cikël i fillimit e mbarimit, duke theksuar që dashuria fillon dhe mbaron
gjithmonë, por në çdo fillim ka një potencial të ri.
Si
përfundim mund të themi se poezia e Musa Ramadani përmes përdorimit të
simboleve numerike, paraqet rrugëtimin e dashurisë si një udhëtim që nis nga
një pikë boshe (moment i rastësishëm) dhe evoluon nëpër ndryshime, sfida dhe
përjetime të ndryshme, duke përfunduar në një cikël të pafundëm që rifillon me
çdo moment të ri dhe përjeton një lloj
përjetshmërie në kujtesën dhe përvojën e personit. Duhet të theksojmë se
interpretimi i numërave dhe
kuptimshmërisë
së vargjevë nuk është statike por
ndryshon sipas lexuesit, kulturës dhe këndvështrimit të tij.
II-
Numrat që përdor Musa Ramadani në poezinë "Dashuria nëpër numra
vizuelë" janë simbole, pasi përfaqësojnë një ide, koncept, apo realitet të
caktuar. Në kulturën tonë, numrat kanë
kuptime të veçanta dhe simbolizojnë ndryshme
psh., numri një mund të përfaqësojë fillimin, ndërsa numri shtatë mund
të përfaqësojë fatin e mirë. Këto simbole dhe kuptime përforcojnë mesazhin e
poezisë, ku numrat në tërësi përfaqësojnë një gamë të gjerë idesh dhe përvojash
në lidhje me dashurinë dhe jetën. Duhet të kuptojmë se në këtë poezi numrat përfaqësojnë koncepte
të përgjithshme, jo të veçanta dhe përdoren për të paraqitur procesin e
zhvillimit dhe transformimit të dashurisë.
Ndërkohë
që në këtë poezi numrat janë simbole, ata përdoren metaforikisht ku shërbejnë
për të shprehur përvojat dhe ndjenjat që ndodhin e trasformohen nëpër kohë dhe në udhëtimin e dashurisë në
mënyra, që fjalët konvencionale nuk mund të bëjnë. Në poezi, numrat
përfaqësojnë ndryshime dhe zhvillime në marrëdhënien e dashurisë, psh., nisja
nga zero shpreh fillimin e një marrëdhë-nieje të pastër dhe të paformësuar dhe
me kalimin e kohës, numrat rriten e transformohen, tregojnë maturimin dhe
ndryshimet në raportin e dashurisë. Le ti paraqesim me pasazhe vargjesh idetë
që shprehëm më sipër:
Te
vargu:"Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle", simboli
është numri "Njësh" që përfaqëson fillimin dhe përpjekjet e para në
një marrëdhënie dashurie, ndërkohë
metafora: "Lëvarja" e dashurisë është një imazh i lirë dhe i lehtë, që sugjeron
fillimin e një rrugëtimi emocional dhe romantik.
Te
vargu:"Dashuria u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh", numri
"Tresh" simbolizon unitetin e harmoninë, "dy gjysmëharqet" mund të
përfaqësojnë dy individe që përpiqen të pajtojnë ndjenjat e tyre, ndërkohë që
metafora: Kthimi i dashurisë në "Tresh" paraqet një fazë ku ndjenjat
bëhen më të qëndrueshme dhe të plotësuara në një lidhje, mirëpo “dashuria që
kthehet në Tresh" paraqet një imazh ashtu si dhe"dy
gjysmëharqet".
"Ndërmjet
6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria" shkruan poeti me simbolet e
numërave të kundërt ( gjashtë dhe nëntë), por këtë e shpreh metaforikisht:
“rrotullohej e vërtitej Dashuria”.
III-Poezia
"Dashuria nëpër numra vizuelë" e poetit Musa Ramadani përkthehet si
një përfaqësim i rrymës moderne në poezi, pasi
shfaq karakteristikat e modernitetit poetik për arsyen se:
Poezia
eksperimenton me formën dhe strukturën, duke përdorur numra si një mjet për të
organizuar dhe paraqitur përvojat dhe ndjenjat e dashurisë në një mënyrë
innovative, psh."Dashuria hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe"ku
eksperimenti me strukturën, është një tipar i rëndësishëm i poezisë moderne.
Numrat
në poezi përdoren metaforikisht për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e dashurisë
përveçse si simbole, dhe përdorimi i simbolizmit e metaforës është një nga
karakteristikat kryesore të poezisë moderne, pse e bën më komplekse dhe më thelbësore në
interpretim.
Poezia
shfaqet si lëvizje larg formave tradicionale të poezisë pse përqëndrohet në
eksperimentimin me formën, strukturën dhe përmbajtjen.
Poezia
shfaq një nivel të lartë të ekspresionizmit, duke përdorur imazhe dhe simbole
të forta për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e thella njerëzore:
"Dashuria lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle".
Përdor
abstraksionin dhe simbolizmin për të shprehur mendime, ndjenja dhe emocione, që
janë përtej realitetit fizik, duke krijuar një atmosferë poetike dhe metafizike
psh."Dashuria në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po".
Përdorimi
i imazheve të pasura dhe të ngjashme me vizionet është një element i theksuar i
modernitetit poetik në këtë poezi. Poeti spërdor imazhe të arira për të krijuar
një kuptim përvojë intensive poetike psh: "Dashuria ime në Pessh u lakua e
u përthye si ashti"
Janë
këto elemente që e rendisin poezinë"Dashuria nëpër numra vizuelë" në
kontekstin e rrymës moderne në poezi. Ajo ndjek një qasje të lirë dhe inovative
ndaj formës dhe përmbajtjes, duke e bërë atë një përfaqësuese të larmishme të
poezisë së shekullit të 20-të dhe të poezisë bashkëkohore në përgjithësi.
IV-
Duhet të specifikojmë se përdorimi i kuptimit të numërave në poezinë
"Dashuria nëpër numra vizelë"
të Musa Ramadanit ka një qasje më shumë me rrymën e poezisë moderne që
përdor abstraktin për të shprehur ndjenja dhe ide. Në këtë rast, numërat
përdoren si simbole dhe metafora për të shfaqur marrëdhënien e dashurisë dhe
ndryshimet që përjeton ajo. Kjo nuk është një qasje e zakonshme në poezi, por
është një stil i veçantë që shpesh përdoret për të shprehur emocione dhe
përvoja në një mënyrë që shmang shprehjen e drejtëpërdrejtë dhe kuptimshmërinë e thjeshtë.
Përdorimi
i numerave në poezi mund të quhet si një formë e poezisë simbolike, ku numrat
përfaqësojnë ide dhe ndjenja në mënyrë të koduar, ndërsa shprehja e tyre
metaforikisht e shpie poezinë në shtegun metaforik. Kjo qasje e poezisë shtron
lexuesin për të gjetur kuptime të thella nëpërmjet simboleve dhe metaforave,
duke e bërë atë më shumë se thjesht një rrëfim linear, prandaj stili i
përdorimit të numërave në këtë poezi të Ramadanit mund të shihet si një formë e
poezisë moderne e rrymës abstrakte, që shpreh ndjenjat dhe idetë në një mënyrë
që lë shumë hapësirë për interpretim. Përdorimi i numerave ka një qasje
abstrakte, duke i përdorur ata si simbole që përfaqësojnë ndjenjat, përvojat
dhe rrugën e ndryshueshme të marrëdhënies së dashurisë. Në këtë mënyrë, poezia
shfaq një lloj lirizmi dhe transparence, duke lejuar lexuesin të përcjellë një
përvojë të re shpirtërore.
Prandaj,
ky stil poezie mund të konsiderohet si një mënyrë e re dhe inovative për të
shprehur ndjenjat dhe përvojat njerëzore në mënyrë të ndjeshme, ai sjell një dimension shtesë
dhe kompleksitet në poezinë moderne.
Realisht
përdorimi i numerave në poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë"
shërben edhe si mënyrë për të krijuar ndjenjën e misterit poetik, duke e bërë
atë më intriguese dhe tërheqëse për lexuesin. Misteri qëndron në faktin se
numrat përdoren si shenja të koduara që kërkojnë të dekodohen dhe të
interpretohen, duke e lënë hapësirë për shumëllojshmëri kuptimesh dhe
interpretimesh. Kështu, përdorimi i numerave shtron një sfidë për lexuesin për
të kuptuar dhe për të lidhur pjesët e ndryshme të poezisë në një pikturë të
plotë. Kjo mund të interpretohet si një thirrje për të eksploruar ghjeografinë
e marrëdhënies së dashurisë dhe për të zbuluar kuptime të reja që mund të
qëndrojnë pas pamjes së jashtëme të poezisë dhe jo për të zbërthyer
misticizimin poetik, të cilin realisht Ramadani nuk e ka si qëllim.
V-Ndoshta
dhe për këtë arsye poezinë "Dashuria nëpër numra vizuelë" të Musa
Ramadani duhet ta shohim në dimensionet që interpretohen nga një perspektivë
filozofike, pasi shfaq elemente që mund të lidhen me temat dhe aspektet
filozofike, duke reflektuar përvojën dhe kuptimin e dashurisë në një mënyrë ndryshe.
Në
këtë poezi, numrat dhe ndryshimet që paraqiten përfaqësojnë një rrugë të
pashmangshme të ndryshimit dhe zhvillimit e cila mund të interpretohet në
dritën e filozofisë eksistenciale, ku jeta dhe marrëdhëniet shpesh shihen si
një udhëtim i pashmangshëm dhe i paqëndrueshëm.
Në
përdorimin e numrave poezia ka një aspekt të njësimit, pajtimit ku përmes rrugës së ndryshimit e
rrotullimit të numrave, mund të shihet një përfaqësim i procesit të njësimit e
pajtimit me veten dhe me të tjerët (jo vetëm partnerin), një temë që shpesh
luhet në fushën e filozofisë.
Numrat
dhe struktura e tyre në poezi mund të interpretohen në dritën e kohës dhe
eksperiencës njerëzore. Ajo paraqet një rrugë të kohës, me fillimin dhe
përfundimin e një marrëdhënieje, duke reflektuar mbi përvojat dhe ndryshimet që
na formojnë në kohë.
Në
filozofi, numrat (shpesh) janë parë si simbole të strukturës së realitetit dhe
të kuptimit të tij, ndaj përdorimi i tyre në poezi mund të interpretohet si një
përfaqësim i kësaj ideje, duke sugjeruar se ka një rregull dhe një harmoni në
strukturën e dashurisë dhe marrëdhënies njerëzore.
Këto
aspekte filozofike e bëjnë poezinë më shumë se thjeshtë një rrëfim poetik; ajo e çon lexuesin në një
udhëtim reflektimi dhe përmbysjeje të kuptimit të marrëdhënies njerëzore dhe të
gjerësisë së ndjenjave që ajo sjell
VI-Kam
folur për modernitetin e poezisë së poetëve kosovarë dhe për figuracionin e
tyre “të mbyllur” në zbërthyeshmërinë e tij nga censura për tu shpëtuar
“rrufeve zeusiane”, por në rastin e kësaj poezie të Ramadanit “arsyeja” nuk
duhet kërkuar te shmangia nga censura. Arsyeja e vërtetë e këtij stili poetik,
ku në modernitetin e së cilës gërshetohen simbolizmi, metaforizmi, imazhizmi
dhe abstraktia duhet kërkuar te synimi i autorit për ti ngritur krijimet e tij
në një kuotë sa më të lartë, për tu dhënë vargjeve kuptimshmëri dhe interpretim
sa më të gjerë dhe bashkëkohor europian. Poezia është shkruar në vitin 1993 dhe
do ishte e natyrëshme që të shkruante për një temë revolte (psh) në këtë stil
për tju shmangur censurës, por vetë tema dhe mënyra e trajtimit të saj shpalos
qëllimin që i ka vënë vetes autori për të krijuar një poezi të rrafshit
europian, duke dhënë sinjalin se në këtë vend (Kosovë) në këtë kohë, poezia
është e kuotave europiane. E parë në këtë aspekt kuptohet, ndjehet dhe ngjall
krenari kjo poezi. Poetët janë të parët që arrijnë në botë të re.
Sarandë, shkurt 2024
Musa Ramadani
DASHURIA NËPËR NUMRA
VIZUELË
Fillimisht
isha një Zero ku banonte Dashuria
Dashuria
lëvarej në Njësh tek ngrihesha mbi kërryle
Pastaj
u bëra Dysh e në mua u pjesëtua Dashuria
Dashuria
u kthye në Tresh mes dy gjysmëharqesh
Kur
arrita në Katërsh lindën tri “L” nga Dashuria
Dashuria
ime në Pessh u lakua e u përthye si ashti
Ndërmjet
6 dhe 9 rrotullohej e vërtitej Dashuria
Dashuria
në Shtatsh fitoi një vijë mu në trup po
Në
numrin Tetsh u mbyllën dy rrathët e Dashurisë
Dashuria
hyri në Dhjetsh me 1 të vogël 0 të madhe
Atëherë
zu të këndonte Këngën e mjellmës Dashuria
Dashuria
ime gulçonte pleqërisht mes Zeros e Njëshit
/Mars 1993/