E premte, 15.11.2024, 04:04 AM (GMT)

Kulturë

Agron Tufa: Arratisja e maleve të Shqipërisë

E premte, 16.02.2024, 07:57 PM


ARRATISJA E MALEVE TË SHQIPËRISË

Nga Agron Tufa

Të kapur dorë për dore, gjithë vargmalet e Shqipërisë, Gramoz, Mal i Thatë, Korab e Sharr, Gjalicë, Pashtrik e Pikëllime, Shkëlzen e Jezercë, ua bëjnë me sy edhe Bjeshkëve të Namuna matanë kufirit, - kanë vënë përpara gjithë Alpet dhe ja se ku niset një karvan i madh malesh në heshtje... Nëpër natë... grrap-grrup, grrap-grrup, grrap e grrup... Pas tyre ca male më të vegjël, edhe ato të kapur dorë për dorë, të gjitha malet e Matit, Kurbinit, Krujës dhe Tiranës, ashtu si malet e Skraparit, Tepelenës e Gjirokastrës, që i venë pas kryemalit-elefant me emrin Tomorr, duke e ndjekur nëpër natë: grrap-grrup, grrap-grrup... derisa të gjithë vargmalet e Shqipërisë takohen buzë Adriatikut dhe Jonit.

Dhe aty, në rërë, pa i lagur ende këmbët në ujë, do t’i takojë njërit, se s’bën, të mbajë fjalimin. Se s’shkon, de, pa një fjalim gjithë ajo ndërmarrje e madhe, gjithë ai gjest ekstrem. Fjalimi, me siguri, do t’i takojë Korabit, meqë është më i larti i vëllazërisë prehistorike. Të tjerët që kanë ardhur nga jugu, me përjashtim të maleve të Vetëtimës (që s’ka qenë nevoja të bëjnë rrugë ngaqë buzë detit janë), do të mbajnë vesh ndanë pasqyrës ende të errët të dy deteve, Jon dhe Adriatik.

Prapa tyre, në boshin e errët që kanë lënë, në zgafellet e humnerta të asaj braktisjeje, si kone të nervozuara, do t’ia nisin të lehin e të ankohen kodrat qaramane. Të parat do të hidhen kodrat e Dumresë:

“Ku shkoni ju zdapa të rëndë pa leje? Nuk ju vjen turp të lini vendin që ju rriti dhe ju ushqeu? Ç’është kjo braktisje në grup? Kujt ia lini prapa këtë shkretim? Po ne, ku do të na lini? Kjo që po bëni ju, ta dini, e ka një emër: tradhti e lartë ndaj Atdheut! Po, po, do të mërmërisin në kor të gjitha kodrat e sukat e tjera anë e përanë Shqipërisë: kjo është tradhti e lartë ndaj Atdheut dhe dënohet me ligj, me pushkatim!”

Por, një mal i afërt që ua njeh tabiatet, i ndërpret: “Rrituni moj çupa... rrituni moj grifsha! E ku merrni vesh ju nga planet e mëdha! Na keni qëndruar tërë jetën si gunga në shpinë, ju, shtamba shurre! Vetëm qelb e këneta keni prodhuar, breshkat e dreqit!” Dhe kodrat e qepin gojën e grijnë ndër vedi.

Dhe kur bie qetësia, kur malet  mbajnë frymën, aty, ndanë ujërave të dy deteve, ja tek ushtoi fjala e fundit e kryemalit.

“Ja ku u zgjuem ma në fund, vllazën të dashtun”, - foli duke qëruar pak grykën Korabi. - “Kemi qëndrue të urtë, të palëkundun në këto vise, qysh se asht kurdisë kjo botë. Kemi durue, vllazën... kemi durue shumë... Po kjo që po bajnë komunistat s’ka mal që e mban mbi kurriz. Rrezik se një ditë, siç e kanë premtue, kanë me na u turrë me na rrafshue krejt, me na qitë fare, me na ba ‘pjellorë si dhe fushat’. Kanë me na marrun fytyrën dhe erzin. Por unë tham se kupa asht mbushë e po derdhet tashma. Jemi male krenare apo jo?”

“Po, vëlla, krenaria na mban në këmbë!”

“Vetëm borën e bardhë kemi mbajtë mbi shpinë”, - vijon prapë ai. - “Edhe njerëzit tanë i kemi mësue të lirë, me na ngja për pah e karakter, me kësulat e bardha. Nuk po lamë me na ba zap do morra të partishëm, me direktiva t’përçudshme prej lart e prej Larg. Prandej, o burra vllazën, po e lamë kët vend, po marrim ma mirë udhën e hidhun t’mërgimit. Nuk asht zgjidhje kjo që po bajm, o vllaznit e mi krenarë e të palëkundun. Por na nuk mujtim me rrnue gjallë pa ajrin e lirisë. Ky pushtet, mbushë me xhahila e këlyshë të anmikut shekullor kërkon me na poshtnue, me na e ulë kryet, me na kcye m’qafë e me na shfytyrue e shnjerëzue...”

(Dëgjohet se si diku bie plluq në det një pikë e pastër loti).

Dikush nga malet e Jugut duket se ka një replikë. E nxjerr kryet prej rreshtit dhe thotë me një zë të painatosur:

“A mund t’ju bëj nji pietje?”

“Urdhno, vlla!”

“Jam krejt dakord me çfarë thoni dhe ju lumtë ajo gojë... Por nuk po e kuptoj, more burazer, përse flet në dialekt?”

Një pjesë malesh qeshin ndër vete, e ndonjë sosh kukuriset së brendshmi.

“Nuk jemi mbledhur këtu për ndonjë Kongres Gjuhe, o byrazero!” - e shkund mali fqinj. - “Çfarë të mos kuptosh, t’i them unë pastaj, kur të llafosemi”.

“Prandej, o vllazën, - e vazhdon fjalën e vet Korabi, pas asaj ndërprerjeje, - vendosëm me ba shi njaté qi s’un e ka ba asnji mal tjetër ndër kaq miliarda vjet, qysh se u krijue Rrozullimi. Kemi shestue, o vllazën, qi na lidhën e na mbajtën bashkë me mija arterie ujnash e me mija nyja eshtnash e kockash, me e hjedhë hapin vendimtar: me kapërcye detin e me lypë azil politik n’Europë! Deri këtu e kisha fjalën teme, derisa ju ma latë nderin me folë, si mali ma i naltë. Ju kam folë trup e drejt, si mali-malit. E ma në fund, due me ju pyet: a ka ndonjeni kundërshtim? A ka ndonjeni farë ndjenje pendimi për hapin vendimtar që po hjedhim? Ai fare mirë, o vllazën, mundet me ndejtë”.

Heshtje.

Diku dëgjohet nga mesi i rreshtit një e qeshur ndër vete e mandej shpërthen jashtë një “Ha-ha-ha! Ha-ha-ha”, e përmes të qeshurash të mbytura, ai thotë:

“A e përfytyroni, vëllezër, sesi do të dukej ndonjëri nga ne po të qëndronte këtu, tek pullë i vetëm, mes fushash të braktisura? Si piramidë egjiptiane! Ha-ha-ha!”

“Ha-ha-ha, ha-ha-ha, ha-ha-ha!” - qeshën malet me radhë buzë ujërave të detit në terr.

“Çfarë shakaxhiu, - tha Korabi, - Zoti të naltësoftë e të madhoftë!” - kur e qeshura mbaroi dhe atij i duhej të thoshte fjalën e fundit.

Malet presin. Asnjë nuk është i fjetur. Asnjë nuk dremit.

“Atëherë, o vllaznit e mi prej gjaku e ashti, le t’biem në gjunjë me e puthë njikët truell amnor, tue iu lutë Hyjit Krijues me na kthye prapë ndër vendet e rranjët tona, aty ke i kemi pasë, me shpresën se herëdokur ky vend s’ka me u lanë në dorën e dreqit”.

Dhe vetë Korabi bie në gjunjë i pari: puth tokën amtare. Fill mbas tij bien më gjunjë njëheri, varg, gjithë malet e Shqipërisë.

Kur putrat e këtyre elefantëve mitologjikë nisin të kapërcejnë detin, prapa tyre dëgjohen thirrje me altoparlantë, të lehura qensh, të shtëna, prozhektorë, aviatorë. Ndal! Kush kalon? Do të qëlloj!

Kërcënohen malet me nene, me pushkatim, me burgim të përjetshëm si tradhtarë të atdheut. Por malet largohen e largohen pa mbarim, secili i madh dhe dy detet shqiptare nxijnë në agim, a thua se prej aty po largohet jo Arka e Noes, por flota e tij.

I fundit mal, ai që ka qeshur me idenë se do të dukej i vetëm aty, në atë rrafshirë të shkretë, si piramidë egjiptiane, hedh sytë nga bregu, ku janë ngrehur topa të artilerisë së rëndë, gati për t’i goditur. Para se ta kthejë përfundimisht shpinën, u thotë:

“Hani një mut tani!”

(Fragment nga romani tetralogjik “Ngjizja e papërlyeme”, “Onufri” 2021)



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora