E diele, 01.12.2024, 09:17 PM (GMT)

Kulturë

Mark Palnikaj: At Kamilo - Njoftime, Shqipëri, 1893

E diele, 11.02.2024, 07:55 PM


Mark Palnikaj:

Të nderuar Miq! Lexojeni analizën që i bën Shqipërisë At Kamilo me datë 25 dhjetor 1892 në një revistë në Milano të Italisë.

Vol. XXI, Nr 2, 13 janar 1893, faqe 18.

Shënime nga i Nderuari At KAMILO nga Levico.

Njoftime, Shqipëri.

- Na dërgohet kjo letër, nisur nga Shkodra e Shqipërisë, me datën 25 dhjetor të vitit 1892:

Jemi rreth treqind mijë të krishterë në Shqipëri; janë tetë Dioqeza me shumë famulli, që lulëzojnë dhe është e bukur të shohësh ata malësorë të pagdhendur, agresivë e të egjër, që shoqërojnë famullitarin e tyre në sipërmarrjet më të vështira, meqë për ta ai është një engjëll mbrojtës, është mjeku, avokati, gjykatësi dhe do ta jepnin jetën për ta.

Shkodra është qyteti kryesor i kësaj province të gjerë të Turqisë Evropiane, po themi kryeqyteti i saj. Aty qëndron argjipeshkvi Primat i Shqipërisë dhe i Serbisë. Aty gjendet një seminar papnor, ku edukohen më shumë se gjashtëdhjetë të rinj, të destinuar që të shpërndajnë besimin nëpër të gjithë Shqipërinë dhe drejtohet nga etërit e nderuar Jezuitë, që drejtojnë dhe administrojnë edhe një shkollë teknike dhe tregtare, të frekuentuar nga më shumë se njëqind nxënës të familjeve më të mëdha, familjet më me rëndësi e kryesore. Kemi edhe kuvendin dhe hospicin e të Nderuarve Etër Françeskanë të Reformuar, me noviciatin, shkolla dhe misione. Ka motra, murgesha stigmatine, me shkolla për vajza të reja. Gjenden edhe katër famulli shekullare, me një numër konfraternitesh dhe kongregatash. Gjendet edhe Misioni i Të nderuarve Etër Françeskanë të Rregullës së Observantëve dhe një hospic i vogël i Motrave të Dashurisë, bashkë me spitalin që gjendet ngjitur. Kemi një katedrale të madhe. Zoti i ka bekuar përpjekjet tona.

Aty gjendet argjipeshkvia e Tivarit, me autoritet mbi të gjithë Malin e Zi dhe mbi disa pjesë të Shqipërisë, që e ka siguruar tani kohët e fundit në mënyrë të rregullt, ligjërisht.

Gjendet argjipeshkvia e Durrësit dhe Ipeshkëvia e Lezhës, dhe Kallmeti, ku gjendet edhe një kuvend i vjetër françeskan i etërve Observantë, i themeluar që në kohët të hershme nga Urdhri serafik Franceskan, me shtëpinë dhe noviciatin e Troshanit.

Gjendet edhe ipeshkvia e Pultit, në mes të maleve. Ipeshkëvia e Zadrimës, Sapa, me qendër në Nënshat. Ipeshkëvia e Shkupit dhe Ipeshkvia e Prizrenit dhe e Gjakovës.

Të Nderuarit Etërit Jezuitë kanë hapur gjithashtu në malet Pukës një mision me shumë përfitime.

Populli shqiptar, me origjinë nga Pellazgët e vjetër, është një ndër popujt ballkanikë që e ka ruajtur më mirë gjuhën e tij shumë të vjetër, natyrën e tij, besimin dhe zakonet e tija. Edhe pse i rrethuar nga popuj të ndryshëm, që janë fqinj me të, edhe pse i dominuar nga grekët, nga romakët, nga serbët, nga bullgarët, nga venedikasit e nga turqit, ai mbeti dhe është gjithsesi një popull origjinal. Ashtu sikurse Popullsia e copëtuar e fatkeqe, është gjithmonë e njëjta, konstante nën çdo lloj sunduesi, kështu Shqipëria lufton që prej katër sekujsh e gjysmë nën sundimin tuk dhe nuk ka humbur asgjë nga nacionaliteti i saj.

Duhet të jemi të sinqertë megjithatë, sepse fatkeqësisht ajo e ka humbur fenë.

Ishin të gjithë të krishterë ndërsa sot mund të thuash se gjysma e tyre është turke myslimane. Në rreth njëzet qytete shqiptare janë të përqendruar muhamedanët, në pjesën më të madhe të tyre. Po kështu edhe bregu i detit dhe në Shqiptarinë e Mesme.

Në Epir ose në Shqipërinë e Poshtme, gjenden skizmatikët, që kanë marrë duke uzurpuar emrin ortodoksë, që janë të nënshtruar ndaj Patriarkanës së Stambollit dhe këta, me vullnetin e saj, u janë nënshtruar shpatës së sulltanit, pranisë së të cilit i dridhen.

Besim i ulët dhe skllavërues! Nuk deshën që të njihnin dashurinë atërore të Papës dhe duhet të përkulen e të ulin kokën ndaj forcës turke. Ndoshta për ta është më mirë çallma e Muhamedit sesa tiara e Papës; kështu, të paktën, pohonte një prijës i tyre. Të shohësh në çfarë injorance të madhe jeton populli, të krijon dhimbje e vuajtje.

Pra, e shkreta Shqipëri, e bashkuar nga gjuha dhe zakonet, është e ndarë në tre besime. Pjesa më e madhe është myslimane, një tjetër pjesë e madhe janë skizmatikë dhe një pjesë e vogël katolike, që formon elementin më të zgjedhur të kombit, meqë e vërteta shkëlqen dhe ndriçon.

Gjendet edhe riti sllav, në disa pika të tjera të Shqipërisë, që i nënshtrohen Malit të Zi; por është një realitet i vogël në proporcion.

Ndonjë hebre ose armen i izoluar është edhe këtu; pastaj reformatorët e zakonshëm, që tek ne nuk kanë mundur të joshin e të reformojnë askënd, sillen me libra e me bibla, hapin dyqane, agjenci, oratorë, shkollë; flasin shumë, përpiqen shumë, por nuk u shkon askush dhe marrin edhe përbuzje, atë përbuzjen që meritojnë.

Shqipëria nuk është terren për ta, janë të parë keq edhe nga vetë turqit dhe bëhen armiq të Hyjit dhe armiq të vetë armiqve të Hyjit.

Në Shkodër, Shoqëria Biblike prej gjashtë vjetësh, bën propagandë, por nuk kam parë asnjë deri tani që të blejë një libër dhe njerëzit as që i përshëndesin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora