Kulturë
Albert Zholi: Flasin Hysni Zela dhe Ema Qazimi në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të Vaçe Zelës
E enjte, 08.02.2024, 08:32 PM
Flasin Hysni Zela dhe Ema Qazimi në 10 vjetorin e ndarjes nga jeta të Vaçe Zelës:
Hysni
Zela: Unë e kisha motër, mësuese, udhëzuese, dhe idhullin tim.
-Ema
Qazimi: Ajo mbetet ende busull për mua në mënyrën e të kënduarit.
Intervistoi:
Albert Z. ZHOLI
Vaçe
Zela, “Artiste e Popullit” dhe këngëtare me famë të madhe gjatë periudhës së
diktaturës komuniste. U zbulua rastësisht në moshë të re në Lushnjë. Kishte një
zë të jashtëzakonshëm. Këngët e saj në vite mbeten popullore dhe të preferuara
nga publiku. Vaçe Zela mbetet "Zëri" i jashtëzakonshëm që mbushte me
energji skenat shqiptare. Mori pjesë në të gjitha festivalet e muzikës në radio
dhe më vonë në radio televizion, që prej organizimit të parë, në vitin 1962 dhe
deri në vitin 1981, kur u largua nga skena si fituese e çmimit të parë me
këngën "Komunistët" (dubluar nga Marina Grabovari). Vaçe Zela ka një
kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit në të cilin ka interpretuar
shumë këngë pjesë e muzikës së filmave. Ajo është nderuar me Urdhrin
"Nderi i Kombit" nga presidenti Alfred Moisiu. Në ka një artist, që
emri i tij të identifikohet me festivalet e këngës, pa asnjë dyshim, ai është
emri i Vaçe Zelës. Ajo ishte dhe do mbetet këngëtarja më e madhe e muzikës sonë
të lehtë. Vaçe Zela u rrit dhe u kurorëzua mbretëreshë e këngës shqiptare për
mëse dy dekada rresht, duke korrur plot 12 çmime të para, një rekord i
paarritur për të gjitha kohët. Vaçe Zela është fituesja e parë e Festivalit të
parë. Me këngën “Fëmija i parë”, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte
atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962. Atëherë ishte një vajzë e re, vetëm
23 vjeç. “Kisha ndrojtje ta këndoja atë këngë. Kisha frikë ta këndoja se isha e
pamartuar dhe si mund t’i këndoja lindjes së fëmijës së parë?”, kujton
këngëtarja nga festivali i parë. Sot duket paradoksale, por Vaçen nuk donin ta
pranonin në festival. Ishte frika mos bënte dallime të dukshme me këngëtarët e
tjerë, jo aq të njohur në interpretimin e këngës. Megjithatë festivalet rrodhën
njëri pas tjetrit, nga viti në vit dhe Vaçja ishte gjithnjë prezente me zërin e
saj. Këngë si “Djaloshi dhe shiu”, “Lemza”, “Sot jam 20 vjeç”, “Valsi i
lumturisë”, “Mesnatë”, “Gjurmë të arta”, “Kënga e gjyshes”, “Të lumtur të dua”,
“Nënë moj do pres gërshetin”, “Gonxhe në pemën e lirisë”, “Shoqet tona
ilegale”, etj, kanë ngelur në fondin e artë të muzikës shqiptare.
Siç
ka thënë edhe vetë këngëtarja, ajo “ka lindur në një familje ku kënga ishte
ulur këmbëkryq në shpirtrat e të gjithëve”. Të parët që zbuluan talentin e
Vaçes ishin mësuesit e shkollës 7-vjeçare. Ajo nuk ishte e talentuar vetëm në
muzikë, por kishte talent edhe në pikturë e teatër. Ishte dhjetë vjeç kur nisi
të këndonte vetë të gjitha ato këngë myzeqare që kishte dëgjuar nëpër shtëpi
nga e ëma dhe nga të gjithë pjesëtarët e tjerë të fisit, të cilët ishin
qejflinj të muzikës. Në çezmën e një prej lagjeve të Lushnjës ajo do mahniste
të tjerët me zërin e saj, ndërsa këndonte krejt shkujdesur. Vaçja ishte nxënëse
shkolle, atëherë kur veshi një fustan të bardhë nusërie të sajuar me dorë, e
doli me të në një koncert shkolle. Shpejt ajo u bë artistja e vogël e qytetit
myzeqar. Të gjithë besonin se ajo do të bëhej një artiste e madhe, megjithëse
prindërve të saj nuk u pëlqente shumë ideja që vajza e tyre të merrte një udhë
të tillë. Megjithëse asnjëherë nuk u përpoqën ta ndalnin Vaçen nga pasioni i
saj. Kështu vajza u nis drejt Liceut Artistik të Tiranës, për të plotësuar
dëshirën që e mbante mbërthyer fort. I ngjiti shkallët e asaj shkolle me shumë
ndrojtje, ndërsa në duar shtrëngonte një valixhe të vogël mbushur me plaçka
E madhja Vaçe Zela
tashmë ka 10 vjet që është në përjetësi, por zëri i saj dëgjohet edhe sot në
radio apo televizione po me atë dashuri sikundër ishte gjallë. A ke menduar të
këndoni një këngë për motrën tuaj dhe të gjithë shqiptarëve Vaçe Zelën? A e
ndjen mungesën e saj?
Vaçja
na mungon fizikisht, por ajo është kudo mes nesh. Këngët e saj edhe sot
këndohen nga çdo grup moshe. Ajo ishte këngëtare e veçantë, por edhe njeri i
veçantë. Unë e kisha motër, mësuese, udhëzuese, dhe idhullin tim. Përsa i
përket një kënge për të nuk e kam menduar. Nuk e kam menduar se së pari besoj
se nuk më takon mua as ta këndoj as ta ideoj. Unë kurresesi nuk mund të këndoj
një këngë që të përcjellë jetën e vrullshme të saj. Duhet të mblidhen
kompozitorë, autorë tesktesh, këngëtarë që të arrihet një mendim i thellë për
një këngë të tillë. Nuk është në autoritetin tim një nismë e tillë. Vaçja ishte
një figurë komplekse, autoritare, me një histori të veçantë në këngën
shqiptare. Zëri i saj kishte timbër melodioz, që nuk zbërthehet lehtë ndaj edhe
stepen kompozitorët. Për të duhet shumë kujdes për të ideuar një këngë. Unë
vetë kurrë s’do të merrja një nismë individuale. Vaçja sa më shumë kalon koha
aq më shumë studiohet, aq më shumë dëgjohet, aq më shumë flitet për të. Ne
ndihemi sikur e kemi në krah në çdo hap të jetës. Vaçja gjithmonë më ka treguar
se babai ynë i binte në mënyrë të shkëlqyer fyellit. Netëve vonë, kur ne të
gjithë mblidheshim në shtëpi (tregon Vaçja), babai merrte fyellin në duar dhe
fillonte dhe i binte. Ne rinim rreth tij si pëllumba dhe e shihnim si të
magjepsur. Meloditë ishin të ndryshme dhe na bënin shumë të lidhur me babanë.
Do të doja shumë përfundon ai, që t’i kisha vetë këto kujtime dhe jo të
ruajtura kështu duke m’i treguar Vaçja. Më vjen keq që unë do të iki një ditë
po pa i ruajtur këto melodi që babai i realizonte me fyell rreth vatrës së
shtëpisë.
Unë dhe Vaçja dhe një
moment në skenë…
Këtu…s’di
ç’të them. Për kë të flas? Për Vaçen si këngëtare, si njeri, apo për Vaçen si
motër? Eh, për të gjitha këto për mua është e vështirë të flas. Vaçja mbetet
ajo, fisnikja, e dashura, nikoqirja, e ndjeshmja, njerëzorja, por…në skenë,
mbetet ajo e veçanta, rigorozja, e shenjta. Kam shumë momente sa duhen muaj të
tërë të flas, por sot do të shkëpus një moment. Një njeri nuk e ndjen veten keq
se harron fjalët, po kur nuk është mirë me zërin e tij. Një herë ne këndonim
duetet myzeqare me Vaçe Zelën në TOB. Atë natë në sallë ishte gjithë udhëheqja.
Para se të dilnim në skenë, Vaçja më thotë se tani ki kujdes se mos i harron
fjalët. Ato fjalë më hutuan. Më hutuan pasi ma tha Vaçja, sepse do ishim para
udhëheqjes së asaj kohe dhe do këndoja me Vaçe Zelën. Të këndoje me të ishte
përgjegjësi. Por isha dhe i ri. Kur dilja në skenë me Vaçen duhej të matesha
mirë. Ajo e zotëronte tërësisht skenën. Spektatorin e mbërthente. Ja dalim në
skenë. Filluam të këndojmë. Për një moment harroj strofën e parë dhe në vend të
saj bëj strofën e dytë. Unë shikoj një dorë nga mbrapa që më shtrëngon fort.
Ishte dora e Vaçes. U mobilizova…Gabimi nuk u kuptua pasi ndruam strofat. Në
fund duartrokitje të fuqishme. Unë mbushur djersë. Situata kaloi me sukses. Vaçja
më buzëqeshi. Unë lotova nga gëzimi.
Ema Qazimi: Idhulli im
mbetet Vaçe Zela
Kujtoj
atë që kurrë nuk kam kënduar këngë për fëmijë, por këngë për të rritur. Për mua
pikë referimi në këngë ishte Vaçe Zela. Ajo ishte dhe është idhulli im. E
adhuroj. Ajo mbetet ende busull për mua në mënyrën e të kënduarit. At’here
kishte pak radio, ndërsa televizione ku e ku më pak dhe kur më jepej rasti të
dëgjoja Vaçen duke kënduar, merrja lapsin dhe një fletore dhe mundohesha të
shkruaja tekstin. Mundohesha të kapja fjalët të plota, që, pastaj t’i vendosja
në gojën time. Pra, kam qenë shumë- shumë e apasionuar pas këngës, shumë e
gjallë, shumë çapkëne, impulsive dhe aktivitetet me trupën amatore të Kamzës
shkoja dhe në turrne ku këndoja këngë të Vaçes. Dhe në këto turrne, kënga e
nënës nuk m’u nda. (Ky opinion është marrë në vitin 2020)