E hene, 07.10.2024, 10:10 PM (GMT+1)

Kulturë

Mark Palnikaj: Në Gjermani me Lobin Euroatlantik Shqiptar

E shtune, 03.02.2024, 08:59 PM


Lorach, Gjermani me Lobin Euroatlantik Shqiptar, datë 3 shkurt 2024

Fjala përshëndetese

Nga Mark Palnikaj

I nderuar Z. Michael  Wössner, Kryetar i Lobit Euro Atlantik Shqiptar

E nderuar Znj. Saranda Iseni, Sekretare e Përgjithshme e Lobit Euro Atlantik Shqiptar dhe Kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve Papa Klementi

Të nderuar pjesëmarrës!

Ju përshëndes të gjithëve dhe jam shum i nderuar që ndodhem midis juve në këtë takim të organizuar nga shoqata që ju keni krijuar dhe po e mbani duke dhënë kontribute me vlera kombëtare.

Më lejoni të paraqes shkurtimisht disa mendime për kontributin e mërgatës shqiptare për interesat kombëtare të kombit tone ndër vite.

Nga studimet dhe kërkimet që kam bërë kryesisht në arkivat shtetërore të Italisë dhe të Vatikanit  rezulton që fillimet e mërgimit të shqiptarve drejt perëndimit janë në vitin e largët 1396. Në një dokument tjetër ka të dhëna se në vitin 1464 në krahinën e Markes në Itali në një eksod të dokumentuar janë paraqitur 300 shqiptarë dhe aty ruhet lista me emrat e rreth 164 prej tyre.

Është në nderin e tyre por edhe pjesë e krenarisë tonë kombëtare që këta bashkatdhetarë e ruajtën identitetin e tyre, disa edhe gjuhën dhe kulturën e vendit të origjinës. Është një listë e gjatë e atyre që kontribuan në kryengritjet shqiptare kundër pushtuesve, trajtimi i të cilëve del jasht kornizave të këtij diskutimi.

Nuk mund të lë pa përmendur kontributin e njërit prej tyre. Papa Klementit XI, i cili gjatë mandatit të tija la gjurmë të pashlyeshme të veprimtarisë së tij në dobi të atdheut të të parëve të vet. Do të përmend shkurtimisht kontributet më kryesore të punës së tij:

1.Organizimin e punës dhe sponsorizimin për shkruarjen e veprës monumentale Iliria e Shenjtë e quajtur Illyricum Sacrum në 9 volume.

2. Relacionin me 200 faqe të Vinçens Zmajeviqit për gjendjen në Shqipërinë e asaj kohe të botuar në gjuhën shqipe tre vjet më parë me të dhëna shum të rëndësishme për vendin tonë.

3. Organizimi i Kuvendit të Arbrit në Mërqinjë të Lezhës me 200 burra nga e gjith Shqipëria dhe botimi i vendimeve të marruna në këtë kuvend në gjuhën latine me 1703 dhe në gjuhën shqipe në vitin 1706.

4. Hartimin e fjalorit Italisht Shqip në vitin 1702.

5. Hapjen e Katedrës së Gjuhës Shqipe në Monastirn San Pietro di Montorio në Romë në vitin 1711.

6. Botimin e Gramatikës së Gjuhës Shqipe në vitin 1716.

Fillimi i zgjimit kombëtar i ka rrënjët në kontributin e mërgatës shqiptare në kolonitë arbëreshe në Itali dhe në mërgatat shqiptare në Egjypt, Stamboll, Rumani dhe më vonë në Amerikë. Shqiptarët atdhetarë në këto vende harxhuan pasurinë, mundin dhe djersën e tyre për zgjimin e ndjenjave kombëtare në vendin e tyre të origjinës. Në diasporat tona në Itali, Rumani, Bullgari, Egjypt, SHBA u krijuan shoqatat dhe klubet e para patriotike,  të cilat botuan librat e para në gjuhën shqipe, gazeta dhe studime për Shqipërinë dhe e ngritën zërin për njohjen e kombit tone në arenën ndërkombëtare.

Deri në vitin 1912 kontributi kryesor i mërgatës shqiptare ka qenë lëvrimi gjuhës dhe kultures shqiptare dhe organizimi i kryengritjeve çlirimtare. Këtij qëllimi i ka shërbyer botimi i gazetës ALABNIA  nga Faik Konica dhe i disa gazetave më të vogla. Arritja më e madhe e këtyre përpjekjeve ka qenë mbajtja e Kongresit të Manastirit  për gjuhën dhe alfabetin e njësuar të gjuhës shqipe. Mbas vitit 1912, kontributi i mërgatës është orientuar në njohjen dhe propogandimin e shtetit të ri shqiptar dhe në krijimin e lobeve në shtetet perëndimore për ndihmë ndaj shtetit shqiptar dhe çeshtjues sonë kombëtare, ende të pazgjidhur plotësisht. Vetëm shqiptarët e mërgatës mund ta merrnin mbi shpatulla këtë detyrë, mbasi për realizimin e saj kërkoheshin më së pari njerëz të shkolluar që në Shqipërinë e asaj kohe mungonin pothuajse krejtësisht dhe pastaj duhej dhe patriotizmi dhe fuqia ekonomike. Koha tregoi se mërgatës shqiptare në të gjitha vendet që përmenda nuk i munguan personat që në dispozicion të interesave kombëtare vunë pasurinë e tyre. Këto përpjekje u kurorëzuan në janar të vitit 1920 me Kongresin e Lushnjes dhe me krijimin e një shteti shqiptar, edhe pse shum i dobët ekonomikisht, por të njohur nga shtetet e tjera dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve.

Nuk është e tepërt të them këtu se kombe shum të mëdha në numër, si përshembull kurdët e Azisë së Vogël me rreth 30 miljon njerëz,  nuk kanë qenë të aftë të bëjnë për kombin e tyre atë që ka bërë mërgata shqiptare për kombin e vet.

Mbas vitit 1920, kontributi i mërgatës ka ndryshuar drejtim duke investuar për modernizimin dhe forcimin e shtetit të sapokrijuar shqiptar. Kësaj ideje i ka shërbyer hapja e shkollave dhe spitaleve, krijimi i ndërmarrjeve ekonomike me teknologji të sjellë nga shtetet e përparuara, krijimi i organizatave joqeveritare me orientim kulturor, sportive, bamirësie etj.

Mbas vitit 1945 kur është vendosur regjimi komunist në Shqipëri dhe Jugosllavi, mërgata ka luajtur një rol shum aktiv për sensibilizimin e demokracive perendimore mbi vuajtjet e shqiptareve nen komunizem dhe sidomos për persekutimin që u bëhej shqipatrëve ne ish Jugosllavi dhe kushtet e vështira në të cilat ndodhej kombi shqiptar nën pushtimin serb në Kosovë. Gjatë kësaj kohe janë krijuar shumë shoqata dhe janë themeluar shum gazeta në vende të ndryshme si Itali, Francë, Angli, Amerikë dhe vende të tjera.

Mbas rënies së sistemit komunist në të gjith Europën në vitin 1990 dhe ndryshimet rrënjësore politike në Shqipëri dhe Jugosllavi, roli i mërgatës përsëri ka ndryshuar, duke u orientuar për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

Nga viti 1990 dhe deri sot, kontributi i diasporës ka shkëlqyer si një diamant i rrallë dhe është në nivelin më të lartë që është arritur gjatë gjith historisë së kombit tone.

Mërgata shqiptare pagoi në mënyrë vullnetare kontributin tre për qind për nevojat e luftës kundër pushtimit serbosllav të Kosovës dhe mori pjesë aktive në luftën çlirimtare në formacionet e UÇK me batalionin ATLANTIK. Shum shqiptarë të diasporës të ardhur në këtë luftë mbetën të vrarë nga armata pushtuese serbe por të pavdekshëm dhe të paharruar në altarin e kombit si heronj të popullit për çlirim kombëtar. Kjo do të mbetet në jetë të jetëve si kontributi më i madh i diasporës për kombin e vet.

Sot mërgata shqiptare është më e fuqishme se asnjëherë deri më sot. Nga Kosova dhe Shqipëria nga viti 1990 e deri sot ka mërguar më shum se gjysma e popullsisë që ishte aty në vitin 1990. Këta mërgimtarë nuk janë vetëm punëtorë të rëndomtë në bujqësi ose ndërtim por midis tyre ka një numër mjaft të madh të mirarsimuar të cilët kanë biznese të suksesëshme në vendet ku punojnë. Gjithashtu, një numër i madh i tyre punojnë në institucione shkencore dhe akademike si profesorë universiteti, botues, politikanë, deri edhe deputetë në parlamentet e vendeve ku punojnë. Kjo mërgatë i ngjan një lumi të madh, i cili pret arkitektët dhe ndërtuesit e mënçur për ta kanalizuar në një hidrocentral i cili do të ndriçonte kombin tonë. Për këtë duhet të mendojmë dhe të kontribuojmë të gjith ne.

Lobi Euroatlantik i themeluar dhe i mbajtur me sukses nga ju, është vazhdim i kësaj tradite të shkëlqyer dhe po jep përditë rezultate me vlera për kombin. Tashmë kemi dy shtete shqiptare me dy qeveri të njohura në botë dhe me prestigj të mirë ndërkombëtar. Nuk është sot nevoja të paguajmë trepërqindësh dhe as të luftojmë me armë, por kombi edhe sot ka shum nevojë për kontributin tonë në kushtet e reja.

Kam besim që mbas diskutimesh në takimet që do mbajmë sot por edhe në të ardhmen, Lobi jonë do të marrë vendime të vlefshme për përmirësimin e punës tone dhe për rritjen e kontributit për bashkim kombëtar që sot për sot është kryetema e aktivitetit tonë, çeshtja më e rëndësishme për të cilën duhet të kontribuojmë të gjith.

Ju faleminderit

Mark Palnikaj, Lorach, 3 shkurt 2024.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora