Kulturë
Tahir Bezhani: Ajo akoma qëndron në dritare...
E hene, 29.01.2024, 08:50 PM
AJO AKOMA QËNDRON NË DRITARE.....
Tregim nga Tahir Bezhani
Ishte
vere e nxehtë, nuk harrohet lehtë. Temperaturat e larta nuk zbrisnin si për
inat të Besnikut. As flladi i mbrëmjes nuk e qetësonte nga gjendja qe e kishte
përfshi nga shqetësimet e vapës. Natën
vonë e zinte gjumi afër dritares së dhomës, mbuluar me një çarçaf të hollë. Në
kokë ndiente zhurmë të paartikuluar, e
cila ia ngacmonte nervat natë e ditë. Situata e tërësishme i kishte
krijuar një mori kompleksesh, e kishte
nxjerrë nga binarët e punëve të rëndomta. Askujt nuk ia thoshte mundimet e brendshme. Kërkonte zgjidhje,
ndihmë, por nga kush, me kënd të bisedonte,
kur ishte i rrethuar me vetminë. Njeriu për ta mënjanuar nga vetja
mllefin që i ngatërrohet thellësive të shpirtit, për të gjetur zgjidhje në
morinë e problemeve që të rrethojnë, ka nevojë të ketë pranë mikun, mikun e
sinqertë që ia do zemra. Vetëm me mik të tillë zhvillohet biseda, shërohen
dhimbjet e brendshme, të cilat të rrinë varë si strajcë buke e çobanit.
Mëngjesi
e zuri të dërmuar nga pagjumësia. Me mjaft delikatesë doli në oborrin e
shtëpisë, nën hijen e pjergullës së
rrushit, e cila ishte e shtrirë për mrekulli në shtratin e saj të drunjtë. Rrezet
e diellit kishin përfshirë gjithësinë, ndërsa Besnik Bredhit, i kishte humbur
rruga në oborrin e shtëpisë . Nuk dinte se me çfarë pune ta fillonte
ditën...
Koha
dukej mjaft e qetë, por në kokën e tij frynin furtuna marramendëse. Ndonëse
kishte do vite të paluara në kurriz, por megjithatë, jeta në vorbullën e saj
mbështjellë gjithfarë ngjarjesh, që të lënë mbresa dhe brenga për gjithë jetën.
Në këtë situatë amullie të asaj paradite qershori të nxehtë, vendosi që mos të
merej me asnjë punë shtëpie. Shpirti i kërkonte prehje në qetësi absolute dhe
vendosi të largohej sa më parë nga shtëpia, pa iu treguar as familjarëve për
cakun e tij. Kur doli nga oborri i shtëpisë, e vërejti bashkëshortja, Bukuria
,dhe djali i dytë, Mërgimi. Nuk i folën asgjë, madje as për vajtje ardhje. Kjo
ngjau nga se që në mëngjes e kishin parë gjendjen e tij emocionale, lodhjen e
dukshme psikike dhe nuk dëshironin që edhe më shumë ta ngarkonin me pyetje
tjera.
Ishin
mësuar me Besnikun duke parë në atë gjendje
kohën e fundit. Ai doli nga oborri, mbylli derën, vuri rripin e sigurisë
dhe i dha gaz makinës në një
drejtim të papërcaktuar. Gjatë rrugës,
kishte aktivizuar radion, dëgjonte
muzikë të lehtë qetësuese. Me buzë
mbante fitilin e duhanit të ndezur, i cili ia tymonte sytë dhe fytyrën. Shpuza
i shkundej mëngëve të këmishës së bardhë, të sapo veshur. Pasi mbarojë fitili
e filloi t’ia djegë buzën e poshtme,
hapi dritaren dhe e hodhi në tokë, të fikur.
-Po
shkoj te kafe “Freskia”- foli me veten, pa lëshuar zë. Aty ndoshta gjej qetësi
nga se ajo bufe rrethohet nga pisha të gjata e të shumta. Befas i vajti mendja
te miku i tij i fëmijërisë, shokë shkolle e jete. Sikur të kisha fat e të ishte
në pushim në këtë muaj të nxehtë
qershori.
Vetëm
me atë do ia kisha hapur gryken “thesit” të mundimeve të mia. Me askënd tjetër
në botë. Ai është burrë i fjalës dhe besës, të kupton mirë dhe përherë është i
gatshëm të ndihmojë në zgjidhjen e probleme të jetës. Tërë jetën e desha shumë
e pa hile. Së bashku zgjidhnim shumë probleme të jetës. Duke tjerrë penjtë e mendimeve për mikun dhe vlerat e tij,
perceptoi figurën e Shpatit, sikur të ishte ulur pranë tij. Me një frymëmarrje
të thellë mendoi se po i flladiteshin mushkëritë e zjarrmuara.
-
Kamerier, ma sjellë një birrë të ftohtë se u kalla, bërtiti Besniku!...
-
Menjëherë, i foli kamerieri dhe nuk vonoi, ia hapi tapën birrës mbi tavolinën
e Besnikut.
Një
erë flladitëse vinte si puhizë freskuese përmes pishave shtatlarta. Luhatja e
tyre krijonte flladin qetësues në gjithë trupin dhe mendjen e tij. Nxori nga
xhepi pakon me cigare, çakmakun dhe vuri mbi tavolinë. Nga xhepi i djathtë i
pantallonave mori telefonin, vuri para vetes dhe filloi duke shikuar adresa të
miqve, fotografi me kujtime të jetës. Kur e shikoi foton e
Lules, të dashurën e dikurshme, fytyra i mori pamje tjetër. I krijoheshin ngjyra ylberi faqeve të zbehta.
Sytë i lageshin me tradhtinë e lotëve befasisht. Më iku edhe kjo-foli me veten!
O sa shumë e desha o zot!..
-Sa
egoiste është jeta, pëshpëriti Besnik Bredhi.
X X
X
Majave
të bokave përreth fshatit ,do re të zeza si tymnajë, silleshin si në valle
dasmash. Shtriheshin deri te lugina majtas Kodrës së Zezë ,e sërish ngjiteshin
lart, lart si shqiponjat në bjeshkët e larta. Besniku maste kohën me sytë e
lodhur nga pagjumësia, ndërsa orët e ditës fluturonin njëra pas tjetrës. Dita
sikur ishte kacavare atyre majave të djegura nga vapa, dëshmi e ditës së
sikletshme. Befas i ra zilja e telefonit . Ndeu se iu rrëqeth trupi nga dridhja
e tavolinës. Para se ta hapte shikoi emrin e thirrësit dhe numrin. Kur lexoj
emrin e mikut të dashur ,Shpat Thana, sikur i lëvizi diç në tërë trupin e
shkërmoqur.
-Alo,
ku je o Shpat ?...Po të kërkojnë sytë, mendja e zemra ime o Shpat o!... Ku
jeni?
-Kam
ardhur në pushim o Besnik . Ka tre ditë, por nuk munda të lajmërohem pa u
çmallur sadopak me familjarët e ngushtë.
Besnikun
e kishin përfshirë emocione të papërshkruara gëzimi. Kishin kaluar tre vite që
nuk ishin takuar mes veti, pa e ndërruar asnjë fjalë.
U
larguam, humbëm, u shkapërderdhem nëpër botë, sikur delet kur iu bie ujku në
vathë- pëshpëriti në heshtje.
Të
pres te kafe “Freskia” o Shpat! A mund të vini se malli më ka marë
shumë?...foli Besniku në telefon.
-Patjetër,
menjëherë do nisem e për pak kohë do jem aty, iu përgjigj Shpati!
Besniku
ishte përdëlle nga lumturia e ardhjes së shokut të jetës në pushime. Rregulloi
në çast karriget, ndërroi tavolinë,
kaloi nën hijen pishës shtatlartë, në
kënd të hotelit, krejt buzë mali, i cili i ngjante një kthine shtëpie.
Dëshironte të ishin së bashku e të
paparë e dëgjuar nga të tjerët. E kishte marë malli i pa përshkruar. Koha e
kaluar ua kishte mbushur kokat e pa zbrazura. Kishin tema për çfarë të
bisedonin , si gjithmonë ,intime e tejet miqësore. Shikimi i kishte mbetur në
kahe të rrugës që duhej të vinte Shpati.
-Erdhi
me gjasë!
Shikoi
një makinë që vezullonte në oborrin e hotelit “Freskia”. Po, po, Shpati duhet
të jetë. E njoh regjistrimin e makinës së qytetit ku punon në perëndim. Filloi
ecjen në drejtim të makinës. Shpati doli nga makina duke qeshur me të madhe, i
hareshëm dhe tejet i gëzuar.
Sa
gjatë u ngrykuan mes veti, deri në përmallim lotues!...
Pas
bisedave njoftuese për gjendjen e familjeve të tyre, sikur se u shpenzuan
fjalët dhe filluan të shikonin njëri tjetrin përballas.
-Besnik,
më dukesh tejet i lodhur, i sfilitur, çfarë ke, më thuaj? - foli Shpat Thana.
-Ka
një muaj që jam kështu Shpat. Ka një muaj që nuk flë, jam tejet i mërzitur, i lodhur. Bile, i
parregullt edhe në familje...
-E
Pse miku im ,pse, çfarë ke, më thuaj ta ndaj me ty, si gjithmonë, gëzimin e
hidhërimin!...
-Gjatë
kam pritur të takoj dhe të rrëfej brengen time Shpat. Ti e din se mes veti kemi
biseduar shumë tema të nxehta në jetë, i kemi ndihmuar njëri tjetrit skajshmërisht,
por ti mu largove n ‘atë gyrbet të mallkuar, mbeta vetëm e krahëthyer.Tani
dëgjoje mirë rrëfimin tim, hallin e vonshëm i cili do tingëllojë si një këmbanë
pas kohe por...
-Para
ca ditësh, përafërsisht një muaj, pranova një telefonatë anonime dhe lajmin e
hidhur se kishte vdekë Lulja, ajo
mikesha e viteve të këndshme të jetës, e din, të kam pas rrëfyer ngjarjen...
U
mërzita fort, ndjeva dhimbje deri ne shpirte. Telefonuesi më foli se ajo,
Lulja, kishte vdekë nga virusi i pandemisë para dy vitesh. E kishin gjetur
,(nuk dij se nga kush),të shkruar në fletore të saj, në ditar jete, si porosi,
të më njoftojnë, por pas një apo dy vitesh. Ata e përmbushen amanetin e saj, më
njoftuan saktë , por lëmshi i dhimbjes vazhdon të sillet si zjarr brenda shpirtit
tim...
E
kam dashur fort Shpat. Ishim në lidhje që nga mosha e re, por ndërprerja pati
ardhur pa dëshirën e asnjërit, fatet e jetës
na përplasen të dyve, ndodhi
ndarja ..
Vazhduam
befas në një moshë tjetër, akoma më zjarrshëm, për shumë vite. Nga bisedat e
shumta me te, kuptova se ajo kishte pasur ndrydhje të papërshkruara në jetën e
saj. Të dhimbshme fort... Në luftë kishte pas humbur bashkëshortin dhe djalin e
vetëm. Kishte mbetur si qyqe mali e vetme.
Ishte
një ritakim ne rrethana përrallore, i papërshkruar e me lot të shkrumbuar.
Ashtu si ishte, më patë thënë: “ vetëm
ti mund të më bësh të lumtur këtë pjesë të jetës”. Kam vuajtur gjatë për ty.
Pastaj më pati thënë: “je shpirti i gëzimeve të mia”!...E dinte se jam
familjar, por sojnikja më pat porositë: “kurrë mos ia kthe shpinën familjes,
duam si pasuri të rifituar!...”
Dhe,
vërtetë Shpat, kaluam mrekullueshëm vite të tëra duke përjetuar për të dytën
herë me radhë rininë tonë....Më bëhet se e shikoj edhe sot në dritare, në
pritje e përcjellje. Po, po! Ajo akoma qëndron aty!... Ishte fantastike në çdo
kuptim...Nuk ishte e bukur, por ishte e mirë, fort e ëmbël.. Ndoshta dashuria e
bënë njeriun budalla. Mendoj se edhe të tillët kanë të drejtë të dashurojnë.
Dashuria hap kapakun e dhimbjes. Dhimbja ve në lëvizje gjithë energjinë
pozitive njerëzore...Çfarë i duhet njeriu në jetë më shumë se ajri e
dashuria?!.
Nuk
e harroj kurrë Shpat!. Shpesh e shoh edhe në ëndërr: “ Pse më tradhtove?... më
tha!. Sa isha ndjerë i mërzitur o Shpat! Por, ajo pikërisht, në atë kohë
ëndrre, kishte pas ndërruar jetë me gjasë, në kohë pandemie. Virusi i pandemisë
e mori të gjorën! Pandemia që tronditi boten, na e ndërpreu përgjithmonë
ëndrrën...Sikur të kisha mundur të veja lule mbi varrin e Lules sime!... Asaj nuk i treten eshtërat pa lulet
e mia mbi kokën e saj!...
-Ndal,
ndal Besnik! Mos filozofo shumë për dashurinë!. Pse e ke hedhur gjithë atë
zjarr mbi vete? Nuk bën mirë nëse kështu mendon të vazhdosh. Unë të kuptoj në
çdo aspekt, t’i kuptoj dhimbjet tua, sinqeritetin si pjesë të jetës, por, ama,
kujdes, ke pjestarë në jetën tënde, ke familjen....Jeta i ka baticat e zbaticat
e saja, por ti duhet të rrugëtosh atyre
shtigjeve që shtegtojnë të mençurit Besnik!...Largoje dhimbjen si funksion i
imagjinatës, miku im!...Një shpirt njeriu që ngitet në qiell përgjithmonë, nuk
mund ta zbresë askush në këtë jetë. Nuk ka ngjarë kurrë. Lere dashurinë të
mbyllur në kutinë e kujtesës, dhimbjen shkrije në këngë të shpirtit.
Pajtohu!...
Besniku
ishte shtangur duke dëgjuar bisedën e Shpatit. Kishte hapur sytë, veshët e mendjen për çdo fjalë të thënë nga miku i
tij i përzemërt. Fjalët e tij ia kishin ekuilibruar gjithë mendjen e futur
terrinave të imagjinatës, ndoshta, irracionale.
-Gëzuar
Besnik! Shëndet e të mira ty me familjen tënde! U takofshim gjithmonë për
gëzime familjare, foli Shpati duke ngritur dollinë e takimit me mikun e shokun e jetës.
E
pabesuar se sa kishte ndikuar pozitivisht ajo bisedë e sinqertë në rrethanat e
rënduara të momentit ndaj Besnikut. Tani
i dukej vetja një tjetër njeri, mik, shok, familjarë, personalitet, krejt një
tjetër....
Çdo
veprim mbi mundësinë e zotërimit të situatës fizike e mendore, të hedhë në
rrjedha jete të gabuara, të cilat e ke vështirë t’i mbash nën kontrollin e arsyes...foli me veten
Besniku...
Dita
iku shpejtë duke ia lënë radhën natës me ndriçimin e yjeve dhe rrezeve të
hënës...
Si
në ëndërr, Besniku përfytyroi Lulen duke i thënë: “lamtumirë dashuria ime e paharruar....!”