Kulturë
Albert Zholi: Flet inxhinieri dhe poeti Martin Cukalla
E premte, 26.01.2024, 07:54 PM
Flet inxhinieri dhe poeti Martin Cukalla: Poezinë e parë e lexoi Drita Siliqi dhe ma botoi Drago Siliqi tek “Zëri Rinisë”
-Si
u trondita kur hyra në zyrën e Kadaresë pasi nuk e dija kush ishte brenda saj
-Si
më botoi poezitë e para Ismail Kadare në gazetën “Drita”!
-Shkolla
“Petro Nini Luarasi” ka nxjerrë personalitete në çdo fushë
-Sterjo
Spasse gjithmonë më nxiste të shkruaja poezi
-Kadareja
me një stolpas nënvizonte se cilat poezi do botoheshin dhe cilat jo
-
Me honoraret e gazetës “Drita” bleva një palë këpucë dhe një këmishë fanellatë
-U
befasova kur Kadare më tha se në pyjet e Francës gjen qetësi këtu janë mbushur
me bunker.
-“Afërdita
përsëri në fshat” një roman i shkruar nga Sterjo Spasse më ngjizi dashurinë për
letërsinë
Nga
Albert Z. ZHOLI
Martin
Cukalla është një inxhinier i industrisë minerare, i cili për mëse 35 vjet ka
drejtuar sektorët më të vështirë të minierave shqiptare nga jugu në veri të
vendit. Ka një eksperiencë të madhe në fushën e shfrytëzimit të minierave, por
edhe të drejtimit të tyre, ku punën e filloi në Memaliaj. Ishte vitit 1966.
Atëherë në minierë punonin afro 550 vetë drejtpërdrejt nën tokë dhe jepnin diku
tek 160 mijë ton/vit qymyr. Në këtë minierë ka bërë dhe një takim tepër të
ashpër me minatorët ish-kryeministri Mehmet Shehu. Në disa intervista që kam
zhvilluar me të ai sqaron se problemet e sotme të minierave dhe aksidentet
brenda tyre kanë të bëjnë me shfrytëzimin pa kriter, por edhe me mos hapjen e
minierave të reja, sikundër edhe me mospasjes së kurseve speciale për
minatorët, të literaturës së duhur, të statusit, si dhe një dinamikë e madhe e
punimeve në miniera. Por Martini është dhe një poet prodhimtar dhe me talent në
letërsi. Megjithëse është modest. Madje doja të thosha që ai ka shkruar që në
moshën rinore 16-17 vjeç në dy nga gazetat më prestigjioze shqiptare të
sistemit monist në gazetën “Zëri Rinisë” dhe “Drita”. Duhet thksuar se në
gazetën “Drita” në atë periudhë punonin korifejtë e letrave shqipe si Agolli,
Kadare, Spahiu, etj…
Jeni një nga inxhinierët
gjeolog me emër në Shqipëri që keni lëvizur në veprat më të dëgjuara shqiptare
në periudhën e socialzimit. Por vitet e fundit ju dalloheni dhe keni bërë emër
si poet, por edhe si publicist. Si lindi dëshira për letërsinë. Kur keni
shkruar për herë të parë dhe çfarë keni shkruar? Si i kujton sot botimet e
para?
Unë
jam nga Progonati i bilbilenjve, një fshat me histori të madhe dhe me njerëz të
kënduar. Pra ky fshat nuk është dalluar vetëm për trimëri, por edhe për penë.
Nga ai fshat kanë dalë shumë emra të njohur të letërsisë shqiptare prej të
cilëve kam marrë edhe frymëzim. Pra është uji, pemët, legjendat, historitë,
malet, përrenjtë, bagëtitë, njerëzit e këtij fshati që më kanë ngjizur padashur
dëshirën për të shkruar..
--Atëhere të vijmë te
libri i parë që keni lexuar…
Po.
Unë dhe pse nga Progonati, thuajse jam rritur në Tiranë. Pas çlirimit të
vendit xhaxhai im një partizan dhe njeri
i dashuruar me librin, duke ditur dëshirën time për të mësuar, më mori në
Tiranë. Xhaxhai ishte plagosur në luftë dhe gjithmonë në shtëpi sillte libra.
Biblioteka e tij ishte shumë e pasur, por çuditërisht ai nuk më impononte të
lexoja. Në shtëpinë tonë asgjë nuk imponohej, por secili bënte atë që
dëshironte dhe dinte të bënte më mirë. Një ditë xhaxhai duke ditur që unë dhe
pse rrija me të në kryqytet, kisha shumë lidhje shpirtërore me fshatin. Sa herë
kisha mundësi vrapoja në fshat. Për këtë arsye një ditë ai vjen me një libër në
dorë. Ishte romani “Afërdita përsëri në fshat” një roman i shkruar nga Sterjo
Spasse. Xhaxhai më afrohet dhe më
thotë:- urdhëro, mere këtë libër, nëse ke kohë apo të pëlqen lexoje! Sa pashë
titullin më intrigoi. I thashë faleminderit xhaxhait dhe shkova menjëherë për
ta lexuar pasi fliste për fshatin. Libri më rrëmbeu. Thuajse e lexova brenda
natës. Sa më kënaqi. Oh, sa mirë u ndjeva! Brenda dy ditësh lashë çdo gjë dhe e
lexova dy herë romanin. Ishte brenda shijeve të mia. Lexova shumë për këtë
libër. Në vitin 1938, Spasse e përfundoi së shkruari romanin e dytë “Afërdita”
që doli nga botimi në vitin 1943. Romani u përkthye edhe në rusisht e
bullgarisht. Afërdita Skënderaj është një mësuese që punon në një fshat malor.
Afërdita punoi me vullnet dhe dëshirë të madhe për të përmirësuar gjendjen
intelektuale të fshatarëve. Në fund ajo ia del të shuajë mosmarrëveshjet
ndërmjet dy fshatrave. Kjo ishte sinteza e këtij romani që mua më rrëmbeu. Pas
këtij romani unë fillova të lexoja gjithmonë romane. Madje jo vetëm romane pasi
libraria ime në shtëpinë e xhaxhait ishte shumë e pasur. Aty gjeta gjithë
shkrimtarët më të mëdhenj të Rusisë, por edhe të Francës, Gjermanisë etj…
-Ndoshta ishte fillimi i
leximeve të romaneve që bëri që të kap penën për të shkruar? Pra ishte si
shtysë ky roman?
Ndoshta
ishte. Ndoshta… Por si ditë shënohet që fillova të shkruaj kur isha në vit të
tretë gjimnaz te “Petro Nini Luarasi”. Në një pushim ne filluam të krijojmë
vjersha humori me njeri tjetrin. Mësuese letërsie kishim të talentuarën Drita
Siliqi. Vjershat që bënim ja kalonim
njëri tjetrit. Edhe unë bëra një poezi. Në këtë kohë vjen mësuesja. Ne u cuam në këmbë dhe kur na tha ajo uluni zumë
vendet. Ajo na pa që qeshnim nënë zë dhe na pyeti çfarë keni. Ne për një moment
nuk folëm. Në këtë kohë një shoku im që kishte poezin time çohet dhe ja çon
poezinë mësueses. Ajo e mori në duar copën e letrës dhe filloi ta lexojë.
Ndenji ashtu rreth 5 minuta. Pasi e lexoi ngriti kokën dhe na u drejtua neve/
Kush e ka bërë këtë poezi? Unë u tremba. U tkurra. Me ndroje u çova në këmbë.
Nuk e ngrija dot kokën nga turpi se mendoja se ishte ndonjë poezi pa vlerë dhe
do më fliste rëndë. Por për çudi mësuesja më thotë: Bukur Martin. Ke bërë poezi
të bukur. Uë nuk u besoja veshëve. Ajo më përgëzoi dhe filli mësimin. Pas ca
ditësh marr vesh se poeiza ime ishte botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Aty
mësova se mësuesja ja kishte dhënë poezinë burrit të saj Drago Siliqit ei cili
e kishte redaktuar dhe e kishte botuar. Atë kohë Drago ishte me emër dhe
punonte te “Zëri i Rinisë”. U gëzova shumë. Më dha shumë zemër ai botim. Pra
isha në moshë të re sapo kisha mbushur 16 vjeç. Kështu u interesova më shumë
për mësuesen Drita Siliqi. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë
mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve
universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai
ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në
shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse
Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi
ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si
Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të
familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit. Ndërsa
ishte studente në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin
do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve
universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare,
fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në
shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” të Tiranës dhe me pas
si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë,
ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”.
Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi,
poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13
korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat, Darinën dhe Laurën.
-Po më vonë si vazhdoi
krijimtaria juaj? Çfarë botuat më vonë dhe ku?
-Pas
disa muajsh unë bëra një poezi tjetër dhe shkova vetë tek “Zëri Rinisë”. Por
tashmë nuk gjeta Dragon, por Vath Koreshin. Kur ju prezantova ai më pa me
buzqëeshje dhe më tha përse ksiha ardhë. I thashë kam sjellë një poezi. Ai e
mori dhe më tha do ta shikoj kur të kem kohë dhe do kemi bashkëpunim. Në fakt
poezia u botua pas një jave dhe u ndjeva sërish mirë.
- Nga shkolla e mesme
“Petro Nini Luarasi” çfarë kujtimesh ruan?
Ruaj
kujtimet më të bukura të jetës. Aty njoha mësues pasionantë. Njoha këkresën e
llogarisë. Respektin për mësuesit, prindërit, familjen, për librin. Ishte një
brez mësuesish, që bënin më të mirën për edukimin tonë. Kur i shihnim në rrrugë
mësuesit ne ndëronim rrugë për respektin që
kishim pasi për ne ishin barazuar me zotin. Ata nuk kurseheshin edhe pas
shkollës të na mësonin dhe të na edukonin. Ishte një shkollë që sot nuk e gjen.
Edhe ne nxënësit ishim shumë të edukuar. Lotoj sa herë e kujtoj atë shkollë.
-Me kë lidhe miqësi më
shumë në shkollë të mesme?
Miqësi
lidha me Ilinden Spasse djali I
shkrimtarit Sterjo Spasse prejt të cilir
kasha lexuar romanin e parë “Afërdita përsëri në fshat”. Ndoshta ishte vetë
romani që më nxiti për këtë lidhje, apo tipi I tij por u bëmë shumë miq. Ai
erdhi në gjimnazin tonë kur ishte në vit të tretë. Pra dy vite I bëmë bashke.
Me Ilndenin shkonim shumë herë në shtëpinë e tij pasi ai kishte shumë hurma në
oborr. Ilindeni më prezantoi te babai duke i thënë që Martini ka botuar poezi
te “Zëri i Rinisë”. Ai pas atij momenti sa herë shkoja më ftonte në studion e
tij. Në studio kishte një tavolinë të ulët ku kishte vendosur makinën e
shkrimit dhe rreth e rrotull bibliotekë të mbushur me libra. Më kërkoi disa
herë t’i çoja krijime ku më bënte dhe kritikat e rastit. Ruaj kujtime shumë të
bukura me të pasi gjithmonë më thoshte mos e le të shkruarin, sa herë ke kohë
shkruaj se ke talent.
-Dhe ju e ndoqët këtë
porosi, vazhduat të shkruani?
Me
thënë të drejtën isha pak dembel në këtë drejtim. Nuk isha i mirorganizuar.
Shkruaja shumë rrallë për një mijë e një arsye. Por erdhi një moment që kur do
kaloja në vit të katërt më duheshin një palë këpucë dhe një këmishë. Ishim të varfër. Për të blerë librat dhe një
palë pantallona apo veshje të brendshme babai shiti një dele dhe me ato lekë më
nisi për Tiranë. Por do isha maturant dhe doja të kisha diçka ndryshe. Duke
folur me Ilindenin i them që kam ëndërr të blej një palë këpucë dhe një këmishë
të re. Po shumë mirë më tha. Shkruaj disa poezi dhe me honoraret merr ato që të
duhen. Pse paguhen e pyeta? Posi jo më tha. Psh. Nëse shkruan te gazeta “Drita”
aty ka honorare më të mëdha. Po si paguhen honoraret e pyeta? Po ja tha nëse
hyn në poezitë më të mira për botim është 13 lekë rreshti, nëse hyn në peozitë
e kategorisë së dytë 12 lekë rreshti e të tretën me 11 lekë. Mora lapsin dhe
bëra llogaritë. Një palë këpucë bënin 80 lekë dhe një këshimë 40 lekë pra rreth
120 lekë. Pastaj me Ilindenin bëmë llogatitë sa poezi dhe sa reshta duheshin.
Afërisht 3 poezi me nga 5 strofa. Pastaj thamë që po i blemë duhej të pinim dhe
nga një birrë me qofte, pra dhe 20 lekë. Që në darkë fillva të shkruaja. I bëra
3 poezi dhe thashë që janë bërë mirë. Pastaj bëra dhe një të katërt për mbushje
që të ishte. Të nesërmen u takova me Ilindenin dhe i thashë që i bëra poezitë
po tani çfarë do bëjmë? Do i çosh tek gazeta “Drita”- më tha. Po unë nuk njoh
njeri i thashë. Po shko në sekretari më tha. Aty do të orientojnë. U vura në
siklet. Ç’të bëja? Mora inatin e labit dhe u nisa. Shkoj te godina ku ishte
Lidhja e Shkrimtarëve. Aty trokas te sekretarja. Ajo më priti mirë dhe më pyeti
se çfarë kisha. I thashë kam sjellë disa poezi për botim. Më tha do shkosh në
fund të korridorit. Dera majtas dhe trokit aty. Tek ajo zyrë miren materialet.
Mora pak guxim u krekosa dhe u nisa. Ndaloj para derës dhe trokas. Hyr!-dëgjoj
një zë nga brenda. Ende isha ashtu i krekosur, pasi mendoja se do më prisnin
kudo si sekretarja. Hap derën dhe shikoj me kërshëri. Përballë meje ishte
Ismail Kadareja. Shtanga!
-Çfarë emocionesh ndjeve
para Kadaresë? A fole lirshëm? Si të priti?
Kur
e pashë me vëmendje dhe bëra lidhjen kush ishte Kadareja i madhm, u çarmatosa.
Krenaria iku, Vetbesimi u largu, për disa momente nuk dola. Ngela si i nemitur.
Letrat me poezi gati sa s’më ranë në tokë. Ai më pyeti sërish me atë të folmen
e tij pa shumë llafe. Përse keni ardhur djalosh? Po ja kam katër poezi dhe doja
t’i botoja tek gazeta “Drita”. Mirë m’i jep më tha. Ishte ditë e premte. M’i
mori letrat dhe i futi në sirtar. Do komunikojmë më tha. Kur doli gazeta nuk e pashë
emrin tim. Prita një javë numrin e dytë. I thashë Ilindenit si duket nuk i kanë
pëlqyer. Shko pyete më tha, shko se ai ka shumë punë. Mora zemër dhe shkova.
Trokita sërish me më shumë emocion. Hyr u dëgjua zëri nga brenda. Hapa me
ndroje derën dhe u gjenda përballë Kadaresë. Ai më pa me vëmëndje dhe menjëherë
më tha. Ah po, ti je ai djali që ke sjellë poezitë. Po - i thashë. Hapi
sirtarin dhe nxori poezitë. Filloi t’i lexojë. Kaloi të parën dhe me stilolaps
i vuri një plus. Kaloi të dytën sërish plus. Kaloi të tretën sërish plus. Te e
katërta ndaloi dhe më tha kjo nuk vlen për botim. Unë rrija si i ngrirë.
Shikoja stilolapsin dhe më dukej sikur ishte një vare që do më binte në kokë.
Thuajse nuk egzistoja. Pasi i vuri kryq të katërtës më tha merri dhe çoji në
redaksi nga fundi. Aty është një
daktilografiste jepja t’i shtypi. I mora
me duar që dridheshin dhe duke i thënë ditën e mirë u largova. Sa dola nga zyra u lehtësova. Një ohhhhh më doli nga gjoksi.
Dukej se shpëtova nga një nakth i madh. I çova letrat ku më tha Kadareja dhe u
largova. Ika me nxitim se kisha frikë mos i kthehej mendja dhe më thoshte
grisi. Tashmë prisja të shtunën kur dilte gazeta “Drita”.
-A u botuan poezitë?
Çfarë vendi kishin zënë ato në gazetën më të bukur dhe më të madhe të krijuesve
shqiptarë?
-Eh
ajo ditë. Ajo ditë mbetet si një dritare e madhe drite në krijimtarinë time.
Poezitë e mia ishin si kryeartikull në faqen e parë. Po, po në faqen e parë
krahas shumë shkrimtarëve të mëdhenj. Nuk u besoja syve kur e pashë. Emocion I
paparë. Ilindeni qeshte i tëri nga gëzimi. Më përqafoi dhe gëzonte po aq sa
unë. Në shkollë filluan të më thoshin Martin poeti. Por unë prap përtoja të
shkruaja pasi tani kisha filluar të lexoja. Lexoja romane sapo të kisha pak
kohë të lirë.
-Nuk çove më poezi te
gazeta “Drita”?
-Çova
dhe njëherë. Kur ja çova Kadareja më kushtoi disa minuta kohë. Duke lexuar
poezitë e mia ai më tha e ke lexuar Hajnin? Nuk dija çfarë t’i thosha preferoja
të heshtja. Si duket ai mendonte se poezia ime kishte frymën e tij, kishte stilin e tij të të bërit
poezi. Më foli për të dhe poezinë e tij
dhe u ndamë…Po me Dritëro Agollin e je takuar në ato vite? Çfarë kujtimesh ruan
me të?
-Një
ditë duke ecur me Ilindenin në Parkun
Rinia ndeshemi përballë me Agollin. Ilindeni nga babai kishte lidhje familjare
me Agollin e madh. Ai ndaloi dhe na takoi. Menjëherë Ilindeni nuk përtoi të më
prezantonte. Ky është shoku im i klasës Martin Cukalla. Ka shkruar disa poezi
te “Drita”. Agolli duke buzëqeshur tundi kokën dhe i tha. E kam lexuar. Urime
Martin. Poezitë e tua më kujtojnë Uitmanin. Por vazhdo të shkruash. Poezia
duhet lëvruar vazhdimisht nuk duhet lënë pas dore. Poezia do të shkruash çdo
ditë. Ishte një takim i bukur me një poet të madh dhe njeri të shkëlqyer. Sa
mirë u ndjeva ato çaste. Ai njeri të frymëzonte nga fjala e mirë. Ishte shumë
pozitiv në bisedë dhe shumë popullor, veti që pak i kanë sot.
-Po me Kadarenë a i
vazhdove lidhjet? A takoheshe me të pas këtyre dy takimeve kaq të veçanta?
-Sigurisht
i vazhdova, por të rastësishme. Sa herë që ndesheshim në rrugë ai ndalonte dhe
më pyeste. Njëherë kur unë isha me punë në Memaliaj dhe erdha në Tiranë e takoj
rastësisht në Bulevard. Ai sapo kishte ardhur nga Franca. E pyes si kishte
kaluar. Shumë mirë më tha. Më shumë kam ecur nëpër pyje. Pyjet aty janë të
bukur. Qetësohesh. Unë u habita. Më fliste për pyjet sikur në Shqipëri nuk
kishte pyje. Si me të qeshur i them: Po edhe tek ne ka pyje të bukur shoku
Kadare. Ai me qetësi dhe nënqeshje më thotë: Po ka, por këtu janë mbushur me
bunker. Gjithë hijeshia e gjelbërimit prishet nga betoni dhe hekuri i hedhur
mbi to. Shtanga po se dhashë veten. Çfarë detaji të vërtetë kishte kapur! Këtë
gjë mud ta kapte vetëm një emër i madh si Kadareja.
-Ju nga viti 1966-1974
ishit drejues në minierën e Memaliajt. Po gjatë kësaj kohe a vazhdonit të
shkruaje dhe a u takuat më me ta?
Miniera
të ha. Në atë kohë ato kishin shumë probleme. Nëse do miresha shumë me
krijimtari ishin gati të më godisnin e do më thoshin:- Do shkruash poezi, apo
do drejtosh minierën? Ndaj thuajse shkruaja shumë shumë pak. Por lidhjet me ta
nuk i ndëpreva. Psh sa herë vinin ata në jug do ktheheshin patjetër të më
takonin dhe të pinim ndonjë gotë raki me Agollin apo diçka tjetër me Kadarenë.
Pra ishin njerëz, që dinin të të respektonin dhe të vlerësonin. Habitem me ata
njerëz aq të mëdhenj që dinin të vlerësonin dhe një krijues të thjeshtë. Këtu
qëndron madhështia e tyre.
-Në këto ardhje nga jugu
keni pasur ndonjë ngjarje të veçantë, specifike që ju ka lënë shumë mbresa?
Po!
Ishte viti 1973 disa muaj pasi ishin dënuar Fadil Paçrami, Todi Lubonja dhe
shumë të tjerë. Dënimi i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, finalizuar Plenumin
IV të Komitetit Qendror, ka qenë ngjarja më e bujshme e vitit 1973. Një nga
bashkpunëtorët e Fadil Paçramit ka qenë Ibrahim Uruçi, i cili rrinte shumë me
të. Ibrahimi ka qenë prozator, dramaturg, gazetar, kryeredaktor i gazetës
Drita, i dënuar politik pas Plenumit të Katërt që dënoi liberalizmin në
kulturë. Pas Plenumit atë e sollën në Memaliaj për riedukim në gjirin e klasës
punëtore. Disa muaj pas Plenumit Kadare, Agolli dhe Dalan Shapllo vijnë për
disa takime në Gjirokastër midis të cilëve edhe Agim Shehu. Kur ktheheshin për
Tiranë ata ndalin në Memaliaj. U takuam dhe u ulëm në lokalin që uleshim
gjithmonë. Ishim pesë vetë Kadare, Agolli, Dalan Shapllo, Agim Shehu dhe unë.
Në atë kohë kalon aty afër dhe u ul tutje në qoshe Ibrahim Uruçi. Pasi folëm
gjatë u ngritëm. Në këtë kohë Agolli thotë hajde shkojmë takojmë Ibrahimin. Unë
thashë do shkoj të paguaj se nuk e njihja. Se kisha takuar asnjëherë. Edhe unë
tha Agimi do shkoj të paguaj me Martinin. Ne u drejtuam në banak ata të tre
shkuan te Ibrahimi. Pas pak dolën dhe ata dhe u përshëndetëm për ndarje. Ishte
e shtunë në mos gaboj. Të hënën që në mëngjes vjen një Sekretar i komitetit të
Partisë së Tepelenës dhe më thërret në zyrën e Sekretarit. Shkoj dhe e takoj.
Më tha;- ju të shtunën ku ishit dhe me kë? I tregoj se çfarë bëra? Po Ibrahim
Uruçin a e takove? Jo i thashë, pse çfarë ka bërë? Po pyes a e takove?- më tha.
I thashë jo. U habita ku e mori vesh. Por harrova që sigurimi ishte kudo. Ai
tundi kokën dhe tha si takoni të dënuarit? U habita. Nuk kisha shumë dijeni për
të por më vonë pyeta. Por më e madhja ishte se gurguleja ishte bëre e madhe në
Lidhjen e Shkrimtarëve. Kadarenë dhe Agollin i kishin kryqëzuar. Dalan Shapllo
kishte kërkuar falje menjëherë. Por kryesorja ishte se Kadare dhe Agolli mendonin se kishte spiunuar Agim Shehu. Ato
ditë më doli një shërbim në Tiranë. Kur mbarova punë u drejtova te Lidhja e Shkrimtarëve.
Sa pashë Agollin ju afrova dhe e përqafova. Ishte i zymtë. E di situatën i
thashë ndaj erdha. Na e ka bërë Agim Sheu- më tha. Jo i thashë për këtë jam i
sigurt. E sqarova që të hënën erdhi tek unë një sekretar Komitetit Partisë
Tepelenë. E sqarova me detaje. U bind. Bëre mirë që erdhe më tha, sepse do e
gjykoja gabimisht.
-Po Kadarenë e takove
atë ditë?
-Të ka kërkuar
ndonjëherë ndihmë Kadare kur keni qenë zëvdësministër i Industrisë Minerare dhe
Energjetikës?
-Noshta
është pak e tejkaluar në kohë, por kam një rast interesant. Më vjen çudi se si
ai njeri gjeni kishte mungesa si të gjithë në shtëpi. Sa herë ndesheshim në
rrugë ndalonte dhe më pyeste për familjen, punën dhe krijimtarinë. Ai i dinte
miqtë e mi ku kryesori ishte poeti i madh Agim Shehu. Agimin e kisha dhe
kushëri nga nëna. Kur isha zëvëndësministër i Industrisë Energjitike dhe
Minierave nëpërmjet Agim Shehut më kërkoi një
nder. Kur ma tha këtë Agimi u habita. Çfarë mund të donte nga unë
Kadareja i madh? I thashë Agimit hajdeni në zyrë kur të doni. Kadare erdhi të
nesërmen. Kur trokiti dhe hyri brenda u ngrita dhe e prita me ngrohtësi. Pasi
bëmë pyetjet e rastit Kadare hyri drejt e në temë. Dua një nder se besoj vetëm
ti mund të ma bësh. Nuk njoh asnjë nëpër administratën shtetërore pasi jam i
lidhur vetëm me letërsinë. Patjetër që do të ndihmoj - i thashë nëse e kam në
dorë.- Dëgjo më tha: -Në shtëpi kam dy divane që u është çarë sfungjeri dhe
duken keq. Mua më vijnë shpesh të huaj dhe më vjen rëndë të më shohin në
gjendje të tillë. U habita. Si ka mundësi që të ketë problem të tillë Kadareja?
Si ka mundësi që ai njeri gjeni të
jetojë si të gjithë në Tiranë pa asnjë diferencim aq më tepër kur e vizitojnë
të huajt? Nejse. I thashë që do ta zgjidh unë. Në atë kohë ne kishim në vartësi
kombinatin e drurit “Misto Mame”. Fola me një nga drejtorët e mi dhe i thashë
problemin. Ai më tha rrugët e drejta pa shkelur ligjin se si mund të
realizohej. Bëmë si bëmë e realizuam. Kadareja u habit. Nuk besoja se administrata
punonte kaq zellshëm dhe të zgjidhte hallet kaq shpejt,- më tha.
Në atë kohë kur ishit
zëvëndësministër pra në vitet 1982-1985 besoj se keni lidhur miqësi me shumë
progonatas, që banonin në Tiranë? Cilët ishin ata dhe a takoheshit shpesh?
Unë
gjithmonë e kam dashur fshatin. Menjëherë sa erdha në Tiranë u mundova të
krijoj lidhje me fshatarët e mi. Konkretisht u lidha me Enver Gugën që ishte
Drejtor pranë Ministrisë së jashtme për marrëveshjet farmaceotike me jashtë.
Enveri kishte mbaruar me medalje Ari jashtë shtetit dhe ishte një intelektual
me dije të mëdha. Ishte i zgjuar, korrekt, i dashur dhe largpamës. Bisedat e
tij ishin shumë guximtare për kohën. Fshatari tjetër i mi ishte poeti i
talentuar Agim Shehu, që kishte pasur shumë peripeci në jetë. I treti ishte
Selaudin Kuca. Ne të tre takoheshim gjithmonë tek Lokali i Operas. Të katër e
donim librin dhe bisedat më të shumta për librat bëheshin. Por ishin vitet
1982-85 kur kishte filluar liberalizimi i jetës pas vdekjes së Enver Hoxhës. Në
fakt te lokalet e Operas dëgjoje njerëz të guximshëm, që shanin sistemin. Ne
bënim sikur nuk dëgjonim dhe pse vetë flisnim për problemet shqetësuese të
vendit. Gjithmonë sa uleshim Enveri dhe Agimi menjëherë fusnin duart poshtë
tavolinës dhe kontrollonin saksitë e luleve që kishim afër. Unë e Selaudini
qeshnim. Kontrollonin për përgjues. Në atë kohë ishin bërë të zakonshme
përgjimet. Por ata kishin shumë të drejtë. Kishin pozicione pune që gjithmonë
duhej të ruheshin kur flsinin, aq më tepër që situata e asaj kohe kishte shumë
provokime. Por ato takime kanë mbetur ndër më të bukurat në jetën time.
-Po në vitet e e para të
demokracisë a e takuat ndonjëherë Kadarenë?
Kam
pasur disa takime sporadike, por takimi më interesant ishte kur bëhej mitingu i
madh në sheshin Skënderbej, kundër të larguarve të ambasadave. Aty dëgjoje
thirrje fyese për të gjithë ata që u larguan duke i quajtur tradhëtarë. Unë atë
ditë kisha ardhur nga Bulqiza për ca punë dhe u afrova të shikoja se çfarë po
bëhej. Dikush më tha se bëhej miting në mbështetje të Kosovës. U afrova dhe
fillova të dëgjoj. Kur sqarova me veten se çfarë bëhej vendosa të largohesha.
Mora rrugën për tek Liqeni artificial se aty gjeja qetësi. Sa kaloj urën e
lanës përballem me Kadarenë. Pasi pyetëm për shëndetin, familjen Kadareja më
tha! Ishe në miting? Jo i thashë. Shkova për të thyer kureshtjen pasi mendova
se bëhej në mbështetje të Kosovës. Kur mora vesh përse bëhej u largova. Shumë
mirë bëre. Nuk është për ty ai miting. Sërish më çuditi ai njeri. Gjithmonë
kishte befasira në diskutime. Më vonë mora vesh se u largua në Francë. E
pranova largimin e tij. Një veprim i ekuilibruar dhe me shumë diplomaci.
Agim Shehu, Nexhmije
Hoxha dhe peozia për Enverin
Për
Agim Shehun tashmë kam folur gjatë në këtë bisedë. Ishte një talent në poezi,
por dhe njeri i drejtpërdrejt. Nëse një
poezi apo tregim nuk kishte vlera ai ta thoshte troç dhe nuk mirrte asgjë
parasysh. Nuk bënte kurrë lëshime në krijimtari. Por Agimi kërkonte me çdo
kusht që të vinte me punë në Tiranë. Donte pasi në Tiranë kishte shokët, ishte
Lidhja e Shkrimtarëve, ishin gazetat, ishin librat, biblioteka, etj…Nuk e di
vitin por një ditë kur zbriste nga qendra e Gjirokastrës, i del përpara
Sekretari i Parë Rrapo Dervishi. Ai ndalon dhe e pyet si është. Për ku je nisur
i thotë Agimi? Do shkoj në Sarandë se vjen Enver Hoxha. Do bëj një takim me
intelektualët aty. I dyzuar Agimi i thotë: A mund të vij dhe unë? Po hajde i
thotë shoku Rrapo. Nisen me makinën e sekretarit. Gjatë gjithë rrugës Agimi
vetëm shkruante. Thuajse nuk fliste. Po fol një fjalë çfarë dreqin shkruan! -i
thotë shoku Rrapo. Agimi nuk përgjigjej. Kur ishim afër Sarandës Agimi i thotë
shokut Rrapo:- Bëra një poezi për Enverin. Lexoje dhe jepua ta recitojnë para
Enverit. Shoku Rrapo e lexoi dhe e pëlqeu shumë. Do i them sekretarit të
Sarandës t’ia japi dikujt që reciton mirë. Ashtu u bë. Kur do bëhej shfaqja
para Enverit dikush recitoi shumë bukur poezinë e Agimit. Enveri e pëlqeu, por
më shumë e pëlqeu Nexhmije Hoxha. I thotë Nexhmija sekretarit të Sarandës,:
Keni poetë të mirë. Shoku Rrapo i thotë se këta kanë recitues të mirë, pasi
poeti që e ka bërë është nga Gjirokastra. Nexhmije Hoxha u bë shumë kureshtare
dhe pyet shokun Rrapo se kush është poeti. -Agim Shehu i thotë shoku Rrapo. Kur
ikën në Tiranë Nexhmija mbledh disa kryeredaktorë të revistave dhe gazetave dhe
u thotë: Keni gazetarë dhe krijues të mirë, por keni dhe disa që i keni kot.
Ndaj ju afroj një poet të mirë. Kush ka më shumë nevojë ta marrë. Ai quhet Agim
Shehu. Pas një jave Agimi u transferua në Tiranë.