Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Poeti me Flatra
E hene, 22.01.2024, 08:55 PM
POETI ME FLATRA
Nga
Timo Mërkuri
I-Duke
lexuar poezinë e Preng Maca “Flatrat” kushtuar poetit Agim Spahiu mu kujtua
legjenda e Dedalit dhe Ikarit, babë e bir, që të mbajtur rob nga Minotauri në
labirinthin e tij të famshëm, për të
shpëtuar ndërtuan krahë si të zogjve dhe u ngritën në fluturim, por Ikari, si
një djalosh pa përvojë, duke ju gëzuar lirisë së fituar papritur dhe i lumturuar që mund të fluturonte, duke bërë lojra
fluturimi në ajër ju afrua së tepërmi diellit, rezet e të cilit aty lart ishin shumë më të ngrohta dhe e
shkrinë dyllin me të cilin ishin ngjitur krahët. Djaloshi fatkeq ra në det, ku
u mbyt dhe më as ati i tij Dedali, i dëshpëruar kërkoi vetë
vdekjen duke u rrëzuar e copëtuar mbi shkëmbinj dhe nga gjithë ky rebelim na ka
mbetur kjo legjendë dhe emri Ikar i detit që përkujton jo aq birin fatkeq se sa
mitin e tyre.
Këtë
ngjarje të njohur nga mitologjia greke e kemi parë si një metaforë të rrezikut
të synimit dhe kërkimit të lirisë përmes shpirtit krijues, por sot shohim se na
jep një qasje origjinale me poezinë “Flatra” të poetit Preng Maca, bazuar
kryesisht te ideja e përbashkët dhe elementët e përdorur në poezi me ngjarjen
mitologjike. Në qoftë se do shqyrtojmë qasjen e mundshme do kishim këto
elementë:
Dedali
ndërton krahë prej druri për të fluturuar e për të shpëtuar nga robëria
(labirinthi) dhe si një mjeshtër druri që ishte ndërton krahë për të fluturuar
si zogjtë, ku krahët shihen si një formë e shprehjes artistike të dëshirës për
liri por dhe pasionit të krijimtarisë, simbolizuar nga flatrat në poezi, por ndryshe
nga Dedali që i ndërtoi, poetit i mbinë vetvetiu krahët (taalenti, frymëzimi
etj), duke qënë pjesë organike e qënies së tij (shpirtërore)si poet. Në këtë
kontekst, fluturimi mund të interpretohet si liria e shprehjes dhe krijimit.
Ikari,
i entusiazmuar, fluturon shumë lart dhe afrohet diellit, moment ku që shihet si
shprehje e një suksesi të pasigurt dhe një ambicjeje e pashtershme që po
përballet me rreziqe të mëdha, ku në poezi këtë moment rrezikshmërie deri në
humbje të jetës, poeti e paraqet nëpërmjet një sërë imazhes, e metaforash: “
kur t’i kesh ato flatra duhet t’i
fshehësh,/ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,/ pastaj ti do të jesh në
një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme./do të kërkosh ndoshta më pas që
t’i presësh” me të cilat e paralajmëron poetin “Ikar” , Agim Spahiun, i cili
pati fatin që të “mos rrëzohej” në det, por dhe fatkeqësinë që të mos e gëzonte
për shumë kohë fluturimin..
Nxehja
e diellit dhe shkrirja e dyllit që lidhte krahët e Ikarit simbolizonë rrezikun
dhe pasojat e fluturimit, duke shfaqur
ashpërsinë e sfidave që vijnë me një kërkim për liri, që në poezi shprehet te
vargjet: “A e di?/Nëse do t’i presësh /ti do të vdesësh”.
Në
përgjithësi, kjo qasje duhet të interpretohet si shqyrtim mbi tensionin midis dëshirës për
liri dhe sfidave që vijnë me këtë dëshirë në kontekstin e veprës së Dedalit dhe
Ikarit dhe poezisë "Flatrat".
II-Nëse
shohim poezinë "Flatrat" nga Preng Maca në kontekstin e një rebelimi
ndaj shtetit monist dhe e krahasojmë me mitin e Dedalit, nuk mund të mos
vërejmë disa ngjashmëri dhe elementë simbolikë të përbashkët. Le ta shohim në
këtë qasje:
Labirinthi
i mitologjisëë greke përfaqëson kufizimet dhe vështirësitë që viheshin nga shteti (monist) ndaj aspiratave dhe
dëshirave për liri të shtetasve përgjithësisht dhe poetëve
veçanërisht. Në këtë kontekst, flatrat në poezi mund të interpretohen si
simbol i shpirtit krijues dhe imagjinatës që është nën kërcënim nga kufizimet
dhe censura e shtetit monist.
Dedali,
duke ndërtuar krahë prej druri, dhe Ikari duke fluturuar drejt lirisë të shihen
si figura të rebelimit që përpiqen të shpëtojë nga kufizimet dhe të qenurit rob
të Minotaurit, ose në kontekstin tonë, rob të shtetit monist.
Ngritja
e Ikarit lart, pranë diellit duke qeshur e lozur në ajër shfaq entusiazmin
(ëndërrat me krahë) dhe mosnjohjen e rrezikut
(shkrirja e dyllit) dhe pasojave të mundshme të përpjekjeve për të
kapërcyer kufizimet. Kjo është një metaforë për rrezikun dhe sfidat që
përcjellin krijimtarinë dhe rebelimin ndaj një shteti monist.
Në
poezi, flatrat përfaqësojnë ndjenjat, imagjinatën dhe shpirtin krijues të
poetit, të cilat të fshehur nga sytë e autoriteteve dhe censurës, shfaqen si
një formë e rebelimit, një përpjekje për të tejkaluar kufizimet dhe censurën të
imponuar nga shteti monist.
Në
këtë kontekst, shohim se poezia dhe miti kanë
temë të përbashkët rebelimin ndaj kufizimeve dhe përpjekjeve për të
arritur lirinë dhe shparehjen e lirë artistike, ku u duhet të ballafaqohen me kërcënimet dhe
pasojat e revoltës së tyre kreative kundër një sistemi të caktuar.
III-
Poezinë "Flatrat" poeti Preng
Maca jka kushton poetit Agim Spahiu dhe e ka shkruar me shumë dashuri e
ngrohtësi shpirtërore, sa që të krijohet përshtypja se ata të dy do kishin qenë
miq të ngushtë. Sigurisht do befasohesisht po tju thoshja se ata të dy nuk
ishin njohur në asnjë rast, nuk ishin takuar kurrë fzikisht, i vetmi takim i
tyre ka qënë shpirtëror, në planetin e poezisë. Kjo është arsyeja që
portretizimi poetik që Maca i bën Spahiut është portret shpirtëror, ngrohtësia
e të cilit dëshmon talentin poetik të poetit Maca dhe botën e tij të pasur.
Sigurisht që një poezi e tillë plot me ndjenja i takon denjësisht poetit Agim
Spahiu, talenti i të cilit jo vetëm që e ngriti atë në qiellin poetik, por dhe e shpëtoi atë shpirtërisht nga
robëria e censurës. Unë e kam njohur Agim Spahiun gjatë kohës që kam qenë me
punë në Helshan të Kukësit në vitet ’80, një djalë i bukur, me baluke të gjata,
krehur gjysëm anash mbi ballë, që gjithnjë ishte me një trishtim të hollë në
sy, si pasojë e goditjeve të njëpasnjëshme që i bënin strukturat mediocre të
partrisë dhe të shtetit. Unë nuk e di për rrethet e tjera, por di që organet e
partisë dhe të shtetit në Kukës “shkrofëtimin” dhe “u vente dora në kobure porsa dëgjonin fjalën
poet”. Më kujtohej që në një nga takimet tona, (më saktë në një bashkëudhëtim
me këmbë nga fshati Tregtan gjer te kthesa e fshatit Fajza, ku unë u ktheva për
të bujtur atë ditë te Met Dervishi dhe Flora Gjondeda ndërsa ai vijoi rrugën
për në Krumë) biseda solli dhe zhurmën
që bënin organet e rrethit për një manjetofon që poeti kishte siguruar, thua se
ishte një vepër e ndaluar. Agim Spahiu ka vuajtur shumë në përndjekjen që i
bëhej, ku ngado që të kthehej do shihte si lartësoheshin rreth tij muret e
labirinthit monist, por ai “nxorri” flatrat e talentit të tij poetik për të
fluturuar jo vetëm mbi muret e këtij labirinthi, por edhe të kohës, duke hyrë
në epokën e re shumë vite para se të rrëzoheshin “muret e Berlinit” shqiptar.
Prandaj është e bukur qasja me Dedalin dhe Ikarin në funksion të kohës moniste,
ku ai, ndonëse ju afrua shumë “diellit” nuk u rrëzua, pasi flatrat nuk i kishte
të ngjitur me dyll, por i kishte pjesë të organizmit të tij (poetik).
Unë
dua të besoj që poeti Maca ka patur parasysh këtë qasje mitologjike kur e
krijoi poezinë me metaforën e flatrave, kjo dhe për faktin se poezia ka një
shtrat mitologjik në strukturën
artistike të saj, ku:
Flatrat
janë metaforë e fuqishme për ndjenjat,
shpirtin artistik dhe imagjinatën që janë realisht të kufizuara nga regjimi,
ndaj themi se përdorimi i flatrave si metaforë është element kyç i poezisë.
Flatrat shërbejnë si një figurë simbolike që përfaqësojnë përpjekjet për liri
dhe shprehje artistike, të cilat mund të jenë nën kërcënimin e kufizimeve dhe
censurës, ku vargu "Sa fatkeq je o
njeri... një flatrambajtës si ti!" ndërsa sugjeron një vlerësim të lartë
për poetin si një rebel kundër kufizimeve dhe një shpallje e aritjes së lirisë
së tij artistike, shpall njëkohësisht edhe
mundin e përpjekjet e tij për të mposhtur pengesat pse termi
“flatrambajtës” tingëllon si
“flamurmbajtës”) . Përdorimi i
"tokësorëve" gjithashtu është
një metaforë për shoqërinë e zakonshme dhe kulturën masive. Duke e paraqitur
poetin Spahiu si diçka më shumë se një "tokësor," poeti Maca pohon dallimin a poetit (Spahiu) ndaj
masës dhe zakoneve të vendosura nga shoqëria.
Përdorimi
i imazheve poetike, si dhembja e vazhdueshme dhe fluturimet në ëndrra, ndihmon
në krijimin e një pasqyre vizuale dhe thelbin e poezisë, duke kontribuuar në
forcimin e ndjenjave dhe ideve të shprehura në poezi.
Nëse
shohim flatrat si shpirt krijues, ato personifikohen si një forcë ose entitet
që ka veti dhe veprime njerëzore.
Pra,e
parë në gjerësinë e saj, poezia mund të
quhet një vepër metaforike dhe simbolike, pasi shfrytëzon këto teknika letrare
për të shprehur mesazhet dhe ndjenjat e saj në mënyrë të veçantë.
IV-
“Flatrat” e poetit Prenga Maca është një poezi e shkruar me dashuri dhe adhurim
për poetin Agim Spahiu. Në këtë interpretim
përmban disa elementë dhe vargje që e shprehin në mënyrë të dukëshme
këtë ndjenjë të autorit. Kështu : titulli i poezisë: "Flatrat" tregon
se poezia është dedikuar poetit Agim Spahiu, fakt që në vetvete shërben si një indikacion i ndjenjave
të veçanta, vlerës së krijimeve të Spahiut dhe dhimbje për vuajtjet e tij në
diktaturë, si dhe ndikimit që poezia e tij ka patur mbi poetin Maca.
“Më
trishtove kur më the, se të kanë dalë flatrat” , një varg i bukur poetik, i
cili kuptohet si një reagim emocional
ndaj titullit të bukur të gjetur prej vetë poetit Maca, por tëshprehur si një
njoftim i Spahiut. Realisht poezia ka formën e një bisede miqsh me tone të
ulëta, thua se druhen mos i dëgjon dikush, duke sjellur në sfond një kohë
tjetër
Vargu
“...dhe me fluturime i sheh ëndrrat” sugjeron se poeti Spahiu shihet si një
burim i frymëzimit dhe shpirtit artistik, pasi fluturimet dhe ëndrrat janë
simbole të lirisë dhe imagjinatës krijuese.
“Sa
fatkeq je o njeri... një flatrambajtës si ti”, varg mund të konsiderohet si një
përsiatje dhe vlerësim i lartë për poetin Spahiu, ku përdorimi i
"flatrambajtës" mbart konotacionin e një titulli me rëndësi
(flamurmbajtës) dhe interpretohet si një shprehje e lartësimit të poetit.
Vargjet:
“A e di? Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”
shfaqin një ndjesi tragjike dhe mund të interpretohen në mënyrë të
ndryshme: si një paralajmërim për një lloj sakrifice apo vuajtje që poeti mund
të përjetojë në rast dorëheqjeje nga krijimtaria poetike, për të cilën aq shumë
i është sugjeruar Agim Spahiut në monizëm, për të mos u përndjekur. Unë ju them
se organet në Kukës kishin shumë frikë nga poezia e Agim Spahiut (dhe jo
vetëm), është kjo frikë e tyre që çoi në masa të ashpra ndaj poetëve të tjerë.
Në Kukës, në kohën e monizmit i ishte shpallur luftë poezisë.
Te
vargu “...Miku im të lutem ruaju” fjala "lutem" përforcon ndjenjën e
thirrjes dhe kujdesit ndaj mikut
Spahiu,, fjala “ruaju” ishte një këshillë që ja jipnin poetit gjithë
miqtë e tij të sinqertë, ndërkohë vargjet: “Kur t’i kesh ato flatra duhet t’i
fshehësh, ndërsa përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin” sugjerojnë një
ndjeshmëri dhe dhimbje të padurueshme që shoqëron shpirtin
krijues të poetit Maca, (i cili spostohet në kohën e poezisë) për mikun e tij,
pse flatrat, si simbol i imagjinatës dhe lirisë, duhet të mbahen dhe fshihen
për të shmangur pasojat e njohura nga kufizimet dhe censura.
Është
pikërisht dashuria vëllazërore mes dy poetëve që i sugjeron Macës vargjet
:”...pastaj ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme, të padurueshme. do të
kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh” ,
vargje që shfaqen si një parashikim i mundshëm i sfidave dhe vuajtjeve
që mund të përjetojë poeti ( Spahiu) për shkak të përpjekjeve për të mbajtur
fshehur pasionin e tij poetik.
Të
tronditin vargjet profetike:”Do të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh. Por e
pamundur o mik i vlerë! Nëse do t’i presësh, ti do të vdesësh”, të cilat kanë
një konotacion tragjik me fatin e poetëve në monizëm, të cilët sido që të
vepronin do kishin një përfundim të dhimbshëm. Prerja dhe sakrifica mund të
shihen si një pasojë e dhimbëshme e dëshirës së madhe për liri dhe krijimtari poetike.
Pra,
poezia "Flatrat" shpreh një adhurim dhe dashuri për poetin Agim
Spahiu, duke e konsideruar atë si të veçantë e të vlerësuar mes (krijuesve)
tokësorë e shprehur kjo imazhe të fuqishme, që gati na afrojnë me një
shenjtërim të figurës së mikut të tij poet. Në këto vargje adhurimi dhe
dashuria vijnë si dallgë njera pas tjetrës, duke shpërndarë imazhe që u
ngjasojnë stërkalave të detit mbi shkëmb, ku përthyhen si në prizma drita e na
shfaqin një brerore dritësimi mbi kryet e poetit Agim Spahiu. Kemi pak poezi me
kaq shumë dallgë shpirti.
Sarandë, Janar 2024
Preng Maca
FLATRAT
(Poetit Agim Spahiu)
Miku
im të lutem ruaju!...
Më
trishtove kur më the,
se
të kanë dalë flatrat
dhe
me fluturime i sheh ëndrrat!
Është
e vështirë të kesh flatra.
(këto
gjëra të veçanta më trembin!)
kur
t’i kesh ato flatra duhet t’i fshehësh,
ndërsa
përpiqesh t’i fshehësh ato dhembin,
pastaj
ti do të jesh në një dhembje të vazhdueshme , të padurueshme.
do
të kërkosh ndoshta më pas që t’i presësh.
Por
e pamundur o mik i vlerë!
A
e di?
Nëse
do t’i presësh
ti
do të vdesësh.
Sa
fatkeq je o njeri...
mes
tokësorëve,
një
flatrambajtës si ti!