Kulturë
Armela Hysi Keliraki: Qirinjtë për Kosovën Martire në Athinë
E shtune, 20.01.2024, 07:59 PM
Qirinjtë për Kosovën Martire në Athinë
Përkujtohet
Dita e Masakrës së Reçakut
Nga
Armela Hysi Keliraki
Masakra e Reçakut, ngjarja e rëndë, data e së cilës i
është përkushtuar simbolikisht të gjitha viktimave të shkaktuara nga forcat
ushtarake e policore në Kosovën Heroike, që vetëm gjatë viteve 1998-1999 arriti
11.840 – viktima, ndodhur më 15 janar të vitit 1999, në fshatin Reçak të
Shtimes, ku forcat policore serbe vranë e masakruan 45 civilë shqiptarë, dhe që
qe vetë zanafilla e sensibilizimit për ndërhyrjen ndërkombëtare u përkujtua
sivjet edhe në Athinë.
Në përvjetorin e njëzet e pestë të kësaj dhimbjeje-gjëmë
ku simbolikisht përkujtohen të gjitha viktimat civile të rënë në periudhën e
errët, por dhe tërë historia e re e Kosovës, në mbështetje të thirrjes së gjerë
që shpalli Qendra "Gjenocidi në Kosovë - Plagë e Hapur", me një
iniciativë personale, aktivistja e njohur në Diasporën Shqiptare të Greqisë,
Brikena Qama e mbështetur nga një grup dashamirë e të përgjegjësuar miqsh e
aktivistësh u ndërmorë përkujtimi i kësaj dite edhe në kryeqytetin helen.
Qirinjtë e shpirtrat e ndezur, si në dhjetëra qendra në
Kosovë e mbarë botës për të mos harruar, mos mbyllur sytë, e për të pëshpëritur
një bekim për tërë sa ka arritur Kosova e mbarë shqiptaria gjer më sot,
flakëruan kështu për të parën herë edhe në Athinë, duke pretenduar me këtë
iniciativë të këtij grupi aktivistësh për të filluar një traditë të përvitshme.
Greqia përveç se atdheu i ri i mijëra emigrantëve
shqiptar pas viteve nëntëdhjetë, me komuniteti më të madh të emigrantëve në
rajon, por dhe komunitetin shqiptar më të madh në tërë botën, duhet thënë
gjithashtu se është një shtet anëtar i Natos dhe që ka qenë pjesëmarrëse aktiv
në ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë, veçse ende hynë tek ato shtete që s’e
kanë njohur zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur. Megjithatë vitet e fundit
disa marrëdhënie që do t’i pagëzonim me simbolizëm si marrëdhënie diplomatike
në miniaturë – kryesisht të para si proces i marrëdhënieve tregtare e kulturore
që kanë pasur sukses të pikasur e në progres, janë struktura që shpresojmë të
konsolidohet me arritjen e shumëpritur. Sensibilizimi i opinionit publik
përherë ka qenë hapi i parë i çdo ndryshimi dhe çdo arritje, prandaj duhet
thënë se ky tubim organizuar nga zonja Qama dhe mbështetja e tërë atyre
atdhetarëve, siç shpresojmë çdo vit e më tepër është vërtetë i vyer dhe ka një
vlerë me ndjeshmëri sublime.
Lulëkuqet e atdheut tonë të sprovuar, objekti, ornamenti
e kujtesa që ka zgjedhur për sigël e dritësim Qendra "Gjenocidi në Kosovë
- Plagë e Hapur" ishin edhe këtu simboli i parë, krah flakës së nxehtë e
ndritshme të qirinjve që mbushën sheshin e Kushtetutës, Platia Syntagma, si
pika më e njohur e vetë pulsit politik të Athinës zyrtare. Petalet e saj të
mëndafshta dhe bukuria e saj sa e egër aq dhe brishtë, por e pamposhtur janë
përherë frymëzim dhe fasha më e mirë për plagët, me ngjyrën e ripërtëritjes.
Këtë nuk mund të mos e mendojmë me fuqi të gjithë.
Brikena Qama, që e kemi dëgjuar të shprehet prej
momenteve të para për mbështetjen e këtij simboli duke thënë: “Çfarëdo që të ishte në vend të lulëkuqes do
e mbështesja, ca më tepër që është kjo lule e cila në legjenda të ndryshme
përmendet si lulja që rritet në tokë të ujitur me gjak. Përtej kësaj, kujdesi
që i është kushtuar detajeve në projektimin vizual dhe personifikues të këtij
simboli, është përtej së bukurës dhe ndjeshmërisë njerëzore.
Katër
petalet, për katër faktet që përcaktojnë gjenocidin (spastrim etnik, vrasje,
dhunime seksuale, shkatërrim të objekteve kulturore e atyre të kultit), të
vendosura në formë kryqi, ashtu si shënoheshin banesat e shqiptarëve të Kosovës
për t'u bërë të dallueshme nga të tjerat
dhe zemra e lules me koka njerëzish në kujtim të të ikurve.” në fjalën e saj të rastit solli një përqasje sferike të këtij tubimi e
rëndësinë e veçantë të përkujtimit të kësaj dite. Dhe padyshim mori gjerësisht
falënderimet për mbarëvajtjen e kësaj fillese vendimtare, siç çdo hap i parë
është vendimtarë për çdo udhë të denjë të ndërmerret. Çastet e heshtjes, si një
shenjë respekti të thellë për shpirtrat e amshuar nuk mund të mos qenë edhe
çaste përlotjeje.
Personalisht kur Brikena Qama na dhuroi mua e tim shoqi
një vit më parë kokardën zyrtare me Lulëkuqen simbolike, nuk e dinim se do qe
një ditë kaq e veçantë për t’u krenuar me të në gjoks, në zemër të Athinës, por
jeta përparon, liria e Kosovës është fakt dhe vigjilencë e vazhdueshme,
padyshim; provokimet e incidentit më të fundit dhe gjaku i dëshmorit më të ri
të Kosovës na bënë të gjithëve të preokupohemi më me zell për sensibilizimin e
tërë opinionit botëror dhe kjo arrihet veçanërisht kur ka aktivistë të mirë si
tërë ç’mbushën sheshin në mbrëmjen e lagësht me reshje sporadike e të ftohtë,
dhe personalitete si zonja Qama që përherë vjen me ide e aktivitete të reja,
por që mbetet aq modeste duke u shprehur: “Të
rrëmben! Emocionet, ankthi i ecurisë dhe kur mbaron nis e përlotesh prapë e
prapë, edhe për atë që ke bërë sepse të gjitha herët të duket se nuk mjafton,
se është fare pak.”
____________