Kulturë
Prend Buzhala: Martin Camaj – Vrasja e poetit dhe gjakimi e kërkimi për liri krijuese
E shtune, 13.01.2024, 08:59 PM
MARTIN CAMAJ: VRASJA E POETIT DHE GJAKIMI E KËRKIMI PËR LIRI KRIJUESE
(Lexim
interpretues poezisë “Vrasja e poetit” të Martin Camajt)
Nga
Prend BUZHALA
MARTIN CAMAJ:
VRASJA E POETIT
Liria e fshehun mbas
vargjeve
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc
roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.
E ti ishe për ta nji
bletë
tue u rropatë kah drita
në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.
Përfytyrojeni
këtë skenë-imazh si në një film: poeti i burgosur pas grilave; ose të skenës së
poetit të vrarë apo skenës para pushkatimit në regjimet e diktaturave
totalitare të tipit rus, aty roja që rri galuc, kurse kufijtë janë “përtej
botës”... Në paradigmën tematike të kësaj poezie ne vetëm mund ta kapim si në
një ekran. A thua, a flitet për personazhin lirik, poetin, që gjendet para
pushkatimit, apo ai tashmë është i vrarë?!
1. Skenat e hapjes
së vrasjes së poetit dhe konteksti kohor
Te poezia e Camajt, ku gjithçka
thuhet dendurisht me pak fjalë, nuk ka skena të vrasjes, por ato i lexuam nga
teksti i mësipërm.
Po, kur poeti Maertin Camaj bisedon
me poetin e burgosur, ose para pushkatimit, ky tekst na thotë se po ndodh një
ngjarje tejet e rëndë: përshkruhet një “ngjarje”, mu aty ku liria dhe shpirti i
fshehur pas poezisë janë të vdekur. Poeti është përshkruar si një “personazh”
që qëndron në një skenë makabre: “nji galuc roje”, me imazhet e qenieve njerëzore që ngjajnë në
një SHPEND MISHNGRANËS ME FYTYRË NJERËZORE. Mbase, roja galuc qëndron pranë
kufomës, kurse “mishngrënësit” fërkojnë duart të kënaqur për prenë.
Aty, në kontrast të thellë gjendjesh
e skenash, vjen përshkrimi i një blete “tue u rropatë kah drita në qelq” (bleta
si simbol kërkimi, dhurimi që e do lirinë e thithjes së luleve), dhe kërkon të
shpëtojë nga kufijtë si kthetra grabitqarësh të botës njerëzore, si shprehje e
lirisë dhe kërkim për vlera më të larta pune e prodhimi., Ndjesia e strukur, e
fshehur, e thënies poetike, përmes bletës,
poetit, qelqit, skenës së një ngjarjeje makabre, - këtu aspiron një realitet më
të lartë dhe më të lirë.
Liria e fshehun mbas vargjeve
të poezisë
nuk ishte vetëm:
Konteksti
i kësaj lirie në këtë poezi, mund të kuptohet si ide dhe ndjesi e lirisë që
ngulitet në brendinë e shpirtin e vargjeve në kohën (historike) të diktaturës.
2. Përdorimi i imazheve: liria krijuese e fshehur nëpër
vargje
Cila
na qenka ajo liri e fshehur pas vargjeve?
"Liria e fshehur mbas
vargjeve" në këtë kontekst mund të kuptohet si një ide apo ndjenjë e
lirisë që ngulitet thellë në shpirtin e vargjeve të poezisë, kaq e padukshme aty. Ekziston një LIRI
TJETËR, e cila përndiqet e vritet në emër të lirisë (sugjerimi semantik i
titullit, si vrasje e poetit). A nuk
ishte mjaft poetë të letrave shqipe, të asaj kohe, që arrinin ta strehonin
lirinë e tyre brenda krijimtarisë poetike?!
Kjo liri e fshehur nëpër krijesat
lirike, nuk mund të shprehet drejtpërdrejt para skenës së vrasjes. Madje, as të
përmendet ajo skenë. Ndjesia është e thellë, por është e vështirë e
komunikueshme dhe e identifikueshme. Kjo liri tjetër, e brendshme në vargje,
ekziston si thesar i fshehur e që mund ta zbulojnë vetëm lexuesit. Dikush e ka
përndjekur këtë liri dhe këtë e sugjerojnë skenat e imazheve (roja galuc, skena
para pushkatimit dhe qelqi që reflekton dritën. Përdorimi i imazheve të tilla
figurative, është unik, i papërsëritshëm, Rrezatimet e ndjesive, emocioneve dhe
ideve janë të pasura. E fshehta provokon kërkimin, siç është liria! Së këndejmi
kërkohet angazhimi i lexuesit me përvojat e tij të pasura të leximit, për ta
përvetësuar pasurinë kuptimore e figurative të vargut, prandaj edhe përjetimi
është më i thellë dhe më i larmishëm.
Përshkrimi i një skene
metaforike=krahasuese të personazhit lirik (poetit para vrasjes apo tashmë të
vrarë- këtë le ta përfytyrojë vetë lexuesi),
Përshkrimi i vargjeve (mbase i
lexuesit ose o ndjesive tjera aspiruese) si një bletë që ecën drejt dritës në
qelq, sugjeron se ekziston një kërkim i
vërtetë (bleta) për ta arritur atë ndriçim që depërton përmes qelqit në ato
hapësira burgu a diktature. Bleta është krijesë e vogël, por ajo simbolizon
PËRKUSHTIMIN (“i vyeshëm si bleta” thotë populli). Ndriçimi i dijes, krijimit,
shpirtërores, vijn nëpërmes ditës së qelqit. Një shtegtim drejt atij qelqi,
asaj drite, është shtegtim i kërkimit të
pandalshëm. Dikush ësht duke e shpërndarë atë dritë, që gjendet andej qelqit;
lexuesi mund ta përfytyrojë se gjithçka është e dukshme si një kështjellë prej
qelqi, sado izolim të ketë. Mbase, ky lexim poetik i vargut që fsheh lirinë,
është ajo dritë.
3. Imazhi i rojave
të diktaturës dhe atmosfera e mbyllur e diktaturës
Mirëpo, lexuesit nuk i shqitet pamja
e një “galuc
roje”. Mos ai krahasohet me shpendin
mishngrënës. Mos është vetëm njëri nga ata mishngrënës “me fytyrë njerëzore”? Përse
poeti nuk thotë “roja galuc”, por e vë përpara ndajfoljen që paraqet një
gjendje? "Galuc roje" mund të interpretohet si një formë e rojës që e
rrethon poezinë (vargun që fsheh lirinë) apo poetin e vrarë!
Shpendi mishngrënës ka
karakteristikat si të njerëzve. Dhe aty qëndron roja e ulur. Meqë shpendi
mishngrënës është simbol i i-grabitjes, që na e sjell pamjen e nj qëndrimi
gjuetie në gjaun e vet, atëherë mos ndoshta ajo roje përcjell poetin në banesën
e tij dhe pret “për ta gjahtuar” (vrarë,
përcjellë, burgosur)? Nëse zogjtë dhe bletët sipas kulturave antike, janë
lajmëtarë të perëndive dhe shpirtrave, si simbole të lirisë për fillime të reja;
atëherë kah na shpie simbolika e zogut grabitqar mishngrënës që fluturojnë të
lirë dhe kanl shikim të ,mprehtë mbi prenë? Kujt i drejtohet i shikim i prehët
i grabitqarit? Poeti Martin Camaj gati sa nuk na vë përpara një simbolike
postmoderniste të një “shpendi mishngranës”.
Në këtë poeti gjithçka është nën
këtë vëzhgim mishngrënësish, edhe vargu poetik, edhe liria, edhe drita, edhe
poeti i vrarë a që pritet të vritet. Gjithçka jep atmosferën e mbyllur nën
roje. Liria e shprehjes është e kufizuar, e censuruar.
Lexuesi vetëm mund të përfytyrojë
vuajtjen tantaliane që i shkaktohet Tjetrit (poetit që vritet) nga qenie njerëzore
që ngjajnë në ara shpendë të tmerrshme. Vuajtja për kërkimin e lirisë përballet
me pengesat drejt rrugës, shtegtimit. A thua, është vetë poeti që survejohej
për t’u vrarë dhe kishte arritur të largohej?! Rruga drejt qelqit që reflekton
dritën “përtej kufjve”, mund të lexohet si rrugë e heronjve legjendarë që
kapërcejnë njëmijë vështirësi. Dhe këtë poeti e thotë me pak fjalë, me dy a tri
vargje. Martin Camaj ishte vetë KËRKUES
I LIRISË.
4. Përmasat
semantike e metaforike të titullit të poezisë: “Vrasja e poetit”
Titulli "Vrasja e poetit"
në kontekstin e kësaj poezie, na sugjeron një tjetër përmasë tensionesh emocionale e
dramatike. Sugjeron një humbje, një humbje a një shpëtim!? Aty qëndron sfida që
vetëm sa ndjehet, e të cilën e përjeton personazhi lirik i kësaj poezie. A
është kjo një ndarje apo humbje, nj mposhtje, një nënshtrim? Porse humbja është
e thellë, sepse akti i vrasje është i kryer. Titulli i apelon lexuesit e
vëmendjes së tij: se liria është nën sulm nga mishngrënësit kundër qenies së
pafajshme, të pambrojtur. Elementët poetikë na e vënë imazhin e një
portretizimi të thellë dhe tejet të pasur me përjetime të shprehjes artistike
nën kontrollin e censurës nga persekutimi që i bëhet lirisë. Le ta lexojmë edhe
si ftesë të poetit për ndërgjegjësim ndaj kërcënimit të lirisë, shprehjes së
lirë dhe një kombi të tërë. Titulli “Vrasja e poetit” mund të lexohet edhe si
metaforë që shënjon një situatë: poezia e liria janë në rrezik nga sulmet e
rojave gjuetare, përcjellëse, mishngrënëse. Ndarja është dramatike me përmasa
tragjike: fort nuk është e rëndësishme se a vërtet aty gjendet i vrari apo i
ikur. “Vrasja” lexohet edhe si simbol i
humbjes së lirisë ,krijuese: po deshe ta vrasësh për së gjalli poetin, atëherë
vritja lirinë e krijimit e të shprehjes! Është, vdekje për së gjalli!
Pjesëmarrës në këtë vrasje të lirisë poetike janë censura, persekutimi shtetëror, përndjekja.
Gjithandej rrezatimet semantike e shpërndajnë drejt nesh revoltën, trishtimin,.
Sa i rëndë është përjetimi i mohimit të këtyre vlerave: lirisë krijuese dhe
lirisë së shprehjes! I mohimit të lirisë
së shprehjes së fjalës, mendimeve dhe ndjesive. Gjithsesi, metafora e titullin
zgjerohet me përmasën tjetër, atë të ftesës për ndërgjegjësim për rëndësinë e
kësaj lirie aq të gjakuar e që kërcënohet nga qarqe politike, shoqërore a
shtetërore. Lexuesi tashmë e ndien se sa
e rëndësishme është kjo liri krijuese, pa të cilën poeti nuk mund të jetojë.
Poeti ecën bashkë me lexuesin në këtë rrugëtim drejt dritës, pasi përmasa e
tillë emocionale gjendet jashtë fjalëve të tekstit. Ky lexues tashmë bëhet
pjesë e kësaj përvoje shpirtërore. Metafora e “vrasjes” (një fjalë kjo me
përdorim bizar, të ashpër), vetvetiu shkakton ndjesinë e trishtimit dhe të
revoltës. Referenca e titullit shkon përtej tekstit, shkon kah shtigjet e
ndjesive e mendimeve të thella të lexuesit, si pjesëmarrës në këtë shtegtim.
5. Simbolika e shpendit
mishngrënës
A është fytyra njerëzore e shpendit
mishngrënës si lidhje midis natyrës dhe njeriut, si ndërthurje botësh? A kanë
bashkëveprim? Imazhi i këtij shpendi me fytyrë jashtë vetvetes së natyrshme:
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.
Pamja me këta dy rreshta lexohet në
shumë mënyra, meqë sugjeron shumëkuptimësinë. A janë ata mishngrënës rojat e
burgut, politikanët, përcjellësit, spiunët e diktaturës? Gjithsesi, vargu
ngërthen edhe përmasën e kritikës ndaj sistemit të diktaturës, kritikë kundër
rendit, me evokimet e mbikëqyrjes tejet të rreptë. Aty lexuesi i përfytyron
edhe padrejtësitë e gjyqeve e ato të institucioneve. Këto përmenden në
kontekstin kohor të diktaturës. Mund të duken gjakftohtë e të qetë këta
politikanë me fytyrë njerëzore, por thelbi është tjetër me veprimet që ata i
bëjnë, me anë të krimeve kundër lirisë dhe me anë të vrasjeve. Potencialet e pushtetit abuzues me kërcënimet
për drejtësinë e lirinë, janë të përmasave të përbindshme “mishngrënëse”,
njeringrënëse. Autoritarizmi i kohës
mbulohet më kot me pamje njerëzore, me fasadën humane! Aty, këto dy vargje,
ngërthejnë edhe theksimin e frikës, mbylljes, censurës nën sistemin e tillë.
Janë anët më të errëta të një kohe dhe
tashmë poezia na e rikujton atë mot të lig me vuajtjet, po edhe me sakrificat e
të burgosurve, të të vrarëve për lirinë e shprehjes e lirinë njerëzore
përgjithësisht. Gjakimi për liri nuk shuhet asnjëherë.
6. Tekst i
kondensuar poetik: katarsisi i lexuesit, simbolika e bletës dhe e dritës
Teksti poetik i kësaj poezie
ngërthen një poetikë të thënies së kondensuar. Figurat e imazhet krijojnë një
thellësi tekstuale, me aq sasi informacioni në një hapësirë aq të pakët
vargjesh! Mu ashtu siç është hapësira e burgut dhe e dritës së pakët që
depërton përmes qelqit. Gjithçka që ndodh, jepet me gjuhë poetike në mënyrë të thellë. Teksti ndërlidhet me
kontekstin historik (diktatura, burgoja, vuajtjet e vrasja e poetëve të shumtë) e kontekst biografik (ikja e poetit për shkak
të përndjekjeve politike), e shtyn në kontekstin e përtashëm kohor lexuesin të
reflektojë mbi këtë histori, mbi këto ngjarje
për të gjithë ata që sakrifikuan e luftuan për lirinë.
Poezia na e shqipton këtë mundësi
përmes dres mjeshtërore krijuese të Martin Camajt: gjakimin krijues për të shkaktuar katarsis te lexuesi,
për të shkaktuar refleksione e ndjesi të
thella për përvojat njerëzore e nacionale dhe mbi ngjarjet historike: liria
mbrohet me çdo kusht. Krijimi letrar bëhet mjet i jashtëzakonshëm për të shprehur ndjenja e përjetime, dhe për
ta dokumentuar në mënyrën e vet
realitetin bizar politik të kohës. Edhe kjo poezi është një dritare shpirtërore
që shpreh e shqipton ato përvoja.
Poezia mund të dekodohet në këto
përmasa kontekstuale, pra.
E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë kah drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.
“Ti ishe” i drejtohet folësi poetik
(autori) folësit lirik (protagonistit apo poetit të vrarë apo të përndjekur).
Këta dy folës nuk bën të ngatërrohen, sepse shkrimtari është autor i tekstit,
kurse poeti është “i vrari”. Kurse
bleta, simbol përkushtimi e punëtoreje të vyeshme, shërben si këpujë poetike,
si lidhje me mundimet e veprimtarinë krijuese. Autori na e jep një tjetër imazh
të bletës "tue u rropatë kah drita në qelq": një imazh në lëvizje, në
kërkim të dritës. Kërkim për dije, liri,
për kuptimin e jetë jashtë asaj kornize të mbyllur. Lëvizja është përpjekja e
poetit që po përpiqet për lirinë e krijimtarisë. Poeti u vu në lëvizje! Drita
me qelq! Sa simbol i gjetur! Kurse vargu i fundit "andej kufijve të botës
njerëzore", shqipton gjithë atë tmerr kufizimesh e mohimesh që e kan
çerdhen te sistemi diktatorial. Si të shpëtosh nga këta kufij të këtij
realiteti që shënjohet si mbyllje e vrasje poetësh? Qenkan, pra, dy vetje, dy
persona shënjues: poeti i vrarë dhe tjetri që “merr mësim” nga i pari!
Poeti portretizohet si krijesë e
vogël, si nj bletë! Mirëpo, përkushtimi i tij është si i bletës. Ai është
gjakues i lirisë dhe kërkues i lirisë, i dritës së lirisë që depërton përmes
qelqit.
Përpara, pra, kemi tashmë tjetër
pamje: atë të poetit që rropatet kah drita, për ta përçuar si mesazh kërkimin e
dritës dhe lirisë. Kjo dritë depërtuese
a nuk është dhe prirje e aftësi e poetit për të përhapur edhe dritë e ndriçim
nëpër mundime e vuajtje, apo që shënjon shpresën për liri e përkushtim!? Imazhet e tilla poetike e shton dhe e fuqizon
shtresimet e mesazhit poetik. Besimi për fuqinë e lirisë dhe poezisë është
tejet thelbësor. Lëvizja drejt dritës: a nuk është edhe mbrojtje e lirisë? A
nuk e ushtron këtë ndikim në ato ambiente të mbyllura?! E, pra, vizioni poetik
është ai i shpresëdhënies, optimizmit për ndryshimin e një gjendjeje.
Diçka ndodh "andej kufijve të
botës njerëzore". Ndodh shkëputja pas një vrasjeje. Është gjakimi për
kërkime përtej atyre kufijve, kërkim për përvoja të lira, për shpëtim, për
krijimtari, për qasje të hapur kundër mbylljes,
pasi t’i ketë refuzuar kufizimet e diktaturës. Vetëm jashtë atyre
kufijve folësi poetik mund ta shprehë vetveten.
Kurse poezia është mjeti për ta
shpëtuar vetveten nga nga ai realitet i
zymtë e të ngirtë, të akullt, e
nga ato kufizimet që ta zënë frymën.
Poezia lexohet si një proces i
lirimit të mendjes nga ato kufizime e nga ajo dhunë e shfrenuar “mishngrënëse”,
i proces i lirimit të brendshëm shpirtëror dhe si proces i fitimit të lirisë.
Është rruga e ndryshimeve jo vetëm personale, po edhe shoqërore. Kurse lexuesi
është ilirë në reflektime dhe komentime! Liria qëndron e mbjellë si farë brenda
vetë aktit të saj krijues.
7. Poeti i akuzuar
sot: përse nuk qenka vrarë!
Porse shpifjet kundër poetit nuk
prajnë as sot, pas vdekjes së tij e pas shumë rravgimeve në jetë: i akuzuar
përse nuk është vrarë as burgosur, përse ka shpëtuar dhe përse ka mbetur gjallë!!!
Njësoj me atë që dikur thoshin
skllavopronarët për indianët: “Vetëm një indian i vdekur a i vrarë është i
mirë”!
Shpifjet e djeshme aq vrastare për poetët,
shndërrohen në armë të së sotmes, si një regres frenues gllabërues historik! Është një si taktikë e
morbide për të diskredituar dhe përjashtuar zërat kritikë për të djeshmen
makabre e për të sotmen me aq shumë probleme.
Për shkak se dje krijuesit
persekutoheshin pse nuk përshtateshin me verat e tyre me regjimin, sot, kundër tyre, pas vdekjes, përpiqet të
bëhet një vrasje e dytë, me mendjen e ligë plor ta zhbërë lirinë e fituar dhe
për ta zhbërë edhe kritikën ndaj të
sotmes!
A ka mundur krijuesi letrar t’i
mbyllë sytë përballë absolutizmit skllavërues, si nuk i mbylli Ezopi i moçëm?
Ovidin e kishin syrgjynosur dhunshëm
për shkak të vargjeve të tij, kurse perandori romak, Oktavian Augusti, e kishte
kërcënuar me vdekje Virgjilin, nëse nuk e shkruante një ep për shkëlqimin
perandorak. Në shekullin që lamë pas, Mandelshtam e Babel, i lanë eshtrat e
tyre nëpër llogoret e Sibirisë, Lorkën e kishin pushkatuar, Cvetajeva u detyrua
të vetëvarej; Brehtit të dëbuar nga Atdheu, ia digjnin librat nëpër manifestimet
naziste.
E dihet, që nga ato kohë të moçme,
akëcili krijues i madh është cilësuar edhe si shkrimtar i oborrit, si Gëte,
Naimi ynë i madh kishte pozitë të lartë pushtetore në kierarkinë e perandorisë
turke, mu në kohën kur i burgosej e i syrgjynosej vëllau i tij, Samiu, po nga
ai shtet pushtues që i shërbente vetë. Por Naimi ka bërë kthesë në idetë
rilindase, humaniste, atdhetare e liridashëse, ka bërë kthesë në vizionet e
hapësirës shqiptare.
8. Një rikujtesë e
shkrimtarëve të përndjekur (rishkrim eseiszik)
Paradigma poetike e lirikës ssë
Camaj na çon tutje...
Janë qindra krijues shqiptarë që i
provuan mbi kurrizin e tyre përndjekjet, burgosjet, privimet, libërdjegiet,
pushkatimet, vrasjet, eksodet, anatemimet e çka jo tjetër, vetëm për shkak të
qëndrimit të tyre në anën e atdhesisë, identitetit të rrezikuar shqiptar,
humanizmit, demokracisë, lirisë, ideve largpamëse e vizioneve emancipuese,
ashtu sikundër iu ka ndodhur dhjetëra humanistëve arbërorë, si Marin Barletit,
Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Leonik Tomeut, Martin Segonit, apo autorëve të
Letërsisë së Vjetër Shqipe, si Buzukut, Dhimitër Frangut, Pjetër Bogdanit,
Pjetër Budit, Lekë Matrangës, Pal Engëllit e engjëllorëve të tjerë, Lukë
Bogdanit etj. etj., të cilët i përndoqi okupatori turk, i detyroi ta braktisin
atdheun apo edhe të vriten nga po ky okupator, më mizori që ka njohur historia
e këtij populli në këto anë. Okupatori turk i gjeti arbërorët me universitete e
shkolla të larta të frymës humaniste evropiane. Tash vetëm mund ta imagjinojmë
se ku do t’ishim sot me një traditë 600-vjeçare universitare, të cilën e
ndërpreu sundimi turk që nuk kishte se çka t’iu sillte arbërorëve, pos
errësirës e obskurantizmit.
Kështu iu ka ndodhur edhe qindra
krijuesve të tjerë shqiptarë që nga vitet njëzet e këndej të shekullit që e
lamë pas.
Poezia e mësipërm na i kujton skenat
e pushkatimit, prangat, qelitë, të torturuarit, autoburgun, njerëzit që
s’arritën të dalin nga burgjet, mbasi vdiqën në to të sëmurë, apo që vdiqën nga
torturat a plumbi. Nga ana tjetër të dalin para kujtesës prokurorë, mendjezezë,
njerëz-bisha, skuadrat e pushkatimit, policë, hetues, gjykatës e gjyqe, spiunë,
diktatorë. Makina e përbindshme shtetërore e krimit. Uria, etja, mundimet e
vuajtjet pafund. Në emër të popullit: gjyqe e çka jo. Nën flamuj kombëtarë me
yje. Prej këtij universi të ferrit real, aspak fantastik, lindi edhe një
letërsi e veçantë, një letërsi tjetër, sikundër thuhet. Po
përmendim pak fakte: Etëhem Haxhiademi, shkrimtar i shquar tragjedish, i
shkolluar në universitete evropiane, kthehet në Atdhe, por është burgosur nga
regjimi zogist, më vonë është përndjekur nga eksponentët e pushtuesit fashist,
dhe, së fundi, për njëzetepesë vjet rresht, ka vuajtur burgje komuniste, duke i
lënë edhe eshtrat në burgje. Ai sikur e parandjeu se Letërsia e Politika, në
këso kushtesh kundërdemokratike, janë sinonim i luftës së Kainit kundër Abelit.
Kaini u hodh në anën e Politikës, Abeli në anën e Shrimtarit. Ose rasti i Mati
Prennushit që i flsite dhe shkruante në gjashtë gjuhë. Po ky Mati Prennushi që
iu kishte pri çetave të armatosura kundër Turqisë, ai që ishte profesor
gjimnazi; ai që më 24 mars 1911 bashkë me Atë Buon Gjeçajn shpalosën nga gjoksi
i tyre flamurin në Deçiç; ai do të dënohet me varje në litar nga malazezët, por
shpëton; porse më 1924 dënohet me pushkatim edhe nga Zogu (kur u ekzekutua nga
bandat zogiste Don Gjon Gazulli), pse ishin në anën e opozitës noliane, por me
ndërhyrjen e qarqeve ndërkombëtare i shpëton ekzekutimit. Po ky Atë Mati që do
të konsiderohet nga autoritetet fashiste italiane si “françeskan me ndjenja të
theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”; nuk do të mundë t’i
shpëtonte edhe një ekzekutimi tjetër, të egër e mizor, nga regjimi i diktaturës
komuniste, atij të vitit 1948 “për veprimtari antikombëtare”!!! Noli dëbohet
nga Atdheu, Luigj Gurakuqi vritet.
Kurse menjëherë mbas Luftës së Dytë
Botërore, nga letërsia shqipe po largoheshin shkrimtarët e pjesës së parë të
shekullit XX, si Lazër Shantoja, Ndre Zadeja, Bernardin Palaj, Anton Harapi e
Gjon Shllaku, të cilët ekzekutohen barbarisht; ndërsa kjo lagje shkrimtarësh,
po vdiste në burg nga torturat si Vinçenc Prennushi, ose si i ndodhi Ndoc
Nikajt, romansierit të parë shqiptar, apo “Balzakut shqiptar”; ekzekutohen
arbëreshi Terenc Toçi, bektashiu Ali Tomorri, botuesi Nebil Çika; përndiqen e
burgosen Ibrahim Dalliu, Mirash Ivanaj, Arshi Pipa, Sejfulla Malëshova, Petro
Marko, Mitrush Kuteli, Andrea Varfi, Nexhat Hakiu, Mustafa Greblleshi, Lazër
Radi… Lista do të shkonte e shkonte shumë gjatë.
Shkrimtarët e përndjekur, krahas
dëshmorëve të tjerë të Atdheut, kanë qenë Roja e Mburoja e kësaj Kujtese, e
themelimit të këtij Identiteti nëpër shekuj, përballë inkuizicionit e
shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën
e krijuesve të përndjekur: janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e
dorëshkrime, por të gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë
shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkuizitorët. Triumfi i Lirisë,
Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg
a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si
të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Te e fundit, a ka shkrimtar
shqiptar që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?”
Vepra letrare e Martin Camajt është
e përjetshme.
Janar 2024