Kulturë
Jusuf Buxhovi: Betoveni, poezia, shiu
E merkure, 10.01.2024, 08:55 PM
BETOVENI, POEZIA, SHIU...
-Në
kujtim të profesor Zekeria Canës, historianit dhe intelektualit të njohur
nga plejada e gjeneratës së artë të
viteve të tetëdhjeta dhe të nëntëdhjeta , që i dha impulse lëvizjes kombëtare
për liri, barazi dhe demokraci, që solli shtetin e Kosovës.
Nga
Jusuf BUXHOVI
Pranvera
e vitit 1962 ishte me shira të pareshtura. Retë e mbushura me lagështi, sikur
ia kishin ndaluar rrugën rrezeve të diellit. U desh korriku që përfundimisht ta kthejë verën e mbetur.
Në
atë ndërkohën e lagështisë, u shfaq befas diçka që për pak daroviti zymtësinë e
saj. Ishte muzika e Betovenit dhe tingujt e “Simfonisë së pestë” që ndryshoi
gjendjen tonë shpirtërore.
Ky
ndryshim ndodhi në saje të profesorit të historisë, Zekeria Cana. Ditën që
erdhi në klasë, me vete kishte një gramafon dhe disa disqe.
Pa
folur shumë, hapi kutinë dhe pasi vuri në të një disk, kërkoi që të dëgjojmë me
vëmendje tingujt që me të shpejtë mbushën hapësirën e klasës.
“Ky
është leksioni i parë i historisë së shpirtit”, tha.
Për
ne që ende nuk e bënim dallimin midis historisë si ngjarje dhe historisë
shpirtërore, ngaqë e para ishte e
fshehur, ndërsa e dyta e pa përjetuar, kujtesës i dhanë kuptim paraqitja e
gramafonit dhe tingujt e një muzike klasike, që vinin kumbueshëm nga të gjitha
anët.
Ishte
ky një përjetim sa i habitshëm po aq
emocional.
Pasi
pllaka u ndal dhe kutia e gramafonit dukej si një gjë magjike, profesor Cana na
tha se ishte Betoveni dhe “Simfonia e Pestë”. Me këtë rast, profesori na
shpjegoi se kush ishte kompozitori i madh gjerman, për të cilin ne thuajse nuk
dinim gjë. Mbresëlënëse ishte e dhëna se kompozitori i madh ishte i shurdhër.
Gramafoni
me pllakat e Betovenit, nuk mbeti vetëm
në Shkollën e Mesme Ekonomike të Gjakovës, ku Zekeria Cana jepte lëndën e historisë.
Tingujt e “Simfonisë së pestë” depërtuan edhe në ambientet tjera kulturore,
sidomos në Bibliotekën e Qytetit, me rastin e takimeve letrare si dhe
manifestimeve të tjera kulturore.
Kështu,
gramafoni i profesor Canës si dhe muzika e Betovenit u bë pjesë e leximeve
letrare, si prelud i poezive të Tekiut (Dervishit), Esadit (Cërmjanit), Aliut
(Musajt), Nusretes (Vulës),Sefedinit (Fetiut), Nexhmedinit (Sobës) e krijuesve
të tjerë të Gjakovës, shumë prej të cilëve do të bëhen emra të njohur të
letërsisë sonë.
Por,
si çdo mrekulli që vjen befas dhe befas largohet, edhe gramafonit me pllakat e
Betovenit, i erdh fundi.
Ndodhi
kështu ngaqë, pak pa mbaruar viti, profesorit sikur i humbën gjurmët. U
zëvendësua nga një tjetër. Na u tha se “kishte udhëtuar dika”.
Por,nga
thashethemet, u mor vesh se profesor
Cana ishte shpallur “i rrezikshëm” dhe se duhej të largohej nga procesi
arsimor.
Vite
më vonë, në fillim të shtatëdhjetave, profesor Canën e takova në Prishtinë, në
Institutin Albanologjik, si
bashkëpunëtor shkencor .
Biseda
jonë u ndërlidh me gramafonin dhe “Simfoninë e pestë” të Betovenit.
“Ç’e
do që në ato kohë të vështira të përndjekjeve, një arsimtari të historisë, edhe
muzika e Betovenit i merrej “mëkat”!
Kur
e pyeta se ç’u bë me gramafonin dhe pllakat e Betovenit, profesor Cana, tha se
mund të kenë përfunduar diku në ndonjë depo “të gjerave të ndaluara”. Por, ajo
ndalesë nuk ishte në gjendje që të ndërpresë lidhjen shpirtërore me tingujt e
muzikës së Betovenit, që u vendos te ne dhe brezi ynë në atë stinë me shi të
imë...