Kulturë
Ndue Dedaj: Ndue Kanari, një shkencëtar mirditas në Francë
E marte, 09.01.2024, 08:57 PM
NDUE KANARI, NJË SHKENCËTAR MIRDITAS NË FRANCË
NGA
NDUE DEDAJ
Shkencëtar.
Një fjalë që deri më sot nuk është shpërdoruar në Shqipëri. Ndoshta dhe ngaqë
njerëzit e shkencës më shumë i kemi jashtë vendit, në Europë, aty ku zë fill
soj i tyre, me matematikanin dhe astronomin e shquar Gjon Gazulli, në shekullin
XV, në Universitetin e Padova-s, me origjinë nga Mirdita. Edhe Hoxha Tahsin në
Universitetin e Stambollit u mor me yjet, qiellin, kozmosin, krahas matematikës
dhe filozofisë. Kurse inxhinieri i famshëm Karl Gega e ndërtoi nën dhé “mitin”
e tij të gjallë, tunelin e Semeringut në Austri. Por nuk është qëllim i këtyre
radhëve të evidentojmë shkencëtarët tanë të hershëm apo bashkëkohorë, sado që
ata duhet të jenë një numër i vogël, disa herë më pak se anëtarët e Akademisë
së Shkencave. Çfarë nuk kemi dëgjuar në këtë tranzicion, individë modestë të
vetëshpallur poetë, shkrimtarë, gazetarë, historianë etj., por që këta të
fushës së studimeve nuk kanë arritur deri aty sa të “promovohen” si
shkencëtarë. Do të ishte e nevojshme që shkencëtarët shqiptarë që veprojnë
jashtë vendit të njiheshin këtu dhe jo vetëm në kuptimin honorifik, sa për t’iu
shtrënguar dorën për kortezi në rast eventesh shkencore, por për të krijuar
mundësi që ata të jenë njëherësh dhe pjesë e institucioneve tona akademike. Ne
do të përpiqemi të sjellim profilin e njërit prej tyre, Profesor Ndue Kanarit,
që punon dhe jeton në Francë prej 35 vitesh. U lind në Kaçinar të Mirditës më
1959, kreu gjimnazin e Rrëshenit “B. Biba” dhe u diplomua në Universitetin e
Tiranës si inxhinier metalurg, ku në 25-vjetorin e këtij Universiteti, më 1982,
u cilësua si njëri nga 10 studentët më të mirë; punoi në ISPM në Elbasan, si
dhe ndoqi nga afër zhvillimet në metalurgjinë e bakrit në Rubik, Laç dhe Kukës.
Që nga viti 1988 gjendet në Francë, ku aktualisht është “Senior Researcher” në
laboratorin “GeoRessources” në Universitetin e Lorenës. Është autor i tre
patentave ndërkombëtare. “Përmes procesit të sintezës të “FeVI”, ai ka krijuar
një superoksidant me potencial të lartë dhe pa efekte anësore për trajtimin e
ujit të pijshëm, ujërave të ndotura e deri tek trajtimi i ujit të kontaminuar
nga bakteret dhe viruset”, thuhet në një artikull të UB Tiranë. Pjesa më e
madhe e kërkimeve shkencore të tij është realizuar në kuadrin e projekteve me
Bashkimin Europian, Agjencinë Nacionale të Kërkimit në Francë, si dhe me
kompani të ndryshme industriale franceze dhe evropiane.
Ndue
Kanari, i cili në vendlindje njihet dhe si Ndue Bardhoku, është një shkencëtar
mirditas në Europë, fusha kërkimore-shkencore e të cilit janë proceset
metalurgjike të nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve, i karakterizuar gjithmonë
nga thjeshtësia.
Është
i martuar me Rexhina Pacanin – Kanari nga Shëngjergji, arsimtare dhe kanë tre
fëmijë.
I nderuar Ndue, për
lexuesin shqiptar mund të thuhet jeni shumë i përmendur, por pak i njohur? Nuk
themi për qarqet universitare e akademike të Tiranës. Rroni dhe punoni në
Francë, prej 35 vitesh? Pak fjalë si prezantim për lexuesin e gjërë. Keni
lindur në Kaçinar, mes zhaurimës së përroit të Shpërdhazës, cila ishte familja
Juaj prindërore dhe ç’është vendlindja për Ju?
Kam
lindur në shtator të vitit 1959, në lagjen Shpërdhazë të Kaçinarit, që i
përkiste bajrakut të Dibrrit. Quhej e tillë për ta dalluar nga fshati
Shpërdhazë i Oroshit me të cilën jemi fqinjë. Po ashtu lagjja jonë kufizohet me
Simonin - bajraku i Kuzhnenit. Këto fqinjësi, si dhe konceptimi e organizimi i
ndarjes territoriale të atyre viteve na afronin më tepër me fshatin Simon, aty
ku ishte “magjja” e gjithë fshatit.
Unë
vij nga një familje e thjeshtë dhe tejet e varfër, ashtu siç ishin në
përgjithësi familjet në trevat tona. Ishim familje e vogël, ashtu si brez pas
brezi; gjyshi, baba, nana, halla (mbetur e vejë që në vitet ’40), motra dhe
unë. Im atë, i njohur në fshat si modeli i njeriut mendjemprehtë dhe të urtë,
shquhej si person fjalëpak, i matur e i arsyeshëm në biseda. Ishte mjeshtër i
njohur i gurit dhe drurit, sidomos i enëve të pijes, por që problemet
shëndetësore kishin filluar t’ia ngadalësonin ritmin e jetës. Ekonomia
familjare mbështetej kryesisht në mundin dhe lodhjen e paimagjinueshme të
nanës. Ajo ishte shembulli i përsosur i përpjekjes dhe sakrificës për t’ia
dalur mbanënë jetë, një burim absolut frymëzimi për suksesin e rrugës time
akademike dhe profesionale. Halla (historiania gojore dhe pa dorashka e zonës)
luante rolin e prindit në takimet që organizonin mësuesit me prindërit e
nxënësve. Motra krijoi familjen e saj pa mbushur akoma të tetëmbëdhjetat.
Për
të mos rënduar këtë bashkëbisedim, do doja ta mbyll me një fjali për prindërit:
“Mirënjohje pa kufi që më bënë krenar me i pasë prind”. Pa cituar shkrimet e
bukura dhe prekëse të rilindasve tanë dhe duke menduar lidhjen logjike të
vendlindjes me atdheun (identitetin e një kombi), vendlindja është toka e
shenjtë, më e shtrenjta dhe më e dashura për një njeri. Malli për vendlindjen
nuk është vetëm nostalgji për këtë vend fizik, ai është edhe nostalgji për një
kohë, atë të fëmijërisë dhe të së shkuarës së pakthyeshme, që nuk mund ta
rijetojmë, veçse përmes kujtesës. Por, ta duash vendlindjen dhe të mos kesh mundësi
ta jetosh është një dhimbje e thellë morale dhe kjo dhimbje bëhet plagë e
pashërueshme kur fillon të plakesh...
Rrësheni është qyteti ku
keni kryer gjimnazin në vitin 1978, çfarë kujtimesh ruani nga ajo kohë?
Para
se te vija tek vitet e gjimnazit, doja të theksoja që pasi mbarova tetëvjeçaren
në fshatin Simon, kërkesën për shkollë të mesme e kisha bërë për mësuesi
(pedagogjike). Me syrin e simpatisë për misionin e mësuesit dhe të respektit
universal, doja të ndiqja rrugën e tyre. Një arsye tjetër që më shtynte të
bëhesha mësues kishte të bënte me faktin që më dukej se isha “formatuar” të
punoja në fshat për të qenë pranë familjes në vështirësi. Në fakt doja jo vetëm
familjen por edhe fshatin pafundësisht... Për shkaqe që është disi e vështirë
që të detajohen në këtë intervistë (mora vesh me vonë që ishin biografike), më
ishte akorduar një bursë për në shkollëne mesme profesionale, për teknik
miniere, në Kukës. Në sajë të ndërhyrjes të një bashkëfshatari të pushtetshëm,
m’u dha e drejta e studimit në gjimnazin “B. Biba” të Rrëshenit Dhe kështu në
shtator të 1974 filloi rruga e gjatë e studimeve dhe e jetës me gjithë të mirat
dhe peripecitë, ku kontaktet e para me një jetë ndryshe nga ajo e gjirit
familjar ishin në konviktin e Rrëshenit. Një jetë që nuk jetohet gjithmonë e
lumtur; sidomos javët dhe muajt e parë ishin një makth i vërtetë. Të jetosh në
një komunitet si konvikti do të thotë të pranosh “ndarjen” nga familja, nga
fshati dhe deri tek kënaqësia e të luajturit me bashkëmoshatarët e lagjes me top
prej leckash... Sidoqoftë, konvikti ishte hapësira ku u farkëtua identiteti
social i secilit nga ne konviktorët gjimnazistë, që varej nga përkatësia
familjare dhe nga statusi akademik (niveli i përfitimit të dijeve) në shkollën
e mesme. Kujtimet janë të shumta nga jeta konviktore, të lidhura ngushtë me atë
të përvetësimit të dijeve nëgjimnaz. Nuk ishte e lehtë për kujdestarët e
konviktit të vitit shkollor 1974 - 75 (Marë Cara, Gegë Bardhoku, alias “Babë
Gjegja” dhe Preng Jaku) të menaxhonin një “familje” aq të madhe.
Megjithëse
në zonat tona njihem më shumë si Ndue Bardhoku, mbiemri im në dokumenta zyrtare
është “Kanari”. Ka shumë hipoteza për këtë mbiemër, por ajo që shpesh përmendet
(dhe që më përshtatet më shumë) është që në kuvendet e hershme të burrave,
fjalët e të parëve të mi zinin vend, ose me fjalë të tjera, ishin fjalë të
peshuara në “kanar”. E solla këtë episod për të nxjerr në pah “mbrojtjen” që më
bënte Gegë Bardhoku kundrejt njëfarë “dhune psikologjike” që pësoja nga
mbiemri, ashtu siç ndodhte edhe me konviktorët e tjerë për arsye të ndryshme.
“Babë Gjegja” kishte njohur gjyshin tim, Marka Shtjefën Kanari dhe më thoshte
që ai ka lënë gjurmë jo vetëm për hollësinë e mendimit, por edhe për batutat
dhe nershiket e goditura, që përsëriten shpesh edhe sot në biseda, festa, dasma
etj. Morali filloi të ngrihej me vlerësimet e javëve të para në klasën e nëntë
dhe më pas gjatë katër viteve të gjimnazit ku isha zgjedhur sekretar i
organizatës së rinisë së klasës. Edhe dhurata e fundvitit (kostum+këmishë+këpucë)
që jepeshin nga konvikti për nxënësit e dalluar ishte jo vetëm një ndihmë
materiale, por edhe një mbështetje morale.
Eshtë
krejt e natyrshme që në këtë bashkëbisedim të falenderojmë, kujtojmë dhe
përkujtojmë profesorët tanë të gjimnazit (disa të ndarë nga jeta) të
mirëformuar, të zellshëm dhe të palodhur, që ne nxënësit të merrnim njohuritë e
duhura arsimore dhe edukative gjatë periudhës 1974 - 78.
Doja
të shtoja një moment që është gdhendur në memorien time. Isha në grupin e
prapambetur të Rusishtes (meqenëse nuk kisha bërë gjuhë ruse në tëtëvjeçare).
Mësuesi M. Gjoka na dha një orë mësimi në grupin tonë dhe në fund të orës së
mësimit më detyroi që të kaloja në grupin e përparur. E mora shumë “inat” në
atë kohë, por pastaj kur shkova në Universitet (edhe atje, ne të inxhinierisë,
bënim përgjithësisht rusisht) e falendëroja në heshtje mësues Martinin për
shtytjen që më dha në shkollën e mesme.
Për
të kujtuar jetën e dikurshme konviktore dhe të gjimnazit, në gushtin kaluar,
kremtuam 45 – vjetorin e maturës (klasa XIIA), që për mua ishte një rast
emocional dhe i veçantë për t’u takuar me disa që s’i kisha parë për më shumë
se katër dekada. Grupit të reduktur të ish -maturantëve: Aleksandër Biba,
Bardhok Lleshi, Dila Ruçi, Gjovalin Fusha, Gjovalin Gjinali, Kristina Balloshi,
Llesh Beci, Mark Biba, Ndue Bardhoku, Nikollë Ndreca e Terezina Marku, si dhe
të disa shoqëruesve fort simpatikë, iu bashkuan tre profesorët tanë të atyre
viteve: Ndue Gega, Tom Lleshi dhe Zef Gjopalaj. Ceremonia u lartësua dhe pati
jehonë mediatike nga prania e publicistëve mirditorë Gjergj Marku dhe Ndue
Dedaj. Sipas gjasave, në takimin e 50 - vjetorit (në vitin 2028), matura jonë
do jetë me komplete në takim. Lë të shpresojmë...
Në Universitetin e
Tiranës ende përmendet emri Juaj si një student i rrallë për nga aftësitë?
Përsëri
këtu doja të hapja një parantezë. Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1978 dhe
kryerjes së stazhit (1978-79) në minierën e Kaçinarit (Qafë-Vorrëz), bëra
kërkesën për shkollë të lartë. Ashtu si pas tëtëvjeçares, përsëri të tre
kërkesat e mija ishin për degën e mësuesisë (matematikë-fizikë, biologji-kimi e
histori-gjeografi për në ILP të Shkodrës). E konsideroja profesionin e mësuesit
një punë emocionuese, të respektueshme dhe të një rendësie të veçantë për t’iu
transmetuar njohuritë nxënësve, për të rinovuar veten dhe për të qenë një aktor
në shoqëri. Dhe si gjithmonë, prirja për të qënë arsimtar në fshat ishte
deshirë absolute. Por në listën e shpallur të nxënësve që do ndiqnin shkollën e
lartë, ishte vendosur që unë do studioja në Universitetin e Tiranës, dega
inxhinier metalurg. Bëra përpjekje për ta ndryshuar, por këtë herë duhej të
ndiqja doemos atë dëgë për të cilën kishte nëvojë atdheu dhe Mirdita. Nuk
tentova më gjatë, sepse u informova që kishte zëra që ngriheshin se pastërtia
ime biografike linte për të deshëruar. E mora me frikë inxhinierinë, por bëra
regjistrimin, sistemimin në konvikt dhe fillova të njihesha me shokët e kursit.
Pjesa më e madhe vinin nga Elbasani, Korça dhe Tirana. Të gjithë kishin dalë nga
gjimnaze me famë ne rang kombëtar si “Raqi Qirinxhi” i Korçës. Në mes të
tjerash, edhe nga mënyra e veshjes, më dukej vetja përballë tyre si “Luli i
vocërr”. U shoqërova shumë me korçarët, njerëz me kulturë të gjërë. Mësova
shumë prej tyre, më të cilët u “ribashkova” në Elbasan pas studimeve
universitare.
Ishte
shlyerja e disa lëndëve me kolegiume që më dha forcë dhe që më vuri në
pozicionin e një studenti të mirë që në muajt e parë të Universitetit. Provimet
e vitit të parë në sezonin e 1980 konfirmuan këtë nivel. Ruaj akoma librezën e
notave të provimeve të katër viteve (1979-83) të shkollës së lartë. Janë
gjithësej 30 provime me një mesatare të përgjithshme 9.7 dhe asnjëherë nuk jam
vlerësuar poshtë nëntës. Disa pohime që kam patur vetëm dhjeta në provime janë
ekzagjerime, sigurisht në sensin e mirë. Në vitin e dytë të Universitetit, isha
në grupin e kandidatëve për studime jashtë vendit, por me ngjarjen tashmë të
njohur në kupolën e shtetit në dhjetor 1981, procedura e seleksionimit zyrtar
të kandidatëve (si shumë aktivitete të tjera) u anulluan. Në ceremoninë e 25 -
vjetorit të themelimit të Universitetit të Tiranës në maj 1982, figuroja në një
poster (fotoja e parë me ngjyra për mua!) në mes dhjetë studentëve më të mirë
të Universitetit. Cikli i studimeve për shkollën e lartë, para se të
diplomoheshim si inxhinierë, u mbyll në janar 1984 pas përgatitjes dhe
mbrojtjes se një mikro-teze, të cilën për habi e kam redaktuar në fshat me të
njëjtën lloj pene që përdorja dikur në shkollën fillore. Kështu i dhashë fund
(për momentin) bankave të auditorit, për të nisur një udhëtim te ri me plot
pengesa, të papritura, sfida, por edhe suksese.
E keni nisur punën
inxhinier pranë Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike në
Elbasan?
Edhe
fillimi i punës në Elbasan, në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve
Metalurgjike (ISPM), ishte po ashtu i ndërlikuar. Pas kryerjes së shërbimit
ushtarak 3 - mujor në fillimin e 1984-s, nuk u paraqita në ISPM për të filluar
punë. Im atë ishte ndarë nga jeta (1983) dhe jetoja vetëm me nanën dhe hallën.
Kërkoja me ngulm që të vija në uzinën e bakrit Rubik. Të gjitha kërkesat me
shkrim në drejtim të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave për të më
transferuar nga ISPM në Rubik ishin me përgjigje negative. Pastaj vendosa të luaj
një gur tjetër të mbështetur në idenë: “Mirdita jo vetëm që ka pak inxhinierë
metalurgë vendas, por edhe këta i emërojnë jashtë Mirditës”. Për këtë kërkova
ndihmën e Gjela Bibës, që në atë kohë ishte edhe nënkryetare e Kryesisë së
Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë. Pa hyrë në
detaje, ajo u tregua e gatshme dhe ka kontaktuar në Tiranë M. Bishën (drejtor i
Drejtorisë së Kuadrit në KQ) dhe më pas Ramiz Alinë, por kundër të gjitha
gjasave, pa asnjë rezultat. Gjatë kësaj kohe ushtroja “profesionin” e
marangozit (veçanërisht në përgatitjen e enëve të pijes, si trashëgimi nga im
atë) dhe u bëra i njohur jo vetëm në zonën e Kaçinarit por edhe gjetkë. Kisha
shumë kërkesa dhe siguroja të ardhura të konsiderueshme.
Në
përgjigjie të “kokëfortësisë” time erdhi një shkresë e firmosur nga ministri i
Industrisë dhe Minierave, Hajredin Çeliku (ishte edhe anëtar i Byrosë
Politike), me mocionin “Për njoftim dhe ekzekutim” që kërkonte të shlyeja
njëqind mijë lekë (shpenzimet e shtetit per 4 vite në Universitet) gjë që e
errësoi situatën time materiale dhe morale. Megjithë opinionet dhe këshillat e
kolegëve te mij që H. Çeliku ishte jashtëzakonisht i rreptë në takime, vendosa
ta takoja. Por e papritura ndodhi, më afroi një pritje tejet të ngrohtë. Ndoshta
fakti qe banoja në një fshat verior dhe nuk doja të punoja në një qytet me
përspektivë si Elbasani në ato vite, shpjegonte qëndrimin prej babaxhanitë
ministrit ndaj meje. Pas diskutimeve të sinqerta i premtova se do shkoja në
Elbasan. Më siguroi heqjen e gjobës dhe strehim për tërë familjen në Elbasan.
Për
rikujtim, metalurgjia e vërtetë shqiptare e viteve '80 bazohej kryesisht në
gjigantin metalurgjik në Elbasan, në uzinën e ferrokromit në Burrel, në uzinat
e shkrirjes dhe përpunimit të xeherorëve të bakrit (Rubik, Laç, Kukës) si dhe
në një numër jo të vogël fonderish të shpërndara në uzinat mekanike në të
gjithë vendin. Kombinati metalurgjik, me punime të nisura që në fillim të
viteve '60, mori vrull në vitet '70, duke i dhënë vendit të parën gizë shqiptare
(1976). Ishte një teknologji kineze për trajtimin e një mineral hekuri kompleks
me përmbajtje të konsiderueshme nikeli dhe kobalti, dhe këta dy metale (Ni e
Co, ose komponimet e tyre) përbënin një të ardhur valutore të një rëndësie të
veçantë për ekonominë e asaj kohe. Kjo, në mes të tjerash, bënte atë që H.
Çeliku të vinte gati çdo javë në Elbasan dhe në një takim në ISPM më konfirmoi
që gjoba ishte fshirë. Më tha bëj kërkesë që të japim shtëpi. Mëgjithëse i
thashë po, nuk e vura ujët në zjarr për ta bërë. Jetoja tek konviktet e
jabanxhinjve pranë Urës së Zaranikës.
Ishte
vendosur tashmë që në ISPM të përqëndrohej aktiviteti shkencor jo vetëm i
siderurgjisë por edhe i metaleve me ngjyra. Në këtë kontekst, fusha ime e
studimeve prekte aspektet e metalurgjisë së bakrit veçanërisht proceset e
shkrirjes dhe të konvertimit, dhe në këtë kuadër pata studiuar nga afër uzinën
e shkrirjes së bakrit në Kukës, ku shkoja shpesh me dy inxhinierë metalurgë të
njohur: Nikollë Gega e Zef Lleshi.
Për
të avancuar në karrierën profesionale, doja të merrja gradën “Kandidat i
Shkencave -KSH”, por për t’u regjistruar duhej të jepeshin ca provime. Më i
vështiri ishte ai i gjuhës së huaj, dhe arrita të mbroja rusishten. Dhashë po
ashtu provimet e profesionit (i përgjithshmi dhe specialiteti) dhe me kishte
mbetur për të dhënë filozofinë para se të regjistrohesha për KSH. Gjatë kësaj
kohe, nga ministria erdhën oferta për studime pasuniversitare për inxhinierët e
ISPM që plotësonin kriteret e duhura. Me ujdinë e drejtuesve të ISPM fillova
studimet postuniversitare në Tirane në 1986 duke iu kthyer bankave të
auditorit. Në fakt, edhe gjatë kësaj kohe (1986 - 87), zemra ime rrihte me
ritmin e duhur vetëm në Kaçinar, kështu që shkoja në Tiranë vetëm për shlyerjen
e detyrimeve postuniversitare.
Meqenëse
vitet po iknin, ca kolegë dhe bashkëfshatarë me sugjeruan një vajzë që ishte
mesuese në Kaçinar dhe që vinte nga një familje me pozicion të ngritur partiak
të asaj kohe. Familja (kryefamiljari) mbajti një qëndrim mohues ndaj kërkesës sime.
Përveç kohës së humbur për më se 8 muaj, pësova edhe një sulm të pashembullt
moral në konceptin e atyre viteve (ishte hedhur ideja që sido që të jenë
aftësitë e mia intelektuale, unë s’bëhesha kurrë komunist; si gjthnjë “njolla”
në biografi). Në këtë situatë të vështirë dua të përshëndes ndihmën pa rezervë
të Mark Lekës dhe Mark Ruçit, miq dhe kolegë inxhinierë si dhe të shumë të
tjerëve, të cilëve u kërkoj të me falin që nuk po i përmend. E konsiderova si
dështim të rastit (ose të përsëritur), por s’u dorëzova. U ktheva në Elbasan,
dhe si kundërpërgjigje bëra kërkësen për pranim në Parti, mëgjithëse dyshoja
tek përmbajtja e karakteristikës që do të vinte nga rrethi i Mirditës.
Në
fund të vitit 1987, i ishte atribuar ISPM një bursë për një stazh 1 - vjeçar
(në fakt 10 muaj) në Francë dhe drejtuesit e ISPM më kishin pikëtuar si
kandidat potencial. Problemi ishte i ndërlikuar, sepse kisha bërë kërkesën për
t’u pranuar në Parti. Mora takim me sekretarin e Partisë të ISPM dhe ai më
këshilloi që të shkoja në Francë për një vit dhe pas kthimit, më tha, do
ndjekim proceduren për pranim në Parti. Kishte të njëjtin mendim me mua, por
unë s’e shprehja dot sepse e dija përfundimin...
Kur shkuat në Francë dhe
si ndodhi që qendruat atje? Kërkues shkencor pranë Institutit Nacional
Politeknik të Lorenës.
Siç
e thashë më parë, kisha mbrojtur rusishten, por të shkoje në Francë për 10
muaj, të paktën duhej të dije të komunikoje në gjuhën e Molierit. Universiteti
i Tiranës në bashkëpunim me Ministritë (kishte edhe kandidatë të tjerë të
profesioneve të ndryshme) organizoi kurse intensive 4 - 5 - muajore të gjuhës
frënge, matematikës, informatikës dhe filozofisë. Nga Mirdita ishte edhe një
inxhinier metalurg i mirënjohur, Frederik Përdoçi.
Hartuam
programin e stazhit me drejtuesit e drejtorisë së metalurgjisë, që në fakt
ishte aq i gjërë që jo vetem për 1 vit, por as për 5 vite nuk realizohej dot.
Pastaj vinte ana administrative, formularët bashkë me listën e notave të
Universitetit dhe programi shkencor që niseshin për në Ambasadën tonë në Paris,
e cila merrej me gjetjen e Universiteteve dhe Qendrave të kërkimeve shkencore
që i përshtatej programit të kandidatit. Gjatë këtyre procedurave pata ndihmën
e palodhur dhe dashamirëse të pedagogëve të Universitetit të Tiranës. Po ashtu me
sa duket kësaj here ia kisha hedhur “filtrit” të Ministrisë së Punëve të
Brendshme, ngaqë u pajisa me pasaportë (lëshuar me 03 shtator 1988) për jashtë
shtetit dhe me vizën franceze (lëshuar me 05 tetor 1988). Në ato kohë dalja
jashtë shtetit për specializim shkencor për këdo, e sidomos për një fshatar të
“cfilitur” si unë, ishte një ngjarje për t’u shënuar.
Sidoqoftë,
nisjen drejt Francës e besova vetëm kur hipa në avionin “Malev” me 8 tetor 1988
për të zbritur në Budapest e për t’u nisur të nesërmen për Paris. Më në fund,
për të arritur me tren në destinacionin final, Nancy të Lorenës. Duke qenë se
zona e Lorenës kishte përvojë të hershme në fushën e minierave dhe të
metalurgjisë, shkollat dhe laboratoret kushtuar këtyre fushave ishin të shumta
dhe të një niveli të lartë, veçanërisht me një bazë eksperimentale të fuqishme.
Po ashtu të shumtë ishin edhe studentët e huaj duke përfshirë edhe ata nga
vendi ynë që më ndihmonin për jetën e përditshme jashtuniversitare.
Më
gjithë vështirësitë e para të gjuhës, u ambientova dhe u integrova me
aktivitetin shkencor të laboratorit të Institutit Nacional Politeknik të Lorenës
- INPL, sot Universiteti i Lorenës - UL. Në diskutimet që bëja me kolegët dhe
drejtuesit e laboratorit arrita të kuptoja se ana teorike e programit mësimor
të Universitetit të Tiranës ishte e krahasueshme me atë të shkollave në Francë,
gjë që më inkurajoi për të ardhmen.
Drejtuesit
e qendrës shkencore, prof. P. Blazy e Dr. I. Gaballah, duke vlerësuar
aktivitetin tim në laborator, më propozuan që pas stazhit të përgatisja
doktoraturën, por u shpjegova, që sipas ligjishmërisë së asaj kohe në vendin
tonë, duhet të kthehesha patjetër pas përfundimit të specializimit njëvjeçar.
Këtu spikat ndihma e pashembullt e Dr. I. Gaballah (me origjinë egjyptiane, që
është ndarë kohët e fundit nga jeta), i cili u lidh me Ambasadën tonë në Paris,
u drejtoi shkresa zyrtare duke vënë në dukje “kapacitetin” tim dhe duke kërkuar
lejen e qëndrimit në Francë. Të njëjtën gjë bëri edhe me drejtorinë e ISPM
Elbasan dhe me Universitetin e Tiranës. Ambasadori ynë në Paris K. Nushi, një
nga diplomatët më të njohur të asaj epoke dhe këshilltari i bashkëpunimit
arsimor e shkencor me Francën M. Spiro, një njëri që rrezatonte dhe meritonte
respekt, patën rastin të vijnë në Nancy dhe të takohen me shefat e qendrës
shkencore. Përgëzuan punën time dhe mbështetën më kënaqësi përspektivën e qëndrimit
tim në Francë. Më vonë (1991), me Dr. I. Gaballah patëm mundësinë të vizitojmë,
në ato kohë të vështira, ISPM-Elbasan, Universitetin e Tiranës, Uzinën e Laçit,
si dhe të kalonim ca çaste tek dheu im në Shpërdhazë të Kaçinarit.
Si
përfundim, mbrojta doktoraturën përballë një jurie internacionale duke marrë
titullin doktor i INPL me vlerësimin maksimal dhe përgëzimet e jurisë. Pas një
aktiviteti intensiv të kërkimeve shkencore në fushën e ferrateve dhe një sëri
publikimesh në revista të njohura internacionale, mbrojta diplomën
“Habilitation à Diriger des Recherches-HDR” (INPL, 23 tetor 2000) që është
diploma më e lartë universitare franceze.
Njiheni si shkencëtar,
cila është konkretisht fusha juaj kërkimore-shkencore?
Para
së gjithash, ndjehem krenar që mëgjithëse kam zhvilluar gati tërë veprimtarinë
hulumtuese në Francë, u qëndrova besnik diplomës (Inxhinier metalurg - Tiranë)
dhe viteve të para të punës në ISPM - Elbasan. Dua të shtoj gjithashtu që
punimet eksperimentale, në kuadrin e doktoraturës, i bëja mbi kampionë
(koncentrat bakri e kromi) me origjinë të fabrikave të pasurimit të vendit
tonë.
Në
përgjithësi fusha e kërkimeve - shkencore ka të bëjë me proceset metalurgjike
të nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve ose për ta zhvilluar pak më shumë, mund
të përmendim temat e mëposhtme: Transformimet kimike dhe termike të lëndëve të
para dhe mbetjeve industriale (zhvillime termodinamike dhe kinetike të
reaksioneve heterogjene); Trajtimi i mbetjeve industriale, dekontaminimi i
efluenteve dhe zhvillimi i proceseve të lidhura me problemet mjedisore;
Përdorimi i klorifikimit për të rikuperuar metalet e dobishme ose për të
sintetizuar komponime të reja (sinteza e ferrateve të metaleve alkaline që
përmbajnë hekurin në gjendje gjashtëvalente).
Vazhdoj
të kontriboj për menaxhimin e mbetjeve industriale dhe rikuperimin e metaleve
me vlerë sipas një plani strategjik të përqëndruar në: (a) trajtimi i mbetjeve
dhe stoqeve historike; (b) ndërhyrja në skemat teknologjike për të përpunuar
mbetjet brenda procesit; (c) konceptimin e proceseve të reja për të tentuar
drejt proceseve të pastra më të ashtuquajtura “zero” mbetje industriale.
Pjesa
më e madhe e kërkimeve shkencore është realizuar në kuadër të projekteve të
kërkimeve të tipit fondamental / aplikues me Bashkimin Europian, Agjencinë
Nacionale të Kërkimit në Francë si dhe me kompani të ndryshme industriale në
Francë dhe në Evropë.
Një
tjetër aspekt i suksesit të kërkimit shkencor është valorizimi editorial. Jam
autor ose bashkautor i më shumë se 250 publikimeve, raporteve teknike,
komunikimeve dhe prezantimeve në konferenca shkencore internacionale (në SHBA,
Kanada, Brazil, Japoni dhe në një numër të konsiderueshëm të vendeve
europiane).
Jam
gjithashtu editor i ftuar i revistës “Materials” - MDPI dhe recensues i rreth
30 revistave të njohura shkencore ndërkombëtare.
Nuk është aspak
“legjendë” por realitet, të paktën dy patenta të njohura ndërkombëtare në
fushën e ferrateve mbajnë autorësinë Tuaj?A ka terren dhe a ekzistojnë
mundësitë që ato të zbatohen në Shqipëri?
Eshtë
e vërtetë që përgatitja e komponimeve që përmbajnë hekurin në valencë të rrallë
dhe pak të njohur Fe6+ (zakonisht hekuri është në gjendje valence Fe°, Fe2+ dhe
Fe3+), thënë ndryshe “ferratet e metaleve”, ka qenë dhe ngelet një nga fushat
prioritare të studimeve të mija. Ishte një nga temat e diplomës time të dytë që
kam marrë në INPL. Pikërisht dhe dy patentat ndërkombëtare janë bazuar në
metoda unike avancur nga këto studime. Ferratet janë substanca kimike me një
përspektivë të ndritur në sajë të karakterit super-oksidues e të respektueshëm
për mjedisin, dhe të cituara në gjuhën shkencore shekspiriane si:
“environmentally friendly oxidant”, “green oxidant”, “strong oxidant”, “novel
oxidizing agent” “powerful oxidant” and “super-iron battery”...
Nga
ana teknike metoda e propozuar është e thjeshtë dhe e realizueshme. Megjithatë,
duke qenë besnik ndaj së vërtetës dhe për të mos projektuar ide euforike, jemi
akoma në kërkime dhe studime të tjera shkencore që do çojnë në uljen e kostos
së prodhimit të këtyre substancave, gjë që do ta bënte komerciale metodën e
propozuar.
Në vitin 2021
Universiteti Bujqësor i Tiranës Ju ka nderuar me titullin “Doktor Honoris
Causa”?
Doja
të theksoja që me Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT) ka një histori më se
30 - vjeçare bashkëpunimi. Me pedagogun e UBT prof. Sulejman Sulçe kemi ardhur
në të njëjtën kohë në Francë dhe kthimi i tij në UBT, pasi mbrojti doktoraturën
në INPL, hapi një rrugë bashkëpunimi në mes UBT e INPL. Pastaj prof. Seit
Shallari mbrojti po ashtu (në 1998) doktoraturën e INPL e ndjekur nga mbrojtja
e doktoraturës se prof. Aida Bani në të njëjtin institucion në 2009.
Bashkëpunimi mori hov të paparë me projektet të quajtura “TEMPUS” (financuar
nga Bashkimi Europian në fillimin e vitit 2000) dhe që synonin ristrukturimin e
programeve të mësimdhënies si dhe përgatitjen e kuadrit të UBT për menaxhimin e
mjedisit. Në kuadër të shkëmbimit të eksperiencës kanë qenë me dhjetëra e
dhjetëra studentë e pedagogë që kanë qëndruar për disa javë apo muaj pranë INPL
dhe në qendra të tjera studimore e kërkimore në Lorenë e gjetkë në Francë, të
cilët janë njohur me arritjet shkencore të tematikave me të cilat punoj. Siç
thonin edhe studentët, miqtë dhe kolegët e UBT, përveç laboratorit ku punoja,
shtëpia dhe familja ime ishte kthyer në një “konsullatë” e marrëdhënieve midis
UBT e INPL. Konsideratat e tyre, ndoshta të ekzagjeruara, për miqësinë,
mikpritjen, dashamirësine time dhe të familjes sime ishte shpërblimi më i madh
që do mbetet i skalitur në memorjen tonë. Duhet të shtoj këtu edhe punimet dhe
publikimet e përbashkëta me pedagogët e UBT në revista dhe konferenca
shkencore.
Senati
Akademik i UBT i drejtuar nga rektori i këtij Universiteti, prof. Fatbardh
Sallaku unanimisht më ka akorduar titullin “Doktor Honoris Causa”. Siç e
theksova në fjalën e rastit të një ceremonie madhështore organizuar nga UBT në
Tiranë, më 31 tetor 2021: “Pa asnjë notë ekzagjerimi, ky titull është më i
bukuri, është një nder i lartë dhe një thesar i vërtetë për mua! Kështu, u bëra
edhe de jure pjesë e historisë së UBT, duke ia dedikuar atij edhe sukseset e
mia”.
Dimë ndërkohë që keni
marrë nderime nga disa institucione kërkimore ndërkombëtare?
Po,
është e vërtetë. Në vitin 2001, jam nderuar me çmimin “Extraction and
Processing Science Award - 2001” i dhënë nga një prej organizatave më
prestigjoze ndërkombëtare të shkencëtarëve dhe inxhinierëve në fushën e
mineraleve, metaleve dhe materialeve (TMS-Minerals, Metals & Materials
Society, USA). Më vonë, në 2012, më është atribuar çmimi “The International
Award Scientific and Technological Innovation” nga Alpha Recyclage-WasteEng12
për punën shkencore në reciklimin e mbetjeve të automobilave të përdorur me anë
të metodave termike.
Njohja
dhe vlerësimi i aktivitetit të ekspertizës dhe recenzimit të më shumë se 230
artikujve shkencorë (veçanërisht të grupeve editoriale si “Elsevier”,
“Springer” e “MDPI”) janë tashmë pasqyruar në çmimet e tjera ndërkombëtare të
atribuara në 2013 dhe 2016 “The International Certificate of Excellence in
Reviewing” nga grupi editorial Elsevier dhe në 2019 “The International Award
(Top peer reviewer)” nga “Web of Science Group” dhe “Publons”.
A ka shfaqur interes
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ndaj veprimtarisë Tuaj shkencore?
Në
parim, Akademia e Shkencave, kudo qoftë, është një institucion që bashkon ajkën
e përsonaliteteve shkencore që kanë një vizion global dhe inteligjent në fushat
përkatëse. Pastaj varet se cilat janë fushat prioritare dhe kriteret e
vlerësimit të Akademisë së Shkencave ndaj veprimtarisë shkencore të çdonjërit prej
nesh, që mund të shpjegojë këtë anashkalim logjik.
Pa dashur të bëjmë
kurrëfarë paraleleje, fjalët “shumë i përmendur, por pak i njohur” i ka
përdorur Shahin Kolonja në adresë të Abat Prend Doçit. Pse kështu? Nuk keni
dashur të shfaqeni në publik, duke u qendruar larg mediave?...
Besoj
që ato që theksova më parë gjatë kësaj interviste, justifikojnë nihilizmin tim
për t’u “reklamuar”. E dija që në kohën e rinisë, se një lavdërim në media
ngjallte shigjetime për të më “njollosur”. Më pas, sikur u rrënjos kjo llogjikë
e në vazhdim i qëndrova besnik. Kur isha në shkollë të mesme, Pal Mëhilli,
bashkëpunëtor i shtypit, me rekomandimin e drejtorit të gjimnazit, pati shkruar
disa radhë tek gazeta “Zëri Popullit”. Po ashtu, në Universitetin e Tiranës,
shefi i Katedrës së Metalurgjisë, prof. Nexhmedin Lohja, më “detyroi” të jepja
një intervistë të shkurtër televizive. Sot, shoh një dukuri disi jo reale të
menaxhimit të problemeve apo prezantimit të kapacitetit të “personaliteteve” në
disa media, veçanërisht në rrjetet sociale. Hiperbolizmi dhe superlativat janë
bërë aq të zakonshme, saqë në disa raste kalojnë nivelin e absurditetit.
Një pyetje e fundit, por
që mund të ishte e fillimit, cila është familja Juaj sot?
Familja
ime sot përbëhet nga pesë anëtarë. Bashkëshortja, Rexhina, vjen nga fshati
Shëngjergj, Kaçinar. Ka mbaruar mësuesi, cikël i ulët në Shkodër. Kemi tre
fëmijë (dy vajza dhe një djalë) të shkolluar dhe që frëngjishten e kanë gjuhë
të dytë! Dy më të mëdhenjtë po ecin në gjurmët e mija: Kristiana ka mbaruar
inxhinieri ushqimore e Mark është akoma student po në inxhinieri, ndërsa
“vogëlushja” Adriana është ende në shkollë të mesme. Rexhina punon në një
shkollë fillore të specializur. Në veçanti, rezultatet e fëmijëve tanë në
shkollë i dedikohen punës së tyre dhe përkushtimit të palodhur të bashkëshortes
ngaqë unë me një etje të dikurshme për t’u bërë mësues s’ia arrita kurrë!
Bëjmë
një jetë krejt modeste. E vetmja pasuri e paluajtshme që kemi është një
apartament 100 m2 në të cilin banojmë (besoj se e kaloj vetingun!). Mbesa dhe
nipat (Mara, Petriti dhe Leka), që kaluan me kënaqësi vitet e fëmijërisë te
daja, na bëhen mbështetje e sigurtë për të kaluar pushime të rehatshme në
Shqipëri. Po ashtu edhe dajat e fëmijëve të mi na ofrojnë në Lezhë ato
komoditete që na mungojnë në Lorenë.
Diskutoj
shpesh me kolegë dhe miq, qoftë nga Shqipëria apo vende të tjera dhe nënvizoj
që përveç kushteve të favorshme për karrierën time shkencore dhe civilizimit
francez, një gjë përfituese apo lehtësuese për mua është ajo që fëmijët kanë të
drejtën të shkollohen në Francë (pa ose me pak shpenzime), që për çdo shqiptar
ishte dikur një ëndërr...
Dhe
tani, në prag të pensionit, po ua dorëzoj stafetën fëmijëve me shpresë që ata
do shkojnë shumë më larg se unë.
Ju faleminderit për
intervistën dhe suksese të mëtejshme në veprimtarinë tuaj shkencore.
Faleminderit
Ju!
Francë, 31 dhjetor 2023
Ndue Kanari, Madrid 1989
Ndue Kanari me familjen