Kulturë
Albert Zholi: Monografia e sinqertë "Aleksandra Zëra, nëna me zemër të madhe"
E marte, 09.01.2024, 07:55 PM
Monografia e sinqertë "Aleksandra Zëra, nëna me zemër të madhe"
Nga
Albert Z. Zholi, shkrimtar-publicist
Thuhet
shumë për nënat: Zemërmi i nënës është si bora e pranverës. Bie shumë, por
shkrin shpejt. Nëna është ajo që mund të zërë vendin e kujtdo, por vendin e saj
nuk mund ta zërë askush. Çdo mbretëreshë ka madhështinë e saj, por madhështia e
nënës është mbi të gjitha mbretëreshat e botës. Një nënë tipike shqiptare është
dhe Aleksandra Zëra. E dashur, e ëmbël, e sinqertë, nikoqire, njerëzore.
Portreti i saj tashmë është kthyer në një figurë publike. Televizionet
shqiptare janë bërë pjesë e jetës së saj për vetë punën që ajo bën në ndihmën
që u jep fëmijëve jetimë. Ka disa vite që shumë fëmijë të Shtëpisë së Fëmijëve
Jetimë në Tiranë, mblidhen rreth saj si të jetë ajo nëna e munguar. Ajo jeton e
vetme në shtëpi, pasi tre vajzat e saj tashmë kanë shtegtuar jashtë dhe kanë
ndërtuar familje, ndërsa ajo, jeton në Tiranë dhe pse fëmijët këmbëngulin që të
shkojë të jetojë pranë tyre. E rritur mes vuajtjesh dhe sakrificash, lumturia
më e madhe e saj është, kur shikon vajzat të jenë të lumtura ndërsa vetmia nuk
e trishton. Tashmë ajo ka shumë fëmijë shpirtërorë. Jetimët. Dhe ata nuk janë
të pakët apo të ndarë në kohë. Janë të përditshëm edhe në ambientet e Shkollës
së tyre ku ajo shkon pothuajse çdo ditë,
por edhe në shtëpinë e saj, ku dikush prej tyre do të vijë ta takojë apo ta
marrë në telefon deri në orët e vona të natës. Nënë Aleksandra e thërrasin
jetimët. Sepse ajo është bërë Nëna e tyre e zemrës. I ledhaton, i këshillon, i
mëson të qepin, u gatuan, i mbath, i merr për festa, pyet për shëndetin… Ajo
është në çdo moment pranë tyre, mes shqetësimeve të tyre. U jep me gjithë
shpirt atë që atyre u mungon, atë që ata e dëshirojnë me gjithë shpirt. Kur
gatuan diçka të mirë, ajo kurrë nuk mund të hajë vetëm, por bashkë me vajzat e
saj të vogla. Shumë vogëlushe jetime për gjyshe Aleksandrën janë kthyer në
familjen e saj të re...
Vendlindja dhe rrugët e
panjohura
Nënë
Sandra ka lindur në Zagori, vend ku ka jetuar deri në moshën 13- vjeçare. Babai
i saj Xhoxhi Zera ka qenë një nga patriotët më të shquar të Zagorisë, të cilin
kronikat e kohës e quanin “Trimi i trimave”. Ne fillimin e lëvizjes për liri ai
qe i pari që mori pjesë dhe organizoi njësitin gueril në Topovë dhe Zagori.
Ndërsa familja e saj transferohet në Tiranë kur ajo po mbushte të 14-tat.
Pikërisht në Tiranë, martohet dhe lind tri vajza. Thonë se fati i femrës është
i çuditshëm. Imazhi i asaj vajze të brishtë e plot ëndrra për familjen e
përsosur u thye shpejt dhe Aleksandrës në një moshë të re i bie të divorcohet
nga bashkëshorti i saj. Mbetet e vetme me tri vajza, të cilave u përkushtohet
me shumë dashuri. Të jetoje në Shqipërinë e diktaturës me tre vajza dhe me
statusin e divorcuar nuk ishte diçka e lehtë, për më tepër kur historia e
zhgënjimit përsëritet dy herë. Por Aleksandra u bë e fortë nga hallet. Nuk e gjunjëzuan
problemet dhe pse shpesh qante me orë të tëra në shtëpi e i gërvishtej zëri nga
ngashërimat e pikëllimi.
Tre vajzat
Ndërsa
pengesat i dilnin hap pas hapi ajo ishte e bindur për një gjë: duhet të rriste
me dinjitet tre vajzat e saja. Por në të njëjtën kohë duhet të tregohej e fortë
para të tjerëve dhe të mos demonstronte dobësi dhe vuajtjet e saj të mëdha. As
të tjerët dhe as fëmijët nuk duhet të shihnin lotët e hidhura të nënës. Lotët
që duhet ti fshihte në hojet e shpirtit të saj. Punoi shumë pa parë askënd në
sy, përveçse punës dhe edukimit të vajzave. Dhe në fakt zoti ia shpërbleu.
Vajzat u rritën me nder e faqebardhë dhe ndërsa flet është e lumtur që ato kanë
krijuar familjet e tyre dhe janë të lumtura. Tashmë të tre bijat e saja ndodhen
në emigracion, njëra në Francë dhe vajza e madhe dhe e vogël në Greqi. Duke
qenë një nënë e përkushtuar ajo ka ndenjur 12 vjet në Greqi dhe një vit e
gjysmë në Francë pranë pasardhësve të gjakut të saj duke dhënë kontribut të
jashtëzakonshëm në rritjen dhe edukimin e tyre. Pikërisht kur ato u rritën dhe
u bënë të zotët e vetes kthehet në Shqipëri. Aleksandra është nga ato gra të
emancipuara që mendon se gjithësecili ka nevojë të jetojë jetën e tij, pa
ndërhyrjen e askujt. Jeta ia ka mësuar shumë mirë këtë mësim të madh. Ndaj dhe
duke menduar se i ka sikletosur disi vajzat me praninë e saj ka menduar të
kthehet në Shqipëri dhe të bëjë jetën e saj. Si të gjitha nënat shqiptare të
lidhura kokë e këmbë me fëmijët dhe ajo do dëshironte t’i kishte pranë për
ndonjë hall, por mendon se guri i rëndë duhet të rrijë në vend të vet. Ndaj dhe
merr këtë vendim disi drastik në vetvete.
Vetmia dhe “familja e
re”
Por
ndërsa është mësuar tërë jetën me rritjen e fëmijëve të saj dhe atë të nipërve
dhe mbesave, në vendin e saj shumë shpejt do të ndjejë vetminë. 32 vite pranë
fëmijëve, pranë jetës që gëlonte e bën të ndjehej ligsht dhe vetëm. Nis përsëri
vuajtja për të. Një vuajtje e madhe shpirtërore që shpesh e bën të qajë dhe të
ankohej se nuk bënte më asgjë. Dhe kështu ndërsa e mendon mirë e mirë mendon të
zgjidhë gjendjen e saj dhe të bëhet me një familje të re. Mendon të lidhet me
jetimët. Ka qenë pikërisht para festave të fundvitit të vitit 2003 kur ajo do
të shkojë të takojë drejtoreshën e shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” nga e
cila merr tre fëmijë jetimë për të kaluar festën e vitit të ri së bashku me ta.
Thotë se fëmijët e saj emigrantë i kishin sjellë shumë dhurata që i kish vënë
poshtë bredhit të Vitit të Ri. I mbajti fëmijët jetimë atë ditë, duke festuar e
gëzuar së bashku dhe të nesërmen ndërsa shkoi për t’i dorëzuar sheh në
institucion një vajzë që po zihej me edukatoren. Thotë se fakti që vajza po i
kthente përgjigje të ashpra edukatores, i bëri shumë përshtypje dhe në një farë
mënyre i solli në mendje të kaluarën. Edhe vetë ajo ishte një nënë e rreptë dhe
i dënonte vajzat e saj, kur bënin gabime me qëndrim për një orë në tualet, ose
nuk i lejonte të dilnin. Sipas saj, nëna e ka për detyrë ta mësojë vajzën dhe
mbi të gjitha t’i tregojë se kur ajo e ka gabim në mënyrë që vajzat të
korrigjohen. Takon drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës dhe i thotë se një ditë
do merrte me vete atë vajzë dhe do e shëtiste gjithë mbasdreken. E ndërsa merr
vesh se cila ishte historia e asaj vajze i merr leje drejtoreshës që ajo të
kujdesej për një grup vajzash jetime. Drejtoresha e pranon me shumë dëshirë
nismën e saj dhe që nga ajo ditë nënë Aleksandra nis t’i mësoj vajzave
qëndisjen, të qepin, të presin, i merr në shtëpi ku i jep leksione gatimi ashtu
siç bën një nënë e mirë me vajzat e saja. Një lidhje dhe përkushtim që pa
dyshim e kanë bërë të japin e të marrin dashuri dhe respekt me njëra -tjetrën.
Sot nëna Aleksandra është shumë e lidhur me ato vajza, të cilat janë kthyer në
pjesë të jetës së saj. Thotë se aq shumë janë lidhur sa sot vajzat e saja
natyrale i sjellin valixhet plot me rroba për vajzat e jetimores.
Dita më e bukur e jetës
Tregon
se dita më e bukur e jetës së saj ka qenë kur është bërë nënë. Ka qenë gjithnjë
një vajzë që i ka dashur fëmijët dhe që gjithnjë ka ëndërruar të jetë nënë. Por
ndërsa fati është sjellë ashpër me të, jeta e saj si nënë ka qenë e
mrekullueshme. Jeta bashkëshortore e saj dhe martesat kanë qenë të palumtura,
ndaj dhe këshilla dhe kujdesi i saj më i madh për vajzat e kohës së sotme është
që t’i hapin sytë mirë dhe ta zgjedhin siç duhet njeriun e jetës. Sepse vuajtja
dhe dhimbjet e jetës së saj, që tashmë janë shkruar në këtë monografi, duhet
t’i shërbejnë si mësim shumë vajzave që të mos bëhen viktimë e fatit dhe e
opinionit. Ndaj dhe vlerat e këtij libri janë një mësim për ccdo brez fëmijësh
jetim apo ccdo nëne të re që nis një faqe ndryshe jete për të lindur, rritur
dhe edukuar fëmijët që do lindin. Dhe kur flasim për nëna si Aleksandra Zëra
duhet të kujtojmë fjalën e urtë: Dora që përkund djepin, është ajo që rrotullon
fatin e njerëzisë, sepse ajo dhe vetëm ajo e drejton jetën drejt horizonteve të
ndritura ose të errta...