Kulturë
Met Rexhepi: Romanet e Muharrem Elezit
E shtune, 13.01.2024, 08:50 PM
ROMANET E MUHARREM ELEZIT
Nga
Met Rexhepi
Të
nderuar artdashës!
Tashmë
dihet: përurimi i një libri të ri, sikurse ky i sotmi, është një akt solemn. Në
përurime nuk praktikohen analiza e sinteza të gjithanshme për librin. Në rastin
e përurimit të librit, romanit më të ri, titulluar ENGJËLLI i Muharrem Elezit,
jemi ne, lexuesit, që përmes këtij akti të përurimit, i shprehim tumirje
prozatorit tonë për dalje në dritë nga kthesat e labirinteve të imagjinatës
letrare-artistike e këtij prodhimi letrar. Pa dyshim është një përkushtim i
lodhshëm, shtigjeve të imagjinatës së rrëshqitshme për ta ndërtuar një realitet
letrar artistikisht të bindshëm.
Më
ndjesën time për durimin tuaj: nuk kam qasje të drejtpërdrejtë përkitazi këtij
prodhimi letrar, ngase sapo ka dalë nga shtypshkronja. Mirëpo, mund të pohoj
diçka në mënyrë të përgjithësuar për librat e mëparshëm të kësaj tipologjie
letrare të shkrimtarit Muharrem Elezi. Ky shkrimtar është befasues. Përse më
duhet të pohoj kështu? Për disa arsye: arsyeja jashtë letrare se ky autor nuk i
përkiste sferës së profesionit të letërsisë, ngaqë autori ishte përgatitur
mësimdhënës kimie. Pra i përkiste sferës së dijeve për natyrën. Si i tillë
Muharrem Elezi nuk është rast i vetmuar, sui generis, që i qaset një pasioni
tjetër soj. Njëri nga shkrimtarët e frytshëm e cilësor, që e ngriti prozën
shqiptare në nivel të lartë, pos Kadaresë, është Fatos Kongoli. Kongoli i
përkiste përgatitjes profesionale jashtë letrare, ishte mësimdhënës matematike.
Pasioni për artin e të shkruarit i tejkalon suazat e ngushta profesionale.
Befasia
e dytë në pikëpamje letrare e shkrimtarit Muharrem Elezi është paraqitja e tij
në fushën e gjerë të prozës, madje në gjininë e zorshme të romanit, duke mos e
parë të jetë paraqitur më herët në letrat shqipe; por përnjëherësh na del me
një seri romanesh të tipologjisë së romaneve a la Balzak! Kjo rrethanë kësisoj
është befasuese për ne, që i kemi ndjekur hapat e ngadalshme të prozatorëve
tanë të deritashëm. Është befasues ndërmarrja e guximshme dhe mëtimi me një
siguri të paluhatshme të këtij autori, për t`i hyrë shtjellimit artistik të
fateve njerëzore në mjediset e vlimit të jetës sonë bashkëkohore. Andaj, ky
prozator i paparalajmëruar, sikurse jemi mësuar t`ua shohim shkrimet e
shkëputura nëpër gazeta e revista letrare shkrimtarëve tashmë të njohur, si
Nazmi Rrahmani, Ibrahim Kadriu e ndonjë tjetër; hap hulli dhe kultivon prozën e
gjatë të romanit tradicional, që kishte vendosur një traditë në letërsinë
shqiptare, që nga Haki Stërmilli, Foqion Postoli, e të tjerë.
Më
kishte lënë përshtypje romani para këtij të tashmit E ARRATISURA. Muharrem
Elezi në këtë roman, si dhe në tjetrin para këtij ZYLA, ia kishte dalë ta
trajtonte fatin e nëpërkëmbur të femrës shqiptare. Te romani E ARRATISURA
personazhi i femrës arrin t`i thyejë konceptet e vartësisë nga duart dhe
mendësia e robit, t`i çajë rrethanat e mbylljes dhe, ta vërë në veprim
vetëmohimin për gjetjen e rrugëtimit, sipas vullnetit e vet-zgjidhjes dhe
zgjedhjen e lirisë së vet.
Lënda
e romanit arriti t`i zbërthejë pleksjet e temës qendrore me kushtëzimet anësore
motivuese, si dhe reflektimet e kontekstit politik, përmes reflekseve të një
fiziologjie funksionale ideore-estetike-etike dhe artistike; gjithnjë duke i
përfillur parimet e shkrimit artistik të prozës si sferë artistike, pa u
ngufatur nga publicistika e kundrimet thjesht sociologjike të motivimeve
artistike.
Shkrimtari
Muharrem Elezi nuk i përket kategorisë së shkrimtarëve e të stilistëve eksperimentues.
Ai është i drejtpërdrejtë dhe hyn vetëm në ato shtigje shpirtërore ku mund ta
qesë hapin dhe të arrijë shtjellimin, ku mund të dalë i qartë, pa u zhytur në
shtresë-kuptimësi të ndërlikuar. Kështu, ky shkrimtar vazhdon me besnikëri
prirjen për kultivimin e romanit tradicional, pa e çarë kokën për teoritë e
reja për romanin, apo për risitë stilistike, ideore, metaforike-simbolike të
prozës moderne dhe, në post modernitetin e romanit bashkëkohor.
Nga
kjo përmbyllje diskursi, vërehet se vëmendja e kritikës për romanet e Muharrem
Elezit është e mangët. Ndoshta në një të ardhme të afërt, kësaj prodhimtarie të
vëllimshme romanesh, do t`i kthehet përqendrimi i kritikës sonë letrare?
Përgëzime
të sinqerta për autorin!
Gjilan, më 9 kallnor 2024