Kulturë
Sami Islami: Dialog imagjinar me gjuhën shqipe
E shtune, 13.01.2024, 08:56 PM
DIALOG IMAGJINAR ME GJUHËN SHQIPE
Nga
Sami Islami
Në
këtë kohë kur dialogu politik është bërë lajtmotiv i çdo emisioni televiziv dhe
i emisioneve të ndryshme në internet, si dialogu me
Beogradin, dialogu me Brukselin, dialogu me Shtëpinë e bardhë... Dialogu,
dialogu. Unë vendosa për një çast t’u shmangem këtyre dialogjeve politike, për
të bërë një dialog me gjuhën shqipe! Pse jo? Edhe gjuha shqipe, sigurisht, ka
telashet e saj që ka nevojë t’ia thotë dikujt. Po, nga që nuk kisha biseduar
një kohë të gjatë me të, nuk e dija se nga t’ia filloja. Thashë me vete pse
mos ta pyes një herë si është në përgjithësi dhe e pyeta:
-Si
ju kam moj zonjë e madhe?
-Nuk
jam mirë!- m’u përgjigj. Shqiptarët nuk po më duan mua! Nuk po m’i përdorin
fjalët e mia të bukura, të kuptueshme! Nuk po m’i përdorin shpesh as shprehjet
frazeologjike të miat! Po kujtojnë se duke më injoruar mua do të bëhen më
modern, më të civilizuar, më të përparuar!
-Pa
hë! Për cilat fjalë dhe shprehje frazeologjike
e keni fjalën?
-Ka
shumë! Bile druaj se do të mbushej një libër me fjalë e shprehje të tilla, por
sa për fillim po i përmendi disa. Nuk e kuptoj se si disa intelektualë ma
injorojnë fjalën shqipe duke përdorë fjalë të huaja, si fjalën “suplement” për
shembull!? Ç ‘është kjo fjalë ore?
-Kjo
fjalë domethënë “shtesë”, “plotësim”- i them. Me aq sa na tregojnë
fjalorët kjo është fjalë me origjinë latine (Bratoljub Klaiq
Fjalor i Madh i Fjalëve të Huaja, Zagreb, 1974, f.1259) dhe ka kuptimin
“shtesë” (apo “plotësim”). Kurse këtë fjalë e shpjegon edhe Fjalori i Gjuhës
Shqipe, 2006, f,992 si “shtojcë e veçuar
e një gazete apo një periodiku”!
-
Aha, e kuptova! Po pse ore këta shkrolaxhi, gazetarë, redaktorë, profesorë nuk
e përdorin fjalën shqipe? A mos vallë po kanë turp ta përdorin fjalën time? Apo ndoshta ata nuk po kanë
dëshirë të kuptohen nga vetë shqiptarët.
Fjalën time e merr vesh edhe bariu në stan, kurse këtë të huajën,
ndoshta vetëm në universitet, ose ka mundësi, që, ndoshta, as këta të mos e
kuptojnë!
-
Keni ndonjë shqetësim tjetër? – e provokoj.
-Po-më
thotë-si jo! Një ditë në televizion e dëgjova folësin të thotë frazën “ koncert gala”. A mos qe fjala për galat,
(sorrat, ose stërqokat), që shpesh mbrëmjeve verore mbajnë “koncert” me
kërrokamat e tyre?
-
Keni të drejtë- i them. Fjala “gala” mund ta ketë edhe kuptimin e një zogu nëse
theksi bie në rrokjen e parë “gâla”, por nëse
theksi bie në rrokjen e fundit “galá”, kjo fjalë merr kuptim tjetër. Në
shembullin që e kemi në shqyrtim nuk është fjala as për galat, as sorrat, as
për stërqokat!- i them.
-Po
ç ‘është atëherë? Unë kështu po e kuptoj!- Ma kthen e habitur gjuha shqipe!
-As
kjo fjalë me këtë shqiptim, pra me theks në rrokjen e fundit, siç thamë,
s’është fjalë shqipe, e qetësoj. Kjo
fjalë është me origjinë nga spanjishtja, që e ka kuptimin “solemn”, “i
shkëlqyeshëm”, “i bukur”. Në shqip këtë togfjalësh të huaj do ta thoshim si
“koncert solemn” “koncert madhështor”, ose “shfaqje solemne” ,”shfaqje
madhështore”! Shqiptarët “me shkollë” po mendojnë se duke e nëpërkëmbur gjuhën
e vet do të duken më të civilizuar!
-
Më ka rënë në vesh-më thotë gjuha shqipe- por edhe e kam pa të shkruar në
lokale të ndryshme mbishkrimin FAST FOOD (Fast fud). Nga na piku kjo frazë?- më
pyet. Ç ’është kjo çorbë që s’po mund ta kapërdij kurrsesi ore?
-Eh,
kjo është një frazë ardhur nga anglishtja, që domethënë “ushqim i gatshëm” që në përkthimin e
fjalëpërfjalshëm del si “ushqim të
shpejtë”.
-Ashtu,
a? E çfarë të keqe paska, pra, nëse
shqiptari thotë shqip USHQIM I GATSHËM, në vend të FAST FOOD? Jam shumë e shqetësuar pse po ikin shqiptarët prej meje? Unë jam
gjuha më e vjetra në Gadishullin
Ballkanik, që më kanë respektuar shkrimtarët tanë të vjetër qysh nga Gjon Buzuku, Bogdani, Matrënga! Pastaj më lartësuan dhe më
nderuan shkrimtarët Naimi, Samiu, Kristoforidhi, Gjeqovi! Naimi madje më nderoi duke më krahasuar
krahasoi si “gjuhë perëndie”! Lista e patriotëve që më kanë dashur dhe
respektuar është e pafund, por le ta përmendi këtu Aleksandër
Xhuvanin, Eqrem Çabejn, Selman Rizën e shumë e shumë të tjerë! Por në
anën tjetër, si mund të jem e qetë e të mos bërtas, bile edhe të mos ulërij
tani kur shoh të më injorojnë disa që mbahen si “modernë” e
“bashkëkohorë”!
Përveç
kësaj, si të mos protestoj kur shoh më
se 90% të reklamave në trevat shqiptare,
sot, janë në gjuhë të tjera, si në anglisht, gjermanisht, frëngjisht. Çka po
ndodh me mua ore?
Gjuha
angleze më ka hy në çdo pore të jetës sime. Në të gjitha këto media mua po më
lënë anash, kurse fjalët angleze po i qesin në vend të parë! Shumë po më vie
inat besa! Bile atyre edhe po iu bëjnë
“temena”, si thotë një fjalë e vjetër, kurse fjalët dhe shprehjet e mia shpesh po i hedhin në kosh. Ndryshe si mund ta justifikoj përdorimin e
shumë fjalëve të gjuhës angleze, si TOP TALK, TOP TALENT, TOP STORY, TOP NEWS.
-Keni
të drejtë – i them. Ashtu është! Ne i kemi fjalët tona! Ne do të mund t’i shprehim shqip shumë thjesht në këtë rast të gjitha këto fjalë të
huaja. Për TOP TALK, pse të mos themi
KRYEBISEDË, për TOP NEWS, KRYELAJM për
TOP TALENT , KRYETALENT, për TOP
STORY, KRYETREGIM, për, etj. I kemi
fjalët tona ore! Ashtu sikur që anglishtja që e paska fjalën TOP për ndërtimin e këtyre frazave, ne
kemi fjalën KRYE, si KRYEQYTET, KRYETAR, KRYEBASHKIAK, KRRYEINXHINIER,
KRYEPARLAMENTAR, KRYEPLAK, etj.
etj. Pra nuk kemi ne nevojë të përkthejmë
diçka nga gjuhë të tjera, kur e kemi fjalën tonë, apo jo?
-Në
një qendër televizive tonën- më thotë gjuha shqipe-një gazetar tha: “Këto janë
mbathjet e fëmijëve të një populli indigjen në Kanada”! Ç’domethënë fjala
“indigjen” ore? A nuk kemi fjalë shqipe për fjalën “indigjen”, a?
-Po
është fjalë e huaj është -i them. E gjeta edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe,
2006, f.404. Shpjegimi: anas, rrënjës, vendës.
-
Pse ore mos të thuhet në shqip “vendas” “rrënjës”, që të më marrin vesh të
gjithë?-ma ktheu gjuha shqipe. Ose edhe nëse përdoret kjo fjalë e huaj (pasi që
dikush po ka dëshirë patjetër të përdor
edhe fjalë të tilla), pse të mos ma shpjegoj edhe mua kuptimin tjetër?
-Për
këto hyrje në gjuhën tonë, kush i ka fajet ?- e pyes.
-Të
gjitha institucionet që merren me
gjuhën. Ato janë përgjegjëse për mua! Në gjuhën shqipe hyjnë fjalë të huaja pa
asnjë kriter. Hyjnë ashtu sikur që njeriu hyn dhe del ne stacion të trenit, apo
në shitore! Shqiptarët mund të krekosen sa të duan se kemi arritur shumë në
gjuhë. Nuk është e vërtetë! Edhe në
gjuhë të tjera hyjnë fjalë të huaja, por
tek ato gjuhë rri dikush te dera dhe i kontrollon para se të futen. Këta “dikush” , siç
thashë, janë institucionet e
gjuhësisë që kujdesen për to. Edhe për mua do të duhej të kujdeseshin këto
institucione. Merre me mend, vetëm mua ende nuk ma kanë mbledhur thesarin
gjuhësor. Kam mbetur me një fjalës që
përfshin rreth 47.000 ose 48.000 fjalë. Çfarë po bën Instituti i Gjuhësisë dhe
i Letërsisë së Tiranës dhe ai Prishtinës me vite e dekada. Krejt gjuhët e
tjera, edhe këto fqinje e kanë kryer këtë punë me kohë. Le ta marrim për
shembull gjuhën fqinje - maqedonishten, e cila e ka të mbledhur thesarin e vet
në diku 8-9 vëllime fjalorësh, kroatishten , me 10-11 vëllime, pa të mos flasim
për gjuhët e mëdha siç është anglishtja, që i ka më shumë se 16 vëllime
fjalorësh!
-Mirë,
t’i lëmë anash tash për tash çështjen e thesarit, a keni ndonjë shqetësim
tjetër për ndikimet e gjuhëve të huaja?
-Po,
kam! Më mbytën ore edhe përkthimet e huaja të fjalëpërfjalshme ose siç i quajnë
ndryshe KALKE. Edhe në këtë pikë kam plot shembuj, por po i theksoj disa. Në
këto vitet e fundit shqiptarët më kanë
futur përkthime me modele të huaja ( pra KALKE), nga më të ndryshmet që po më
shtyjnë të vjell. Kurrë më parë nuk e kam dëgjuar shprehjen frazeologjike “Mos
qofsha në këpucët tuaja!” Për çfarë këpucësh qenka fjala ore?
-
Si të tjerat, edhe ky është përkthim i
një trupi anglez me rroba shqiptare!- i them.
Kjo është njësoj sikur një anglez të vishet me rroba tradicionale
shqiptare! Si do të duket ai? Nga veshja shqiptar, kurse nga brenda anglez!
-Aha,
kjo qenka nga gjuha angleze apo jo? -ma kthej
gjuha shqipe. Nëse është fjala kështu, atëherë i bie sikur unë të marr
një mjet pune tek fqinji, duke e pasur timen aty. Ndryshimi është se fjala ime
kuptohet dhe përdoret lehtë nga të
gjithë, sepse është e tabanit tim! Këtë
kuptim unë e them “Mos qofsha në lëkurën
tuaj “ (në kuptimin “Mos e paça fatin
tuaj”)! , e jo: “Mos qofsha në këpucët
tuaja”! Po më duket se edhe porosia e
kësaj fraze angleze qenka njësoj si
fraza shqipe, po anglishtja e paska me “këpuca” kurse unë me “lëkurë”.
-Më
thatë se ke probleme edhe me kalke të tjera! Cilat janë ato?
-
Dy nga këto kalke që po tentojnë të ma prishin sistemin gramatikor timin dhe që
po më japin kokëdhembje janë NË KURTHIN
E PITER PAN dhe NË FUND TË DITËS. Pse ore këta skenaristë autorë gazetarë që
gjuhën shqipe e kanë mjetin kryesor të punës, po bëjnë eksperimente me mua? Ç’
është ky model shkrimi dhe shqiptimi që po tenton të m’i rrënojë themelet e
mia? Ç’ është kjo tollovi përdorimi? Gjithçka bën vaki në televizionet tona! Në
udhëzuesin e programit TV shqiptar KLAN
shkruan NË KURTHIN E PITER PANIT, udhëheqësja e emisionit thotë: “Mos harroni
të ndiqni programin tonë: NË KURTHIN E PITER PAN”! Gjuhëtarët nuk po reagojnë,
edhe pse duket qartë se diçka nuk është në rregull. E dëgjojnë për çdo ditë në
televizione dhe heshtin. Çudi! Ky farë PITER PAN-i nuk po bëka t’i adaptohet
rregullave të mia gramatikore. Po sikur
në vend të këtij PITER PAN-it të ishte ndonjë emër shqiptar, p.sh. po e
perifrazoj disi, NË KURTHIN E AGIM! A thua do ky lloj konstrukti do tua vriste
veshët gjuhëtarëve se diçka nuk është në
rregull? Sigurisht se po! E si do të duhej të ishte? NË KURTHIN E AGIMIT! Dihet
se në gjuhën shqipe i kemi rasat dhe duhet t’i respektojmë! Le të themi shqip
pra: NË KURTHIN E PITER PANIT!
Edhe
tjetra:
Ne
e kemi shprehjen tonë frazeologjike shumë bukurtingëlluese dhe kuptimplote,
njëkohësisht, por po habitem pse po injorohem prej shqiptarëve? Fjalën e kam për shprehjen
frazeologjike NË FUND TË FUNDIT, që lirisht mund të zëvendësohet edhe me TEKEFUNDIT, apo FUNDJA. Por po habitem pse të merret një shprehje
frazeologjike angleze NË FUND TË DITËS!
Kurrë
në gjuhën shqipe nuk është përdorë shprehja
NË FUND TË DITËS! “Në mbarim të ditës”, po. Por kjo ka tjetër kuptim.
Pra dita ka “fillim” që është mëngjesi dhe “mbarim” që është “mbrëmja”. Pra
dita s’ka fund por ka mbarim! Duhet kuptuar, prandaj se “fundi” dhe “mbarimi”
në kontekste të ndryshme kanë edhe kuptime të ndryshme. Këto gjera po më shtyjnë të mendoj se shqiptarët nuk janë patriotë sa duhet,
sepse nuk po tregojnë respekt për mua. Prandaj shqiptarë, keni kujdes se filli
i patriotizmit tuaj duket, në rend të parë, në respektin që keni ndaj
meje!
(Marrë nga libri im PËR GJUHËN, Prishtinë, 2021)