Faleminderit
Albert Vataj: Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kreshta më e lartë e krenarisë sonë kombëtare
E merkure, 17.01.2024, 09:05 PM
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu, kreshta më e lartë e krenarisë sonë kombëtare
Në
përvjetorin e vdekjes
Nga
Albert Vataj
Ai,
vepra dhe emri i të cilit do të shndërrohej në legjendë, do t’i përkiste
përjetësisë, siç ishte dhe mbeti të gjallët e tij nga më të zëshmit kushtrime
të ekzistencës sonë në histori.
Ishte
17 janari i vitit 1468, kryezoti i Arbërisë do të ndërroi jetë në moshën
63-vjeçare në vitin e 24 të mbretërimit.
–
Mblidhuni, mblidhuni të gjithë o princër e sundimtarë arbëror.
Sot
u bënë copë dyert e Epirit dhe Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat
tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysen fronet dhe
pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë jona, i
tha këto fjalë Lekë Dukagjini me të dhënë lajmin për vdekjen e Skënderbeut.
Trupi
i tij u varros në kishën e Shën Kollit në Lisus. Ceremonia e lamtumirës ishte e
denjë për një mbret. Erdhën nga çdo kënd i botës të dërguar dhe ngushëllime që
paqësonin plagën e kësaj humbje të rëndë që kishte pësuar Arbëria.
…atë
natë- shkruan Marin Barleti në “Histori e Skënderbeut”, që ushtria turke dhe
barbare mori arratinë, Skënderbeut, pas pendimit të shenjtë dhe rrëfimit dhe
pas misteresh të tjera kishtare që i bëri me respektin e duhur, vdiq duke e
dorëzuar veten dhe shpirtin Zotit të madh, më 17 janar të vitit 1466, -pra sot
555 vite më parë.
Skënderbeu,
vijon Barleti, thuhet se u nda këso jete në moshën 63-vjeçare, në vitin e 24 të
mbretërimit të tij.
Kur
e dëgjoi se po qanin të vdekurin, Lekë Dukagjini, princi epirot, doli me vrap
në mes të pazarit dhe me fytyrë të pikëlluar e më zë të mbytur tha, duke
shkulur mjekrën dhe flokët: “Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë o princër e
sundimtarë arbëror. Sot u bënë copë dyer e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u
rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u
përmbysën fronet e pushtetit tonë, sot u shumë krejt së bashku me këtë njeri
çdo shpresë e jona.”
Gjithashtu,
gjatë kohës që ai (Skënderbeu) po vdiste, kali, të cilin e shalonte kur e
kishte për tu përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar dhe i pafrenueshëm,
saqë s’donte të mbante më njeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi edhe ai.
Historia
e Skënderbeut është themeli i të gjithë historive, të cilat tregojnë shtegun
përnga ka kaluar populli ynë në udhën e gjatë të qëndresës dhe qytetërimit,
rrugëtim i cili është i shtruar me sakrificat më sublime dhe blatimet më të
shenjta. Figura e Heroit Tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është një
nga më madhështoret e gjithë asaj rrëfenje që ka ardhur deri në ditët tona. Nuk
kishte më të lavdishme deri atëherë dhe nuk do të kishte derimtash një gjurmë
yjesh në shkrepëtimën shëmbëllimit të dritës së hyjnis. E tillë është historia
e këtij zemërluani, mendjendrituri dhe strategu të shquar të artit të luftës.
Të tilla janë bëmat dhe trimëritë, urtësitë dhe gjenialitetet e zgjidhjeve
vendimtare për fatin e luftës dhe lirisë. Ai ka kapluar kufinjtë e legjendës,
sepse e këtyre përmasave ishte ardhja e tij.
Ariçka,
mes të vërtetës dhe trillit është një kufi ndarës, shpesh i padukshëm,
imagjinar si një sprovë e kureshtisë dhe ëndjes që sëmbon njohjen dhe
përjetimin e atyre ngjarjeve, atyre episodeve që në vetvete përbëjnë vetë
historinë e epokës së ndritur të Skënderbeut.
Skëndërbeu,
ai ishte një e vërtetë e ndritshme në sytë tanë dhe në historinë e botës. Ai
është një kapitull sakrificash dhe lavdie, luftrash të përgjakshme dhe
përpjekjesh të paepura për të dëshmuar të drejtën e triumfit.
Skënderbeu
ishte dhe mbeti kreshta më e lartë e historisë së shqiptarëve.
Gjergj
Kastrioti Skënderbeu është, pa dyshim, ashtu siç e ka përcaktuar, më 1925,
historiani i dëgjuar kroat Milan Šufflay “krijesa më hyjnore i kësaj race më të
tmerrshme luftëtare, i cili që kur ishte gjallë u madhërua me legjenda të
ndryshme nga Evropa Perëndimore. Arësyeja e këtij madhërimi të veçantë rrjedh:
ngase Skënderbeu në krye të shqiptarëve përballoi furinë osmane në një kohë kur
Evropa përjetonte një nga momentet më kritike të historisë së saj mesjetare.
Armatat perandorake osmane, të pajisura me një energji të pashtershme
luftarake, me në krye dy nga sulltanët më ambiciozë të Turqisë, pasi kishin
përfunduar pushtimin e Gadishullit Ballkanik, iu turrën Hungarisë, për të çarë
rrugën drejt Evropës Qendrore dhe Shqipërisë për të kaluar nga brigjet e saj në
Gadishullin Italik. Përballë këtij rreziku serioz, fuqitë evropiane, në mënyrë
të veçantë shtetet italike, qenë thellësisht të përçara. Në vend që të
bashkoheshin për t’i bërë ballë bashkërisht rrezikut të madh, ato vazhdonin të
luftonin midis tyre dhe të grindeshin me njëri-tjetrin, duke lehtësuar kështu
vrullin pushtues të armatave osmane. Si rrjedhim, roli i Shqipërisë në këtë
situatë dramatike ishte i barabartë me atë të Hungarisë. Të dy palët, si
hungarezët, të udhëhequr nga Huniadi, ashtu edhe shqiptarët, të udhëhequr nga
Skënderbeu, me rezistencën e tyre heroike penguan për disa dhjetëvjeçarë
përparimin e sulltanëve, të parët drejt Evropës Qendrore, të dytët drejt
Gadishullit Italik.
Si
rrjedhim, me rezistencën e tyre ato u dhanë mundësi shteteve evropiane të
kapërcenin përçarjet që kishin midis tyre dhe të përgatiteshin për të
përballuar, ashtu siç e përballuan më vonë, valën e invazorëve lindorë. Për
këtë rol historik që luajti Shqipëria dhe Skënderbeu, krerët e shteteve të
Evropës ishin të ndërgjegjshëm që kur ishte gjallë Heroi. Ky rol u duk që në
vitin 1450, kur sulltan Murati II erdhi në Shqipëri në krye të mbarë ushtrisë
perandorake për të hapur rrrugën drejt Gadishullit Italik. Por siç dihet, atë
vit ushtria osmane, u gozhdua në kalanë e Krujës, të cilën megjithë përpjekjet katër mujore, Sulltani
nuk e shtiu dot në dorë. Madje vetë Skënderbeu ishte i ndërgjeshëm se në Krujë
luhej jo vetëm fati i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës. Këtë e thotë vetë
Skënderbeu në letrën që i drejtonte princit Italian të Tarantit G. A. Orsini,
më 31 tetor, kur i shkruan: “Nëse unë do të isha mundur nga turqit, sigurisht
Italia do ta kishte pësuar dhe si pasojë, ai zotërim që ju tani thoni se është
i juaji, do të ishte i turqve”. Për këtë rol të rëndësishëm që po luante
Shqipëria ishin të ndërgjegjshëm edhe fuqitë e Evropës, në mënyrë të veçantë,
shtetet e krishtera që ndodheshin më pranë rrezikut osman. Për këtë arsye,
fitorja që korrën shqiptarët në Krujë më 1450 ngjalli entuziasmin e Republikës
së Raguzës. Shprehje e këtij entuziasmi
janë përgëzimet që raguzianët i drejtuan Skënderbeut pas disfatës së
Sulltanit. “Me të vërtetë – shkruanin ata –ju përballuat me një ushtri të
vogël- gjithë ato turma të panumërta të turqve, i dolët zot qytetit dhe
kështjellave tuaja të paprekura kundër hovit dhe peshës së gjithë asaj
përgatitjeje dhe për këtë punë do të fitoni shpërblim të amëshuar pranë
Perëndisë. Po ashtu ndër mbretër, ndër princa të të gjithë botës do të keni
lavdërime dhe lavdi të pavdekshme. Qofshi pasqyrë e shembull për të gjithë
princat e të krishterëve dhe për mbarë kombet dhe emri juaj do të kurorëzohet
prej fames së amëshuar”.
Ky
ishte Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, të tilla ishin dhe mbeten përmasat e kësaj
figure emblematike të identitetit tonë kombëtar, jeta dhe vepra e një figure që
arriti të thithte interesin e gjithë botës dhe krishtërimi të kishte tek arbëri
i madh, Kalorësin e Krishtit.