Kulturë
Jahja Drançolli: Dilema rreth vitit të vdekjes së Skënderbeut dhe vitit të botimit të veprës kushuar Heroit
E merkure, 17.01.2024, 08:55 PM
Jahja Drançolli:
Dilema
rreth vitit të vdekjës së Skënderbeut dhe vitit të botimit të veprës kushuar
Heroit: Sipas Kalendarit Gregorian dita e sotme, 17 janari i vitit 1468 shënon
ditën e vdekjes së Gjergj Kastrioti-Skënderbeut. Rizbulimi i dy mbishkrimeve në
grafikën e Skënderbeut të vitit 1466, çojnë të dyshohet se vepra “Historia de
vita et gestis Scanderbegi Epirotarum Principis”, e humanistit Marin Barleci
është shkruar në vitin 1493 përkatësisht 15 vjet para se të botohet në Romë,
rreth viteve 1508/10!
Në
grafikën që e kemi në dorë i ndeshim dy mbishkrime në pjesën e sipërme dhe në
pjesën e poshtme të saj të njohura ç’prej shekujve XVIII-XIX në historiografinë
angleze, hungareze e kroate. Në mbishkrimin e sipërm lexojmë këtë përmbajtje:
“Obiit anno Domini 1466. XIV. Kalend (as) Februar (ias) Aetatis A(nn)o 63.
Impero vero XXIV.”, që në përkthim të lirë do të thotë: “Vdiq në vitin e Zotit
1466, datën e 17 janarit në moshën 63-vjeçare, në vitin 24 të sundimit.”.
Ndërkaq, në mbishkrimin e poshtëm të grafikës fiksohet viti 1493 (14-93), si
datë që shënon shkruarjen e veprës kushtuar Skënderbeut nga Barleci. Data në
fjalë paraqitet në të dy anët e mbishkrimit: “Signor Scander Bego” (“Kryezoti
Skënderbe”). Mbështetur në mbishkrimin e sipërm, data e vdekjes së Atit të
Kombit (1466) vlerësohet si një shmangie nga data 17 janar 1468, datë kjo të
cilën e ndeshim përgjithësisht në historiografinë shqiptare. Mirëpo, në
historiografinë jo vetëm të vjetër botërore, përveç vitit 1468 do të ndeshim
edhe vitet 1466 dhe 1467. Vitet e përmendura dalin si rrjedhojë e varieteteve
kronologjike të shekullit XV. Në rastin konkret është fjala për llogaritjen e
viteve sipas stilit venedikas (Mos Venetus), e cila ndryshonte nga ndonjë
llogaritje të stilit tjetër nga koha që ndërlidhet me jetën dhe veprën e
Skënderbeut. Së këtejmi, llogaritja e fillimit të vitit sipas stilit venedikas
nuk është 1 janari por 1 marsi, që në raport me vitin tonë qytetar mbetet pas
për dy muaj. Stili venedikas i llogaritjes ka qenë i pranishëm në pjesët
bregdetare të Arbërisë ç’prej shekullit XIII!