Kulturë
Kolec Traboini: Haki Taha në kujtimet e Prenk Grudës
E diele, 21.01.2024, 08:53 PM
HAKI TAHA
në
kujtimet e Prenk Grudës
Nga
Kolec P. Traboini
Populli
ynë ka nxjerrë gjithmonë nga gjiri i vet njerëz të sakrificave e në shërbim të
çështjes kombëtare e për qëndresë burrnore, tue përballua me vetmohim
vështirësitë ashtu siç asht tue i përballua me vetmohim e tue qendrue
granit-heroizmi populli i Kosovës.
I
frymëzuem natyrisht prej bijëve e bijave të tij si Haki Taha, duke ecur në
gjurmët e Azem e Shote Galicës, të Gjon Serreqit e Marie Shllakut e me qindra
të tjerë heronj e dëshmorë që luftuan për Kosovën, për Shqipërinë Etnike. Ata u
desh të përballonin në këtë luftë jo vetëm pushtuesit sllav, por edhe
komunistat shqiptarë të coroditun me kryetarin e tyre të degjeneruar,
sllavo-komunistin, shkatrruesin e Kombit, Enver Hoxha.
Për
kryetrimin Haki Taha mund të flasish e shkruash një libër të tërë, por unë po
marr përsipër veç një kujtim të shkurtër nga njohja e miqësia në rininë time
shkollore e më pas.
Ishte
prej Gjakove, që ka qenë gjithmonë një çerdhe e shqiptarizmit. Hakiun e njoha
për herë të parë në konviktin "Malet Tona" në Shkodër, mandej na ra
për disa vjet me kalue së bashku në Normale të Elbasanit e Shkollën Teknike në
Tirane, gjatë pushimeve shkollore.
Hakiu
ishte i gjatë e i hollë me një trup të hijshëm burrnor. Ishte i dashtun e shumë
i njerëzishëm, por i padurueshëm me ata që anonin nga e majta, duke mendue se
kështu i shërbenin Kosovës e Shqipërisë Etnike. Bile një here u ngatërrue keq
me Asim Vokshin e gjithnjë i kritikonte Emin Durakun e Xheladin Hanën, tue ju
thanë se Rusët kanë ndryshue kryeqytetin e taktiken, por kanë gjithmonë të
njëjtën strategji pansllave, përpimjen e shqiptarëve për dalje në ujrat e
ngrohta të Mesdheut e tjerë.
Fjalët
e Hakiut ishin bindëse sepse ai thoshte të vërtetën pa zbukurime si dhe pa
frikë. Fjala e tij zinte vend, dhe sytë e tij ishin imponues besimi. Nuk kishte
shumë shokë, mbasi ai gjithnjë lexonte vepra frëngjisht, dhe nuk e kisha parë
të lexonte shpesh libra të mësimeve shkollore, e megjithatë ai ishte përherë
ndër të parët e klasës së tij, gja që e provon se ishte shumë i squet. Ka qenë
shkrimtar i mprehtë e prozator e poet. Përshëndetja e Kosovës nga Qafa e
Prushit 1938, në "Hylli i Dritës" është shumë mallëngjyese, një hymn
i djelmënisë Shqiptare për Nanën Kosovë. Ma vonë shumë shkrime të tjera të
botueme, apo dorëshkrime provojnë aftësitë e Hakiut si shkrimtar
Ai
ndiqte gjurmët e Apostujve të Rilindjes. Fishta e Naimi ishin për të Ungjilli e
Kurani, admironte Mjeden e Asdrenin, Prenushin e Çajupin. Interesant ishte për
mue kur vinte Padër Anton Harapi e Fratel Gjoni me u takue me Haki Tahen në
Normalen e Elbasanit e në Shkollën Teknike në Tiranë. Më 28 shkurt 1937, Hakiu
formoi një celulë të fshehtë, në formë organizate, vetë i pestë: Haki Taha
kryetar, Minush Lipovski, Zeki Shehi (të tre gjakovarë), Murat Llabunishti nga
Struga e Prenk Gruda prej Malësisë së Madhe të Shkodrës. Ne ishim të gjithë të
betuem për çdo gjë me e mbajt sekretin, me qenë të gatshëm po të ishte nevoja,
me e dhanë jetën për kauzën e shejtë të Kosovës.
Duhej
me u ruejt mos me ra në sy të Qeverisë së asaj kohe, e cila nuk lejonte
manifestime për çeshtje të Kosovës as të vendeve të tjera etnike në robni në
Jugosllavi e as për Çamërinë nën robërine greke. Qëllimi kryesor ishte me
mbledhun lajme për gjendjen e terrorit në Kosovë, për krimet serbo-malazeze e
maqedone mbi shqiptarët e pambrojtun. Mu në anën veriperëndimore në Fush Mbret
ne Elbasan, ishin instalue nja 30 familje kosovare dhe me ta ishim për çdo
jave, disa prej tyne pranuen me shkue në Kosovë meshehtas me marrë hetime mbi
çdo gja që banin sllavët në damin e shqiptarëve.
Haki
Taha kishte takime me disa personalitete në Tiranë dhe me freten në Shkodër.
Ishte shumë aktiv dhe për çeshtje shqiptare nuk lodhej kurrë tue fole e punue.
Thonte, duhet edhe ne shqiptarët të bashkohemi si bota e qytetnueme në Shqipni
Etnike. Ai nuk ishte agresor e as urrejtës për hakmarrje, por vetëm për liri e
bashkim të trojeve, sepse thonte s'ka Shqipni të madhe e as të vogël veç asaj
ku ende janë shumica shqiptarë e shungullon amel gjuha shqipe.
Në
Shqipni e në Kosovë Haki Taha pothuejse asht harrue nga terrori e nga
propoganda komuniste e Enver Hoxhës me shokë, që janë përpjekje me vu në dukje
Miladin Popoviçin, mësuesin e tyre si gjoja shqiptarofil ndërsa Haki Tahën si
fashist e udbash. Kurse në mërgim asht fole e shkrue shume pak për Haki Tahën
nga disa grupe e njerëz partinash, tue dashtë me paraqitë se Hakiu ka qenë me
ta e asht i tyne. Mirëpo Haki Taha nuk ka pas grup e as parti, vetëm ka qenë
shqiptar e për Shqipni Etnike.
Haki
Taha i qëndroi besnik betimit dhe më 14 mars 1945, i hyn në zyrë në Prishtinë Miladin
Popovicit, tue i thanë se mjaft ma i ke mashtrue e tradhetue shqiptarët dhe e
vret.
Hakiu
nuk ja duel me u arratis prej Prishtine, prandaj vret vehten. Minush Lipovski e
Zeki Shehi kanë vdekur ndër tortura në Goli Otok, ndërsa Murat Llabunishtin, Sigurimi
i Shqipnise e ka arrestue në Elbasan e dorëzue UDB-së jugosllave në Shkup ku e
kanë mbyt me tortura, ndersa Prenk Gruda ka mbet dëshmitar i shokëve të tij dhe
i shumë çështjeve tragjike shqiptare.
Asht
fole se masakrimi i 5-6 mijë shqiptarëve në Tivar u ba ate ditë që Haki Taha
vret Miladinin, gjoja për hakmarrje.
Prishtinën
e hymnizoi gjaku i Haki Tahës - Hero dhe Tivari u la me gjakun e mijëra
shqiptarëve të pafajshëm dëshmorë të Kombit Shqiptar.
Shkrimi i përgatitur nga Kolec P. Traboini
në Boston nga një bisedë telefonike me Prenk Grudën (1912-
1999) në Florida. Botuar në
"Albania Gazetë", Boston, Nr. 1 (26), vëll. 3, Janar 1998.
© K.P. Traboini 1998-2024