Kulturë
Ndue Dedaj: Mati etnomuzikor dhe dukuri kulturore kombëtare
E hene, 29.01.2024, 08:30 PM
MATI ETNOMUZIKOR DHE DUKURI KULTURORE KOMBËTARE
(Esat
Ruka, kantautor i njohur, studiues dhe promovues i traditës muzikore shqiptare)
NGA
NDUE DEDAJ
Kush
ka qenë në Rremull të Matit dhe në gjithë Semtin e Prellit, nuk e ka të
vështirë të kuptojë natyrën lirike, artistike të kantautorit të njohur Esat
Ruka, një nga zërat më bukurtingëllues të këngës matjane, krahas artistëve të
tjerë që lëvruan muzikën e kësaj treve, si Feride Kurti, Munir Shehu, Ymer
Toçi, Xhevat Lishi, Ymer Neli etj. Do të ishin prindërit e tij të parët zbulues
të talentit të të birit dhe mësuesi i tij që, kur ishte në fillore, e vinte
sipër bangës për të kënduar, çka do të ishte dhe “skena” e parë e tij. Tri male
përtej ishte Zall-Dardha dhe atje mësuesi do ta pikaste si këngëtare nxënësen
Liri Rasha, teksa ajo këndonte hipur në qershi. Është rasti për një falenderim
për gjithë ata mësues që i morën nxënësit e tyre nga skajet e vendit dhe i
ngjitën në skenë. Shumë nga talentet që njohim mund të kishin humbur nëse nuk
do të ishin pikërisht mësuesit e tyre që do t’i nxisnin drejt botës artistike.
Esat Ruka, prej asaj kohe, do të ishte i lidhur shpirtërisht, emocionalisht e
kulturalisht me këngën dhe gjërësisht artin muzikor shqiptar e veçanërisht atë
matjan. Atij do t’i kishte mjaftuar të qenurit këngëtar i afirmuar, me një zë
karakteristik e melodioz, mirëpo ja që etnokultura e Matit do ta përfshinte dhe
si kërkues e studiues të folkut dhe traditës muzikore, ashtu si pararëndësin e
tij Dilaver Kurti, që nuk kishte lënë objekt arkeologjik, historik e etnografik
pa studiuar e përshkruar shkencërisht.
Esat
Ruka është ndër artistët shqiptarë që e ka prekur, përjetuar e lëvruar artin
muzikor popullor nga vatra e shtëpisë së tij përkufi me Urakën e Bruçin e deri
në Gjirokastër, Labëri, Elbasan, Malësi të Madhe, Tuz, Prizren, Tetovë, apo
diasporë (Austri, Amderikë), duke qenë
për disa vite drejtues i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike Tiranë.
Ka bashkëpunuar me bardët më të thjeshtë të maleve, që këndonin e kërcenin në
dasmat e fshatit, deri te korrifejtë e artit popullor kombëtar. Këtë mundësi ai
nuk e ka lënë t’i ikë nga duart, jo vetëm si kryeorganizator i suksesshëm i
veprimtarive folklorike kombëtare, por dhe si studiues i zellshëm. Ky artist do
të ngjitej hap pas hapi në karrierë, pasi kishte marrë me përkushtim punën si
drejtues i grupeve të “vogla” popullore në Bruç, Derjan e Komësi, mbas kryerjes
së studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve. “Ato më formuan si
drejtues artistik e organizator i ansambleve, ashtu si skenat lokale e më gjërë
me afirmuan si instrumentist e këngëtar”, shkruan ai. Esat Ruka është autor dhe
interpretues i mjaft këngëve me çifteli etj., që dallojnë për stilin e të
krijuarit dhe të kënduarit, si kënga “Due me thanë se ka Shqipni” kushtuar Isa
Boletinit etj., një hit që këndohet në gjithë hapësirën shqiptare e diasporë. E
veçanta e saj si tekst (autor Kolë Ndreka) nuk qendron vetëm në mesazhin që
përcjell, por dhe në ndërtimin e strofës me një rimë të përputhur trevargëshe,
rast unikal në rapsoditë e njohura të folkut të ri, ndërsa në anën muzikore
vërehet mbështetja në traditën e këngës malsorçe të trevës së Matit etj.,
elemente që i japin asaj origjinalitet dhe individualitet artistik të spikatur.
1.
Esat
Ruka kishte objektin e tij të studimit, “Mati në vështrim etnomuzikor” (2009),
një terren krejtësisht i virgjër, ku ai do të bënte një punë prej studiuesi të
mirëfilltë, që vetëm duke “lundruar” nëpër libër mund ta kuptosh
skrupulozitetin dhe thellësinë e tij. Autori na njeh në fillim me traditën e
këndimit të këngëve malsorçe në Mat, të kënduarit pa shoqërim me vegla
muzikore, ku zani i njeriut ishte dhe instrumenti i parë, siç do të thuhej nga
studiuesit e folkut. Gjatë studimit të thesarit etnomuzikor të trevës së Matit
ai përdor referenca nga studime të etnomuzikologëve të njohur Ramadan Sokoli,
Pirro Miso, Rexhep Munishi etj. “Në zanafillën e traditës muzikore vokale,
fillimisht është kënduar pa shoqërim me vegla muzikore” nga barinjtë te kori i
kishave, shkruan Ruka. Ai përmend disa bardë të këtyre këngëve, specifikon
këngët e krushqve, që këndoheshin rrugës, në këmbë, me dorën mbas veshi. “Është
kënduar dhe majëkrahi, dhe me telat e çiftelisë. Gjok Pjetër Doda, nga Rraza,
lindur rreth vitit 1890 dhe vdekur në vitin 1970, merrej në dasma në gjithë
Mirditën e deri në Lurë për këngët e tij malsorçe. Thonë se kur këndonte e
lakonte zërin 7 herë brenda një fjale. Në shumë raste janë shtyrë dasmat në
krahinë, kur ai ishte në ndonjë dasëm tjetër...”
Autori
sjell njëherësh tekstin e këngës, melodinë muzikore të transkriptuar në
pentragram, si dhe bardin autentik që e ka kënduar. Mjaft interesante janë në
monografinë e tij këngët e uprive (që këndoheshin gjatë punëve të stinës, ose
të mulliri), këngët e sofrës, këngët e humorit në lojëra e festa popullore etj.
Autori ka analizuar profesionalisht mënyrën e të kënduarit të këngëve malsorçe
në Mat, duke vënë në dukje tiparin e tyre thelbësor, që ato në hershmëri ishin
këngë monodike (njëzërëshe). Në kreun e dytë ai merret me veglat muzikore në Mat,
duke nisur me ato paramuzikore, si gjethja, pipëza, briri, guaska, gramza,
këmborët etj., që tregojnë shpirtin artistik të malësorëve, që krijonin
“muzikë”, ritëm, melodi e argëtim dhe me të fërshëllyerit melodioz të tyre tek
ecnin shtigjeve. Veglat muzikore përshkruhen në rrafsh historik, se si ato janë
shfaqur dhe kanë evoluar, që nga bibili, fyelli (kajdet e bariut, fyelltarët e
përmendur), kavalli, cigana, tupani, dajrja, çiftelia, sharkia, lauria (një
vegël mjaft e veçantë karakteristike e zonës) dhe mjeshtrit e përdorimit të
tyre në kohëra. Me mjaft interes për të njohur traditën muzikore matjane janë
dhe formacionet e vogla orkestrale (ustallarët), apo krijimet rapsodike në Mat
– rapsodia matjane dhe rapsodët më në zë, si Qamil Gjika, Nezir Neli, Ymer
Toçi, Avni Hoxha, Tom Gjergji etj.
Në
vend të veçantë në libër zë orkestrina popullore e Matit, si një hop cilësor e
sasior i traditës së mëparshme instrumentale, në gjysmën e dytë të shekullit
XX. Çfarë e dallon këtë orkestrinë nga simotrat e saj të njëkohshme në treva të
tjera? Ruka shkruan se është stili i tingëllimit të veglave muzikore që
përcakton karakteristikat e veçanta në një hapësirë të caktuar, në rastin
konkret asaj të Matit, ku për nxjerrjen në skenë të çiftelisë, fyellit,
kavallit, laurisë, daulles etj. janë përdorur njohuritë dhe atësitë e bardëve
të këtyre veglave e melodive, stili origjinal i interpretimit të tyre, duke u
harmonizuar në orkestrinë. Autori sjell dhe një përvojë të veçantë, të viteve
’60, të orkestrinës së vajzave të shkollës së Bruçit, që pastaj u shtri dhe në
orkestrinat e tjera. Me mjaft përkushftim Ruka përvijon profilet e solistëve më
të shquar të veglave muzikore, në krye të të cilëve rri Ymer Neli, i cilësuar
prej tij si një “konstruktor i vërtetë i instrumentit”, “arkiv i gjallë i
folkut të Matit”, Artist i Merituar, laureat i përjetshëm festivaleve foklorike
kombëtare që nga viti 1959 etj., që e trashëgoi artin e interpretimit muzikor
të i biri, Behari, gjithashtu një artist i lindur; vijnë më tej profilet e artistëve
popullorë të interpretimit: Qamil Beshku, Enver Kurti, Ali Hysneli etj. Ndër
këngëtarët matjanë më përfaqësues mund të përmendim: Feride Kurti, Hysni
Hysnelaj, Esat Ruka, Fatmira Likmeta, Drita Suçi etj. Studiuesi Ruka rreshton
kontributet e një vargu artistësh në krijimin e këngës dhe valles matjane si
muzikologë, kompozitorë, koreografë, kantautorë, drejtues orkestrash etj., si
Skënder Frashëri, që në vitin 1962 kishte mbledhur 125 këngë (tekste e melodi)
dhe 42 valle popullore matane, Munir Shehu, themeluesi i orkestrinës popullore
të Matit, kompozitori Naim Gjoshi, virtuozi shkodran Xhevat Lishi, Sabri Aliaj,
Shefqet Merra, Fatmir Leka, Zyber Ceni etj.
2
Esat
Ruka, duke qenë në krye të Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike (QKVF)
Tiranë, u njoh nga afër me dukuritë dhe problematikat kombëtare në rrafshin e
kulturës popullore dhe traditave, po dhe me mjeshtrit më të shquar të artit
muzikor dhe jo vetëm. “Jam ngjitur shkallëve të skenës dhe hierakisë së
drejtimit të punës kulturore duke e përkëdhelur instrumentin dhe këngën, vallen
dhe kostumin popullor me dashuri e seriozitet, me përkushtim e inspirim
njerëzor e intelektual”, shkruan ai. Roli e tij është i veçantë në organizimin
e Festivalit Folklorik të Gjirokastrës në vjeshtën e vitit 2009. Ai shkruan se
Festivali e tejkaloi protokollin zyrtar dhe se tradita folklorike ishte parë në
një vizion të ri, ku në 6 ditë u ngjitën në skenë 1500 festivalistë. Komiteti
Organizator u kujdes që Festivali të mbarte “filozofinë, artin, bukurinë dhe
krenarinë identitare”. Për të ishte e rëndësishme që tradita popullore, që
niste më kremtimet familjare e kishte shtegtuar përgjatë shekujve, të vijonte
të ishte pjesë e politikave kulturore institucionale. Në Festival ishin ftuar
dhe bardët e fundit të folkut, njëherësh pionierë të festivaleve kombëtare, si
Laver Bariu, Ndue Shyti, Bik Ndoja, Meliha Doda, Lefter Çipa, Gjok Beci, Albert
Tafani, Feride Kurti, Besim Zekthi, Melita Shehu, Qemal Kërtusha, Frrok Haxhia,
Tom Nikolla, Sali Brari, Xhevdet Hafizi etj. Në dijeninë tonë ishte hera e parë
që një festival i tillë dokumentohej në një libër, çka do ta dëshiroje dhe për
festivalin e fundit, që u zhvillua vitin e kaluar.
Përvojën
e gjithanshme në dhe me institucionet kulturore kombëtare Esat Ruka e përfshiu
në një libër të posaçëm, “Dukuri, fenomene kulturore, profile krijuese”, botuar
në vitin 2023, me parathënie nga akademik Gjovalin Shkurtaj. Autori e quan një
“autograf shpirtëror për lexuesin” dhe i tillë është. Për më tepër, siç vëren
Shkurtaj, “mund të themi se libri i Esat Rukës, në fakt, jep në formën e zërave
enciklopedikë shumë prej figurave të rëndësishme të këngës popullore” etj. Një
varg personalitetesh dhe individiualitesh krijuese kombëtare vijnë njëri pas
tjetrit, si: Ramadan Sokoli, Mathieu Aref, Alush Hamidi, Lefter Çipa, Gjok
Beci, Ali Mula, Zejadin Ismaili, Dilaver Kurti, Hazis Ndreu, Ndue Shyti, Pjetër
Matusha etj. Po ashtu interpretues dhe drejtues të suksesshëm, si Lirie Rasha
“një ylber i këngës popullore”, Sedat Kuçi “interpretuesi i lirikave qytetare”,
Safete Toska “këngëtarja që frymëzon me shpirtin e saj artistik”, Rexhep Çeliku
korifeu i “valles shqiptare”, Xhevat Fana “kërcimtari që kërcente pa i zënë
këmbët në tokë”, Ilmi Kolgjegja “institucioni i kulturës që përndriti shpirtin
e lurianëve”, Xhelal Çerpja i Zall - Dardhës etj. Në libër përfshihen dhe një
varg reçensash për libra të ndryshëm monografikë të sferës kulturore. Edhe kur
nuk ndalon të bëjë portret të mirëfilltë, mjaftojnë pak rreshta për të skicuar
portretin e veçantë, si të Rakib Laskut në Kryemate (Klosi) etj. Opinionet dhe
analizat e autorit zënë një vend të dukshëm në libër, që nisin me Pjetër Budin
e madh, vijojnë aspekte të trashëgimisë, një ekspozitë instrumentesh etj. Në
vëmendjen e autorit kanë qenë dhe veprimtaritë që lidhën me trashëgiminë
shpirtërore, si kremtimi i 60-vjetorit të ansamblit “Vaçe Zela” në Fier -
Shegan, mbresa nga fest-folku “Hasi jehon”, nga festivali i këngës qytetare në
Prizren etj. Ky është në njëfarë mënyrë një libër – “ansambël”, mbasi
përbashkon në një odeon elitën e folkut shqiptar, si një vazhdim logjik i
librit të autorit kushtuar Festivalit të Gjirokastrës 2009.
Esat
Ruka është njëri nga kulturologët më të njohur të vendit, që i bëri me dinjitet
të gjitha punët e artit, si krijues dhe interpretues i këngës, si
instrumentist, si organizator e menaxhues i devotshëm dhe studiues i zellshëm i
traditës. Në mënyrë të veçantë vepra mbi vështrimin etnomuzikor të Matit është
një dokoraturë e mirëfilltë, ku është kërkimi shkencor në terren, përshkrimi dhe
interpretimi i prurjeve të ndryshme, transkriptimi muzikor i melodive të
vjetra, një kolazh me këngë të zgjedhura në vite, si dhe përfundimet studimore,
pa harruar dhe fotografitë bardhë e zi dhe fotografët artistë. E themi këtë jo
vetëm si një vlerësim të merituar për autorin, por dhe për të nënvizuar faktin
se është i papërsëritshëm laboratori i terrenit ku ai njohu visarin e traditës
matjane e mbarëshqiptare, që në radhë të parë e mbrujti si artist, këngëtar me
profilin e tij origjinal. Tre librat e tij janë një himn për traditën
etnokulturore muzikore dhe folkun e shqiptarëve dhe një nderim i pashoq për
cilindo artist popullor që dha ndihmesën e tij në këtë botë artistike, që është
shprehje e identitetit tonë kombëtar. Por dhe një thirrje për ta mbajtur gjallë
dhe mbështetur këtë trashëgimi. Bash për këtë librat e zotit Ruka janë pjesë e
fondit studimor kulturor shqiptar.