Kulturë
Xheladin Mjeku: Tempulli i Abetares
E diele, 28.01.2024, 07:57 PM
TEMPULLI I ABETARES
Adem
Abdullahu: ,,ARADHA E SHKRONJAVE”, poemë për fëmijë, botoi ,,Ylberi plus” –
Tetovë, 2021
Nga
Xheladin MJEKU
Bota fëmijërore ka veçantitë e saja,
prandaj edhe prekja e temave nga kjo kategori është më ndjeshme në çdo aspekt të jetës, që përbëjnë
një spektër të gjërë angazhimesh të të rriturve, si prindërit, edukatorët,
mësuesit, etj. Çdonjëri prej tyre nga prizmi i vështrimit dhe interesimeve të
veta ka obligimet personale në rritjen dhe edukimin e kësaj pjese të shoqërisë
sonë, që të kemi breza të shëndosh dhe të ndërtuar në të gjithë parametrat e
duhur, si shëndetin, edukimin, aftësimin e të kuptuarit drejtë të lojës,
shoqërisë, prindërve, etj.
Adem Abdullahu, pedagog i dëshmuar,
krijues letrar, veprimtar i palodhshëm i aktiviteteve kulturore dhe botues,
kujdes të veçantë i
kushton kryesisht kësaj pjese të shoqërisë, duke u dhuruar kënaqësi leximi,
lumturi dhe edukim me veprat letrare që i ka dhënë lexuesit për dekada. Kjo
veprimtari shquhet për temat që shtjellon, për çasjen e ngjarjeve në frymën
atdhetare, edukative dhe, sidomos, për gjetjet e reja që përmbushin nevojat e
lexuesit, si për mënyrën e trajtimit, vlerën dhe mesazhet që transmeton fjala e
tij artistiko-letrare.
E tillë është
edhe poema për fëmijë ,,Aradha e
shkronjave”, që vëmendshëm do të ndalojmë te çdo shkronjë-personazh i saj
për të shpalosur sa më shumë njohuri që takojmë brenda librit.
A – ZH personazhet që
ia trasojnë rrugën të nxënurit në gjuhën amtare
I prirë për gjetje
të temave interesante dhe të dëshiruara për fëmijët, Adem Abdullahu kalon në
rolin e ,,ushtarakut”, ku me përkushtim do të ngrisë ,,Aradhën e shkronjave”, që shquhet për temat që trajton, ku takojmë të ndërlidhur
bazamentin e elementeve që trasojnë rrugën e nxënjes së diturive gjatë tërë
jetës, duke krijuar kështu një frymë dashurie për kultivimin, ruajtjen dhe
ndërtimin e vlerave kulturore, letrare dhe pedagogjike, si komponente qenësore
që mundësojnë njohjen e rëndësisë së shkronjave, përvetësimin e nxënjes së
dijes dhe joshjen e leximit të këtyre moshave dhe më gjërë.
Në takimin e
parë me ,,Aradhën e shkronjave”
mësojmë se, pavarësisht vështirësive që kanë kaluar duke çarë ,,orteqe, stuhi bashkë,/ i qanë hallet kokë më
kokë.”, ato kaherë janë dakorduar, që
të krijojnë aradhën e tyre, ku:
,,Këshilli i
shkronjave propozoi:
A-ja e para
Aradhës t’i prijë,
kapur
dora-dorës me shoqe,
të shkojnë në
ARDHMËRI!”
(Po aty, fq. 4)
Pas këtij
propozimi, shkronjat arrijnë të krijojnë s’bashku Aradhën e tyre, përmes së
cilës do të zhvillojnë aktivitetet sipas përcaktimeve të mëparshme, për t’ia
dalur të ndërtojnë Tempullin e dijes, gjithnjë duke u përballur me rrugëtime
interesante ,,nëpër fusha e kopshte”
për të kaluar livadhe e ujëra lumenjësh, ngjitje nëpër vise të larta malore,
udhëtime nëpër qytete e vendbanime të ndryshme, dhe kështu ,,pa shkelur vend s’lanë/ s’i pengoi asnjë valë” deri në
përmbylljen me sukses të misionin e tyre.
,,Shkronjat në
ABETARE,
gur mbi gur
ngritën mur...
Aradha bëri
punë të madhe,
ngriti KALA më
t’fortë se kurrë.”
(,,Kalaja e shkronjave”, fq. 77)
Poema nis me
prologun prej tri strofash me nga katër
vargje, e pagëzuar ,,Aradha e shkronjave”,
sipas së cilës do ta merr titullin edhe vepra, dhe mbyllet me epilogun ,,Kalaja e shkronjave”, për të dhënë
tërësinë e zhvillimeve të ngjarjeve në këtë krijim letrar. Brenda kornizave të
këtyre ngrehinave që përkufizojnë gjithë veprimtarinë e tridhjetë e gjashtë
ushatrë–shkronjave që përbëjnë Aradhën e tërësishme të Alfabetit të shqipes, do
të zhvillohen të gjitha veprimet, aktivitetet dhe jetësimi i tyre në pronësinë
e përhershme të shkollarëve, që të
arrijnë suksese sa më të larta në të gjithë lëmenjtë e jetës.
Kështu, e para
nis shpalosjen e veprimtarive të saj shkronja A, si ushtaraku në ballë të
Aradhës dhe merr në pronësi gjithçka që fillon me fuqinë e saj, që nga
Atdheu e tutje, çdo emërtim, për t’ua hapur rrugën e deklarimeve sipas radhës
edhe shkronjave të tjera. Në vazhdimin e bisedave do të përballen me laryshi
ngjarjesh, temash, emërtime sendesh, toponime për male, lumenj, fusha të bleruara;
pastaj ambiente urbane, rrokaqiej, shkollarë, punëtorë, e çka jo tjetër, që
përbëjnë jetën e njeriut dhe mrekullitë e natyrës, pa mos u përballur edhe me
fatkeqësi e situata të befasishme atmosferike, si reshje bore, shiu, furtuna,
etj.
Nuk mungojnë edhe befasitë mes tyre,
kur ndonjëra nga shkronjat do të ngatërrohet në situata të veçanta, për të gjetur pastaj
shkas për ta shpotitur shoqet tjera. E tillë do të jetë ngjarja e Ç-së, e cila padashje ,,mbi një kopsht të bukur/ si brumbull u
lëshua”. Pas këtij veprimi e akuzuan se u ngatërrua qëllimshëm me bishtin
që i rri varur, por ajo në asnjë mënyrë nuk do të zmbrapset në detyrat e saj
dhe ,,Që atëherë Ç-ja/ kurrë s’gaboi,/ u
rrit, u forcua,/ por bishti i qëndroi” (po aty, fq. 11).
Por, gjatë këtij rrugëtimi ndodhin edhe
mrekullitë, sikur në veprimin e radhës me shkrojën D, e cila do të bëj një shërbim të bukur për Dritonin e Drilonen,
që ,,ecnin dorë për dore” dhe
gjithnjë mendonin për të realizuar çaste të mira, për të shkuar gjatë verës në
pushime verore, pastaj sa vinte e u
shtohej dëshira që të qerasnin njëri-tjetrin, me ëmbëlsia, me fruta, e pse jo,
edhe të qëndronin sa më gjatë në shoqërim, derisa në një çast do të ndodh
mrekullia:
,,Një D e një D-tjetër
u bënë dy,
s’kaloi shumë kohë
u kthyen në DASHURI.”
(Po aty, fq. 13)
Nuk janë të rralla edhe ankesat e
shkronjave, sidomos atëherë kur harrohen të ftohen në veprim, apo mbesin jashtë
funksionit nga pakujdesia e shfrytëzuesve. Një veprim i tillë i ndodh më së
shpeshti shkronjës Ë, e cila në
mungesë do të lë pa ËMBËLSIRË edhe adhuruesit më të mëdhenjë.
Këtu, si duket Këshilli i shkronjave
qëndron kujdestar në çdo rast dhe u ndihmon të gjitha atyre shkronjave që do të
kenë vështirësi në kryerjen e detyrave të veta brenda Aradhës. Gjatë rrugëtimit
të saj shkronja I do të pëson një
humbje. Asaj i bie pika që mbante si kapelën mbi kokë, që vazhdimisht e kishte bartur
me vete. Pa një, pa dy, i drejtohet Këshillit dhe me vendim të shpejtë ia kthejnë
pikën përsëri, për t’ia shtuar bukurinë, dhe ,,që atëherë ajo/ gëzon lumturinë.” (po aty, fq. 29). Çfarë befasie! Shkronja
K di edhe të mllefoset, sidomos kur e
shqetësojnë ,,kokëtul e kokëfortë/ dhe
kur njerëzit mes veti/ nuk KUPTOHEN në botë”, derisa gjenë kënaqësinë
shpirtërore dhe ,,pamasë gëzohet/ kur i
prinë kosmosit,/ KOMBIT, kompjutorit/ dhe...kosit!” (po aty, fq. 33).
Në ,,Aradhën e shkronjave”, L-ja
del të jetë e fuqishme dhe luftarake. Përveç punëve dhe detyrave të përhershme,
ajo do t’iu ndihmoj të veprojnë lirshëm të gjitha bashkëveprimatareve të saj,
qëkur ,,LIRINË me të mëdhaja e shkroi”.
Për këtë veprim kaq të guximshëm që:
,,L-ja përherë
LIRISË i këndoi,
Ndaj rrugën me LULE
Aradha ia shtroi”
(Po aty, fq. 35)
Në jetën e përbashkët të shkronjave në
familjen e madhe të Aradhës gëzimet nuk kanë të mbaruar. Edhe shkronja N do të gëzohet pamasë, meqë ,,Dy N dhe dy Ë,/ se dy nga dy bashkë/
shkruajnë emrin NËNË” (po aty, fq. 41). Nuk do të ndihej e qetë as P-ja, sikur mos ta kishte punën pjesë të veçuar të aktiviteteve të saj. Për
këtë veprim ndihet triumfuese, meqë ,,pa
lodhur PUNONTE,/ andaj në ARADHË/ flamurin përqafonte” (po aty, fq. 47). S-ja dredharake ,,Si lumi i kaltër/ që shumë S-ja ndërton” ku ,,edhe SYRI i Fatjonës” do të
kënaqet kur i shikon, sikur kanë rënë në ujdi të formojnë shoqërinë-shkronjën SH dhe ,,Të dyja dorë për dore/ shkuan te hidrocentrali,/ dritën elektrike kur
panë/ sa bukur, SHËNDRITI mali” (po aty, fq. 57).
Kështu do të vazhdojnë edhe shkronjat
tjera, që nuk kanë mbaruar ende raportimet në Aradhë, duke u ndier të qeta nën
dritën e përhershme të hidrocentralit dhe kënaqësinë e realizimit të detyrave
të tyre, derisa në fund të Aradhës po këndonin Z-ja me bashkudhëtaren e saj të përhershme H-në e bukur, që të dyja s’bashku krijonin shkronjën ZH. Sikur kjo e fundit nuk ndihej e
qetë, prandaj pareshtur ,,ZH -ja
ZHURMËRONTE/ kur prapa shikonte,/ donte mos të jetë e fundit,/ por Aradha
marshonte” (po aty, fq. 75).
Në këtë ambient kaq mirë të organizuar
,,Aradha e shkronjave” përherë do të
qëndrojë e pathyeshme në rrugëtimin e saj për të ndërtuar Tempullin e madh të
Abetares, e cila na mbanë krenar me rrezatimin e saj të artë në çdo shtëpi,
pranë çdo familjeje dhe përherë në duart e shkollarëve, që e duan dhe e
,,lëngëzojnë” jetën me frutat e saj prej drite e lumturie drejt ardhmërisë së
tyre të begatë.
Tri togjet e Aradhes na shoqërojnë çdoherë
Por jo
vetëm kaq mund të themi për ,,Aradhën e
shkronjave”. Ajo vjen e organizuar mirë dhe me një përbërje homogjene
shkronjash, të cilat mund të sistemohen në tri togje të veçanta, për të
funksionuar pastaj si një trup i përbashkët gjatë gjithë aktiviteteve dhe
veprimtarive të tyre të përditshme. Prandaj lirisht mund të vlerësojmë se shkronjat e Alfabetit të organizuara në Togun e zanoreve, të bashkëtingëlloreve
dhe në Togun e shkronjave dyshe e formësojnë ,,Aradhën e shkronjave”, e cila si një fuqi e përbashkët qëndron
përherë kujdestare në ngritjen e vlerave të gjuhës, drejtshkrimit dhe të
kultivimit të kulturës kombëtare.
Sipas këtij sistemimi në Togun e parë
qëndrojnë ato më të zëshmet, A, E, Ë, I, O U, Y, që nganjëherë ia thonë me
zërin e tyre melodik për të krijuar kënaqësinë e dëgjimit, të tjerat (bashkëtingëlloret)
paksa më të ngurtësuara, kërkojnë shoqërim të vazhdueshëm në përmbushjen e
detyrimeve të tyre në formësimin e fjalëve e fjalive që u obligohen. Por në
togun e tretë gjendja është më ndryshe. Aty shkronjat shoqërohen mes vete, për
të krijuar bashkë forcën e duhur në arritjen e sukseseve të reja. Të tilla
dalin të jenë shkronjat: DH, GJ, NJ, RR, TH, SH, XH dhe ZH. Një
bashkëveprim të tillë do ta bën edhe SH-ja, si njëra nga më të sprovuarat në
veprimtaritë e saj. Kështu ,,T-ja dhe
H-ja/ të shëndosha si THANË/ shëtisnin bregut të lumit,/ buzëmbrëmjeve me hënë”,
për t’i përballuar çdo sprove që u del përpara ato vendosin që s’bashku të
veprojnë:
,,Mikeshat e reja
Pasi Th-në THEMELUAN,
dorë për dore u kapën
sa herë që THUMBUAN.”
(Po aty, fq. 61)
Pavarësisht situatave, shkronjat asnjëherë
nuk e ndryshojnë përbërjen e tyre numerike. Ato, ashtu të bashkuara çdoherë i
përmbushin nevojat e komunikimit dhe bashkëveprimit mes vete, duke mbajtur të
fortë Aradhën e tyre të patundur përballë furtunave që ua imponojnë situatat e
ndryshme.
Duartrokitjet e vlerave
Ishte mrekulli rrugëtimi ynë i
përbashkët me ,,Aradhën e shkronjave”,
të cilat na mbushën plot vullnet për ecje tutje në rrugën e diturisë, të nxënjes
dhe krijimit të një kulture shkrimore sa më të plotë.
Po sikur të ndodhte realizimi i një
pjese teatrale, apo i një ekspozite me vizatimet e shumta që e përcjellin këtë
lëndë poetike për Tempullin e Abetares dhe Alfabetin shqip?!
Megjithatë, është i pajustifikueshëm trasimi
i rrugës së diturisë, mësimit të gjuhës
së çiltër e deri në Kryefjalën – Dashuri për jetën, të bukurën, ardhmërinë...
Me duartrokitje i përmbyll këto
përjetime brilante, për t’ia lënë hapur rrugën e sukseseve ,,Aradhës së shkronjave”.