Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Fjalët e të mbijetuarit të Buchenwald dhe Auschwitz, 100 vjeçarit Eddie Jaku
E diele, 28.01.2024, 08:55 PM
Elvi Sidheri:
Në
Ditën e Kujtesës së Holokaustit, në kujtim të 6 milion hebrenjve të shfarosur
nga nazistët e bashkëpunëtorët e tyre anembanë Europës, fjalët e të mbijetuarit
të Buchenwald dhe Auschwitz, 100 vjeçarit Eddie Jaku, në parathënien e librit
të tij "NJERIU MË I LUMTUR NË BOTË", të botuar në shqip me përkthimin
tim, ngërthejnë thelbin e kësaj tragjedie, krahas fuqisë së paepur jetësore të
këtij njeriu dhe popullit të tij:
"Miku im i ri.
Unë kam jetuar tashmë
një shekull të plotë, dhe e di fort mirë çfarë domethënë ta kundrosh ligësinë
drejt në sy.
I kam parë tanimë gjithë
mynxyrat e njerëzimit, gjithashtu edhe llahtaret e kampeve të shfarosjes,
krahas orvatjeve të nazistëve për t’i dhënë fund një herë e mirë edhe jetës
sime, bashkë me jetët e shumëkujt tjetër.
Megjithatë, tani unë e
cilësoj veten time si njeriun më të lumtur në botë.
Përgjatë tërë këtyre
viteve të jetuara, këtë gjë kam mësuar: që jeta mund të jetë mirëfilli e
mahnitshme, nëse vendosim ta bëjmë të mahnitshme.
Kam për t’jua treguar
rrjedhimisht historinë time.
Nganjëherë, në disa
pjesë, ajo mund të tingëllojë fort e dhembshme, teksa gëlon në zymtësia e
thellë dhe nga pikëllimi i madh.
Sidoqoftë, në fund të
fundit, ajo është një histori lumturie, ngase lumturinë thelbësisht ne mund të
zgjedhim ta ndiejmë.
Gjithçka në këtë
këndvështrim na takon ne dhe askujt tjetër.
Në vijim do t’jua tregoj
si bëhet e mundur kjo gjë".