Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Krokodeilos Kladas (1425 - 1490)
E marte, 25.07.2023, 07:58 PM
Elvi Sidheri:
Shumë
pak, me gjasë kemi mësuar në historinë tonë, lidhur me figurën e Krokodeilos
Kladas (1425 - 1490), pinjollin e një familje të vjetër nga Himara, të lindur
në Koroni, ngulim arvanitas të Peloponezit (banorët arvanitas të të cilit, pas
shpërnguljes në Itali, do të themelonin ngulimet arbëreshe San Chirico Nuovo,
Ginestra dhe Maschito), i cili në vitin 1480, do të udhëhiqte stradiotët
arvanitas të Koronit kundër osmanëve, duke shkaktuar edhe fërkime të fuqishme
midis venedikasve dhe osmanëve rrjedhimisht, të cilët bashkërisht do të
kërkonin kokën e tij. Më vonë kësaj kryengritje do t'i bashkoheshin edhe
arvanitasit e Nafplionit, të udhëhequr nga Teodor Bua, gjersa më tutje Kladas
do të largohej me një anije napolitane nga Peloponezi. Ajo që pak dihet
ndërkaq, është roli i Krokodeilos Kladas në kryengritjen arbërore të udhëhequr nga
Gjon Kastrioti II, biri i Skënderbeut, në Arbëri në vitin 1481, me qendër
pikërisht në viset e Himarës, ku ishte edhe prejardhja e largët e Kladasit.
Ferdinandi II (1479-1516) ndërkohë po planifikonte një fushatë ushtarake në në
Epir dhe Arbëri për t'i larguar turqit nga zbarkimi në Otranto, dhe do ta
përfshinte, siç thuhet edhe Kladas rrjedhimisht në këtë revoltë, të prirë nga
djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti II. Fushata në Epir u zhvillua me sukses në
fazën e saj të parë, duke çliruar plot vise të arbërore, përfshirë Himarën.
Bejlerbeu i Rumelisë Sulejman Eunuku u përpoq me 3000 ushtarë të çante
rrethimin e kështjellës së Sopotit, të çliruar ndërkaq nga arbërorët, por ra në
pritë nga Kladas, u kap rob dhe u dërgua si peng tek Duka i Kalabrisë. Kështjella
e Sopotit bie në duart e revolucionarëve më 31 gusht 1481 dhe mbreti i Napolit
emëron komandant të Himarës Gjon Kastriotin II. Lufta civile në Perandorinë
Osmane pati përfunduar sakaq, dhe Bajaziti II (1481-1512) do të ngjitej në
pozitën e sulltanit, i cili dërgoi 30.000 ushtarë në Himarë për ta shtypur
kryengritjen arbërore. Më në fund osmanët arrijnë në pranverën e vitit 1492
duke i shtypur arbërorët me gjak.
Kladas
më tutje kthehet për të luftuar në Peloponez, dhe kapet e vritet mizorisht nga
turqit në vitin 1490.
Vepra
dhe trimëria, krahas rolit të këtij luftëtari të paepur arbëror në Peloponez
dhe veçanërisht në Kryengritjen Arbërore të Gjon Kastriotit II, meriton studime
e hulumtime të mëtejshme historike e shkencore, për ta nxjerrë në dritë plotësisht
figurën e këtij njeriu kaq të pashlyeshëm në kujtesën arbërore.